Analisti serb: Kosova është shtet, kjo po e frustron Vuçiqin – ja pse Asociacioni është gabim dhe rrezik i madh

Intervista

Analisti serb: Kosova është shtet, kjo po e frustron Vuçiqin – ja pse Asociacioni është gabim dhe rrezik i madh

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 27 nëntor 2021 Në ora: 19:21
Gazetarja e “Bota sot”, Arbnore Zhushi dhe analisti politik serb, Dushan Janjiq

Analisti politik serb Dushan Janjiq, ka thënë se njohja reciproke nuk është temë aktuale në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndihmuar nga Bashkimi Evropian.

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Janjiq ka kërkuar që të ndryshohet formati i dialogut në mes të dyja vendeve, pasi sipas tij, normalizimi është çelësi i procesit, rezultati i së cilit duhet të jetë njohja reciproke.

Ai ka folur edhe për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, duke e quajtur “budallallëk” dhe “gabim e rrezik” formimin e tij me një etni. Sipas analistit, Asociacioni mund të zbatohet vetëm në përputhje me sistemin ligjor dhe kushtetues të Kosovës.

I pyetur rreth marrëveshjes finale, Janjiq ka thënë se në të duhet të përfshihen deklarimet e Serbisë, që merr përgjegjësinë që më kurrë nuk do të ushtrojë politikën gjenocidale ndaj Kosovës. Ai ka theksuar se fakti që Kosova është shtet, po frustron të dyja vendet, por sipas tij, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka të drejtë.

Janjiq ka folur edhe për idenë e shkëmbimit të territoreve, duke përmendur me emra njerëzit që punuan dhe punojnë për këtë ide. Ai poashtu ka komentuar aksionet e fundit në veri, duke thënë se Kurti u ndëshkua në zgjedhje, pikërisht për shkak të tyre.

Intervista – pjesa II:

“Bota sot”: Të flasim për çështjen e dialogut. Pala serbe po këmbëngul për temën e Asociacionit, por autoritetet në Kosovë po e kundërshtojnë formimin e tij, pasi sipas tyre është anti-kushtetues. Çka të bëhet me këtë temë që duket se po bllokon procesin e dialogut?

Dushan Janjiq: Dialogu është vërtet punë e bukur, por duket si njerëzit që marrin frymë në situatën me Covid-19. Ndonjëherë është nën kontrollin e mjekëve, i ashtuquajturi dialog teknik që në thelb nuk po ndodh asgjë.

Ka disa probleme. Problemi i parë në thelb ka të bëjë me liderët, që duhet të punojnë për normalizim të plotë të marrëdhënieve mes të dyja vendeve.

Liderët preferojnë të shtrojnë pyetjen e fundit në fillim: “Si do ta njohësh shtetin tim apo cilën pjesë të Serbisë do të ma jepni për njohje?” Por, normalizimi është çelësi dhe në fund të atij procesi dhe rezultat i këtij procesi, duhet të jetë njohja reciproke. Por, njohja nuk është tema, nëse e vendosni në interesin përfundimtar, do të vini në konflikt, jo në dialog.

Biden tha në vitin 2016 në Beograd hapur: “Ne nuk pajtohemi me ju për njohjen e Kosovës, do ta vendosim atë krah për krah, do të vazhdojmë ta mbështesim pavarësinë e Kosovës, ne mund të bënim punën tuaj, por tani do të diskutojmë për atë që jemi dakord”. Hoti vërtet pranoi të nënshkruante letra të ndryshme për të njohur njëri-tjetrin, si shtete. Për këtë, mendoj se duhet bërë diçka dhe duhet të ndryshohet formati i dialogut. Dialogu është realisht në rrezik, dialogu është zbatim dhe fillimi falë Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Është e qartë se Asociacioni mund të zbatohet vetëm në përputhje me sistemin ligjor dhe kushtetues të Kosovës. Ka shumë hapësira, që janë të diskutueshme dhe në fund thuhet: Pse po insiston Beogradi? Njerëzit që ngasin Mercedes dhe Ferrari, më pyesin mua që nuk ngas makina luksoze: “Pse po vozitni Ford ose Hyundai?” “Më pëlqen! - u them. Sigurisht, se gënjej, pasi është më mirë të ngas Mercedes.

Vuçiq dhe Nikoliq gabuan. Ata e ushqyen Asociacionin dhe shkuan me rezolutën në parlament të flisnin vetëm për Asociacionin, por në të njëjtën kohë nuk e patën të qartë pse e përfshinë atë dokument në parlamentin e Serbisë, pse u pëlqen Asociacioni?

Merrni shembull Listën Srpska. Emri Srpska është një asociacion i fortë për Republikën Srpska dhe mund të shihni reagimin e parë të liderëve shqiptarë, që thonë: AAA? Ju pëlqen ta përdorni Asociacionin për të bërë Republikën Srspka, një entitet, në thelb për të shpërbërë Kosovën me Jugosllavinë, kjo nuk është sipas Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ky është problemi që duhet zgjidhur. Unë mendoj se është vërtet budallallëk dhe është me të vërtetë një gabim i madh dhe rrezik për të promovuar Asociacionin në Republikë me një etni. Është e pamundur, jo funksionale.

“Bota sot”: Si duhet të arrihet marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë dhe a duhet Serbia të kërkojë falje për krimet në Kosovë?

Dushan Janjiq: Është vërtet e vështirë sot, duke marrë parasysh ndarjet, të thuash se si do të arrihet marrëveshja përfundimtare, por duhet të arrihet. Ajo që mund të them për momentin, është se duhet të arrihet.

Liderët janë përgjegjës që gjithçka të arrihet. Vuçiq ishte pjesë e politikës radikale dhe gjenocidale serbe, ndërsa Kurti ishte viktimë. Duhet të vijë dita dhe të sigurohet se nuk do të përsëriten më gjenocidi, krimet e luftës, të kryera nga paramilitarët dhe militarët serbë në Kosovë.

Kosova është shtet dhe kjo po frustron të dyja palët. Për këtë, unë nuk jam optimist naiv që të besoj që do të ketë harmoni mes të dyja vendeve, por duhet të vijë dita për marrëveshje. Në këtë rast, duhet të duhet të them se Kurti ka të drejtë. Serbia duhet të qartësojë si shtet në marrëveshjen përfundimtare dhe të marrë përgjegjësinë dhe të nënshkruajë që më kurrë nuk do të ushtrojë këtë politikë.

Kemi problemin me lustrimin e disa krimeve të luftës, sidomos nga viti 1997, ku janë nisur të ashtuquajturat aktivitete antiterroriste, të cilat janë kryer në zonën e Gjakovës, të Pejës, disa krime vërtet të largëta të luftës, por njerëzit nuk harrojnë.

Fatkeqësisht të dyja palët, Serbia dhe Kosova, nuk janë në nivelin të pranojnë përgjegjësitë.

Shpresoj se dita do të vijë, jetët e njerëzit nuk do të kthehen, por është një lloj ndjesie pozitive mesazhi që krimet nuk do të përsëriten kurrë më. Duhet të thuhen këto deklarime në marrëveshjen finale.

“Bota sot”: A ka vdekur ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, apo Grenell erdhi ta përkujtojë atë mundësi si zgjidhje?

Dushan Janjiq: Ideja e shkëmbimit të territoreve është shumë prezente, jo vetëm në Serbi. Të shkëmbesh diçka që nuk është e jotja. Mendoj që kjo është një ide e ngulitur thellë në mendjet e shovinistëve dhe ultra-nacionalistëve, në veçanti. Ata e lidhin identitetin e tyre me territorin. Fatkeqësisht, jeta reale nuk është e tillë dhe përfundimisht të gjithë njerëzit kanë të drejtë për territorin e tyre. Për mua, politika e ulta-nacionalistëve është e gabuar. Kjo politikë ka plot anë negative, pasi shtyp botën, dhe shtyn njerëzit në konflikte të armatosura dhe drejt viktimave. Por, në një formë është mirë që në vitin 20217-2018, u hodh në tryezë kjo ide dhe u shfaq në publik. Edi Rama ishte një nga iniciatorët, jo vetëm Vuçiqi. Ishte edhe Hashim Thaçi një nga ata. Kjo është politika. Kurrë nuk e din se kur bëjnë manipulime. Ata kanë pjesën e tyre të përgjegjësisë që e ushqyen këtë ide narrative në Serbi. Nuk ishin vetëm këta, por kishte edhe njerëz tjerë përreth tyre. Shumë njerëz lobuan. Njerëzit që punonin për Trumpin, njerëzit si Ëolfang Petrich, ambasadori Mantev, Viktor Orban, Sebastian Kurtz, shumë njerëz ishin të përfshirë.

“Bota sot”: Po Grenelli?

Dushan Janjiq: Unë nuk jam i obsesionuar me Grenellin, nuk e di, pasi ideja u publikua në vitin 2017. Trumpi po. Boltoni poashtu ishte i përfshirë në fillim, por më pas e kuptoi se njerëzit e braktisën këtë ide. Ishte Steven Meyer, ish-zëvendësi i shefit të CIA-s për Ballkanin, i cili punonte për hartat, përfshirë Ballkanin, deri më 1993. Ai ishte një nga njerëzit kryesor në CIA, por kur erdhi puna te politika tha: “Okej djem, të shkojmë”. E dini politikën “Një herë në CIA, gjithmonë në CIA”. Çfarë ka pritur Steven Meyer, nga ideja e shkëmbimit dhe ndryshimit të territoreve?

“Bota sot”: Në shtator dhe tetor pati një sërë incidentesh në veri të Kosovës. Si i keni parë këto zhvillime?

Dushan Janjiq: Kam thënë gjithçka që kisha në kohën kur ndodhën. Ende i respektoj njerëzit si Daniel Serëer, ata janë shumë të mirë dhe shumë të qartë në qëllimin e tyre. Por, ne nuk pajtohemi për disa raste.

Unë jam njëri nga ata që ka insistuar publikisht që mënyra e formimit të Asociacionit nuk duhet të shkaktojë incidente. Nuk jam i sigurt se a ishte incident apo si të thuash diçka si marketing për çështjen e sigurisë në Kosovë. Mendoj se kjo atmosferë u krijua, veçanërisht në veri të Kosovës se ishin aksione legale, për të luftuar krimin dhe kontrabandën. Por, pse tri ditë para zgjedhjeve? Kjo ishte pika. Unë nuk jam kundër politikës së ushtrimit të detyrës së institucioneve të sigurisë së Kosovës. Por, gjithçka ndodhi tri ditë para zgjedhjeve, në vend që të krijohej një atmosferë demokratike dhe një atmosferë që i lë njerëzit të zgjedhin vet. Cilat ishin arsyet? Ne kemi Listën serbe që fiton çdo gjë. Sepse, njerëzit janë miq, ata kanë përfitime dhe nuk ka opozitë në Serbi. Lista serbe ka monopolizuar jetën politike në Kosovë. Por, aktivitetet e Kurtit e ndihmuan Listën serbe në këtë rast, fatkeqësisht. Ai u godit me grusht. Ndoshta jeta politike e shqiptarëve nuk është ideale, por ata kanë opozitë dhe për këtë arsye Kurti u ndëshkua. E pamë çka ndodhi ditën tjetër: rezultati final për Prishtinën.

“Bota sot”: Si e komentoni retorikën luftënxitëse serbe ndaj Kosovës?

Dushan Janjiq: Njerëzit e zakonshëm dhe politikanët, shpërndajnë narracionin. Po flas për percepsionet e viteve të 90-ta dhe të ditëve të sotme. Eksperienca ime është që njerëzit këtu në Kosovë, nuk janë shumë të interesuar rreth Serbisë dhe politikës serbe në Kosovë. Pse, sepse janë popullatë e re në moshë, më e reja në Evropë, janë shumë të edukuar dhe shoqëria sot në Kosovë nuk është e njëjtë sikur ishte para intervenimit të NATO-s. Migrimi, dërgimi i njerëzve jashtë vendit, ndërtimi i familjeve moderne, ka ndihmuar Kosovën që të lë pas problemet, e të bëhet më moderne, në një mënyrë paradoksale nga mënyra e tmerrshme e persekutimit, veçanërisht e fundit të viteve të 90-ta. Shoqëria në Kosovë ka ndryshuar plotësisht, por ajo nuk është njëjtë në Serbi. Serbët janë më tradicionalë.

Në Serbi, fatkeqësisht ka propagandë, ka presion të madh në narrativen, e cila kurrë nuk do të pranohej në Serbi. Për këtë mund të them se në 10 vitet e fundit, ndoshta në të ardhmen popujt e Kosovës dhe Serbisë do të komunikojnë anglisht, me një aksent afgan dhe kjo do të jetë e ardhmja jonë që nuk duam ta pranojnë liderët serbë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat