Biserko për “Bota sot”: Ideja e ndarjes së Kosovës nuk është zhdukur, ja kush po punon për të

Intervista

Biserko për “Bota sot”: Ideja e ndarjes së Kosovës nuk është zhdukur, ja kush po punon për të

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 29 nëntor 2021 Në ora: 08:07
Sonja Biserko

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka thënë se ideja për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, nuk është zhdukur. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Biserko ka thënë se janë ende disa zyrtarë që po punojnë për këtë ide dhe se ata po shpresojnë për një ndryshim të administratës amerikane në vitin 2024.

Duke folur për Asociacionin, ajo ka thënë se ai do të jetë fillimi i krijimit të një Republike Srpska të re në Kosovë. Sipas saj, tendenca është një status si Republika Srpska.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit ka komentuar edhe për incidentet e fundit në veri të Kosovës, duke thënë se barrikadat janë organizuar nga Beogradi, që qëllim ka ta bëjë përgjegjëse Prishtinën.

Biseko ka folur edhe për projektet “Shqipëria e madhe” dhe “Serbia e madhe”, që sipas saj nuk mund të realizohen pa luftë.

Në intervistë, ajo jep komente edhe për nismën “Ballkani i Hapur” dhe për gjendjen aktuale në Bosnje e Hercegovinë.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Një temë që duket se po bllokon dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe. Derisa pala serbe po kërkon formimin e tij, institucionet e Kosovës e kundërshtojnë, duke e quajtur anti-Kushtetues. Si do të gjendet zgjidhja për këtë çështje?

Sonja Biserko: Tani asnjëra palë nuk është e interesuar për vazhdimin e dialogut. Serbia po përgatitet për zgjedhjet e prillit 2022 dhe sigurisht që nuk do të shpenzojë energji për dialog. Duke vepruar kështu, përgjegjësia vazhdimisht po kalon te Prishtina, sepse ajo shmang formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Unë do të thosha se është një dilemë e rreme ose një problem. Sepse ligji i Kosovës për decentralizimin i mbulon të gjitha kërkesat e palës serbe. Në të njëjtën kohë, kjo mund të zbatohet si reciprocitet në Luginën e Preshevës, Sanxhakun dhe në veri të Vojvodinës për minoritetin hungarez.

“Bota sot”: A mund të jetë Asociacioni fillimi i krijimit të një Republike Srpska të re në Kosovë?

Sonja Biserko: Sigurisht, sepse gjithçka varet nga mënyra se si Beogradi e interpreton një Asociacion të tillë. Tendenca është një status si Republika Srpska, që do të thotë një shtet tjetër jofunksional në fqinjësi. Është një metodologji shumë e ngjashme me atë ruse, e cila destabilizon “fqinjin i ngushtë” përmes pakicave ruse në ato vende.

“Bota sot”: Kosova kategorikisht po e refuzon projektin “Ballkani i Hapur” të Vuçiq-Rama-Zaevit. Kryeministri Kurti vlerëson se Serbia është e mbyllur për Kosovën, por nisma “Ballkani i hapur” është e hapur për Kinën dhe Rusinë. Si e shihni ju këtë?

Sonja Biserko: Çështja është nëse Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të vazhdojnë me iniciativën pas fillimit të negociatave me BE-në. Dhe BE-ja, veçanërisht Gjermania, nuk e përkrah këtë nismë. Ata mbështesin të gjitha format e bashkëpunimit rajonal, por besojnë se Procesi i Berlinit është një projekt që përshtatet me normat dhe standardet evropiane dhe në një farë mënyre ai proces është një përgatitje për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Është më e rëndësishme që vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen vende të organizuara sesa të bëhen anëtare të BE-së.

“Bota sot”: A mund të ketë lidhje vizita e fundit e ish-ambasadorit Richard Grenell, me idenë e ndryshimit të territoreve Kosovë-Serbi? A ka vdekur kjo ide?

Sonja Biserko: Ideja e ndarjes së Kosovës nuk është zhdukur. Ka ende lojtarë që punojnë për të. Milorad Dodik deklaroi së fundmi: “Nëse Trump do të kishte fituar, ne do të kishim folur ndryshe sot”. Disa lojtarë shpresojnë për një ndryshim të administratës në vitin 2024. Richard Grenell dhe Timothy Less po vizitojnë rregullisht Ballkanin. Timothy Less vazhdon të mbrojë rikompozimin e Ballkanit. Disa burime në Beograd thonë se ata të dy janë në listën e pagave të Beogradit.

“Bota sot”: Në shtator dhe tetor u shënuan disa incidente në pjesën veriore të Kosovës, ku pati edhe të lënduar, si i keni parë ju këto zhvillime?

Sonja Biserko: Incidentet në veri janë provokim dhe dëshirë për ta bërë Prishtinën përgjegjëse. Veriu kontrollohet nga serbët, ose më saktë nga krimi i organizuar.

“Bota sot”: Në Kosovë ka dyshime se njerëzit që vendosen barrikadat në veri, ishin paguar dhe urdhëruar nga presidenti Vuçiq? Si i komentoni këto pretendime?

Sonja Biserko: Gjithçka tregon se barrikadat janë organizuar nga Beogradi. Fatkeqësisht, serbët në Kosovë janë nën kontrollin e rreptë të Beogradit dhe ata nuk janë në gjendje të përcaktojnë interesat e tyre. Ata janë të instrumentalizuar për interesat e Beogradit që nuk përkojnë me interesat e tyre.

“Bota sot”: Jo rrallë herë presidenti Vuçiq ka kërcënuar me luftë Kosovën. Si e vlerësoni retorikën e tij luftënxitëse?

Sonja Biserko: Narrativa toksike e Beogradit dhe e presidentit gjithashtu, synon të mbajë tension të vazhdueshëm në rajon dhe të tregojë se jeta së bashku nuk është e mundur. Stereotipet e fillimit të viteve tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë ringjallen (ato nuk u ndalën kurrë) dhe synojnë të çimentojnë situatën ekzistuese.

“Bota sot”: Si i keni parë tensionet e fundit në Bosnje, a është qëllimi i Milorad Dodikut lufta atje?

Sonja Biserko: Milorad Dodik ka vite që radikalizon situatën në Bosnje, e cila kohët e fundit çoi pothuajse në kolapsin e saj. Vala e fundit e radikalizimit filloi me ligjin e Inzkos, më pas emërimin e një përfaqësuesi të ri të lartë dhe kërcënimin e Dodikut për t'u larguar nga institucionet e përbashkëta. Presidenti Biden po shpallte një qasje të re, por të vjetër ndaj Ballkanit, përfshirë Bosnjën. Por, u desh pak kohë që ai të fillojë nismën diplomatike, e cila është premtuese. Do të shohim se cili do të jetë epilogu i tij, sepse konteksti ndërkombëtar ka ndryshuar ndërkohë. Rusia është nëpërmjet Serbisë dhe Republika Srpska duke u përpjekur të mbajë status quo-në. Fatkeqësisht, BE-ja, për shkak të marrëdhënieve të saj të ndërlikuara nga brenda, nuk është në gjendje t'i trajtojë siç duhet çështjet e Ballkanit. Amerika ende perceptohet si faktori i vetëm që mund të japë rezultate, veçanërisht në Bosnje dhe Kosovë.

“Bota sot”: Çfarë rrjedhojash do të kishte për Kosovën dhe Serbinë, një konflikt i mundshëm atje?

Sonja Biserko: Ne jemi duke u siguruar që nuk do të ketë luftë, si nga BE-ja, ashtu edhe nga SHBA-ja. Nëse do të lindte një konflikt i ri, për të cilin dyshoj, do ta kthente rajonin prapa dhe do të anulonte të gjitha përpjekjet drejt integrimeve euroatlantike.

“Bota sot”: Kryeministri Kurti ka deklaruar se do të votonte pro bashkimit me Shqipërinë. Cili projekt do të realizohej më shpejt: Shqipëria e madhe apo Serbia e madhe?

Sonja Biserko: Shpresoj që asnjëri nga këto dy projekte të mos realizohet, sepse pa luftë nuk është e mundur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat