Publicisti nga ShBA kërkon hetim penal për ish-krerët e shtetit/ Të paguajnë për kompromiset në dëm të shtetit

Intervista

Publicisti nga ShBA kërkon hetim penal për ish-krerët e shtetit/ Të paguajnë për kompromiset në dëm të shtetit

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 22 dhjetor 2021 Në ora: 19:56
Hafiz Shala

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Hafiz Shala veprimtar i çështjes kombëtare dhe anëtar i bordit drejtues të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, ka folur lidhur me të arriturat dhe ngecjet e Kosovës qysh nga aktivizimi i lobit shqiptar në SHBA, e deri më sot kur vendi gjendet para sfidave të mëdha sa i përket përmbylljes së dialogut me Serbinë.

Ai ka thënë se për zhvillimin e Kosovës duhet të angazhohen investitorë nga jashtë, dhe se për këtë duhet të forcohet shteti ligjor.

Shala në këtë intervistë ka folur edhe për rolin e lobit shqiptar në SHBA.

Nga ana tjetër ai ka deklaruar se çdo veprim i Kosovës, duhet të jetë në koordinim të ngushtë më ShBA-të, duke pasur parasysh një Evropë të përçarë e të ndarë, të paaftë për të marrë vendime të guximshme dhe njëkohësisht të njëanshme.

Pjesa e parë e intervistës:

“Bota sot”: Z. Shala, jeni qe një kohë të gjatë në ShBA, nga këndvështrimi i juaj a mund të na thoni si e shihni Kosovën sot, nga vitet e ‘90-ta e deri më tash? A është bërë mjaftueshëm në zhvillimin saj?

Hafiz Shala: Unë në vazhdim, Kosovës do t’i referohem si Dardani, prandaj po tentoj të mos e përdor emërtimin Kosovë deri në ndryshimet kushtetuese, kur duhet t’i kthehet emri autokton, Dardani, e jo Kosovë pasi ky emërtim është serb, i cili nëse nuk gaboj, në disa shtete tëish BRSS-së, ekzistojnë mbi 20 vende me këtë emërtim-Kosovo.

Nuk është lehtë që të bëjë një vlerësim real sepse, në këtë vend ku unë jetojë mbi 30 vite, një vend i zhvilluar, një fuqi ekonomike, politike e ushtarake, një kampion i demokracisë në nivel botëror, prandaj, do të tentojë që të jap sadopak një këndvështrim për aq sa kohë kam punuar, vepruar, angazhuar dhe udhehëqur edhe me disa organizata punuese, por, edhe me veprimtari të tjera, sipas asaj që na u është imponuar nga regjimi i atëhershëm, serbo-jugosllav.

Për periudhën para lufte, apo nga vitet e ‘90-ta, s’ke çka flet për ndonjë avancim në ekonomi sepse kjo konsiston edhe me lirinë politike.

Si çdo vend në botë, edhe Dardania e pas luftës doli e shkatërruar tërësisht, pasi Serbia, rrënoi çdo gjë. Shkatërroi fabrika, institucione, shtëpi banimi, me një fjalë e bëri shkrumb Dardaninë dhe e rrafshoi me tokë.

Serbia, me qëllime gjenocidale, planifikoi përzënien e popullatës shqiptare, duke i dëbuar mbi një milion, duke vrarë dhe duke i kthyer një numër të vogël në vasal të tyre. Dhe, kështu e zbrazi Dardaninë për një moment.

Me ndërhyrjen e forcave të NATO-s nën udhëheqjen dhe komandën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Serbia u largua me bisht ndër shalë.

Për habinë e të gjithë atyre që na çliruan dhe botës civilizuese e demokratike, ishte kthimi i menjëhershëm i popullatës duke mos pritur as pastrimin e ndërtesave dhe terreneve nga minat e vendosura nga forcat okupuese serbe.

Në Dardaninë e pasluftës, erdhën në pushtet ata, të cilët nuk kishin ide rreth ekonomisë dhe menaxhimit të investimeve. Njerëz të cilët duke u thirr në vlerat e luftës, erdhën në pushtet pa meritë(kësaj here nuk do të lëshohem më gjatë), bile, duke i likuiduar njerëz të aftë e intelektualë të shquar, që nga arti ushtarak, politik, e akademik dhe, orientimi i zhvillimit ekonomik kryesisht i orientuar në infrastrukturat rrugore e banesore, dhe assesi në ato drejtime dhe kahe në organizatat e mëdha ekonomike, në rend të parë “Trepça” me organizatat tjera simotra, zhvillimi i ekonomisë së vogël për fillim dhe zhvillimi i resurseve ekonomike, në të cilat mund të inkuadrohen punëtor të profileve të ndryshme.

Megjithatë, Dardania, nuk mund të krahasohet as me vitet e ’90-ta e as të menjëhershme pas luftës sepse, me gjithë orientimet e gabuara në investime dhe prioriteteve në, shëndetësi, arsim, dhe resurset tjera, e ka një përparim të cilin as nuk mund të lavdërohemi as të pajtohemi.

Duhet të angazhohen investime nga jashtë, por, para së gjithash, për t’i sjellë ato brenda, duhet të forcohet shteti ligjor dhe të sigurohet kapitali i investitorëve nga jashtë.

Stabiliteti i brendshëm dhe ai i jashtëm politik, janë elemente cilësore dhe parakusht për t’i sjellë investitorët nga jashtë, prandaj, ndryshimet, të cilat kanë ndodhur në Dardani në klasën politike, jep shpresë për një të ardhme më të mirë, me të gjitha ato të meta të cilat e përcjellin nga e kaluara.

“Bota sot”: Z. Shala, miqësia e përhershme me ShBA-në ishte slogani kryesor që për vite ka mbajtur të gjallë shpresën e shqiptarëve, a mund të na thoni si është qasja e politikës amerikane karshi Kosovës?

Hafiz Shala: Slogani, miqësia e përhershme me ShBA-të, i cili lindi nga ideatori, arkitekti dhe themeluesi i Dardanisë, Dr. Ibrahim Rugova, mund të them se është preludë e politikës afatgjate e Dardanisë, thënë kushtimisht sikur të ishte prelude e Kur-anit apo Biblës.

Ky, është dhe mbetet itinerari i politikës afatgjate, i të gjitha gjeneratave të tanishme dhe të ardhshme. Ky është oksigjeni politik i Dardanisë pa të cilin nuk mund të mbijetojë dhe të ecë përpara paralelisht me shtetet tjera perëndimore sepse, dielli për Dardaninë dhe shqiptarët në përgjithësi, lind në perëndim, nga rrezet e para që lëshohen mbi Atlantikun e largët.

Me gjithë ndryshimet në administratat për të cilat deklarohet populli demokratik e liridashës amerikan i një shteti multietnik e kulturor, një botë në miniaturë, ato janë dhe duhet të mbesin orientimi i ynë i përjetshëm.

Politika amerikane, zhvillohet në filozofinë e pragmatizmit e cila, në disa faza edhe mund të jetë nganjëherë për momentin e disfavorshme, varësisht nga banori i Shtëpisë së Bardhe por, është me rëndësi që lidershipi i Dardanisë të jetë i sinqertë dhe i vendosur në parimet demokratike, duke mos treguar kurrfarë serviliteti sepse, përpos që vendit tënd i shkakton dëm, edhe mikun e sjellë në një konfuzitet.

I pastër, i ndershëm, i vendosur në mbrojtje të interesave të popullit dhe të shtetit tënd, me fakte e argumente, ky shtet, themelues dhe çlirues i Dardanisë, nuk do të veprojë kundër interesave, kur ka të bëjë me një udhëheqës të cilin populli e ka zgjedhur me votën e lirë, e përkrahë pa rezervë.

Në të kaluarën, fatkeqësisht, kemi pasur devijime sepse, në prag të zgjedhjeve në Amerikë për të përfituar vota sa më shumë, nuk hezitohet që të hasin në udhëheqës labil të korruptuar e të shantazhuar ose të akuzuar për vepra penale apo krime kundër njerëzimit, të tentojnë nxjerrin përfitime edhe pse në një moment duan që “t’i arrijnë disa objektiva më pak të dhimbshme”, ndonjëherë edhe për hir të politikës gjeostrategjike, të bëjnë lëshime, të cilat për neve si shtet i vogël e posaçërisht një ndër miqtë dhe dashamirësit e ShBA-ve, e shtrijmë qafën dhe solidarizohemi në shenjë respekti.

Involvimi i zotit Richard Grenel në cilësinë e “guvernatorit” të Dardanisë, rrëzimi i Qeverisë në kohen e pandemisë në bashkëpunim me udhëheqësit e asaj kohe të korruptuar, të shantazhuar dhe nën akuza të rënda, bashkë me grupet dhe koalicionet e pasluftës, gati na sollën buzë greminës fatkeqësisht afatgjate. Kaq përkëtë temë kësaj here.

Lirisht mund të thuhet se në një mënyrë fati i priu Dardanisë me ardhjen në Shtëpinë e Bardhë, të Presidentit Joe Biden, demokrat i cili, si ish-senator për 16 vite në krye të Komitetit për Marrëdhënie me jashtë dhe mbi 50 vite në politikën amerikane në krye të 100 senatorëve amerikan dhe njëherit zë i 435 kongresmenëve, përfaqësues të zgjedhur nga populli, ishte gjatë gjithë kësaj kohe në bashkëpunim të ngushtë melobin shqiptar në SHBA, i udhëhequr nga zoti Josef DioGuardi, me prejardhje i trungut arbëresh nga Kalabria, zonjës Sherley Cloys-DioGuardi dhe Bordit Drejtues të Ligës.

Është me rëndësi të ceket se, Lobi Shqiptar ka punuar e bashkëpunuar me të dy krahët politik, demokrat e republikan, prandaj, një veprimtari e tillë lobiste, solli rezultatet historike në përfaqësimin përherë të çështjes shqiptare dhe asaj dardane, në politikën amerikane.

Shqiptarët në përgjithësi dhe dardanët në veçanti, nuk kanë vend për brengosje se, Presidenti Biden ka njohuri të mjaftueshme. Është njëri ndër ma të involvuarit në çështjet tona që nga vitet e paraluftës, gjatë luftës dhe pas Pavarësisë deri në ditët e sotme.

Prandaj, duhet t’i besojmë Presidentit Biden se do të jetë në anën tonë, në anën e të drejtit, thjesht në anën e viktimës- Dardanisë e jo të agresorit- Serbisë.

Këtë e ka vërtetuar gjatë gjithë periudhes 30 vjeçare në bashkëpunim dhepërkrahje të Lobit Shqiptar në realizimin e të drejtave të pa-kontestuara, por të imponuara nga ish burokracia evropiane, historikishtnë dëm të shqiptarëve.

Dhe definitivisht, çdo veprim para së gjithash, duhet të jetë në koordinim të ngushtë më ShBA-të, duke pasur parasysh një Evropë të përçarë e të ndarë, të paaftë për të marrë vendime të guximshme, nga njëherë edhe si pasojë e politikave të vjetra, të cilat po na reflektohen edhe në periudhat e tanishme kur duhet të përmbyllet dialogu Dardani-Serbi, por, fatkeqësisht me përfaqësues të gabuar, të cilët vijnë nga ato shtete, të cilat nuk e kanë njohur Dardaninë dhe, haptas vërehet animi kah Serbia. Për të ecur punët mbarë, ata duhet të zëvendësohen por, nuk janë vetëm ata, janë edhe disa shtete tjera për shembull, Franca mik dhe aleat tradicional i Serbisë, të cilat Dardaninë e kanë futur në kafaz të çeliktë dhe e mbajnë të mbyllur duke ua kufizuar lëvizjen e lirë në kontinentin e tyre, një ndër popujt më të vjetër.

Ish udhëheqësit, falën territore në këmbim të gjoja liberalizimit të vizave, Malit të Zi, 8.200 hektar, nënshkruesit e kësaj marrëveshje Thaçi, Mustafa, për çka, Parlamenti duhet të hap debat për përgjegjësinë shtetërore, duke e futur nën kategorinë e veprës penale- krim dhe tradhti ndaj atdheut.

Liberalizimi nuk ndodhi, na i ndërrojnë kërkesat për plotësimin e kushteve, ani pse sipas informatave nga përfaqësuesit aktual të shtetit, ato janë plotësuar mbi 90%.

Për ta përfunduar këtë pjesë, lirisht dhe me bindje mund të thuhet se, ShBA-të, as nuk kanë hequr dorë, largqoftë e as kurrë nuk do të heqin dorë nga shteti i Dardanisë dhe i shqiptarëve në përgjithësi, si popull ma dashamirës në globin tokësorë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk besoj se do t’i bien pishman asaj që ata e projektuan dhe e realizuan, themelimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Dardanisë.

“Bota sot”: Z. Shala, sa është aktiv Lobi Shqiptar në ShBA, apo për shkak të faktorëve të ndryshëm ka ndryshuar?

Hafiz Shala: Roli historik i Lobit Shqiptar në ShBA, apo, Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane, është i vetmi si organizatë jo partiake, vullnetare i vetmi i regjistruar për lobim në Uashington DC tërësisht i pazëvendësueshëm gjatë gjithë periudhës 32 vjeçare në funksion të lobimit në mbrojtjen e të drejtave dhe brengave të tyre, në fillim thuhej të afro 750.000 shqiptarëve në ShBA, mbi shtatë milionë e gjysmë, të cilët jetojnë krah njëri tjetrit të kufizuar me njëri tjetrin në Ballkan si, Shqipëria, Dardania, Maqedonia Veriore, Mali i Zi, Dardania Lindore(Preshevë, Medvegjë e Bujanovc), dhe Çamëria.

Lobi Shqiptar u themelua me 1989, menjëherë pasi zoti DioGuardi e la Kongresin, një numër i vogël i shqiptaro-amerikanëve në përgjigje të politikave të diktatorit serb Sllobodan Millosheviq pas invadimit të Kosovës dhe supriminit të Autonomisë, zoti DioGuardi shërbeu si President vullnetar i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

Për kombin shqiptar në tërësi e atij dardan në veçanti, me zgjedhjen e zotit DioGuardi si Kongresmen me origjinë shqiptare, do të shënohet si datë historike e lumtur, sepse është i pari i cili çështjen shqiptare e inkorporon në agjendat e politikës amerikane deri atëherë, për Dardaninë as qe kishin dëgjuar, duke lobuar dhe duke i mbrojtur të drejtat e tyre në ish-Jugosllavi të ekspozuar ndaj një represioni me metoda bizantine.

Përmes demonstratave, në sallat e Kongresit dhe Senatit, intervistave në mbi 50 emisione televizive si nëCNN e Fax Neës etj., duke e senzibilizuar popullin amerikan për të bërë presion tek ligjvënësit e tyre për të marrë hapa të duhur në mbrojtje dhe shpëtim të popullatës dardane, i rrezikuar nga shërbimi policor jugosllavi-serbi.

Lobi Shqiptar në ShBA, pas shpalljes së pavarësisë dhe ardhjes së udhëheqjes së re në pushtet, ua ka lënë duart e lira asaj udhëheqjeje përderisa ajo nuk ka shprehur interesim apo kërkuar involvimin në organizimin e takimeve të nevojshme apo lobime për ndonjë çështje me interes për shtetin dhe qytetarin.

Lobi Shqiptar, nuk përkrah parti politike, shprehë mospajtimet me udhëheqje kur ato devijojnë nga interesi qytetar sepse, ne jemi për qytetarin, kur kanë marrë hapa të gabuar me të cilat rrezikohej shteti i Dardanisë, siç është rasti me “fusnotën”, pas pavarësisë, pranimi i një asociacionit të komunave me shumicë serbe, 2013,2015.

Lobi Shqiptar atëherë ka dalë me Deklaratë publike në kundërshtim të kësaj marrëveshjeje, të cilës sot po ia shohim sherrin, dhe ka sponzoruar në të dyja rastet organizimin e një dëgjimi(hiring) në Kongresin Amerikan ku kanë marrë pjesë kongresmen e senator, autoritete të shquara të politikës amerikane si zoti Daniel Server, profesor në Universitetin John Hopkins, një kohë ishte ambasador dhe drejtor i Institutit për Paqe në Uashington DC. Dhe atëhere ua kemi tërhequr vërejtjen udhëheqësve të atëhershëm shtetëror, në krye të shtetit dhe qeverisë se këto pranime janë të dëmshme dhe të rrezikshme për të ardhmen e Dardanisë, posaçërisht kur janë në pyetje bisedimet me Serbinë, e cila dinë mjeshtërisht t’i devijojë, të mashtrojë, mos t’i zbatojë dhe, gjithnjë duke e akuzuar Dardaninë, si “fajtore” për mosmirëvajtjen e bisedimeve.

Lobi Shqiptar në ShBA mund të vlerësohet si: Ideator, iniciator, promotor dhe gardian i çështjes shqiptare në përgjithësi e asaj dardane, në veçanti.

Lobi Shqiptar është gjallë, i fortë, i respektuar nga ligjvënësit dhe populli amerikan sepse, është në mbrojtje të interesave qytetare e kombëtare.

Lobi Shqiptar, nuk pranon donacione nga asnjë Qeveri, sepse, don të jetë autonom dhe i pavarur në veprimtarinë e tij lobuese.

Arsyeja pse ish pushtetarët e Dardanisë, por edhe të Shqipërisë i ikin DioGuardit është se, ky, kurrë nuk është bisht i tyre për interesa qeveritare e pushtetare, prandaj, për të satën herë Lobi Shqiptar ka reaguar publikisht ndaj udhëheqësve të korruptuar dhe keqpërdoruesve të pozitave zyrtare.

Të njëjtën gjë e kanë bërë edhe për zyrtarët amerikan, nga Presidenti, Sekretari i Shtetit, qofshin ata edhe kongresmen e senatorë, të cilët shpesh kanë dalë në anën e Serbisë duke u manipuluar nga propaganda serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat