Bulliqi: Në Llap po kemi mbështetje të jashtëzakonshme, LDK-në e ka kapluar frika

Intervista

Bulliqi: Në Llap po kemi mbështetje të jashtëzakonshme, LDK-në e ka kapluar frika

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 15 nëntor 2020 Në ora: 17:22
Shpejtim Bulliqi

Kandidati për kryetar të Komunës së Besianës, si dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendit e Kosovës, Shpejtim Bulliqi, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka folur për situatën politike në vend, si dhe për kandidaturën e tij.

Bulliqi për “Bota sot” ka folur për sulmet politike ndaj tij dhe ndaj Vetëvendosje, duke cekur ish partinë Lidhje Demokratike të Kosovës. Ai thotë se LDK dhe qarqet pranë tyre kanë frikën e humbjes së pushtetit.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e shihni situatën politike në vend?

Shpejtim Bulliqi: Situata politike në vend mund të them se ka pasur zhvillime javëve të fundit prej Gjykatës Speciale e deri te zërat për një riformatim të Qeverisë me përfshirjen edhe të PDK-së. Mendoj se situata është e paqëndrueshme sepse kemi një qeveri të paqëndrueshme e cila nuk i ka numrat dhe kjo reflektohet pastaj. Vendi ka nevojë për qeveri të re të dalë nga zgjedhje të reja për ti dhënë stabilitet qeverisjes dhe situatës politike në vend.

“Bota sot”: Si e shihni punë e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Hoti?

Shpejtim Bulliqi: Qeveria Hoti realisht ka dështuar të bëjë punën e cila i takon qeverisë së vendit. Ka dështuar ti mbrojë interesat kombëtare të shtetit të Kosovës duke u lëshuar në aventura politike për hirë të karriges së pushteti. Ka dështuar po ashtu të u gjendet pranë dhe t`i ndihmojë qytetarët me vështirësitë ekonomike që ka sjellë pandemia por para se gjithash ka dështuar me menaxhimin e pandemisë, ku siç kemi parë nga vlerësimet ndërkombëtare, për një kohë të shkurtër të qeverisë Hoti, Kosova është kthyer nga një storie suksesi në menaxhimin e pandemisë në vend i cili po dështon me menaxhimin e saj. Kjo mendoj se flet mjaftueshëm për këtë qeveri.

“Bota sot”: Kosovë kohë të fundit ka stagnim ekonomik, kjo për shkak të pandemisë, si dhe përkundër tentimeve në Kuvend nuk është votuar ligji për rimëkëmbje ekonomike, si e komentoni këtë?

Shpejtim Bulliqi: Edhe ky është një dështim flagrant i qeverisë Hoti. Qeveria duhet të votohet nga shumica e deputetëve pikërisht për shkak se qeveria duhet të ketë shumicën në kuvend në mënyrë që të kalojë ligjet të cilat i sponsorizon. Një qeveri e cila nuk arrin ti sigurojë votat për një ligj siç është ky për rimëkëmbje ekonomike duhet të dorëhiqet sahat e më parë. Sepse është detyrë e qeverisë të sigurojë votat.

“Bota sot”: Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë preh e sulmeve si nga pozita e opozita, çfarë do të thotë kjo për ty?

Shpejtim Bulliqi: Vetë fakti se janë bërë bashkë të gjitha partitë që e kanë dëmtuar Kosovën për këto 20 vite flet për një si subjekt plotësisht i kundërt në raport me politikat që ata kanë zhvilluar deri më sot e që kanë dëmtuar rëndë shtetin tonë dhe të ardhmen e tij. Por flet edhe për mbështetjen e madhe qytetarë të cilën e gëzojmë e cila siç duket po i frikëson aq sa i ka bërë bashkë pa dallime.

“Bota sot”: Si mendoni që po menaxhohet pandemia?

Shpejtim Bulliqi: Pandemia besoj se i kemi parë edhe raportet ndërkombëtarë ku Kosova nga një storie suksesi në botë për menaxhimin e pandemisë është kthyer në një vend ku menaxhimi i saj po dështon, gjithë kjo për një kohë të shkurtër të qeverisë Hoti. Kjo dhe numrat gjithnjë në rritje të të infektuarve mendoj se është treguesi më i mirë se sa e pasuksesshme është treguar kjo qeveri.

“Bota sot”: Si i shihini masat e marra nga Qeveria Hoti për luftimin e pandemisë?

Shpejtim Bulliqi: Masat e marra nga qeveria, disa prej tyre janë mjaft të çuditshme dhe nuk janë indikatorë të ndonjë strategjie afatgjate të qeverisë por më shumë ngjajnë në masa ad hoke.

“Bota sot”: Si erdhi deri te kandidimi për kryetar të Komunës?

Shpejtim Bulliqi: Me propozimin nga anëtarët e Qendrës dhe pastaj me votimin nga anëtarësia e Qendrës pro kandidaturës sime, erdhi edhe deri te kandidatura ime për Kryetar të Komunës.

“Bota sot”: Çfarë janë peripecitë që po përballën qytetarët e Komunës së Besianës?

Shpejtim Bulliqi: Vështirësitë e qytetareve të Besianës janë të shumta, prej atyre ekonomike, infrastrukturore, pastaj administrative por edhe arsimore e shëndetësore.

“Bota sot”: Çfarë duhet të ndryshohet në thelb në Besianë?

Shpejtim Bulliqi: Në thelb Besiana ka nevojë për ndryshim të mentalitetit qeverisës sepse deri tani është qeverisur nga dhe për grupe të ngushta të interesit, ndërsa qytetaret dhe interesi i përgjithshëm është shkelur vazhdimisht nga ish kryetari dhe grupi i vartësve të tij.

“Bota sot”: A janë të gatshëm qytetarët për ndryshimin e madh në komunën në të cilën jeni duke kandiduar për kryetar?

Shpejtim Bulliqi: Po mendoj se qytetarët janë më të gatshëm se kurrë për ndryshimin e madh në Besianë. Mbështetja që ata po na japin në këto zgjedhje është e jashtëzakonshme. Kjo mbështetje përveç gatishmërisë së tyre tregon edhe për nevojën e madhe për ndryshim që kemi në Besianë.

“Bota sot”: Si i shihi kundërkandidatët tuaj për kryetar të Komunës?

Shpejtim Bulliqi: Kundërkandidatët e mi nuk i shoh më alternativë qeverisëse që do të përmbushte nevojën e ndryshimit të qeverisjes së keqe të gjithë këtyre viteve. Nënkryetari aktual do të ishte vetëm një vazhdimësi e kësaj keqqeverisje të tmerrshme të komunës sonë. Prandaj mendoj se alternativa e VV-së është rruga përpara për komunën dhe qytetarët tanë.

“Bota sot”: Kohëve të fundit, keni marr sulme të njëpasnjëshme nga ish kolegët tuaj të LDK-së, si i komentoni këtë? Cila mund të jenë arsyet? A është njëra nga to, kandidatura për kryetar të Besianës?

Shpejtim Bulliqi: Mendoj se sulmet e kohëve të fundit nga LDK dhe qarqet pranë tyre kanë të bëjnë pikërisht me zgjedhjet lokale në Besianë dhe friken e tyre për humbjen e pushtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat