“LDK do ta fitojë shumicën, 14 shkurti do të prodhojë sondazh të ri”

Intervista

“LDK do ta fitojë shumicën, 14 shkurti do të prodhojë sondazh të ri”

Arife Morina Nga Arife Morina Më 6 shkurt 2021 Në ora: 16:34
Avdullah Hoti, kandidat për kryeministër nga LDK-ja

Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ali Topalli u shpreh se situata politike në Kosovë është e rëndë, për shkak të mos koordinimit të spektrit politik ndër vite e të cilët nuk përçuan më shumë tolerancë dhe mirëkuptim në mënyrë që vendi të ecën para e të zhvillohet.

Topalli beson që Lidhja Demokratike e Kosovës do të fitoj shumicën dhe do të marrë përgjegjësi për të vazhduar me qeverisje të mirë siç e dëshmuan këta muajt e fundit.

Ndërsa, sa i përket sondazheve, kandidati i LDK-së tha se 14 shkurti do të prodhoj sondazh krejt ndryshe dhe qytetarët do të mësojnë të vërtetën e po ashtu do të mësohen me sondazhin e ri.

Image
Ali Topalli

Lidhur me largimin e Vjosa Osmanit, Topalli konsideron se ajo ka bërë një gabim të madh që është larguar dhe rreshtimi i saj në një subjekt tjetër që vet e kundërshtonte sigurisht se nuk do ti sjellë asaj asgjë të mirë.

Në fund, ai u bëri thirrje mbështetësve të LDK-së që me datë14 shkurt të dalin masovikisht në zgjedhje, t’i japin besimin e merituar LDK-së dhe kandidatëve në listë sepse kjo parti është parti e shpresës për një të ardhme më të mirë, parti që posedon potencial të jashtëzakonshëm me kuadro dhe me frymë Rugoviane.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si i komentoni zhvillimet politike në vend?

Ali Topalli: Kosova gjendet në një situatë të rëndë politike, kjo gjendje mendoj se është nga një mos koordinim i spektrit politik ndër vite e të cilët nuk përçuan më shumë tolerancë dhe mirëkuptim në mënyrë që vendi të ecën para e të zhvillohet dhe të mos përballet në çdo dy vite me procese të kushtueshme zgjedhore.

“Bota sot”: Tani në fushata zgjedhore ka nisur zyrtarisht dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka filluar aktivitetet në terren. Nga ajo çfarë keni parë deri më tani, cili është disponimi i qytetarëve në këto tubime?

Ali Topalli: Situata me pandeminë ka ndikuar që tubimet të jenë më të vogla për nga numri i pjesëmarrësve por jo edhe për nga numri i atyre që fuqishëm po e mbështesin Lidhjen Demokratike të Kosovës si një parti shtet formuese dhe shtet ndërtuese. Qytetarët po e mirëpresin programin e LDK-së si një program që dallon nga programet e partive të tjera. Ata po e vlerësojnë lartë punën dhe angazhimin e deritashëm të Qeverisë Hoti, kurse fuqishëm po e mbështetin edhe listën me kandidat e cila listë është shumë e pasur me kuadro dhe e përfaqësuar nga të gjitha profilet.

“Bota sot”: Cilat do të jenë temat kryesore që do të trajtoni në Kuvendin e Kosovës nëse arrini të i merrni votat e mjaftueshme për mandatin e deputetit?

Ali Topalli: Unë besoj shumë tek qytetarët e Fushë Kosovës por edhe më gjerë se do të jem i votuari i tyre në zgjedhjet e 14 shkurtit, prandaj do të zotohem para qytetarëve të mi se do të bëjë punë të pastërta e të ndershme, do të punoj fort për një jetë më të mirë, do të angazhohem për një shoqëri të lirë e të integruar, të dijshme e zhvillimore. Ju premtoj qytetarëve të Kosovës se do të angazhohem me tërë qenien time për punë të mira për Kosovën, për angazhim ekipor e jetë normale, ju premtoj se do të punoj pa u ndalë për ngritje të vetëdijes qytetare, pa dallim etnie race a gjinie. Do të punoj për një LDK të fortë e Evropiane.

“Bota sot”: Cila është pritshmëria e juaj gjatë këtyre zgjedhjeve?

Ali Topalli: Pres që Lidhja Demokratike e Kosovës të fitoi shumicën dhe të marrë përgjegjësi për të vazhduar me qeverisje të mirë siç u dëshmua këta muajt e fundit.

“Bota sot”: Si e komentoni largimin e Vjosa Osmanit nga partia e juaj, a do të ndikoj kjo në zvogëlimin e votave elektorale në këto zgjedhje?

Ali Topalli: Vjosa Osmani ishte një figurë qendrore në LDK, ajo ishte shtëpia e sajë dhe shtëpia e ka rendin dhe rregullin e funksionimit, andaj mendoj se ka bërë një gabim të madh që është larguar dhe rreshtimi i saj në një subjekt tjetër që vet e kundërshtonte sigurisht se nuk do ti sjellë asaj asgjë të mirë, kurse LDK-ja e ka elektoratin e vetë të përhershëm dhe stabil andaj edhe do të votoi kandidatët e saj si asnjëherë deri më tash. Zvogëlim nuk e besoj se do të ketë, përkundrazi besoj se do të ketë vetëm rritje.

“Bota sot”: Kohët e fundit shumë kompani kanë publikuar sondazhe të ndryshme, ku LDK-në e vendosin si partinë e tretë. Sa ju duken të besueshme këto sondazhe?

Ali Topalli: Sa u përket sondazheve tani më dihet botërisht se nga kush e si përgatiten ato, nga kush dhe çfarë qëllimi kanë. 14 shkurti do të prodhoj sondazh krejt ndryshe dhe qytetarët do të mësojnë të vërtetën e po ashtu do të mësohen me sondazhin e ri.

“Bota sot”: A mendoni se duhet të ketë një debat televiziv mes kandidatëve për kryeministër të vendit, lidhur me ballafaqimin e temave kryesore nga programet e tyre qeverisëse?

Ali Topalli: Me sa unë di kryeministri Hoti ka shprehur publikisht vullnetin e tij për debat televiziv me të gjithë kandidatët pretendent por po shihet që asnjëri nuk merr guximin për tu përballur sepse janë rezultatet dhe të arriturat e qeverisë së LDK-së dhe koalicionit ato që kandidatët nuk mund ti kapërdinin.

“Bota sot”: Si e komentoni qeverisjen e Avdullah Hotit gjatë këtyre muajve, a duhet që qytetarët ta votojnë prapë bazuar në punën e tij të bërë deri më tani?

Ali Topalli: Kryeministri Hoti për kaq kohë të qeverisjes e vendosi shtetin e Kosovës në binarët e merituar, që të tjerët për pak ditë e shmangën atë, krijoi stabilitet dhe mirëqenie për të gjitha kategoritë, punoi pandalshëm për luftimin e pandemisë duke ofrua shembull se si duhet menaxhohet vendi në këto situata. Pra përderisa të tjerët punuan kundër shtetit, zoti Hoti me zgjuarsinë e tij arriti që vendit ti japi drejtimin e duhur e për këtë arsye mendoj që qytetarët edhe do ti japin besimin e merituar.

“Bota sot”: Si e vlerësoni koalicionin me Aleancën Kosova e Re, a mendoni se ishte subjekt i duhur për marrëveshje bashkëpunimi?

Ali Topalli: Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka bërë koalicion me AKR-në, ata janë pjesë e listës sonë dhe aty do të maten se sa do të kenë peshën e ndikimit në parti por edhe peshën e përgjegjësisë.

“Bota sot”: Kosova ka nënshkruar marrëveshjen e njohjes reciproke me Izraelin, çfarë mendimi keni lidhur me këtë marrëveshje?

Ali Topalli: Është kjo edhe një e arritur e kryeministrit Hoti nga takimi i Washingtonit. Dihet qe sa kohë që Kosova nuk kishte njohje nga shtetet tjera që nuk na kanë njohur deri më tani. Konsideroi se njohja nga Izraeli është me ndikim të jashtëzakonshëm si për zhvillimet politike ashtu edhe ato ekonomike. Miqësia që Kosova kishte me popullin hebraik është një miqësi që ka histori dhe ajo nuk mundë të lihet anash.

“Bota sot”: Cili është mesazhi juaj për përkrahësit e Lidhjes Demokratike të Kosovës?

Ali Topalli: Mesazhi im për përkrahësit e Lidhjes Demokratike të Kosovës është: Me datë 14 shkurtë të dalin masovikisht në zgjedhje, t’i japin besimin e merituar LDK-së dhe kandidatëve në listë sepse kjo parti është parti e shpresës për një të ardhme më të mirë, parti që posedon potencial të jashtëzakonshëm me kuadro dhe me frymë Rugoviste, parti që do ti përfundon proceset e rëndësishme për vendin duke e integruar atë në familjen e madhe Evropiane!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat