Skandali me manipulimin e votave në Junik/ Flet kandidati i LDK-së: Ja kush u favorizua!

Intervista

Skandali me manipulimin e votave në Junik/ Flet kandidati i LDK-së: Ja kush u favorizua!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 12 nëntor 2021 Në ora: 08:27
Lumir Abdixhiku, Ruzhdi Shehu

Raundi i parë i zgjedhjeve lokale të 14 shkurtit solli shumë befasi dhe të papritura, ku shumica e komunave shkuan në raundin e dytë, atë të balotazhit.

Njëra ndër këto komuna është edhe ajo e Junikut, në të cilën në balotazh shkuan kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ruzhdi Shehu dhe kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Agron Kuçi.

Skandali me manipulimin e votave nga zyrtarja e kryetarit aktual, njëherësh kandidatit të AAK-së, Agron Kuçi tërhoqi edhe më shumë vëmendje për procesin zgjedhor në këtë komunë.

E lidhur me procesin zgjedhor në Junik, pritshmëritë e tij dhe skandalin e manipulimit të votave, në një intervistë për gazetën “Bota sot” flet kandidati i LDK-së, Ruzhdi Shehu. Ai u shpreh i bindur në fitoren e 14 nëntorit, pasi sipas tij, ata e kanë programin zgjedhor dhe ofertën më të mirë për qytetarët e Junikut.

Gjithashtu, Shehu foli edhe për skandalin e manipulimit të votave nga zyrtarja e kundër kandidatit të tij, Agron Kuçi, e cila u arrestua bashkë me djalin e Kuçit.

Kandidati i LDK-së tregoi se sipas informacioneve votat janë tentuar të manipulohen për të favorizuar kandidatin e AAK-së në Junik z. Agron Kuçi. Mirëpo, ai tha se edhe për këtë çështje duhet të pritet përgjigja nga organet e rendit.

“Bota sot”: Si e komentoni në përgjithësi procesin e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit?

Ruzhdi Shehu: Konsiderojmë se procesi zgjedhor deri në këtë fazë ka kaluar pa ndonjë incident relevant, i cili do të dëmtonte në mënyrë të konsiderueshme procesin.

“Bota sot”: A ka qenë i pritshëm rezultati në komunën e Junikut, pasi mendohej se Juniku është kthyer në bastion të AKK-së, edhe pse shumë gjatë u dominua nga LDK-ja? Ruzhdi Shehu: Kryetari në ikje ka qeverisur me komunën e Junikut për tri (3) mandate një pas një. Rezultatet nga raundi i parë kanë konfirmuar se shumica e junikasve kanë vendosur për të ndryshuar qeverisjen në Junik. Ky ndryshim është i nevojshëm për junikasit dhe i shëndetshëm për demokracinë në Junik. Si i tillë ky ndryshim do të konfirmohet edhe me 14 nëntor 2021.

“Bota sot”: Zyrtarja e kundër kandidatit tuaj, Agron Kuçit dhe djali i tij janë përfshirë në një rast të manipulimit të votave. Si e komentoni këtë?

Ruzhdi Shehu: Informacionet nga kjo ngjarje i kemi vetëm nga mediat që kanë raportuar për këtë rast. Bazuar në këto informacione, konsiderojmë se çdo kush që kryen vepër penale duhet të jap përgjegjësi sipas ligjit. Në këtë aspekt i falënderojmë edhe organet e rendit për punën e tyre.

“Bota sot”: Përfshirja e djalit të kryetarit aktual, dhe kundërshtarit tuaj, a e penalizon edhe atë personalisht lidhur me skandalin në fjalë të votave?

Ruzhdi Shehu: Natyrisht se ngjarjet e tilla nuk janë të mirëseardhura aspak. Sidoqoftë junikasit do të japin përgjigjen e tyre edhe për këtë çështje me 14 nëntor 2021.

“Bota sot”: Sa mendoni se jeni penalizuar ju apo kandidatët tuaj për asamble nga ky rast?

Ruzhdi Shehu: Nëse rastet e tilla kanë ndodhur edhe në raundin e parë me 17 tetor 2021, padyshim se kjo na ka dëmtuar shumë. Sidoqoftë, ne besojmë se këto çështje do të trajtohen sipas ligjit nga organet kompetente. “

Bota sot”: A ka pasur elemente se mund të jetë vepruar kështu edhe në votimet e para, apo se mund të ketë pasur edhe ndonjë rast tjetër?

Ruzhdi Shehu: Nëse kemi parasysh se një numër i madh i votave nga diaspora për shkak të votimit të dyfishtë janë shpallur të pavlefshme me 17 tetor, nuk mund të përjashtojmë mundësinë se manipulime të tilla kanë mundur të ndodhin edhe në raundin e parë të zgjedhjeve.

“Bota sot”: A besoni se për këtë skandal përgjegjës janë edhe zyrtarë të lartë të AAK-së? A keni ndonjë emër?

Ruzhdi Shehu: Sipas informacioneve nga mediat, votat janë tentuar të manipulohen për të favorizuar kandidatin e AAK-së në Junik z. Agron Kuçi. Sidoqoftë edhe për këtë çështje duhet të presim përgjigjen nga organet e rendit.

“Bota sot”: A keni bërë ndonjë ankesë për këtë rast në ndonjë nga institucionet përkatëse?

Ruzhdi Shehu: Jo, pasi që ky rast është publik dhe organet kompetente duhet të veprojnë sipas detyrës zyrtare.

“Bota sot”: Sipas jush a do të ndikojë ky skandal në favor tuajin në raundin e dytë të zgjedhjeve?

Ruzhdi Shehu: Unë jam i bindur se do të fitoj me 14 nëntor për shkak të programit tonë zgjedhor dhe ofertës që u kemi bërë junikasve.

“Bota sot”: Cilat janë tri prioritet tuaja kryesore në programin tuaj qeverisës?

Ruzhdi Shehu: - Zhvillimi ekonomik                          

- Zhvillimi i turizmit                          

 - Përkrahja e rinisë

“Bota sot”: A është duke u përpjekur Shtabi Qendror i Zgjedhjeve i LDK-së që t’ju përkrahë në masën e duhur, për ta arritur fitoren?

Ruzhdi Shehu: Përkrahjen më të madhe e kam nga qytetarët e Junikut. Padyshim që ne jemi plotësisht të koordinuar edhe me Shtabin qendror gjatë këtij procesi zgjedhor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat