Integrimi Evropian duhet të mbetet prioriteti kryesor i Kosovës

Intervista

Integrimi Evropian duhet të mbetet prioriteti kryesor i Kosovës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 24 nëntor 2020 Në ora: 08:23
Ilustrim

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot” njohësi i Integrimeve Evropiane dhe i politikave të BE-së Sami Blakaj ka thënë se Integrimi Evropian duhet të mbetet prioriteti kryesor i Kosovës, Fatkeqësisht deri më tani është bërë pak në këtë drejtim.

Blakaj vlerëson, se Qeveria e Kosovës në bashkërendim me institucionet e tjera përkatëse. duhet të ndërmerre masa në përgatitjen e një strategjie të përbashkët për integrime.

“Bota sot”: A mundë të pretendohet për integrime euroatlantike, derisa po dialogojmë me Serbinë gjegjësisht përmbylljen e këtij procesi dialogues me njohje te Kosovës nga Serbia? 

Sami Blakaj: E ardhmja euroatlantike e Kosovës, por edhe e Serbisë është e lidhur jo vetëm me dialogun, por edhe me implementimin e marrëveshjeve. Nuk do të ketë të ardhme euroatlantike as për Kosovën e as për Serbinë pa normalizuar marrëdhëniet në mes tyre, respektivisht pa njohje reciproke. 

“Bota sot”: Marrëveshja e Uashingtonit e nënshkruar nga Qeveria Hoti, obligon Kosovën të përmbahet nga aplikimi për integrime në asociacione ndërkombëtar dhe evropian. A është edhe kjo një pengesë që e shtynë procesin e integrimeve?

Sami Blakaj: Zotimi i Kosovës për pezullimin njëvjeçar në organizata ndërkombëtare padyshim se ishte zotim i dëmshëm për Kosovën dhe ndërkombëtarizimin e saj. Madje ky zotim shkon në dëm të vet sovranitetit shtetëror dhe si i tillë është në mospërputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës. Ky lëshim diplomatik vjen si rezultat i mungesës së një strategjie të mirëfilltë të palës kosovare për t’i çuar përpara proceset integruese për Kosovën. 

Image
Sami Blakaj, njohësi i Integrimeve Evropiane dhe i politikave të BE-së

“Bota sot”: Sa është bërë dhe çka duhet bërë për përgatitjen e masave për integrime? 

Sami Blakaj: Integrimi Evropian duhet të mbetet prioriteti kryesor i Kosovës, Fatkeqësisht deri më tani është bërë pak në këtë drejtim. Qeveria e Kosovës në bashkërendim me institucionet e tjera përkatëse duhet të ndërmerre masa në përgatitjen e një strategjie të përbashkët për integrime. Në këtë drejtim Qeveria e Kosovës duhet të ketë prioritete, të cilat në të njëjtën kohë janë edhe prioritete të Bashkimit Evropian, e ato ndër të tjera janë; forcimi i Reformës së Administratës Publike, forcimi i luftës kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar dhe shpëlarjes së parave, forcimi i reformës së gjyqësorit, implementimi i Strategjisë për Liberalizimin e Vizave, mirëmbajtja e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe pjesëmarrja konstruktive në takimet rajonale.

“Bota sot”: Po në aspektin institucionale dhe politik si dhe formimit qytetarë, cilat do të ishin investimet për të arritur ëndrrën moderne për integrim?

Sami Blakaj: Bashkimi Evropian funksionon mbi bazën e tri parimeve të përbashkëta institucionale: demokracisë, transparencës dhe llogaridhënies. Mendoj se janë pikërisht këto tri parime evropiane mbi të cilat duhet të investoj skena jonë institucionale dhe politike. Në të njëjtën kohë janë edhe qytetarët kosovarë ata të cilët duhet të angazhohen aktivisht në artikulimin dhe përçimin e kërkesave të tyre karshi politikbërjes dhe nivelit të përgjegjësisë institucionale. 

“Bota sot”: A ekziston brenda edukimit evropian dhe standardeve të vendosura për integrim edhe gjykimi dhe shikimi i disa vendeve e popujve si raca inferiore brenda BE?

Sami Blakaj: Jo, nuk mendoj se ekziston një edukim i tillë evropian, madje jo vetëm në aspektin praktik, atë të jetës së përditshme, por as edhe në aspektin ligjor. Vet motoja zyrtare e Bashkimit Evropian “Të bashkuar në diversitet“ përfaqëson vlerën dhe respektin ndërmjet popujve të ndryshëm, mbrojtjen e trashëgimisë dhe promovimin e diversitetit kulturor. Respektimi i të drejtave të njeriut, ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë historike dhe promovimi i diversitetit kulturor në BE janë instrumente shumë të rëndësishme për afrimin e komuniteteve dhe për përmirësimin e dialogut mes popujve, racave dhe kulturave të ndryshme. 

“Bota sot”: Kosova nuk e ka të përmbyllur krahas sovranitetit politik edhe atë të identitetit territorial gjegjësisht integritetit territorial pa përfunduar demarkimin me Serbinë në veri dhe verilindje. A e shihni si pengese për integrim ne BE dhe integrime euroatlantike si NATO por edhe ne OKB, nisur nga ky fakt si duhet ti orientoj objektivat politike gjeostrategjike dhe gjeopolitika në planin afatgjate? 

Sami Blakaj: Sigurimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të cilat përveç me mjete ushtarake, politike dhe ekonomike arrihen edhe me krijimin e aleancave dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare sigurimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të cilat përveç me mjete ushtarake, politike dhe ekonomike arrihen edhe me krijimin e aleancave dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtarë Kosova është në një situatë mjaft delikate për të lëvizur drejt anëtarësimit në organizata e mekanizma ndërkombëtarë. Për të marrë një ulëse në OKB, Kosova mund të përballet me sfidën e mbështetjes nga Rusia dhe Kina në Këshillin e Sigurimit, të cilat mund ta bllokojnë aplikimin e saj që të mos dalë fare në Asamblenë e Përgjithshme, ku duhen dy të tretat e votave (2/3) që një shteti i duhen për anëtarësim. Pengesat aktuale që i ka Kosova para vetes për anëtarësim në OKB apo organizata e mekanizma tjerë ndërkombëtarë, mund të shmangeshin nëse ndërkohë arrihet marrëveshja për normalizim të raporteve me Serbinë dhe njohje nga ana e saj. Më pastaj çdo rrugë tjetër do të zgjidhej. Hapi tjetër për Kosovën do të ishte anëtarësimi në NATO dhe hapja e negociatave në BE.

“Bota sot”: Spektri politik në Kosovë por edhe në Shqipëri ka struktura të ndara politike. Procesi i integrimeve evropiane dhe euroatlantike cilin objektiv strategjik kombëtar e mbështetë sipas juve? 

Sami Blakaj: Procesi i integrimeve evropiane dhe euroatlantike e mbështetë një objektiv kombëtar që është në funksion të demokratizimit dhe transformimit të shoqërisë dhe në përputhje me vlerat dhe parimet e Evropës së Bashkuar. Së këndejmi një proces i tillë euroatlantik kundërshton parasegjithash objektivin e një tranzicioni që nuk krijon institucione demokratike, modele zhvillimi të qëndrueshme dhe cilësi jete. 

“Bota sot”: Sa e shini si të mundur nga këndvështrimi dhe njohjet tuaja, se Kosova do të arrij standardet dhe përmbushë detyrat e vendosura nga BE? 

Sami Blakaj: Vetë integrimet evropiane janë një proces kompleks në të cilin sa më thellë futesh, komplikohet edhe më shumë. Kosova është vendi më pro-evropian, megjithatë ka shumë punë para vetës. Ndër standardet evropiane që Kosova duhet përmbushur janë: toleranca ndëretnike, fqinjësia e mirë, marrëdhëniet e mira me shtetet BE-se dhe normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kurse, edhe shumë punë mbetet për t´u bërë në zhvillimin e ekonomisë, në administratë dhe në fushën e jurisprudencës. 

“Bota sot”: Përfundimisht, meqë rruga e Kosovës për integrim kalon neper derën e dialogut dhe marrëveshjes me Serbinë, nga vlerësimi juaj profesional e pragmatik, a ka alternative tjetër që e tejkalon këtë moment. Meqë Serbia duket se ka interesim ta mbaje peng Kosovën në statuse aktuale? Cila është dalja nga kjo geto politike? 

Sami Blakaj: Normalizimi i marrëdhënieve fqinjësore është kriter i pa alternativë dhe është e vetmja rrugë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Evropa nuk është e interesuar që me pranimin e Kosovës dhe të Serbisë në Bashkimin Evropian, të tërheqë brenda vetes konflikte të pazgjidhura. Kosova dhe Serbia synojnë të ardhme evropiane dhe për të arritur këtë synim të dyja vendet kanë për obligim arritjen e një marrëveshje përfundimtare që rezulton me normalizim raportesh dhe njohje reciproke. 

“Bota sot”: Dihet se Kosova i ka te limituara mundësitë e luftës diplomatike për avancim te statusit te saj si subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtarë. Cili do te duhej te ishte roli i Shqipërisë në këtë dhe sa është mundësia reale për mbështetje?

Sami Blakaj: Njohja e shtetësisë dhe konsolidimi i saj është qenësor në krijimin e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe diplomatike me shtetet e tjera. Meqë Kosova vazhdon të jetë e limituar si subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare, konsideroj se Shqipëria do duhej dhe do mund të bënte më shumë për Kosovën dhe ndërkombëtarizimin e saj. Mbështetja e saj përmes politikës së jashtme do duhej të ishte unike dhe e përqendruar në sigurimin e njohjeve të reja për Kosovën dhe lobimin e saj në mekanizmat ndërkombëtar. 

“Bota sot”: Sa është bërë nga diplomacia në ngritje të shtetit të Kosovës, për të kërkuar mbështetje të tillë nga vendet mike dhe partnere që e kanë njohur Kosovën si shtet? 

Sami Blakaj: Fatkeqësisht tanimë nuk jemi më as në kohën kur flasim për njohje të reja. Fakti që kemi dështuar të sigurojmë njohje të reja, kjo e tregon edhe faktin e dështimit tonë diplomatik. Prandaj, në këtë kontekst, unë e shoh që tanimë jemi në fazë defensive, vetëm për të krijuar një lloj ambienti që të mos kemi së paku vendime politike për çnjohje nga vendet e caktuara. Me fjalë tjera, diplomacia kosovare ka dështuar në kuptimin e mbajtjes së lidhjeve si njëra ndër të drejtat themelore të shteteve. Pra nëse një shtet na njeh ne, e kemi obligim që në mënyrë të vazhdueshme përmes diplomatëve tanë të mbajmë lidhje dhe të mbajmë të informuar secilin shtet për zhvillimet tona. Përtej kësaj duhet shfrytëzuar miqësin me shtetet që na kanë njohur dhe përmes mbështetjes së tyre të kërkojm dhe të sigurojmë njohje të reja. Fatkeqësisht një gjë e tillë nuk ka ndodhë, prandaj sot më shumë flasim për çnjohje sesa për njohje. 

"Bota sot": Si e komenton procesin dhe zhvillimet e fundit të Gjykatës Speciale? 

Sami Blakaj: Arrestimet e fundit të krerëve të UÇK-së dhe njëkohësisht udhëheqësve më të lartë shtetëror e kanë goditur shumë imazhin e Kosovës dhe e kanë vendosur një njollë në historinë çlirimtare të vendit tonë. Kjo njollë e zezë do ti kushtoj Kosovës jo vetëm në aspektin politik e diplomatik, por edhe në stagnimin e zhvillimit ekonomik. Pretendimet e prokurorisë për UÇK-në si ndërmarrje kriminale janë të pasakta dhe të papranueshme, por që tashmë këto pretendime duhet qartësuar dhe faktuar nga të akuzuarit e speciales, respektivisht nga mbrojtja e tyre. Në këtë drejtim, mendoj se i gjithë spektri politik duhet të jetë unik në këtë kohë të vështirë për vendin dhe që bashkërisht të organizojnë një mbështetje dhe mbrojtje unike e profesionale për të akuzuarit e gjykatës. 

"Bota sot": A mendoni se posti i presidentit do të jetë sfidë e pakalueshme për momentin, e kësisoj do të kemi zgjedhje të reja?

Sami Blakaj: Zgjedhja e presidentit të vendit gjithmonë ka qenë një “mollë sherri“ për partitë parlamentare, veçmas për partitë e koalicionit qeverisës. Lakmia për të marrë postin e presidentit i “infekton” të gjitha partitë politike në Kosovë dhe kjo e pamundëson gjetjen e një konsensusi të gjerë politik dhe si rrjedhojë e kësaj me gjasë vendi do të shkoj në zgjedhje të reja.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat