Kurti trashëgoi ‘tokën e djegur’, komandantët e cubat ua bllokuan armët dhe paratë Ademit dhe Hamzës

Intervista

Kurti trashëgoi ‘tokën e djegur’, komandantët e cubat ua bllokuan armët dhe paratë Ademit dhe Hamzës

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 24 shtator 2021 Në ora: 08:24
Albin Kurti

Idriz Zeqiraj publicist dhe veprimtar në Gjermani, në një intervistë për ‘Bota sot’ ka folur rreth qeverisjen aktuale në vend. Ai ka thënë se Kryeministri Albin Kurti ka trashëguar ‘tokën e djegur’. Zeqiraj ka folur po ashtu për qëndrimet e kryeministrit Kurti karshi dialogut dhe Serbisë.

Ai thotë se derisa Serbia dhe zyrtarët e saj e kishin të lehtë të dialogonin me Hashim Thaҫin dhe ekipin e tij, me Kurtin ky dialog është më i vështirë.

Zeqiraj është pyetur edhe për pozitën e ambasadorit në Shqipëri që i është ofruar dhe ai ka përmendur edhe pozitat e tjera që i janë ofruar më parë nga Presidenti historik, Ibrahim Rugova dhe më pas edhe shteti gjerman.

Image
Idriz Zeqiraj

Ai ka kritikuar Qeverinë Kurti për menaxhimin e pandemisë, duke thënë se kjo ka ndikuar në zbehjen e ‘shkëlqimit’ të kësaj partie e që rezultatet mund të shfaqen edhe në zgjedhjet lokale që do të mbahen së shpejti.

“Bota sot”: Si e vlerësoni qeverisjen aktuale të Qeverisë Kurti?

Idriz Zeqiraj: Qeveria Kurti erdhi në pushtet, si domosdo e ndryshimit. Opozitarizmi ishte i dhunshëm, hiç i natyrshëm, në kushtet e një demokracie liberale. Por, koha e dëshmoi se kërkesat e LVV ishin të drejta, madje, justifikuan bindshëm dhunën e përdorur nga ajo. Shkurt, LVV ishte e vetme në mbrojtje të Republikës. Qeveria Kurti trashëgoi "tokën e djegur". "Komandantët" cuba kishin abuzuar e keqpërdorur pasuritë e brezave shqiptarë, jo vetëm kur ishin në krye të pushtetit, por edhe duke qenë në opozitë. Forca e tyre ishin bandat, të krijuara gjatë luftës dhe shumë aktive edhe pas luftës. Qeverisë Kurti, aktualisht, po i mungon ai "ritmi i rrugës", i manifestuar në opozitarizmin e saj. Në shumësinë e 400 mijë votuesve, gjithsesi, do të sigurohej një ekip prej një duzinë kuadrosh. Megjithatë, pushteti është përqendruar tek kuadrot, relativisht, rinorë, me vullnetin e mirë për punë, por, pa përvojën e nevojshme drejtuese. "Çinovnikët", aparatçikët burokratë, jo rrallë, kanë përtokur edhe Rusinë e madhe. "Kuadrot" e marrë nga rruga, me nepotizëm e korrupsion, me diploma të blera, por, të punësuar dhe të koracuar me vendime zyrtare, në rrethanat e një drejtësie të rrënuar e të kapur rast, nga ish-pushtetarët kriminelë e hajna, kanë pykuar spastrimin e një administrate korruptive e sabotuese të reformave, të ndryshimit. Rrjedhimisht, me gjithë angazhimin përkushtues, Qeveria Kurti duhet të lirohet nga disa ligje të trashëguara, të cilat edhe pa komunizmin, në praktikë, e mbrojnë atë. Për këtë e favorizojnë numrat vendim-marrëse, për ta bërë ndryshimin e mirëfilltë.

“Bota sot”: Si po e menaxhon pandeminë kjo qeveri?

Idriz Zeqiraj: Pandemia, kjo e keqe e përbotshme, e ka vënë në sprovë Qeverinë Kurti 2. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili kishte shkëlqyer në menaxhimin e Drejtorisë përkatëse në komunën e Prishtinës, në Qeverinë Kurti 1, duke ditur hallet, mundësitë e kufizuara të Kosovës, për vaksinim e trajtim kurativ, vuri masa të rrepta profilaktike, parandaluese të përhapjes së pandemisë. Opozita e re, e frustruar nga humbja e pushtetit, e çoi Qeverinë Kurti në Gjykatën Kushtetuese. Dhe, ajo, duke qenë e kapur nga presidenti kontravers e lavir, Thaçi, e ndëshkoi me "shkelje të Kushtetutës", kinse, "për shkelje të drejtave të qytetarëve"! Kështu, frenoi shumë nga masat mbrojtëse. Madje, edhe dënimet e dhëna, për shkelje të rregullave mbrojtëse pandemike, tashmë, opozita en bloc, zhurmoi skajshëm, për t`i falur qytetarët e gjobitur, për mospërfillje të udhëzimeve zyrtare. Dhe, pasoi virusi "Delta", me përhapje rapide, pikërisht, në pikun e verës, me praninë enorme të mërgimtarëve. Të mësuar me falje, profilaksia mbrojtëse, u shpërfill nga qytetarët dhe infeksioni masiv shpërtheu pakontrollueshëm, tashmë, pavarësisht moshave, viktimat u shumëfishuan, në krahasim me infeksionin e parë. Pastaj, herë mungesa e vaksinave, herë hezitimi i qytetarëve për vaksinim, nuk u realizua norma e parashikuar vaksinuese. Por, ajo që nuk justifikohet, është skadenca e pakontrolluar e 134 mijë vaksinave - Astra Zeneca. Lënë për të dyshuar administrimi shpërndarës i vaksinave, nga zyrtarë të papërgjegjshëm, në mos edhe sabotues të qëllimshëm! Gjithsesi, për menaxhimin e tërësishëm, përgjegjësia bie mbi krerët drejtues ministrorë.

“Bota sot”: Së fundi, ka ndodhur një vrasje politike në Pejë, a ka ende rrezik për vrasje politike?

Idriz Zeqiraj: Vërtet, vrasja e dyfishtë në Pejë, ishte domethënëse, sepse bëhej fjalë për dy zyrtarë, madje, njëri kandidat për kryetar të komunës së Pejës, tjetri ish-kandidat për komunën e Deçanit. Këta i përkisnin partisë-bandë të krimit, PDK-së, por, të dy klaneve mafioze brenda saj: i pari, klanit të Hashimit, i përfaqësuar nga Xhavit Haliti, tjetri i Veselit. Punë, paksa e ngatërruar me SHIK dhe pazare të dyshimta. Edhe pse bandat duken se janë pasivizuar, në një masë, megjithatë, PAN-i është përkujdesur ta ruajë këtë infrastrukturë, si emergjencë të krimeve. Dhe, me urdhër mund të aktivizohen në çdo kohë, sepse krimi i pandëshkuar mund të përsëritet.

“Bota sot”: Është përmendur se jeni emëruar Ambasador në Shqipëri, cila është e vërteta në këtë?

Idriz Zeqiraj: Pas një veprimtarie kombëtare, tej gjysmë-shekullore, është menduar, më në fund, të shpërblehem me postin e ambasadorit. Megjithatë, ne, brezi i ilegales të viteve `60-a, konsiderohet si - brezi i idealeve, që ka aspiruar vetëm lirinë dhe kurrë postet. Si shtetas shqiptar, më 1992, Partia Demokratike Shqiptare më ofroi kandidimin për deputet dhe fitorja ishte, pothuajse, e garantuar. Katër kandidatura kosovarësh, të gjithë fituan. Atmosfera ishte e tillë. Nuk e pranova. Më 1993 më ofruan postin e Konsullit në Gjermani. Nuk e pranova, sepse në ato vite kishin punë më të vlefshme për Kosovën. Pala gjermane më punësoi përgjegjës në Bibliotekën e Qytetit. Një nëpunësi e preferuar. Por, fund-javët ishin ditë pune. Ndërkohë që ne kishim shumë punë për mbijetesën e Kosovës, begatimin e Fondeve. Braktisja e punës, rezultoi që sot të kem një pension modest, prej 260 euro mujore. Në vitin 2003, personalisht, Presidenti Rugova, më ofroi postin e zëvendës-ministrit të Arsimit. Duke e falënderuar për përkujtesën fisnike, e falënderova, se nuk kam ambicie për çfarëdo pozite qoftë. I gëzohem lirisë së Kosovës. Dhe, kjo është hyjnore. Mbetem në profesionin e gazetarit, për të këshilluar gratis. Dhe, gjithherë, i drejtpërdrejt e faktueshëm, pa u merakosur për opinionin e atyre, të cilët reagojnë me porosi të shefave të tyre. Ajo që bëri përshtypje ishte aprovimi masiv nga opinioni, për kandidaturën time diplomatike dhe kundërshtia e thekshme e gazetarëve dhe analistëve PAN-istë në Prishtinë dhe e social-komunistëve në Tiranë. Ishte një sinkronizim zërash dy palëshe. Gërmuan e rëmuan publicistikën time të begatë, duke e komentuar atë, sipas interesave të tyre në Kosovë dhe Shqipëri: "Idriz Zeqiraj, në shkrimet e tij tendencioze, ka atakuar e sulmuar komandantët kryesorë të UÇK-së, që është sulm edhe ndaj vet UÇK-së"; "ndarjen e Hamzës nga Ademi e konsideron të qëllimshme e politike, gjë që është e turpshme dhe kriminale"; "emërtimi i Aeroportit me emrin "Ademi Jashari", është i panatyrshëm, ngaqë nuk ka pasur qasje në atë". Dhe, vazhdojnë: "Ka sulmuar, në vijimësi, kryeministrin Edvin Rama, me shokë. Kush kritikon e shanë Ramën, ka sharë Shqipërinë"; " zoti Zeqiraj ka akuzuar partinë CSU në Republikën e Bavarisë gjermane, për miqësi me Serbinë, e cila është e vetmja Republikë gjermane, që kushtëzon heqjen e shtetësisë serbe, për ta marrë shtetësinë vendore". Realisht, më shumë se sa për mua, hallin e kanë ke ministrja Gërvalla dhe këtë nuk e fshehin dot, kur thonë se "po emëron ambasadorë bashkëmendimtarët e saj, si kamikazë në shtetet tjera"! Veprimtarja më e shquar shqiptare, në mbrojtje të luftës së drejtë të shqiptarëve të Kosovës dhe të UÇK-së, Donikë Gërvalla, ishte ajo që pykoi, në debatet televizive prestigjioze të Evropës, kryeministrat dhe gjeneralët e Millosheviçit, i njeh, "si parën e kuqe" komandantët, në përgjithësi, dhe ata të "Rognerit", në veçanti. Është e vetma zyrtare e lartë, e cila me kohë "ka vënë pikën mbi -i- dhe profecia ka rezultuar e saktë, faktike. E vërteta i tmerron ata që e kanë "mizën pas veshit" dhe mbrojtësit e tyre, pjesë e krimit. Disa nga "komandantët" horrakë, kanë abuzuar me Jasharët. Ademin dhe Hamzën i quanin cuba, bashibuzukë. Atyre ua bllokuan armët dhe paratë, të dërguara nga Mërgata. Padyshim, është e qëllimshme dhe thellësisht politike ndarja e Hamzës nga Ademi. Ata ishin vëllezër lindak, shokë armësh, madje, në të gjitha aksionet guerile. Asnjë "pushkë nuk ka shkrepur" Ademi më shumë se sa Hamza. Atëherë pse të ndahen në emërtesa institucionesh, rrugësh, sheshe, shtatore, libra, këngë?! Familja e nderuar Jashari i njeh "komandantët" hileqarë rogneristë, raportet LDK-LPK. Andaj, fajet, tashmë, të bëra qëllimshëm, duhet t`i sheshojë dhe t`i ndreqë, për aq sa është e mundur. Emërtesat komandant, kryekomandant, nuk i bëjnë asnjë nder Adem Jasharit. Sepse ai ishte kryeçetanik në Drenicë. Dhe, kjo është e mjaftueshme, në kushtet e një pushtimi të egër, të një shteti fort të organizuar policor. Kjo emërtesë është lëndore, adekuate, tejet domethënëse dhe tejkalon titujt tjerë, në luftën e hapur, legale.

“Bota sot”: Sipas juve, si mund të jetë rezultati i zgjedhjeve lokale?

Idriz Zeqiraj: Mbizotëron opinioni se shkëlqimi i LVV, është zbehur, krahasuar me zgjedhjet qendrore të 14 shkurtit të këtij moti. Arsyeja është premtimi i madh dhe pritshmëria e madhe nga Vetëvendosje. Mërgata, bastion i LVV dikur, kësaj radhe regjistrimet e votimit me postë, kanë pësuar rënie shumëfishore. Diçka ka ndodhur. Një ogur i keq për partinë rinore. Pritej që Qeveria Kurti të jetë eksplicite, e shpejtë, duke pezulluar ngutjen e përmbylljen e disa makro gjykimeve të dyshimta, që ishin grupore penalizuese, me zyrtarë të PAN-it. Por, heshti edhe përgjatë qeverisjes së parë, Kurti 1, edhe tanimë në qeverisjen Kurti 2.  Për shembull, afera "Pronto", me incizime të gatshme; falsifikimin e "Dëshmive të Veteranëve", nga 12.700 të vërtetë, në pritje për ta kapur shifrën 60 mijë veteranë të rrejshëm. Arrestohen bujshëm zyrtarë lokalë e qendrorë dhe lirohen në hetim të lirë! Zhgënjyese e dështuese. Subjektet tjera politike, presin kthimin e elektoratit të humbur, në zgjedhjet paraprake. LDK-e bëri hapa para drejt ndryshimit. Si duket ka vendosur të lirohet nga shantazhi i PDK-së, me dosjet e SHIK-ut të saj. Megjithatë, ka rezistencë të brendshme, sepse klani Mustafa, i anashkaluar, nuk pranon dorëzimin. Kjo u pa nga treshja e deputetëve, që refuzoi zgjedhjen e presidentes Vjosa Osmani. Një marrëveshje e heshtur -Lista GUXO-LDK-, për të mos organizuar partinë e re, funksionoi në heshtje. Vjosa dhe Donika duket se kanë burrërinë e bollshme, edhe pa mustaqe. Edhe PDK-ja po mundohet të shkëputet nga "komandantët", fort të diskridituar me krime e hajni zyrtare. Partitë familjare, AAK dhe Nisma, janë zgjyrosur fort, me aferat e shpronësimeve dhe të falsifikimit të "Dëshmive të Veteranëve". Ndërkohë që subjektet politike të opozitës, pretendojnë ruajtjen e komunave, të cilat  kanë qeverisur, LVV lufton për të marrë disa nga komunat e mëdha dhe të mesme. Sidoqoftë, priten ndryshime, qoftë edhe kozmetike, sepse zgjedhjet lokale, në një masë, ndryshojnë nga ato qendrore.

“Bota sot”: U përmend mundësia e shtyrjes të zgjedhjeve dhe pati propozim për shkurtim të fushatës. Sipas jush cili do të ishte opsioni më i duhur?

Idriz Zeqiraj: Si duket LVV nuk ishte e gatshme për zgjedhje, në pritje të përmirësimit të imazhit të dëmtuar, nga trajtimi i lënduar i pandemisë. Por, opozita e bashkuar, do ta shfrytëzojë, pikërisht, këtë përfolje për menaxhim të ngadalshëm, të vonuar. Takimi i presidentes Vjosë Osmani, i bërë me përfaqësues të partive politike, përjashtoi mundësinë e shtyrjes të zgjedhjeve. Presidentja nuk besoj ta shfrytëzojë ndonjërën nga klauzolat, që ia mundëson vendim-marrjen personale. Ajo po shkëlqen në kryerjen e detyrës fisnike, në krye të shtetit, duke demantuar bindshëm panexhirikun e Hashimit, Enver Hoxhën, se Vjosa nuk është e denjë për presidente! Rrenë doli. Në organizimin e zgjedhjeve, Kosova, pavarësisht nga subjektet politike në pushtet, ka krijuar rregull, traditë të mirë të procesit zgjedhor. Kryesisht, djem e vajza, të kuruar për procesin zgjedhor, kanë përkushtimin e duhur, për kryerjen e detyrës së ngarkuar. Që nga hyrja në objektin votues, deri në votim dhe largim, nuk ka asnjë grumbullim apo rrëmujë. Edhe familjarët votojnë, duke respektuar distancën, largësinë e duhur. Përdorimi i maskës, shmangia e dhënies së dorës, siguri, relativisht, e mjaftueshme. Pas virusit "Delta", në prag virusi "MU". Pra nuk ka siguri, nëse do të këtë përmirësim apo përkeqësim pandemik. Ndërkohë, opozita humbëse e madhe meritore, për batakçillëqet e saj, kërkon revansh. Lë ta provojë. Propozimi i shkurtimit të fushatës është i mirëpritur. Vërtet, partitë e PAN-it, për ndryshim nga LDK-ja dhe LVV, e kanë filluar fushatën menjëherë pas humbjes, pra, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit! Mendoj se opsioni më i duhur, do të ishte - asnjë ditë fushatë-. Shqiptarët janë të padisiplinuar dhe kurrë nuk zbatojnë udhëzimet zyrtare, për numrin e lejueshëm të njerëzve në grumbullim. Aq më pak, kur masa ndëshkuese ka degraduar, deri në degjenerim, nga kërkesat e opozitës për faljen e dënimeve. Rrjedhimisht, mjetet digjitale masive, janë të bollshme e mjaftuese, për të shpalosur programet zhvillimore të partive politike.

“Bota sot”: Sa punon diplomacia e Kosovës, për arritjen e njohjeve të reja?

Idriz Zeqiraj: Ministria e Punëve të Jashtme, edhe pse duhej të ishte më së paku e politizuar, në fakt, ajo ishte politizuar skajshëm. Kulmi arriti kur vota shitej me postin e diplomatit. Në këtë gjendje e gjeti Ministrinë e Jashtme Donikë Gërvalla. Ishin shkelur të gjitha normat morale e ligjore, në përzgjedhjen e diplomatëve. Kuota partiake përkatëse ishte rritur nga 50%, në 70%. Dështonte të bëhej deputet, shpërblehej me postin e diplomatit! PDK dhe AAK dominonin me punësim në diplomaci.  Nisma për të vënë rregull dhe ligj, nga ministrja Gërvalla, hasi në kundërshti të hapur. Pati ndonjë ambasador që sfidoi shkarkimin: "Nuk e lëshoj zyrën time"! Ministrja Gërvalla, në dy takimet e para ndërkombëtare virtuale, shkëlqeu, jo vetëm në përmbajtje, por edhe në sinqeritet, si nxënëse e Shkollës gjermane. "Po luftojmë krimin dhe korrupsioni në vendin tonë", - deklaroi ministrja Gërvalla. Opozita-koti PAN-iste, shpërtheu në akuza: "Pse i tregon botës se ne jemi kriminelë e hajna?! Sikur bota nuk e ditka këtë, e cila bashkëjeton prej 20 vitesh me ne, në Kosovë! Po kaq e sinqertë dhe dinjitoze ishte ministrja Donikë Gërvalla, kur para ministrave homologë të Evropës, deklaroi se nuk është fajtore Evropa, për mos liberalizimin e vizave për Kosovën, por, ne që nuk i kemi kryer detyrat e shtëpisë, nuk i kemi plotësuar kushtet e parashtruara nga BE-ja, siç janë ato bazike: luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionin galopant. PAN-istët, të mësuar me krime e hajni zyrtare, me gënjeshtra e dallavere, shpërthyen me akuza ndaj ministres Gërvalla, deri në kërkim të shkarkimit të saj! E vërteta është se ajo kishte kritikuar disa komandantë, të cilët hiqen si themelues e drejtues të UÇK-së, por, realisht, nuk janë as themelues dhe as drejtues të saj. Përkundrazi, ata akuzohen për krime politike e hajni zyrtare, për sabotim të luftës. Rrjedhimisht, me gjithë angazhimin enorme të ministres së Jashtme Gërvalla, kryeministrit Kurti, të presidentes Osmani, procesi i njohjeve të reja ka stagnuar. Serbia, e mbështetur fort nga simotra e saj Rusia, vazhdojnë të lobojnë kundër Kosovës dhe njohjeve të reja për atë. Arrestimet e zyrtarëve më të lartë të Kosovës, nën akuzën e rëndë të krimeve të luftës, ka përtokur imazhin e Kosovës. Megjithatë, së fundit, janë dhënë disa shenja pozitive, se mund të pritën njohje nga disa vende të Evropës, të cilat, deri tani, kanë hezituar ta bëjnë këtë, për arsye që, tashmë, dihen.

“Bota sot”: Si e vlerësoni qëndrimin e kryeministrit Kurti karshi Serbisë në dialog?

Idriz Zeqiraj: Dialogu me Serbinë, i filluar tej 10 vitesh më parë, kishte degraduar, me epërsinë absolute serbe. Të paktën, katër zyrtarët e parë të Serbisë, Vuçiq, Bërnabiç, Daçiq, Vulin, e kanë pranuar se e ndjejnë mungesën e Hashim Thaçit dhe të ekipit të tij. "Me Kurtin nuk po arrijmë të merremi vesh, ndërsa me Thaçin ishte i lehtë dialogu",- tha kryeministrja Bërnabiç. Albin Kurti ka një qasje tjetër në dialogun me Serbinë. Ai kërkon për të qenë të barabartë, si dy shtete të pavarura. Përndryshe, nuk mund të këtë as dialog të mirëfilltë. Në takimet e bëra, Kurti ka qenë i përgatitur, me kërkesat e qarta, të renditura në pika, në numra. Dhe, në përgjithësi, kërkesat e Albinit, janë pëlqyer edhe nga zyrtarët evropianë, të ngarkuar për dialogun dhe më gjerë. Akuzat e opozitës se gjoja Albin Kurti, në takimin e parë, "nuk kërkoi njohjen nga Serbia", nuk qëndrojnë. Madje, këtë akuzë ia bëri edhe shefja e dialogut Edita Tahiri, e cila ka mashtruar e gënjyer shqiptarët, së bashku me Hashim dallaveren, për 10 vjet radhazi, se, kinse, po bëjnë "vetëm dialog teknik dhe kurrë politik"! Ndërkohë, dihet botërisht se takimi ka filluar me pyetjen e përsëritur të kryeministrit Kurti: "Kur do ta njohësh Kosovën"? Përgjigja e Vuçiqit ka qenë: "Kurrë", e përsëritur, gjithashtu. Çuditërisht, shpifjen e eksponentes së PDK-së, Editë Tahiri, e kanë përsëritur opozita, madje, në grup. Ndërkohë, ekipi i Qeverisë Kurti ka qenë korrekt e transparent, në ato pak takime të bëra. Serbët nuk e fshehin se "nuk jemi të barabartë"! Dhe kryeministrja Bërnabiç, në bisedë me Kurtin, në një takim ballkanik, e shprehu këtë epërsi dhe, natyrshëm, mori përgjigjen e prerë nga kryeministri Kurti se "ka perënduar koha e patronazhit të Serbisë mbi Kosovën. Tani e prapa mund të takohemi dhe të dialogojmë vetëm si shtete të barabarta". Reciprociteti është bazë e dialogimit dhe të veprimit.

“Bota sot”: As këtë muaj nuk do të ketë takim në mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel, deri sa është thënë se nuk ka përparim. Si e vlerësoni këtë dhe sa ndikon kjo që dialogu të përmbyllet me një marrëveshje finale?

Idriz Zeqiraj: Dialogu 10 vjeçar, Kosovë-Serbi, ka qenë blerje kohe nga Serbia. Është fakt që janë arritur disa marrëveshje, por, pala serbe ka zbatuar vetëm ato që kanë qenë në favor të saj. Kurse shumë marrëveshje kanë mbetur vetëm në letër. Prandaj, Albin Kurti ngulmon në rishikimin e marrëveshjeve paraprake, për të vazhduar me marrëveshjet e reja. Dhe, kjo është e drejtë dhe korrekte, pasi dialogu është bërë me njeriun e shantazhuar, me dosje nga Serbia. Duket se Serbia dëshiron të vazhdojë një dialog, pa vendime serioze. Thjeshtë, për të fituar kohë, ashtu siç ka bërë përgjatë dekadës së shkuar. Andaj, edhe dialogu nuk ka pasur përparim. Por, Qeveria Kurti, për ndryshim nga Thaçi, me shokë, është i pashantazhueshëm dhe nuk pranon të mbahet peng nga pala serbe, siç kanë bërë me dialoguesit paraprakë.  Albin Kurti synon, gjithsesi, një marrëveshje finale, me njohjen reciproke. Dhe, kjo marrëveshje do ta zgjidhte "nyjën gordiane", që ka pykuar marrëdhëniet fqinjësore, në mes të dy shteteve, me barabarësi të plotë, në të gjitha fushat. Reciprociteti me Serbinë, i paralajmëruar nga Kurti, është një praktikë ndërkombëtare, ku shtetet ndjehen të barabarta, në të gjitha marrëdhëniet në mes tyre. Në takimin e fundit, Kurti-Laiçak, ia bëri të qartë zyrtarit evropian se "Kosova është palë e barabartë me Serbinë e kurrsesi temë". Kjo devizë pritet ta përshkojë të gjithë dialogun Kosovë-Serbi. Megjithatë, përmbylla e dialogut me një marrëveshje finale, në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk pritet të jetë e afërt. Në vitet `90-a, kur Dr. Rugova krijoi institucionet paralele, përfshi edhe Forcat e Armatosura të Republikës të Kosovës, (FARK) dhe Shërbimin Informativ të Kosovës, dërgoi djemtë e Kosovës, për ushtrime ushtarake në Shqipëri. Tre syresh: Sali Çekaj, Adem Jashari, Zahir Pajaziti, do të organizonin celulat e rezistencës, përkatësisht, në Dukagjin, Drenicë e Llap. Për rrjedhojë, pushtuesi serbo-sllav, do të arrestonte dhe dënonte ushtarakët dhe kuadrot tjerë. Ndërkohë, Dr. Rugovës i vjen një porosi e prerë, nga SHBA dhe shtetet e Quintit: "Luftën me Serbinë nuk duhet ta fillojë Kosova. Atë lë ta bëjë Serbia. Përndryshe, rrugë e mbarë pa ne"! Për çudë, disa matrapazë e halabakë të PAN-it, edhe sot e akuzojnë Rugovën se nuk e donte luftën! Në këtë rrjedhë të ngjarjeve politike, një porosi e madhe vlen edhe për Qeverinë Kurti, me shokë: Kurrë mos i thoni jo dialogut me Serbinë. Kosova nuk guxon të fajësohet për bllokimin e dialogut, pavarësisht provokimeve, në vijimësi, të saj, sepse këtë e ëndërron Serbia. Miqtë tanë ndërkombëtarë, presin konstruktivitet nga udhëheqja e Kosovës dhe assesi bojkot të dialogut. Qeveria Kurti dhe krerët shtetërorë e kuvendor, janë të dëlirë dhe e lirë, qoftë nga shantazhi i Serbisë apo i SHIK-ut. Mençurinë dhe guximin e kanë të bollshëm. Ata do të dinë ta mbrojnë tërësinë territoriale të Kosovës tonë. Fillimi është i mbarë. Lë të urojmë për më të mirën!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat