I bindur në fitore dhe rikthim të Obiliqit, Krasniqi tregon sa komuna do t’i fitojë LDK

Intervista

I bindur në fitore dhe rikthim të Obiliqit, Krasniqi tregon sa komuna do t’i fitojë LDK

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 11 shtator 2021 Në ora: 23:15
Foto ilustrim

Ish-kryetari tashmë kandidati për kryetar të Komunës së Obiliqit Mehmet Krasniqi, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka folur rreth gjendjes aktuale politike në vend.

Ai ka deklaruar se në këto zgjedhje, LDK do t’i fitojë komunat të cilat i ka në qeverisje, përfshirë edhe Prishtinën. Ndërsa, në rast se do të zgjidhet kryetar i kësaj komune, pika e parë në të cilën do të fokusohet, do të jetë stabilizimi i punës në administratën komunale, vendosja e njerëzve profesionist në vendet adekuate, si dhe mënjanimin e dallimeve mbi baza politike. Madje, si parakusht thekson se do të jetë, bërja e komunës si institucion për të gjithë, pra pa dallim të bindjeve politike.

Krasniqi ka theksuar se komuna e Obiliqit për momentin është me shumë dobësi, duke filluar nga mos zbatimi i Ligjit për Obiliqin, dëmtimi i sistemit arsimor, e deri te punësimi me të njofshëm.

I pyetur se pse qytetarët duhet t'ia besojnë atij këtë mandat, ai theksoi se janë disa arsye, në radhë të parë, theksoi programi më i mirë qeverisë, madje edhe ekipin më të shkëlqyeshëm të kandidatëve për Asamble Komunale.

Më tej, Mehmeti ka përmendur edhe disa nga projektet që do t'i shqyrtojë në rast se del fitues nga këto zgjedhje, ai potencoi se periudhën e fillimit të vitit do ta shfrytëzojnë për të krijuar stabilitet brenda administratës, pastaj do t'i bëjmë përgatitjet për zbatimin e programit. Madje sipas tij, një pjesë mund të realizohet qysh në vitin e parë. Krasniqi shtoi se prioritet do të ketë arsimin, instalimi i ngrohjes qendrore, projekt që nuk arriti ta realizojë dot qeverisja aktuale për 8 vite.

Tutje, ka treguar edhe disa nga hapat që do t’i ndërmerr për parandalimin e përhapjes së Covidit në komunën e Obiliqit, derisa ka thënë se do të bëhen pjesë e fuqishme e luftimit të kësaj pandemie, duke mos kursyer edhe kapacitetet shëndetësore profesionale, si dhe duke ndarë buxhet të mjaftueshëm.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e vlerësoni qeverisjen aktuale të komunës së Obiliqit?

Mehmeti Krasniqi: Të dobët, me shumë dobësi dhe skandale. Një udhëheqje, përfshirë kryetarin dhe drejtorët komunal të papërgatitur. Një qeverisje që nuk ka arrit të zbatoj Ligjin për Obiliqin në krejt dimensionin e tij, dhe për pasojë shumë miliona dhe të mira tjera kanë mbetur të pashfrytëzuara. Një qeveri që ekzekuton projekte pa ndonjë plan urban dhe si pasojë ka realizim të projekteve të panevojshme dhe mungesa e atyre që janë jetike. Një qeverisje që e ka dëmtuar rëndë sistemin arsimor në komunën tonë duke sjell cilësinë e arsimit nën çdo nivel e duke dëmtuar mësimdhënësit mbi baza politike, duke punësuar me të njofshëm e duke dëmtuar mësimdhënësit me përvojë me përgjysmim të normave për tua dhënë militanteve partiak. Një qeverisje së cilës për çdo vit i mbesin të pashfrytëzuara dhe i shkojnë suficit rreth 2 milion euro. Një kryetar i cili ka fituar dy mandate me mashtrim të qytetarëve për punësim në KEK e që se ka realizuar asnjë. Një qeverisje ku gjysma e ekzekutivit tërë ditën ndodhen nëpër gjykata për vepra korruptive, duke vulosur qeverisjen e Xhafer Gashit si një nga qeveritë komunale ndër më të korruptuarat në vend.

Image
Mehmet Krasniqi

“Bota sot”: Pse qytetarët duhet t’ua besojnë juve mandatin e ardhshëm?

Mehmeti Krasniqi: Janë shumë arsye, do t'i përmend disa: Në radhë të parë e kemi programin më të mirë qeverisës të hartuar nga profesionistët më të mirë që ka komuna jonë; Po kthehet fryma e LDK-së, qytetari duke provuar qeveri e variante të ndryshme qeverisëse duket se është bindur që LDK-ja ofron qeverisjen më të mirë kudo në vend; Një ekip i shkëlqyeshëm i kandidatëve në listën për Asamble Komunale, që e pranojnë edhe qytetarët, është lista më e mirë përfaqësuese në Obiliq. Kandidati jonë për kryetar e ka përgatitjen e duhur dhe përvojën e madhe në udhëheqje me institucionet dhe është figurë jashtëzakonisht e pëlqyeshme, korrekte dhe që njihet në opinion si mbajtës i fjalës dhe jo mashtrues. Sepse ne e garantojmë në tërësi zbatimin e Ligjit për Obiliqin, që kryetari aktual nuk ka arrit ta bëjë. Sepse ne e garantojmë zhvillimin në të gjitha fushat që menaxhohen nga qeverisja komunale. Sepse ne e garantojmë programin më të mirë për ngritjen e cilësisë në arsim si bazament i zhvillimit të përgjithshëm të komunës sonë.

“Bota sot”: Pika e parë që do të fokusoheni nëse do të zgjidheni kryetar i kësaj komune?

Mehmeti Krasniqi: Stabilizimi i tërësishëm i punës në administratën komunale, vendosja e njerëzve profesionist në vendet adekuate, krijimi i disiplinës, mënjanimi i tërësishëm i dallimeve mbi baza politike që ka instaluar kryetari me bashkëpunëtorët e vet atje. Thjeshtë shpejt komunën do ta bëjmë institucion që do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim të bindjeve politike, fetare apo etnike. Ky është parakusht për të zbatuar pastaj programin tonë qeverisës.

“Bota sot”: Cilat janë pritjet e LDK për zgjedhjet e 17 tetorit në përfshirje më të gjerë, pra edhe në komunat tjera?

Mehmeti Krasniqi: Unë besoj shumë që LDK-ja do t'i fitojë komunat që i ka në qeverisje, si dhe një numër të madh të komunave tjera përfshirë Prishtinën. Obiliqi do të kthehet në qeverisjen e LDK-së me siguri të plotë.

“Bota sot”: Cilat janë projektet që do t’i shqyrtoni më me prioritet në rast se dilni fitues?

Mehmeti Krasniqi: Periudhën e fillimit të vitit do ta shfrytëzojmë për të krijuar stabilitet brenda administratës, sepse aktualisht situata atje është kaotike si pasojë e diskriminimit që ka bërë kryetari ndaj punëtorëve profesionist dhe me përvojë të madhe që janë atje. Më pas do t'i bëjmë përgatitjet për zbatimin e programit tonë, një pjesë të të cilit mund ta realizojmë qysh në vitin e parë në periudhën e rishikimit të buxhetit komunal. Do të ketë prioritet absolut arsimi sikur që orientimi ynë strategjik do të jetë në investime që krijojnë mundësi të punësimit dhe mirëqenies së qytetarëve. Do i realizojmë projektet identitare të cilat shpejt do t’i shpalosim në fushatë, ndërsa një nga prioritetet do të jetë instalimi i nxemjes qendrore, projekt që nuk arriti ta realizoj dot qeverisja aktuale për 8 vite. Duke insistuar në hartim të legjislacionit sekondar, rregulloreve dhe udhëzimeve administrative synojmë ta zbatojmë në plotëni nenet e dobishme që sjell Ligji mbi zonën e veçantë mjedisore, që do të jetë një lehtësim i madh për qytetarët tanë në sferën e shëndetësisë, mirëqenies sociale, subvencionimit të energjisë elektrike për ekonomitë familjare etj.

“Bota sot”: Çfarë mendimi keni për kundër-kandidatët tuaj?

Mehmeti Krasniqi: Për faktin që janë të përzgjedhur nga subjektet e tyre politike nënkuptohet që përfaqësojnë një cilësi të caktuar. Unë i respektoj dhe do të zhvilloj një garë fer e demokratike me ta sado që kam mendimin që përgatitja e tyre dhe përvoja e tyre në udhëheqje len për të dëshiruar.

“Bota sot”: A keni ndonjë plan konkret për zvogëlimin e ndotjes së ajrit në Obiliq?

Mehmeti Krasniqi: Platforma më e sigurt në këtë drejtim është zbatimi i Ligjit për Obiliqin për pjesën që e trajton ambientin. Dhe ne këtu do të jemi pa kompromis, sepse mjedisi është parakusht esencial për një jetë dhe funksionim normal të komunës sonë. Natyrisht që edhe investimet tona do të kenë prioritet ambientin duke bërë komunën tonë një mjedis të gjelbër, të pastër dhe të jetueshëm për banorët tanë.

“Bota sot”: Çfarë ka mbetur pa u kryer nga mandati juaj sa ishit kryetar i komunës?

Mehmeti Krasniqi: Është një periudhë relativisht e gjatë e kaluar dhe është vështirë të bëhet ndonjë ndërlidhje me projektet e kaluara. Sido që të jetë prioritet do të jenë disa projekte identitare që i kemi pas të planifikuara më herët dhe natyrisht do të shkohet edhe në projekte që lidhen me turizmin që plotësisht i mungon komunës sonë.

“Bota sot”: Cilat hapa do të ndërmerrni për parandalimin e përhapjes së covid në komunën tuaj?

Mehmeti Krasniqi: Kjo çështje bie në përgjegjësinë e pushtetit qendror. Ne do ta bëjmë detyrën tonë në zbatim të plotë të instruksioneve të institucioneve kompetente, por që do të bëhemi edhe vet pjesë e fuqishme e luftimit të kësaj pandemie duke mos kursyer edhe kapacitetet shëndetësore profesionale që kemi, duke i shtuar ato sipas nevojës e duke ndarë buxhet plotësisht të mjaftueshëm si përgjigje ndaj kësaj sfide të rënd që po na përcjell.

“Bota sot”: Si e komentoni punën e qeverisë Kurti deri më tani?

Mehmeti Krasniqi: Në shpërputhje të plot me premtimet që i kanë bërë dhe me pritjet e qytetarëve që i kanë votuar. Për ne njerëzit që merremi me politikë ka qenë e qartë që një kauzë populliste e VV e ambalazhuar me retorikë demagogjike e patriotike nuk do të mund të zbatohet për shumë arsye. Zhgënjimi i qytetarëve vërehet kudo dhe unë e vlerësoj si një qeverisje të paaftë për ta kryer misionin e saj për çka është votuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat