Xheladini i LDK-së i bindur për fitore në Dragash: Bashkë me VV-në dhe partitë tjera do ta lëmë PDK-në në opozitë

Intervista

Xheladini i LDK-së i bindur për fitore në Dragash: Bashkë me VV-në dhe partitë tjera do ta lëmë PDK-në në opozitë

Nga: Mimozë Lakna, Bota sot Më: 12 nëntor 2021 Në ora: 16:23
Bexhet Xheladini

Kandidati i Lidhjes Demokratike për kryetar të Komunës së Dragashit, BexhetXheladini, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, dy ditë para votimeve në balotazh ka treguar detaje nga marrëveshja me Lëvizjen Vetëvendosje. Ai ka thënë se në këtë komunë do të bashkohen të gjitha subjektet politike, në mënyrë që ta lënë në opozitë Partinë Demokratike të Kosovës. Ai ka numëruar edhe keqpërdorimet që janë bërë për 14 vite me radhë nën drejtimin e kryetarit nga PDK-ja Shaban Shabani.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z. Xheladini, ndodhemi pak ditë para mbajtjes së procesit të balotazhit, a mund të na thoni si po ju ecën fushata zgjedhore?

Bexhet Xheladini: Fushata neve po na ecën mirë. Ditën e hënë e kemi bërë hapjen e fushatës. Fushatën jemi duke e bërë me grupe të vogla dhe me takime individuale duke i zbatuar rekomandimet e IKSHPK-së. Popullata është duke na pritur mirë, shumica prej tyre janë për ndryshime. Atyre po u pëlqen kandidati dhe programi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për qeverisjen e ardhshme 4 vjeçare. Koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje e kanë pritur shumë mirë dhe me entuziazëm. Gjithashtu fushatën ne po e bëjmë edhe përmes rrjeteve sociale dhe përmes debateve televizive.

“Bota sot”: Si erdhi deri tek koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje në Dragash dhe çka përmban marrëveshja juaj?

Bexhet Xheladini: Ka pasur takime ndërmjet dy subjekteve politike dhe në fund u arrit marrëveshja e cila ka këtë përmbajtje: Lëvizja Vetëvendosje u zotua që do ta përkrah kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në raundin e dytë të zgjedhjeve dhe këtë fushatë u zotuam që do ta bëjmë bashkë. Pas fitores do të ulemi dhe së pari do ta harmonizojmë programin për qeverisjen e ardhshme 4 vjeçare pastaj do t`i bëjmë të gjitha përgatitjet për konstituimin e asamblesë dhe qeverisë komunale.

“Bota sot”: Sa ishte e vështirë të arrinit koalicion me VV-në duke marr parasysh retorikën LDK-VV pas zgjedhjeve parlamentare?

Bexhet Xheladini: Jo nuk ishte e vështirë, se LDK dhe LVV e kanë pasur në plan-program ndryshimin e qeverisjes aktuale. Retorika e mëhershme nuk ka pasur ndikim në arritjen e kësaj marrëveshjeje, në nivel lokal ne nuk kemi pasur aso lloj retorike.

Image
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kandidati për kryetar të Dragashit, Bexhet Xheladini

 

“Bota sot”: Po me subjektet tjera politike a keni diskutuar për ndonjë marrëveshje të mundshme?

Bexhet Xheladini: Po ne kemi pasur takime dhe vazhdojmë të kemi biseda me të gjitha partitë politike përveç me partinë e dytë. Në të gjitha këto parti ekziston një disponim i mirë që të përkrahet kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dega në Dragash për kryetar të komunës.

“Bota sot”: A e prisnit shkuarjen në balotazh me PDK-në?

Bexhet Xheladini: Të them të drejtën, në balotazh ne kemi pritur që të shkojmë me Lëvizjen Vetëvendosje. Duke marr parasysh që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Guxo ishin bashkë, ne mendonim që në balotazh të jemi me këtë parti, mirëpo ndodhi e kundërta. Megjithatë kjo nuk është problem për ne.

“Bota sot”: Si është qeverisur deri tani me komunën e Dragashit?

Bexhet Xheladini: Për 14 vite qeverisje kemi një degradim total të qeverisjes në të gjitha poret e jetës. Ata kanë dështuar në menaxhim të buxhetit ku për 14 vite kanë kthyer në suficit mbi 14 milionë euro, ndërsa për tre vitet e fundit kanë shkuar në suficit 4 milionë e 74 mijë euro. Gjithashtu, investimet kapitale janë bërë pa projekte, investime jo kualitative, shumë projekte i kanë lënë në gjysmë. Propozimet për investime kapitale nuk i kanë marr nga këshillat e fshatrave, por nga individë të caktuar. Instituti Demokratik i Kosovës, komunën e Dragashit e ka futur në top listën e komunave që nuk i kanë themeluar këshillat e fshatrave. Projektin kryesor për furnizim me ujë të pijshëm për 15 fshatra nuk e kanë realizuar. Ky projekt është filluar para 10 viteve. Pasi që në shumë debate kam përmendur shumë keqpërdorime, këtu po i përmendi disa nga të gjeturat kryesore të auditorit gjeneral. Pranim i mallit jo sipas kontratës. Pranimi i mallit duhet të bëhet nga tre persona. Auditori ka gjetur se në disa raste pranimi i mallit është bërë nga vetëm një person. Anashkalimi i procedurave të prokurimit. Komuna në vitin 2019 ka nënshkruar 95 kontrata duke i anashkaluar procedurat e hapura të prokurimit. Në vitin 2020 ka nënshkruar 71 kontrata duke i shmangur procedurat e hapura të prokurimit. Kjo formë e prokurimit dëmton transparencën, eliminon konkurrencën dhe diskriminon bizneset. Komuna ka pasur për tre vjet rresht blerje nga QKMF-të dhe nga drejtoria e arsimit, dhe nuk janë regjistruar në souftverin e pasurisë dhe nuk e kanë vlerën e stokut. Auditori ka gjetur edhe keqpërdorimet e parasë publike tek asfaltimi i rrugës Krushevë-Zlipotok, komuna ka paguar faturën në vlerë 70 mijë euro. Kurse, gjatë ekzaminimit fizik të komisionit, në prezencë të zyrtarëve komunal është konstatuar se janë kryer punime në vlerë të 36 mijë eurove. Po ashtu, te stadiumi i komunës së Dragashit, komisioni kishte konstatuar se nuk janë realizuar punimet me vlerë prej 5 mijë e 217 euro, ndërsa pagesa për këto punime është bërë. Po ashtu, punimet e kryera në fshatin Kosavë, së pari është shpallur tenderi për kryerjen e punimeve në vlerë 43 mijë e 359 euro. Kur ky tender anulohet, për t`u shpallur tenderi i njëjtë me të njëjtat përmasa, por tani vlera e projektit është rritur për 40 mijë euro. Auditori Gjeneral ka gjetur edhe shumë parregullsi tjera, si depozitim i vonuar i parasë në bankë, dobësi në procesin e rekrutimit, mungesa e vërtetimi të shtesës për kompensimin për stazhin e punës, shkëputja e kontratës jo në përputhshmëri me ligjin e prokurimit publik, dobësi në menaxhimin dhe shpenzimin e buxhetit komunal etj.

“Bota sot”: Çka do të bëni ju ndryshe në rast se vini në pushtet?

Bexhet Xheladini: 31 vite aktivist dhe një ndër themeluesit e LDK-së, 40 vite mjek dhe humanist. Ish drejtor i Drejtoratit për shëndetësi dhe mirëqenie sociale dhe ish kryeshef i ekzekutivit të Komunës së Dragashit në periudhën 2000-2007 më ka shërbyer si bazë e mirë për t`i njohur nevojat e qytetarëve, nevojat e rinisë, nevojat e bizneseve, ku së bashku me ekipin e fitoret kemi përgatitur një program për qeverisjen e ardhshme 4 vjeçare, i cili është gjithëpërfshirës, transparent, i realizueshëm nga i cili do të përfitojnë të gjithë. Programi është shkruar në 10 kapituj ku përfshihet planifikimi i buxhetit, investimet kapitale, arsimi, shëndetësia, promovimin e kulturës, rinisë dhe sportit, zhvillimin e bujqësisë dhe mjedisit, zhvillimin e turizmit dhe qeverisjen efektive dhe transparente. Nuk ka zhvillim të turizmit pa zhvillim të infrastrukturës.

“Bota sot”: Cilat janë prioritetet tuaja për qeverisje në këtë komunë?

Bexhet Xheladini: Në programin tonë kemi paraparë që t`i investojmë mbi 13 milionë euro për investime kapitale nga buxheti dhe po aq investime nga fondet e BE-së, ministrive dhe komunave. Në programin tonë ne kemi paraparë shumë projekte kapitale, por po i përmendi vetëm disa. Projekti për furnizim me ujë të pijshëm për 15 fshatra, projekti për sistemin e kanalizimit me impiante, ku do të përfshihen të gjitha fshatrat e komunës sonë. Infrastruktura rrugore që do t`i lidhë fshatrat me bjeshkët e tyre, dhe rruga që do t`i lidhë bjeshkët ndërmjet veti. Rruga që i lidhë bjeshkët mes veti është e ndarë në katër segmente. Gjithashtu vlen të përmendet rruga Zapllugje-Tetovë, rruga Restelicë-Strezimir, si dhe kemi planifikuar ta ndërtojmë rrugën e cila shkon përmes luginës së lumit ... ku të gjitha fshatrat e Gorës dhe Opojës do të lidhen me Kukësin. Kur të realizohet kjo rrugë, qytetarët e Opojës mund të shkojnë në Kukës dhe në aeroportin e Kukësit për jo më shumë se 30 minuta. Sa i përket investimeve kapitale në fshatra ne kemi paraparë që të investojmë mbi 5 milionë euro. Me këto mjete ne planifikojmë të investojmë ndriçimin publik, rregullimin e parqeve, rregullimin e këndeve të lojërave për fëmijë, rregullimin e qendrave të fshatrave, rregullimin e stadiumeve etj.

“Bota sot”: Keni thënë se Dragashin do ta bëni ndër qytetet më të pastra në Kosovë, a keni ndonjë plan konkret lidhur me këtë?

Bexhet Xheladini: Kjo nuk është punë e vështirë, nuk do investime të mëdha, do vetëm përkushtim, vullnet dhe dëshirë. Ne do të bashkëpunojmë ngushtë me kompaninë regjionale dega në Dragash, të cilës do t`i ndihmojmë materialisht dhe do të kërkojmë nga ajo punë dhe vepra.

“Bota sot”: A keni ndonjë plan për zgjidhjen e problemit të papunësisë në komunën tuaj?

Bexhet Xheladini: Po të gjitha janë të shkruara në programin tonë, i cili qe një muaj është gjithandej në rrjetet sociale dhe ku shumica e njerëzve kanë mundur ta lexojnë atë. Uljen e numrit të të papunëve mendojmë ta realizojmë përmes zhvillimit të biznesit, tërheqjes së investitorëve lokalë, vendor dhe të huaj dhe përmes investimeve që do të bëhen në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, si dhe zhvillimin e turizmit.

“Bota sot”: Si e keni menduar zhvillimin e turizmit në komunën tuaj?

Bexhet Xheladini: I gjithë territori i komunës tonë është vend turistik. 57 % e territorit të komunës është i shpallur park nacional. Bukuritë natyrore që na i ka falë zoti, si ajri i pastër, malet, bjeshkët, flora dhe fauna, prodhimet tradicionale ushqimore, resurset ujore, liqenet dhe trashëgimia kulturore nga mesjeta është bazë e mirë për një zhvillim të hovshëm të turizmit. Komuna do të sigurojë infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e turizmit. Do ta përgatisim planin rregullativ për pikat turistike Guri i zi-Brod-Restelicë, Liqeni i Breznes, pishat e Bresanes, pishat te Dubrava. Do të bëhet shenjëzimi i pikave turistike, do të formohet zyra informative turistike, do të promovohet turizmi dimëror, do të promovohen stazat e skijimit, teleferiku. Do të promovohet turizmi veror, kampingjet, shtigjet për ecje në natyrë dhe biçikleta. Infrastruktura rrugore në drejtim të Malësisë së Tetovës, në drejtim të Mavrovës dhe në drejtim të Kukësit gjithashtu dhe rrugët që lidhin fshatrat me bjeshkët dhe bjeshkët me bjeshkët do të jenë bazë shumë e fortë e zhvillimit të turizmit në komunën tonë.

“Bota sot”: Sa mendoni se do t`i ndihmojë Dragashit rruga Prizren-Tetovë?

Bexhet Xheladini: Pak histori: Komuna e Dragashit në periudhën 2000-2007 është udhëhequr nga LDK-ja, në atë kohë ne e kemi përgatitur projektin për këtë rrugë. Kryetari i atëhershëm i komunës së Dragashit z. HalitShemsedini dhe unë si ish kryeshef i ekzekutivit të komunës së Dragashit ku me kryetarin e atëhershëm të komunës kemi nënshkruar momerandum mirëkuptimi për ndërtimin e kësaj rruge që lidhë dy tokat shqiptare. Nga ajo kohë, kjo iniciativë u harrua nga pushteti i PDK-së, dhe më vjen shumë mirë që Qeveria Kurti i ka dhënë prioritet këtij projekti shumë të rëndësishëm që i lidhë dy vendet. Mendimi im është se varianti më i mirë dhe më pak i kushtueshëm për lidhjen me Malësinë e Tetovës është fshati Zaplluzhë.

“Bota sot”: Në fund, cili parashihni të jetë rezultati juaj në balotazhin e 14 nëntorit?

Bexhet Xheladini: Jam i bindur dhe i sigurt që në 4 vitet e ardhshme, komunën e Dragashit do ta qeverisin LDK-ja dhe LVV-së së bashku me të gjitha partitë tjera përveç me partinë e dytë, e cila do të jetë në opozitë. Andaj i ftoj të gjithë qytetarët e komunës së Dragashit me të drejtë vote që të dalin në zgjedhje dhe të votojnë për ndryshim dhe ndryshimi vjen vetëm nëse votohet kandidati i LDK-së për kryetar të ardhshëm të komunës së Dragashit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat