“Jam i porositur me të vra, por nuk mund ta bëj...”, djali i Smajl Hajdarajt: Dëshmitari që u kontraktua për ta vrarë babanë, ishte i SHIK-ut

Intervista

“Jam i porositur me të vra, por nuk mund ta bëj...”, djali i Smajl Hajdarajt: Dëshmitari që u kontraktua për ta vrarë babanë, ishte i SHIK-ut

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 18 dhjetor 2021 Në ora: 21:00
Smajl Hajdaraj, deputeti i vrarë i LDK-së

Shpëtim Hajdaraj, djali i zyrtarit të vrarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Smajl Hajdaraj, ka thënë se familja e tyre qëndron prapa deklaratave se vrasja e tij u bë nga kundërshtarët e tij politikë. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Hajdaraj nuk ka përmendur emra në kë dyshojnë, por sipas tij, njeriu që kishte sjellë mesazhin se ishte “i dërguar për ta vrarë deputetin Hajdaraj”, ishte “njeri i SHIK-ut”. Ai ka treguar se ky dëshmitar, i ka thënë babait të tij në vitin 1998, gjatë kohës së luftës, se ishte i “porositur për ta vrarë” atë, mirëpo nuk e kishte bërë një gjë të tillë, duke e njohur ish-komandantin e UÇK-së.

Në intervistë, Shpëtim Hajdaraj ka rrëfyer se babai i tij e kishte ndjerë se do të vritej dhe se ai një muaj para vrasjes e kishte shkruar një letër, ku përmendte grupin që pengonte organizimin ushtarak të UÇK-së.

“Cili e kemi radhën tani”, ishin fjalët e deputetit të vrarë, sa herë që ndodhnin vrasjet politike në Kosovë.

Teksa ka folur për faktin që shteti i ofron ndihmë juridike ish-komandantëve në gjykatën speciale, ndërsa familjarëve të viktimave asgjë, i biri i ish deputetit Hajdaraj ka thënë se ky është një mesazh i qartë që shteti i Kosovës nuk është në anën e viktimave.

Familja Hajdaraj, shpresat për zbardhjen e vrasjes së familjarit të tyre i ka tani te gjykata speciale.

Image
Shpëtim Hajdaraj

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Në janar bëhen 20 vjet nga ekzekutimi i babait tuaj, ish-komandantit të UÇK-së dhe ish-deputetit. A mund të na rrëfeni se si e përjetuat ju si familje vrasjen e tij?

Shpëtim Hajdaraj: Natyrisht, ne si familje e kemi përjetuar shumë rëndë. Kurrë nuk e kemi menduar se dikush do të shtie në të, dikujt do t’ia zërë rrugën dhe dikush e porosit vrasjen e tij. Ne dhe mbarë opinioni e kemi njohur mirë Smajlin, si në aspektin e veprimtarisë atdhetare politike, po ashtu edhe në aspektin njerëzor e intelektual. Njeri që gjithmonë është angazhuar vetëm për shuarjen e ngatërresave, njeri i urtë, njeri i dashur e me shumë veti tjera të mira. Që nga data e ndodhjes së krimit të shumëfishtë ndaj tij e neve, e kemi ditur se vetëm motivi politik dhe atë nga armiqtë e dëshmuar të Kosovës është arsyeja e vrasjes së një njeriu të tillë.

“Bota sot”: Familja juaj ka akuzuar kundërshtarët politikë për vrasjen e bashkëpunëtorit të ish-presidentit Ibrahim Rugova. A keni ndonjë emër të veçantë në të cilin dyshoni?

Shpëtim Hajdaraj: Qëndrojmë prapë pas kësaj deklarate dhe kësaj bindjeje. Po të ishte ndryshe, do të ishte zgjidhur rasti deri më sot. Asnjë nga këto raste të ngjashme nuk janë zgjidhur, duke përfshirë as sulmet ndaj vet Presidentit Rugova. Sa i përket emrit të ndonjë personi të veçanti, nuk do isha ndal në pjesëza apo copëza, sepse ka më shumë të përfshirë me role të ndryshme. Ishte sistem.

“Bota sot”: Keni përmendur një dëshmitar, që ishte kontraktuar për ta vrarë babanë tuaj, por ishte vrarë disa muaj para se të vritej ish-deputeti. Çka ndodhi pas vrasjes së babait tuaj? A keni komunikuar me familjen e tij, për ta zbardhur vrasjen e z.Hajdaraj?

Shpëtim Hajdaraj: Po, ky rast ka ndodhë gjatë luftës (1998) dhe vet personi në fjalë ka shkuar e i ka treguar babait se “jam i porositur me të vra, por nuk kam mundur ta bëj një gjë të tillë duke të njohur ty Smajl e familjen tënde, që gjithmonë i ka luftuar armiqtë” –citim i tij. Ne si familje, kemi të vrarë e të burgosur nga regjimi serb në periudha të ndryshme. Nuk jemi të sotëm. Njëri ndër kontributet e Smajlit përpos tjerash gjatë lufte është edhe ndalimi i vëllavrasjeve brenda shqiptare.

“Bota sot”: Çka ju kishte rrëfyer dëshmitari në fjalë?

Shpëtim Hajdaraj: Unë nuk e kam takuar asnjëherë në jetë, por siç ju thashë ai vet personalisht ka shkuar tek babai dhe i ka treguar se “jam i porositur me të vra”. Por, babai me qëllim të mos ngritjes së tensioneve, nuk e ka bërë shumë të madhe, përpos në rrethin familjar si dhe te disa bashkëpunëtorë të vet.

“Bota sot”: A ishte një njeri i SHIK-ut, ky person që solli mesazhin se ishte ‘i dërguar’ për ta vrarë deputetin Smajl Hajdarin, babanë tuaj?

Shpëtim Hajdaraj: Sipas dokumentit që e kam pa, po.

“Bota sot”: Në një letër që ia tregoi babait tuaj, ishin emrat e 26 personave që duheshin ekzekutuar, sipas SHIK-ut, ndër ta ishte edhe komandanti i tij Smajl Hajdaraj? Sa mund të jenë ekzekutuar nga ajo listë?

Shpëtim Hajdaraj: Përpos babait tim, sinqerisht për të tjerët nuk e di. Unë nuk e di kush ka qenë në atë listë. Nuk e kam pa. Krejt çka mund të theksoj është ajo çka na ka rrëfyer vet babai jonë.

“Bota sot”: Dorëshkrimi i fundit i babait tuaj, ku ai përmendte grupin që pengonte organizimin ushtarak të UÇK-së, a ishte një paralajmërim i tij për ekzekutimin që pasoi më vonë?

Shpëtim Hajdaraj: Po, sikur e ka ditur dhe e ka ndjerë që do të vritet. Personalisht e kam parë duke e shkruar këtë letër dhe kjo ka qenë rreth 1 muaj para vrasjes. Mirëpo, vlen ta theksoj se që nga paslufta vazhdimisht kur ndodhke ndonjë vrasje tjetër politike, pyeste: “Cili e kemi radhën tani” –parafrazim të Smajlit që e kam dëgjuar vet duke e thënë.

“Bota sot”: Si e vlerësoni angazhimin e LDK-së për zbardhjen e vrasjes makabre të z.Hajdaraj?

Shpëtim Hajdaraj: Po duke i marrë parasysh kompetencat dhe detyrat ligjore ku përgjegjëse për hetimet dhe zbardhjen e vrasjes është Prokuroria në bashkëpunim me Policinë, një parti politike krejt çka ka mundur të bëjë janë apelet dhe shkresat për zbardhje dërguar këtyre institucioneve. Ligjërisht ndoshta s’ka mundur të bëjë më shumë, e moralisht besoj që ka mundur të bëjë më shumë. Ky rast dhe disa raste tjera një kohë kanë qenë në kompetencat ekskluzive të UNMIK-ut, pastaj të EULEX-it, por pa rezultat. Tani janë kompetencë e Prokurorisë së Republikës së Kosovës, ku deri më sot pa rezultat.

“Bota sot”: A është kujdesur LDK-ja për ju si familje?

Shpëtim Hajdaraj: Disa akademi përkujtimore dhe homazhe për babanë i ka bërë. Si dhe ftesa për organizime të ndryshme. Vlen ta theksoj se pas vrasjes së babait nga LDK-ja e kemi pas një ndihmë financiare prej 150 marka, e ndaluar pastaj pas vdekjes së Presidentit Rugova, në kohën kur kryetar i LDK-së ishte Fatmir Sejdiu. Në një takim që e kishim me Presidentin Rugova ne si familje pas vrasjes së kryefamiljarit tonë, ai na pat premtuar se si familje do të jeni nën përkujdesje institucionale, gjë që nuk ka ndodhur. Kjo është e tëra.

“Bota sot”: A besoni se Gjykata Speciale është mundësia e fundit për të vënë drejtësinë për këtë dhe vrasjet tjera?

Shpëtim Hajdaraj: Ne shpresojmë që po. Tashmë është fakt që disa vrasje të anëtarëve të LDK-së gjatë lufte veç janë të përfshirë në aktakuzën e publikuar nga kjo Gjykatë. Shpresojmë që do të zgjidhet edhe rasti jonë dhe i rasteve të tjerave të ngjashme, dhe jo vetëm.

“Bota sot”: Si e vlerësoni faktin ju si familjarë të viktimave që shteti ju ofron ‘ndihmë juridike’ ish komandantëve, të cilët mund të jenë porositësit e vrasjeve, ndërsa asgjë nuk ju ofron juve familjarëve të viktimave dhe vetë viktimave?

Shpëtim Hajdaraj: Mesazh i qartë se shteti i Kosovës nuk është në anën e viktimave.

“Bota sot”: A duhet t’ju ofrojë ndihmë edhe juve dhe rasteve tjera?

Shpëtim Hajdaraj: Në rast të ndonjë aktgjykimi të formës së prerë ku shpallen fajtorët, atëherë Ligji mbi Dhomat e Specializuara na e garanton të drejtën tonë për kërkesë për kompensim si viktima, por në procedurë tjetër gjyqësore. Do të duhej që edhe shteti i Kosovës ta parashihte ndonjë ndihmë tjetër, sepse ju kanë vra njerëzit e vet, deputeti i vet etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat