Demolli: SHBA të publikojë ‘lista të zeza’ edhe për shqiptarët, që u pasuruan e u bënë milionerë në kurriz të popullit

Intervista

Demolli: SHBA të publikojë ‘lista të zeza’ edhe për shqiptarët, që u pasuruan e u bënë milionerë në kurriz të popullit

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 22 dhjetor 2021 Në ora: 08:24
Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Haki Demolli

Haki Demolli anëtari i Këshillit të Përgjithshëm në LDK dhe anëtar i Kryesisë së degës së I të LDK-së, në një intervistë dhënë për gazetën ‘Bota sot’ ka komentuar qeverisjen aktuale të udhëhequr nga Albin Kurti, menaxhimin e kësaj qeverie me pandeminë, zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale. Në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit, Demolli thotë se Vetëvendosja mori votat e karakterit ndëshkues për qeverisjet e kaluara se sa votë besimi për këtë parti.

Sipas tij, kjo qeveri është ndër më të dobëtat me fjalë shumë dhe punë pak. Ai ka folur edhe rreth gabimeve që ka bërë kjo qeverisje deri më tani. Profesori universitar, HakiDemolli ka folur poashtu edhe për Listën e Zezë të SHBA-së dhe përfshirjen e kriminelëve serbë, Veseloviҫ dhe Radojҫiq që veprojnë në pjesën veriore të Kosovës. Demolli ka folur edhe për zgjedhjet e përgjithshme dhe rezultatin e LDK-së në këto zgjedhje, duke thënë se kjo parti është ndëshkuar dhe ka arritur rezultatin më tëdobët në historinë e saj.

“Bota sot”: Në fillim të vitit 2021 qytetarët votuan për një qeveri më ndryshe. Si e vlerësoni qeverisjen Kurti gjatë kësaj kohe?

Haki Demolli: Po në të vërtetë, në prag të zgjedhjeve të shkurtit 2021 në Kosovë ishte krijuar një atmosferë, frymë e tillë politike, në të cilën dominonte bindja e kosovarëve, që t’ju “jepej rasti” respektivisht, që të “provohen edhe këta  të LVV-së” që të qeverisin me vendin tonë. Bindja e tillë u bë realitet në ditën e 14 shkurtit të vitit 2021, kur elektorati me votën e tij më shumë të natyrës apo karakterit ndëshkues, se sa që ishte një votë besimi apo bindjeje në programin e LVV-së, i ndëshkoi të ashtuquajturat ‘partitë e vjetra”, duke i sjellë në pushtet “praktikantët” e LVV-së. Unë, vlerësojë se kjo është njëra prej qeverive më të dobëta që ka pasur Kosova ndonjëherë, e cila karakterizohet me fjalë e premtime shumë, e me punë pak. Një vlerësim të këtillë e kanë argumentuar në tërësi edhe rezultatet e zgjedhjeve lokale të 14 nëntorit 2021, kur votuesi e ndëshkoi rëndë LVV-në për keqqeverisjen e saj me Kosovën.

Bota sot: Sipas juve, cilat janë gabimet që ka bërë qeveria Kurti gjatë kësaj qeverisje?

Haki Demolli: LVV si subjekt politik ka gabuar qysh para fitimit të pushtetit dhe krijimit të qeverisë Kurti-2,  sepse ka ardhur në pushtet përmes premtimeve megalomane, duke krijuar pritshmëri tejet të mëdha tek qytetarët e Kosovës, duke premtuar se Kosovën do ta bëjë parajsë për jetesë, duke premtuar se në momentin që do të vijnë në pushtet do ta luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, do të luftojnë nepotizmin, do ta zhvillojnë ekonominë, arsimin, shëndetësinë, do të zbrit çmimet e energjisë elektrike, vajit, sheqerit dhe produkteve të tjera ushqimore, pra thjesht ka krijuar përshtypjen tek qytetari i rëndomtë, se pas ardhjes së tyre në pushtet populli ynë do të ushqehet ‘me lugë të dukatit’. Ndërsa, në realitet kanë dëshmuar se nuk  janë të zotët që të përmbushin premtimet e dhëna gjatë fushatave elektorale dhe gjatë kohës sa ishin në opozitë. Njëri prej aktiviteteve të para politike të kësaj qeverie ka qenë punësimi i familjarëve (dajallarëve, axhallarëve, nipave, motrave, kunetërve etj.) nëpër borde, ministri, në PTK, në institucione të tjera të Kosovës, duke dëshmuar se edhe LVV nuk i paska familjarët vetëm për dasma, “kanaxheqe” e ndeja të tjera familjare (siç thoshte Kurti më parë), por i paska edhe për punësime. Kjo qeveri punësimin e familjarëve e arsyetonte me pretendimin (‘duke i hedh popullit hi syve’)  se familjarët e tyre qenkan më të ‘dijshëm’ dhe më të ngritur profesionalisht se sa kandidatët tjerë. Jo vetëm kaq, kjo qeveri tregoi se vepron për interesa të ngushta partiake, duke i ndalë në njërën anë shtesat prej 30 euro për pensionistët e Kosovës në krizën më të madhe ekonomike, e në anë tjetër duke ua paguar polisën e sigurimit prej 15 euro mërgimtarëve që kanë standard jetësordisa herë më të lartë. Pastaj, kjo qeveri në prill të këtij viti ndau 11 milionë euro për pagesën e energjisë elektrike për konsumatorët serb të veriut të Kosovës. Kur LVV-ja ishte në opozitë preferonin sloganin “Serbia nuk kalon”, ndërsa tani kur janë në qeveri, ministrja e tyre e ka hequr taksën për bllokat e ndërtimit që importohen nga Serbia. Fatkeqësisht kjo qeveri, për disa muaj me radhë në një numër të madh të shteteve (përfshirë këtu edhe SHBA-të) e ka lënë Kosovën pa përfaqësim diplomatik në nivel të ambasadorëve (përjashtim bënin Kroacia dhe Shqipëria ku ishin nominuar shpejt e shpejt  ‘dostat’ e tyre). Dikur njerëzit e LVV-së brohorisnin ‘me hajna, me hajna nuk ka shtet...’, ndërsa vet me të formuar qeverinë u zunë nga opozita në flagrancë për tentim vjedhjen e mbi dy milionë eurove në vit (mbi 400 mijë vetura herë 5 euro) përmes taksave prej 5 eurove për ‘stickersa’ (fletë ngjitjeve) në veturat e kontrolluara teknikisht, të cilin vendim paramendoni ishte i autorizuar për ta nënshkruar  zëvendësministri Durmishi, sepse ministri Aliu ishte ‘i zënë’ me punë më madhore dhe ‘nuk kishte kohë’ të nënshkruante. Shumë shpejt u zbulua tentim vjedhja e tillë nga opozita dhe shoqëria kosovare në përgjithësi, andaj “qeveria e praktikantëve’ u detyrua që ta pezullojë vendimin mbi taksën për fletë-ngjitje. Kjo qeveri ka bërë edhe shumë e shumë gabime, lëshime, afera të tjera, jo vetëm në rrafshin vendor (‘blerja e votave’ për zgjedhjen e presidentes), por edhe në atë ndërkombëtar e sidomos në bisedime me Serbinë (siç është hapja e arkivave të UÇK-së, prolongimi i bisedimeve në dëm të Kosovës etj.), pastaj favorizimi i BE-së në raport me SHBA-të, mos blerja e gazit nga kompanitë e SHBA-ve etj., të cilat do t’i faturohen dhe do të bien mbi kurrizin e shtetit të Kosovës dhe popullatës tonë. Krejt së fundmi punëtori dhe qytetari i rëndomtë kosovar, i goditur “në kurriz” dhe ballafaquar me problemet ekzistenciale për shkak të krizës energjetike dhe inflacionit shumë të lartë (probleme për të cilat Qeveria Kurti nuk po ofron kurrfarë zgjidhjeje), përmes Sindikatave të punëtorëve po i drejtohet Qeverisë për përmirësimin e kushteve e në veçanti rritjen e pagave. Kurse, Qeveria në vend të dialogut dhe shqyrtimit të kërkesave të tyre, të njëjtat po i injoron, po kërkon ndryshime në strukturat udhëheqëse të tyre, konkretisht kryeministri Kurti ka theksuar se “punëtorët shëndetësorë, por edhe qytetarët e Republikës së Kosovës, nuk mjaftohen që për shumë e shumë vite të vazhdojnë t’i përfaqësojnë të njëjtit njerëz, kushdo qofshinata, apo kudo që ata janë”. Aq më keq, njerëzit e LVV-së kurrsesi nuk po e shohin veten në pozita ministrore dhe qeveritare, por po vazhdojnë me veprime dhe premtime sikurse të ishin ende në opozitë. Kështu të formës së premtimeve elektorale (apo një lloj mashtrimi apo gënjimi i popullatës së varfër kosovare), ishin deklarimet e kurtiste “kemi shtuar rreth 10 mijë vende të reja pune në ekonomi” apo “eksportet tona janë rritur për 66%” pastaj “do ta mbyllim këtë vit me një rritje ekonomike rreth 10%”. Qeveria Kurti duhet të jetë e vetëdijshme, se nuk jemi duke jetuar në kohë të fushatës elektorale, kohë kjo kur popullit mund t’i servohen të pavërteta të llojllojshme, por jemi duke jetuar në një Kosovë të qeverisur nga mazhoranca e LVV-së, e ku varfëria e skajshme dita ditës po rritet, ndërsa të pavërtetat e tilla do t’i zbulonin edhe fëmijët e shkollës fillore, me pyetjen më të thjesht: “Oj qeveri e Kosovës, ku janë ato 10 mijë vende pune ?”

Bota sot: Qeveria e SHBA-ve e ka nxjerrë një listë të zezë, ku janë emrat e udhëheqësve të grupit kriminal ndërkombëtar. Disa prej tyre kanë pasur lidhje me qeveritarë, drejtues shteti, struktura të sigurisë. Ata akuzohen se kanë kryer edhe trafikim droge, armësh, pastrim parash etj., a duhet të hetohen nga shteti shqiptarët (zyrtarët) që kishin lidhje me këtë grup kriminal?

Haki Demolli: Lajmi se Zyra e Departamentit Amerikan të Thesarit, e ka futur në ‘listën e zezë’ grupin e krimit të organizuar serbë (në krye me ZvonkoVeselinoviqin, Radojçiqin etj.) që vepron në pjesën veriore të Kosovës, është njëri prej lajmeve më të mira për Kosovën gjatë vitit 2021, për shkak se kjo listë tregon se SHBA-të si një partner strategjik i Kosovës, është duke i përcjellë me vëmendje dhe interesim të posaçëm zhvillimet jetike në vendin tonë, përfshirë këtu krimin e organizuar, e në veçanti kriminelët, të cilët bashkëveprojnë me oligarkët dhe politikanët jo vetëm të Serbisë, por edhe të Kosovës. Ata u futën në listë të zezë, sepse jo vetëm që kontrollonin rrjedhat e krimit të organizuar, por kishin edhe ndikim të madh në zhvillimet politike dhe lidhje të fuqishme me qarqet politike. Ky veprim i Departamentit Amerikan, paraqet një shpresë për luftimin e krimit të organizuar dhe ofrimin e sigurisë juridike për qytetarët e vendit tonë. Vendimi i tillë përveç që është lajm i mirë, zbulon edhe një varg parregullsish dhe dobësish të pranishme në Kosovë, duke filluar nga jofunksionaliteti i shtetit tonë, konkretisht i organeve tona për hetimin dhe luftimin e krimit, sepse në vend që ato të arrestonin dhe vënin para drejtësisë kriminelët serbë dhe bashkëpunëtorët e tyre (pavarësisht etnisë së tyre), të cilët me krimet e tyre që i kanë kryer para syve të hetuesve tonë e dëmtojnë dhe rrezikojnë seriozisht sistemin ekonomik dhe atë politik të vendit tonë, ju deshtë SHBA-ve që të sanksionojnë kriminelët e tillë. Pastaj e bëri të ditur se, stërzgjatja e zgjidhjes së problemeve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë (me theks Kosovën veriore), shkon në favor të grupeve kriminele, të cilat janë të gatshme të bashkëveprojnë sikurse me kriminelët ashtu edhe me politikanët e të gjitha etnive. Veprimi amerikan, zbuloi edhe një të vërtetë të hidhur për taksapaguesin kosovar, sepse doli në pah se Qeveria Kurti 2, më konkretisht Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga LiburnAliu i ka dhënë muaj më parë, një tender prej gati 600 mijë euro grupit të operatorëve ekonomik në mesin e të cilëve ishte edhe “RAD D.O.O”, që pretendohet se është pronë e kriminelit serb MilanRadojiçiq i kërkuar për vrasjen e OliverIvanoviqit. Që nënkupton se Qeveria e Kosovës në vend që të luftojë grupet kriminele serbe, ajo përmes tenderëve në një farë mënyre, me to ka bashkëpunuar duke i sponzoruar dhe sforcuar financiarisht. Andaj, ne si shtetas të Kosovës, duhet të kërkojmë prej organeve tona shtetërore, që t’i qasen me seriozitet dhe përkushtim ( e jo me demagogji politike) ndjekjes penale të kriminelëve serbë dhe bashkëpunëtorëve të tyre (përfshirë edhe ata shqiptarë), si dhe të lutemi dhe shpresojmë që Departamenti Amerikan të vazhdojë me publikimin e listave të zeza të kësaj natyre, në të cilat do të zënë vend jo vetëm politikanët dhe kriminelët serbë, por edhe ata shqiptarë, të cilët me shpejtësi meteorike janë pasuruar dhe bërë milionerë, në ‘kurriz’ të ekonomisë së shtetit tonë dhe popullatës së varfër kosovare.

Bota sot: Sa i përket pandemisë, si është menaxhuar në Kosovë sipas jush nga të gjitha qeveritë, dhe a ka vend për hetime të mjekëve. Ka pasur plot ankesa se moskujdesi dhe terapitë joadekuate kanë shkaktuar rritje të vdekshmërisë nga Covid 19?

Haki Demolli: Si mund të vlerësohet menaxhimi i pandemisë me Covid-19 nga Qeveria aktuale, kur dihet se gjatë muajve gusht-shtator të këtij viti, për shkak të neglizhencës tëtë njëjtës, paramendoni Kosova ‘ja ka dal’ që për fatin e keq të popullatës tonë të radhitet e para (pra t’i lë pas vetes edhe shtetet e Amerikës Latine) në botë për nga numri i të vdekurve nga Covidi në 1 milion banorë, si dhe të radhitet diku kah fundi për nga numri i personave të vaksinuar. Nuk duhet harruar se gjatë kësaj periudhe (gusht-shtator 2021) në Kosovë nga Covid-19, kanë vdekur 658 persona, shifër kjo alarmante që tregon për menaxhimin jo vetëm të dobët, por katastrofal të pandemisë nga ana e Qeverisë Kurti-2. Mendoj se deri te këto pasoja fatale ka ardhur për shkak të vonesave të theksuara në sigurimin e vaksinave dhe vaksinimin e qytetarëve në përgjithësi, e që ishte rezultat i mos nënshkrimit të kontratës me Pfizerin (e  kishte aranzhuar Qeveria Hoti) nga ana e kësaj qeverie (aktuale) kryeneçe dhe jo kooperative. Përveç vonesave në vaksinim, faktor tjetër që ka ndikuar në shkaktimin e pasojave fatale, ka qenë fakti se gjatë periudhës maj-korrik 2021, kur në Kosovë si pasojë e ardhjes së njerëzve tonë nga diaspora thuaja se u dyfishua popullata, kjo Qeveri nuk ka ndërmarrë asnjë masë anti-covid, sepse nuk kishte bërë asnjë studim, analizë, hulumtim apo planifikim, duke vepruar si një diletante e vërtetë, thuaja se pandemia kishte pushuar së ekzistuari dhe pa pasur fare idenë se në fund të gushtit popullata që qeveriset prej saj do të goditej nga vala fatale dhe e furishme e versionit delta të virusit Covid-19. Realiteti i hidhur ka treguar se në shënjestër të virusit Covid (versionit Delta) kryesisht ishin personat e pa vaksinuar, konkretisht evidencat kanë treguar se 93% të të infektuarve dhe 99% të të vdekurve ishin nga radhët e personave të pa vaksinuar. Për zhvillimet e tilla me pandeminë, mendoj se fajtori kryesor respektivisht barra më e madhe e përgjegjësisë bie mbi Qeverinë Kurti-2, e cila u tregua e paaftë dhe neglizhente, thjeshtë një qeveri që nuk mund t‘i ofrojë popullatës shërbimet e duhura për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së qytetarëve të vet. Sikurse këta qeveritar vetëm pak të ndanin dhembjen me familjet e të vdekurve dhe shqetësimet e popullatës në përgjithësi, si dhe të ishin koshientë për pasojat kaq të rënda, tanimë dikush prej tyreështë dashur t’i ofronte dorëheqje Kuvendit të Kosovës. Në mos jo dorëheqje, atëherë të paktën është dashur që publikisht t’i kërkonte një falje të sinqertë të gjitha familjeve të të vdekurve nga Covidi-19.          

Bota sot: LDK-ja në zgjedhjet nacionale pësoi një rënie fatale (gjë që duket se u korrigjua në zgjedhje lokale, edhe pse nuk janë krejt të barasvlershme me ato nacionale), kush mendoni se ishin shkaqet e asaj humbje, kush ishin fajtor për këtë rezultat?

Haki Demolli: Në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, LDK-ja ishte radhitur në vendin e tretë me 106 000 vota apo me vetëm 13.01%, që ishte rezultati më dobët i arritur nga LDK-ja ndonjëherë në zgjedhje qofshin ato nacionale apo lokale. Vërtetë as pesimistët më të mëdhenj nuk kanë pritur një rezultat kaq të dobët, i cili tregon se, ndërmjet dy palë zgjedhjeve pra atyre të tetorit 2019 dhe shkurtit 2021 (për më pak se 18 muaj) LDK-ja kishte humbur afro 50% të elektoratit, respektivisht 103 000 votues të saj. Si një LDK-ist i devotshëm, vlerësoj se LDK-ja ndërmjet atyre dy palë zgjedhjeve (tetor 2019 dhe shkurt 2021), ishte vënë para dy alternativave:

a.            Alternativa e parë, ishte që LDK-ja të largonte nga pozitat udhëheqëse në të gjitha nivelet (Kryesia e LDK-së, Këshilli i Përgjithshëm e deri te Degët e saj)“fytyrat e konsumuara politike” (qoftë përmes kërkimit të dorëheqjes së tyre, qoftë përmes votimeve pas debateve, qoftë në forma të tjera demokratike), të cilat tanimë e kishin humbur autoritetin dhe përkrahjen jo vetëm te elektorati i LDK-së, por edhe te shumica e qytetarëve të Kosovës, e të cilët thjesht ishin bërë të ‘papranueshëm’ për pjesën dërmuese të elektoratit të LDK-së. Mirëpo, të cilët qëndronin në pozitat kyçe të organeve të LDK-së, falë votës së brendshme të strukturave në masë të madhe të burokratizuara, të cilat për shkak të disa interesave personale, ua bënin “rrafsh”, ua rrihnin “shpinën” dhe iu thurnin lavde në deklarimet e tyre publike. Këto “fytyra të konsumuara politike” përveç përkrahjes nga strukturat e subordinuara, kishin krijuar një rrjet bashkëpunimi ndërmjet veti, duke e ndihmuar dhe përkrahur njëri tjetrin, për të ruajtur  për vete pozitat udhëheqëse partiake;

b.            Alternativa e dytë, ishte që LDK-ja të ruante elektoratin dhe simpatizantët e vet, si dhe eventualisht të fitonte përkrahjen e qytetarëve të papërcaktuar politikisht respektivisht të të pakënaqurve me qëndrimet dhe programet e subjekteve të tjera politike kosovare. Kjo alternativë do të mund të jetësohej, sikurse strukturat udhëheqëse të përfillnin zërat e elektoratit dhe simpatizantëve të LDK-së, të cilët qoftë në rrjete sociale, qoftë në ndeja të përditshme, qoftë në forma të tjera shprehnin pakënaqësinë ndaj vendimeve të udhëheqësve të LDK-së, duke filluar nga kryesia qendrore e deri te nivelet më të ulëta. Fatkeqësisht kërkesat e elektoratit hasën në “veshë të shurdhër” të udhëheqësve politikë, më konkretisht “të strukturave vendimmarrëse”  të LDK-së. Përkundër faktit, që elektorati, dashamirësit e LDK-së, por edhe qytetarët qëllimmirë të subjektit tonë politik, kërkonin që të anashkaloheshin “fytyrat e konsumuara politike”, respektivisht të ndryshonte kursi politik i LDK-së, që mos të synohej me çdo kusht mbetja në Qeverinë e Kosovës, kërkesat e tilla as që u morën parasysh, respektivisht nuk u përfillën fare nga “strukturat vendimmarrëse” të LDK-së. Mospërfillja, anashkalimi dhe injorimi total i sovranit të LDK-së, shkaktoi pakënaqësi, mllef dhe pezëm të madh tek elektorati i LDK-së. Kjo pakënaqësi u shkaktua në kohën më të keqe për LDK-në, sepse ishte koha kur ish nënkryetarja e LDK-së Vjosa Osmani u largua me një numër të caktuar të ldk-istve të pakënaqur dhe në anën tjetër Lëvizja VV e ‘bombardonte’ opinionin e gjerë me propagandë për kinsemospunën e Qeverisë së LDK-së, përmes të cilës i përforconte radhët e saja duke grumbulluar rreth vetës të pakënaqurit e partive të tjera, përfshirë këtu edhe ata nga radhët e LDK-së. Pra, gjithë këto rrjedha të disfavorshme për LDK-në, zhvilloheshin  në kohën kur ishin të “hapura dy dyer” (ajo e Vjosës dhe e LVV-së) për të pakënaqurit e LDK-së, e të cilat “dyer” shpinin në subjektin e vetëm politik, pra në LVV.

Epilogu tanimë është i ditur, pjesa dërmuese e elektoratit të LDK, për shkak të mospërfilljes, injorimit, anashkalimit që i ishte bërë, në shenjë mllefi, hakmarrjeje dhe ndëshkimi (madje edhe duke përmendur edhe emra të përveçëm dhe theksuar se derisa të jenë këta persona në organet udhëheqëse të LDK-së, nuk do të japin votën për LDK-në), në zgjedhjet e shkurtit 2021 votuan për LVV-në, duke e dëmtuar LDK-në për 103 000 vota dhe duke i shkaktuar humbjen më të thellë politike ndonjëherë. Vërtetë është ndëshkuarmosreflektimi i ish lidershipit të LDK-së, por njëherësh ka qenë edhe mëkat jo vetëm për LDK-në, por edhe për tërë shoqërinë kosovare, që për shkak të menaxhimit të dobët, një subjekt politik siç është LDK-ja, e cila në radhët e veta ka akademikë, profesorë, intelektualë, biznesmenë dhe afaristë të suksesshëm, që ka një trashëgimi politike rugoviane, të mposhtet madje me rezultat të thellë, nga një kundërshtar politik që në shoqërinë kosovare dhe më gjerë, shquhejkryesisht për grumbullimin e kuadrove (të pakënaqurit, të anashkaluarit, të dëbuarit etj.) nga subjektet të ideologjive të ndryshme dhe me aktivitete protestuese.

Vijon...

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat