Komandanti i KFOR-it: NATO vazhdon të mbështesë me vendosmëri Dialogun e lehtësuar nga BE-ja

Intervista

Komandanti i KFOR-it: NATO vazhdon të mbështesë me vendosmëri Dialogun e lehtësuar nga BE-ja

Më: 8 nëntor 2021 Në ora: 17:18
Ferenc Kajari

Para tre javësh, Gjeneralmajori i Ushtrisë Hungareze, Ferenc Kajari, mori detyrën si Komandant i KFOR-it. Në një intervistë ekskluzive për KosovaPress, Kajari thotë se situata aktuale në përgjithësi është stabile dhe KFOR-i vazhdon të zbatojë në baza ditore mandatin e tij.

Ai thotë se mirëpriten marrëveshjen e fundit në Bruksel që zgjidhi situatën në veri që ndodhi pas vendosjes së masës së reciprocitetit për targat. Gjithashtu, shton se mbështesin me vendosmëri dialogun dhe përpjekjet e tjera që synojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Aktualisht, KFOR-i përbëhet nga më shumë se 3700 trupa nga 20 anëtarë të NATO-s dhe 8 partnerë. Për gjeneralmajor Kajar kjo ilustron qartë angazhimin e palëkundur dhe kolektiv të NATO-s për sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Ai shton se për momentin NATO nuk ka plan për të ndryshuar apo reduktuar misionin e KFOR-it në Kosovë.

Kajar thotë se KFOR-i ka një bashkëpunim të gjatë dhe të shkëlqyer me Forcën e Sigurisë së Kosovës, në të gjitha nivelet e përgjegjësisë.

Intervista e plotë:

 Si kanë qenë javët e para në Kosovë? Jeni mësuar tashmë me detyrën tuaj të re?

Gjeneralmajor KajarNdërsa po përgatitesha për këtë dislokim, e dija që nga fillimi se pozita e Komandantit të Forcës së Kosovës (KFOR) të udhëhequr nga NATO-ja është një pozitë komplekse. Gjatë përgatitjes kam pasur rastin të vizitoj KFOR-in dy herë dhe kam parë larminë e sfidave që janë të pranishme në zonën operative, kështu që jam përgatitur për një periudhë të ngarkuar. Më duhet të pranoj se javët e para kanë qenë edhe më të ngarkuara nga sa e kam menduar. Megjithatë, fakti që të gjithë liderët kyç me të cilët jam takuar gjatë kësaj periudhe ishin shumë mbështetës dhe mirëpritës, dhe po ashtu mirënjohës ndaj KFOR-it, dhe më pritën ngrohtë, bëri që të përshtatem shumë më lehtë.

Gjeneralmajor Kajar: Që nga themelimi i tij, KFOR-i është përshtatur vazhdimisht për t'iu përgjigjur sfidave të mjedisit operativ në ndryshim dhe ka ruajtur aftësinë e tij për t'u përgjigjur me mjetet dhe aftësitë më të përshtatshme për të përmbushur misionin e tij. Duke vepruar kështu fitoi respektin dhe vlerësimin e të gjitha palëve të përfshira si një garantues i paanshëm dhe i besueshëm i sigurisë në Kosovë. Qëllimi im i përgjithshëm është t'i ruaj këto vlera dhe në fund të vitit komandues hungarez t'ia kthej postin komandantit të ardhshëm të KFOR-it në një gjendje që të ruhet pranimi unanim i pranisë së KFOR-it dhe njohja e kontributit të tij për një mjedis të sigurt. Aftësitë e KFOR-it janë të qëndrueshme në nivelin aktual dhe KFOR-i mbetet një reagues i tretë i besueshëm dhe i aftë ndaj sfidave të sigurisë. Aftësia e KFOR-it për të përdorur një qasje të bazuar në dialogun me popullatën dhe institucionet lokale është e garantuar; megjithatë, KFOR-i mban qëndrimin e tij të pandryshuar për t'u përgjigjur në mënyrë të fuqishme, nëse dhe kur është e nevojshme. Unë synoj të vë theksin te vazhdimësia, puna ekipore, dukshmëria dhe disponueshmëria. Synimi im është të vazhdoj në këtë rrugë, të ndërtoj mbi arritjet e paraardhësve të mi dhe të ruaj mbështetjen e programeve, projekteve afatgjata në vazhdim. Megjithëse komandanti është përgjegjës për udhëheqjen e organizatës së tij për të përmbushur misionin e saj dhe ai mban përgjegjësinë e vetme për suksesin e forcës dhe vendimet që ai ka marrë, unë jam plotësisht i vetëdijshëm për ekspertizën e jashtëzakonshme të personelit që vendet kontribuuese të trupave po i ofrojnë KFOR-it dhe planifikimi për të ndërtuar mbi të. Suksesi i KFOR-it është ndërtuar mbi punën ekipore dhe jam i bindur se çelësi i suksesit të periudhës sime komanduese është të punoj si ekip. Për të ruajtur pranimin e KFOR-it, forca duhet të angazhohet në mënyrë aktive në programet e përmirësimit, aktivitete që synojnë të ndihmojnë komunitetet lokale. Në rast të ndonjë krize eventuale, KFOR-i duhet të jetë në dispozicion për t'u përgjigjur brenda mjeteve dhe kapaciteteve.

Si e shihni Kosovën dhe ndryshimet e saj që nga lufta, dhe ndërhyrjen e KFOR-it në Kosovë?

Gjeneralmajor Kajar: Në vitin 1999, KFOR-i u përball me një mjedis të tmerrshëm sigurie në Kosovë. Dhjetëra mijëra ushtarë hynë në një Kosovë të shkatërruar, të banuar nga një popullatë e frikësuar. Në atë kohë ekzistonin shumë çështje, duke përfshirë – ndër të tjera – kërcënimin e konfliktit të armatosur dhe municioneve të pashpërthyera, mungesa e ujit dhe energjisë elektrike, dhe pengesa të mëdha në lirinë e lëvizjes. Brenda një periudhe të shkurtër, KFOR-i, në bashkëpunim të ngushtë me organizatat e tjera ndërkombëtare, rivendosi rendin dhe sigurinë, dhe duke bërë kështu kontribuoi jashtëzakonisht shumë në kthimin progresiv të jetës së përditshme të kosovarëve në normalitet. Rruga drejt stabilitetit nuk ishte e lehtë. Kosova në vitet e kaluara ka përjetuar tensione në disa raste. Sot situata është stabile. Pjesa më e madhe e kësaj është rezultat i punës së kryer nga Organizatat e Sigurisë së Kosovës, të cilat kanë pësuar një zhvillim mbresëlënës, me mbështetjen e KFOR-it dhe akterëve të tjerë të Komunitetit Ndërkombëtar. Falë përmirësimit të përgjithshëm të situatës, KFOR-i mund të zvogëlojë trupat e saj nga 55,000 në 1999 në pak më shumë se 3,700 sa janë aktualisht. Njëzet e tetë vende (përfshirë anëtarët dhe partnerët e NATO-s) tani po kontribuojnë në KFOR; dhe mund t'ju them - bazuar në komunikimin tim të përditshëm me ta - se ushtarët nën komandën time kanë të njëjtin shpirt, përkushtim dhe entuziazëm si paraardhësit e tyre. Misioni i KFOR-it është demonstrimi më i prekshëm i këtij angazhimi. Ai vazhdon të ofrojë një mjedis të sigurt dhe liri e lëvizjes në Kosovë, nën mandatin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999; Përveç kësaj, zyrat ndërlidhëse të NATO-s në Sarajevë dhe Beograd kanë promovuar dialogun politik dhe kanë kryer bashkëpunim praktik në fusha specifike me interes për partnerët tanë, duke përfshirë forcimin e forcave, institucioneve dhe strukturave të tyre përkatëse të sigurisë kombëtare.

Cili duhet të jetë ndryshimi i menjëhershëm që duhet të bëjë Qeveria e Kosovës lidhur me sigurinë dhe stabilitetin në vend?

Gjeneralmajor Kajar: Nuk do të komentoj për çështjet politike. KFOR-i ka një bashkëpunim të shkëlqyeshëm të përditshëm me institucionet në Kosovë dhe unë po planifikoj ta mbaj atë gjatë gjithë mandatit tim. Vlera e shtuar e KFOR-it qëndron në fund të fundit në paanshmërinë e tij dhe në fokusin e tij në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij që rrjedh nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara 1244 i vitit 1999. Ky është çelësi për sigurinë e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe për stabilitetin në mbarë rajonin. Natyrisht, ne jemi duke monitoruar nga afër situatën dhe kemi një prani të dukshme, të fuqishme dhe të shkathët në terren, në mbarë Kosovën.

Si është gjendja e sigurisë në nivel kombëtar?

Gjeneralmajor Kajar: Situata aktuale në përgjithësi është stabile dhe KFOR-i vazhdon të zbatojë në baza ditore mandatin e tij që sapo e përshkrova, për të kontribuar për një mjedis të sigurt, si dhe për të kontribuar në lirinë e lëvizjes në Kosovë, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë këtu.

Cila është situata veçanërisht në veri të Kosovës?

Gjeneralmajor Kajar: Ne mirëpritëm marrëveshjen për de-eskalimin dhe rrugën përpara në Kosovën veriore të arritur ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, nën kujdesin e dialogut Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja. Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO luajti një rol kyç dhe të përkohshëm për të siguruar zbatimin efektiv të tij, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. NATO vazhdon të mbështesë me vendosmëri Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe përpjekjet e tjera që synojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kjo është e vetmja rrugë drejt arritjes së një marrëveshjeje të qëndrueshme politike për rajonin dhe është çelësi i stabilitetit për të gjithë rajonin. Në mënyrë të veçantë KFOR-i mbajti një prani të përkohshme të fuqishme dhe të shkathët në zonë, në përputhje me marrëveshjen e arritur dhe në përputhje me mandatin e tij të OKB-së.

Cili ka qenë bashkëpunimi juaj me FSK-në? Forcën e njihni që nga mandati i saj fillestar, ndërsa Kuvendi ka miratuar një ligj dhe vetë FSK-ja po kalon një fazë të tranzicionit për t'u bërë ushtri. A ka pasur ndonjë pengesë në marrëdhëniet tuaja me Forcën?

Gjeneralmajor KajarKFOR-i ka një bashkëpunim të gjatë dhe të shkëlqyer me Forcën e Sigurisë së Kosovës, në të gjitha nivelet e përgjegjësisë. Tashmë kam takuar liderët kryesorë të FSK-së dhe i kam uruar për aftësitë e shkëlqyera të EOD-it, lehtësimin e fatkeqësive dhe aftësitë e FSK-së për trajtimin e materialeve të rrezikshme. Gjithashtu kam shprehur synimin tim që të vazhdoj bashkëpunimin me FSK-në sipas mandatit të tyre fillestar.

Cili është kapaciteti aktual i KFOR-it në Kosovë dhe a pritet të rritet numri i ushtarëve në të ardhmen e afërt?

Gjeneralmajor Kajar: Aktualisht, KFOR-i përbëhet nga më shumë se 3700 trupa nga 20 anëtarë të NATO-s dhe 8 partnerë. Kjo ilustron qartë angazhimin e palëkundur dhe kolektiv të NATO-s për sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Për momentin NATO nuk ka plan për të ndryshuar apo reduktuar misionin e KFOR-it në Kosovë. Arritjet e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja vlerësohen rregullisht dhe në bazë të kësaj të gjithë aleatët bien dakord që ne duhet të ruajmë forcën aktuale prej rreth 3,700 trupash. Çdo vendim për ndryshim të mundshëm të numrit të ushtarëve të pranishëm në KFOR do të merret vetëm nga Këshilli i Atlantikut të Veriut dhe si rezultat i ndryshimit të situatës së përgjithshme të sigurisë.

Kanë kaluar më shumë se dy dekada nga lufta, a mendoni se ka ende nevojë për prezencë të KFOR-it në Kosovë? Sa mendoni se do të zgjasë ky mision në Kosovë?

Gjeneralmajor Kajar: Mandati i KFOR-it i dhënë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka mbetur i pandryshuar që nga themelimi i tij. Megjithatë, qëndrimi i KFOR-it është vlerësuar rregullisht dhe është përshtatur me situatën ekzistuese të sigurisë. Me përmirësimin e situatës së sigurisë në zonën tonë operative dhe me rritjen e aftësisë së institucioneve në Kosovë, numri i trupave të KFOR-it të vendosura është ulur në nivelin e mjaftueshëm për të përmbushur misionin. Operacionet e KFOR-it nuk udhëhiqen nga kalendarët, prania dhe qëndrimi i tij përcaktohet nga kushtet brenda zonës operative. KFOR-i do të kryejë detyrat e tij të mandatuara dhe do të kontribuojë për një mjedis të sigurt dhe do të garantojë lirinë e lëvizjes për sa kohë që konsiderohet e nevojshme nga Këshilli i Veri-Atlantik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat