Haki Demolli: Asnjëherë nuk është vonë të zbardhet e kaluara e mistershme e SHIK-ut

Intervista

Haki Demolli: Asnjëherë nuk është vonë të zbardhet e kaluara e mistershme e SHIK-ut

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 24 dhjetor 2021 Në ora: 18:27
Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Haki Demolli

Kosova si ish pjesë e Jugosllavisë komuniste, ka nevojë që të bëjë verifikimin e figurave publike që kanë qenë bartës të posteve të ndryshme në të kaluarën, e të cilat fatkeqësisht janë infiltruar në pushtetin e pasluftës në Kosovë”.

Ish deputeti i LDK-së Haki Demolli ka folur në intervistën dhënë për ‘Bota sot’ edhe për fitoren e partisë së tij në Prishtinë. Ai është pyetur për partitë me të cilat mund të bashkëpunojë kjo parti në Prishtinë dhe Demolli thotë se kryetari i ri Përparim Rama ka nevojë për përkrahjen dhe bashkëpunimin jo vetëm të asamblistëve të LDK-së, por edhe të subjekteve të tjera politike si të LVV-së, PDK-së, AAK-së, AKR-së etj.

Demolli ka folur edhe për tema të tjera si Asociacioni i komunave, ligjin për lustracionin, hetimet ndaj SHIK-ut e po ashtu edhe për rikthimin e tij në politikë.

“Bota sot”: LDK-ja e mori Prishtinën në zgjedhjet lokale, sipas juve me cilat parti mund të bashkëqeverisë në këtë komunë?

Haki Demolli: Që nga zgjedhjet e shkurtit të këtij viti, kur LVV-ja fitoi me 50.28%, lidershipi i këtij subjekti politik në raport me partitë tjera politike është sjellë me një arrogancë të paparë politike, të cilën nuk e kemi hasur jo vetëm në Kosovë, regjion, por edhe në shtetet tjera demokratike. Pasur parasysh sjelljen e tillë të LVV-së, kam qenë thellësisht i bindur se arroganca e tillë e numrave, do t’ju kushtojë me disfatë zgjedhore në komunat e mëdha, si në Prishtinë, Mitrovicë, Prizren, Pejë, Gjakovë etj. Në zhvillimet e këtilla politike, komunën e Prishtinës e fitoi me meritë të plotë LDK-ja me kandidatin e saj Përparim Ramën, një i ri i shkolluar dhe ngritur profesionalisht në Angli, i cili karrierën e suksesshme të arkitektit e ka ndërtuar në shtetet e Evropës Perëndimore dhe i cili vetën e ka dëshmuar në mjediset e shteteve perëndimore, me punën dhe aftësitë e tij personale. Pasur parasysh profesionin e tij të arkitektit dhe përvojën e tij menaxheriale si implementues i projekteve të shumta ndërkombëtare për të cilën pikërisht në këtë kohë ka nevojë Prishtina dhe qytetari i saj, mendoj se Përparimi është ai i duhuri, ai i cili do jep kontributin e tij profesional për ta shpëtuar Prishtinën nga kolapsi urbanistik, respektivisht për ta rimëkëmbur dhe shpjer në drejtim të rrugës së saj evropiane.

Përparimi jo vetëm me përgatitje profesionale, por ai para votuesit prishtinas doli edhe me programin më të mirë për Prishtinën, i cili përmbante projektet të rëndësishme, për ndryshimin dhe zhvillimin e kryeqytetit tonë dhe shndërrimin e tij në një metropol evropian.

Për realizimin e objektivave të tij programore, Përparimi ka nevojë për përkrahjen dhe bashkëpunimin jo vetëm të asamblistëve të LDK-së, por edhe të subjekteve të tjera politike si të LVV-së, PDK-së, AAK-së, AKR-së etj. Marrë për bazë numrat partiak të asamblistëve në komunën e Prishtinës, unë jam përkrahës i koalicionit për bashkëqeverisje me komunën. Kuptohet gjatë krijimit të koalicionit, LDK-ja duhet marrë në konsideratë kritere të caktuara si krijimi i një shumice funksionale për realizimin e projekteve dhe politikave të komunës Prishtinës; përputhjet apo pikat e përbashkëta në programet (projektet) e subjekteve me të cilat do të formojnë koalicionin, pastaj përvojat e së kaluarës në qeverisje të përbashkët si dhe marrëveshjet apo dakordimet eventuale gjatë fushatës zgjedhore, respektivisht ndihma reciproke gjatë zgjedhjeve të sapo përfunduara.

“Bota sot”: Ju nuk jeni më pjesë e politikës, a mendoni se do të riktheheni sërish në politikë?

Haki Demolli: Vërtetë ka disa vite që nuk jam në poste të larta politike (si ministër, deputet etj.), por kjo nuk do të thotë që nuk jam pjesë e politikës, sepse aktualisht jam anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, pastaj jam anëtar i Kryesisë së degës së I të LDK-së dhe gjatë fushatës për zgjedhjet komunale të nëntorit 2021, kam qenë anëtar i shtabit zgjedhor të Përparim Ramës dhe atë mjaft aktiv prej ditës së themelimit të shtabit e deri në festimin e fitores pas balotazhit. Të gjithë ata që më njohin si fytyrë politike dhe publike, e dinë se për nga karakteri nuk jam person që imponohem, por i gatshëm që të përmbush me përkushtim çdo detyrë dhe punë që më besohet qoftë prej subjektit tim politik, pra LDK-së, qoftë prej institucioneve tona shtetërore. Po ashtu si ish-ministër dhe ish-deputet i Kuvendit, shquhem me faktin se jam ndër ministrat dhe deputetët më të ndershëm që ka pasur ndonjë herë ky vend, rrethanë kjo që më bënë jo vetëm të ndihem mirë, por më bënë edhe të lumtur dhe krenar. Kur jemi te politikanët e ndershëm, unë besoj se shoqëria jonë në dekadën e tretë të zhvillimit të saj të pavarur, gradualisht do të angazhohet në ndërtimin e ambientit të tillë politik, në të cilin popullata jonë do të vetëdijesohet duke u vënë në përkrahje dhe krijuar hapësirë më të madhe angazhimi, për fytyrat politike të ndershme në njërën anë dhe për të ndëshkuar politikanët e korruptuar e të lidhur me krimin e organizuar, në anën tjetër. Lidhur me personalitetin tim do të theksoja edhe përgatitjen profesionalo shkencore, pastaj përvojën time akademike dhe publike, karakteristika, të cilat më bëjnë person kompetent si në rrafshin politik ashtu edhe në atë publik. Andaj i tërë angazhimi im në të ardhmen, do të varet nga vlerësimi, bashkëpunimi dhe koordinimi i nevojave, kërkesave dhe ofertave konkrete të politikës me aktivitetet e mija personale.

“Bota sot”: Po përmendet që Asociacioni i komunave është nënshkruar në vitin 2013 nën presion. Cila është e vërteta e kësaj dhe sipas juve, si duhet të veprojnë Qeveria, Presidenca Kuvendi? A ka zgjidhje legale për të shmangur detyrimet ndërkombëtare?

Haki Demolli: Kosova në vitin 2013 ka nënshkruar marrëveshjen e parimeve për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, më shumë për shkak të presionit apo kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare, se sa që ishte nënshkrim i vullnetit apo dëshirës së politikës tonë vendore. Bashkësia ndërkombëtare synonte që përmes ‘Asociacionit’, të implementojë të ashtuquajturin projektin paqendërtues ndërkombëtar në Kosovë, me një shoqëri të drejtë dhe fer të qytetarëve të saj.

Mirëpo, në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjykuar se shumë pika të kësaj marrëveshje ishin në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Zhvillime këto që ‘Asociacionin’ e kanë shndërruar në pikën më të nxehtë të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në këtë etapë të zhvillimit të dialogut Kosovë-Serbi, palës kosovare si udhërrëfyes për zhvillimet e mëtutjeshme duhet t’i shërbejë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese (2015) si dhe Kushtetuta e Kosovës, me dispozitat e të cilës garantohet liria e asocimit në asociacion, i cili do të jetë në shërbim të funksionimit të shtetit tonë e kurrsesi në shërbim të defunksionalizim të tij. Pra, duhet insistuar që asociacioni, të mund të krijohet si një organizatë joqeveritare pa kompetenca ekzekutive, i cili do të ketë kompetenca në fushën e kulturës, artit, shkencës dhe arsimit që janë në harmoni të plotë me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale.

Gjatë zhvillimit të mëtutjeshëm të dialogut duhet të arrihet një konsensus i brendshëm politik ndërpartiak në nivel të shtetit dhe në atë mënyrë të përjashtohet mundësia që në emër të shtetit të Kosovës, të vendos një subjekt i vetëm politik pavarësisht mazhorancës momentale që mund ta ketë në rrafshin e brendshëm politik. Vetëm qasja dhe vendimmarrja e tillë garanton vazhdimësinë në përmbushjen e obligimeve kontraktuale të Republikës së Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Pala kosovare, duhet insistuar që çështja e marrëveshjes rreth asociacionit të jetë pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshirë këtu edhe njohjen reciproke ndërshtetërore.

“Bota sot”: Sipas juve, a duhet deputetët të shqyrtojnë në Kuvend, ligjin për lustracionin dhe kush e ka penguar deri më tash të nxirret ky ligj?

Haki Demolli: Sipas mendimit tim Kuvendi i Kosovës jo vetëm që duhet të shqyrtojë dhe aprovojë një ligj të tillë, por mendoj se është tejet i vonuar në këtë drejtim, sepse edhe Kosova si ish pjesë e Jugosllavisë komuniste, ka nevojë që të bëjë verifikimin e figurave publike që kanë qenë bartës të posteve të ndryshme në të kaluarën, e të cilat fatkeqësisht janë infiltruar në pushtetin e pasluftës në Kosovë. Me dispozitat juridike të këtij ligji, duhet krijuar bazën ligjore për të larguar nga jeta publike ata njerëz që ndërlidhen me shkelje të të drejtave të njeriut të kryera në ish-Jugosllavi, e me theks të posaçëm në pjesëtarët e shërbimeve sekrete shtetërore (si UDB etj.) dhe informatorët e tyre. Ndërsa, për ata që dyshohet se kanë kryer krime të rënda të ushtrohet ndjekja penale sipas legjislacionit penal të Kosovës. Mendimin tim lidhur me ligjin për lustracionin e argumentoj edhe me faktin, se që nga rënia e Murit të Berlinit e deri në ditët e sotme një numër i madh i ish-shteteve komuniste ka aprovuar ligje të kësaj natyre.

“Bota sot”: Pse nuk është hetuar veprimtaria e SHIK-ut në Kosovë, dhe a mund të bëhet tani kjo?

Haki Demolli: Jam i mendimit se zbulimi i të vërtetës jo vetëm për veprimtarinë e SHIK-ut si organizatë e shërbimit inteligjent, por edhe për veprimtarinë e çdo individi të vetëm, është tejet i rëndësishëm. Aq më parë kur bëhet fjalë për një organizatë lidhur me aktivitetin e të cilës ka pasur shumë akuza dhe kundërakuza, për një organizatë për të cilën opinioni kosovar ende nuk ka një informatë apo përgjigje të saktë, pra thjesht nuk është në dijeni se sa anëtarë i ka pasur, a janë paguar dhe si kanë vepruar ata (kanë qenë vullnetar apo me pagesë), a ka pasur burim të financimit, kush dhe si i kanë siguruar financat për veprimtarinë e tyre, a i kanë raportuar ndonjë organi mbikëqyrës, cila ka qenë shuma totale e shpenzuar gjatë gjithë ekzistimit të tij, cilat kanë qenë aktivitetet (aksionet) e tij, kush ka qenë në shënjestër të aktivitetit të tij, a ka ndonjë raport pune mbi aktivitetet e tij, a ka ndonjë dokument që tregon për vendimmarrjen (kush ka vendosur dhe kush i ka zbatuar vendimet) apo a ka arkiv eventual në të cilën ruhet dokumentacioni lidhur me aktivitetet konkrete te tij, sa janë të vërteta pohimet e Nazim Bllacës “mbi vrasjet e tij të kryera me urdhër të SHIK-ut” (citat), sa është e vërtetë (citoj Nazimin) “kryerja e 17 rasteve, përfshirë këtu vrasje, plagosje, tentim-vrasje, kërcënime, rrahje brutale”, sa janë të vërteta pohimet e Bllacës lidhur me personat e apostrofuar si anëtarë të SHIK-ut dhe strukturën e veprimit të tyre në treshe, e shumë e shumë çështje dhe pyetje të tjera lidhur me SHIK-un. Të gjitha këto dilema dhe pikëpyetje lidhur me veprimtarinë e SHIK-ut, në sytë e shoqërisë kosovare atë e kanë shndërruar në një organizatë të mistershme. Jam i mendimit se velloja e misterit të tij do të mund të largohet njëherë e përgjithmonë, vetëm pasi që institucionet kompetente të zhvillojnë një hetim të paanshëm, objektiv dhe profesional, i cili qëllim të vetëm do ta kishte zbardhjen e të së vërtetës të argumentuar me prova materiale dhe personale të akterëve të përfshirë dhe prekur në çfarëdo forme me veprimtarinë e SHIK-ut. Andaj sa më parë që zhvillohet një hetim i tillë, përmes të cilit do të zbardhet e kaluara e mistershme e SHIK-ut dhe do të ndriçohet e vërteta për të, aq më mirë do të jetë për vetë veprimtarët e SHIK-ut si dhe për shoqërinë kosovare në tërësi. Populli ynë thotë “më mirë vonë se hiq”, por unë do të shtoja se kur është në pyetje një organizatë e “mistershme” siç është SHIK-u, hetimi (në çfarëdo kohe) për zbardhjen e së vërtetës lidhur me veprimtarinë e tij, jo vetëm që nuk është i vonshëm por është një obligim historik dhe nacional i institucioneve, shtetit dhe shoqërisë kosovare.

“Bota sot”: A është e gatshme Kosova ta padisë Serbinë për gjenocid?

Haki Demolli: Një fakt është i pakontestueshëm se gjatë luftës në Kosovë nga forcat policore- ushtarake serbe janë vrarë mbi 12 000 shqiptarë, përqindja më e madhe e të cilëve ishin civilë të grupmoshave të ndryshme përfshirë fëmijë, të rinj, burra, gra, pleq etj. Konform Konventës mbi Gjenocidin, ndër të tjera “vrasja e anëtarëve të grupit e kryer me qëllim të shkatërrimit tërësisht ose pjesërisht të një grup kombëtar, etnik, racor, ose religjioz”, paraqet gjenocid. Botërisht është e ditur, se Serbia i ka vrarë mbi 12 mijë shqiptarë (dëbuar mbi 800 mijë të tjerë) me qëllim të “shkatërrimit tërësisht ose pjesërisht” të grupit kombëtar të shqiptarëve në Kosovë. Kjo do të thotë se, sikurse të kishte drejtësi ndërkombëtare të painfluencuar politikisht, atëherë në rastin e Kosovës nuk do të kishte dilema për të kualifikuar vrasjet e Serbisë si gjenocid. Mirëpo, përvojat e shteteve të regjionit kanë treguar se, edhe vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, nuk janë vendime “të pastërta” juridike që bazohen në faktet reale dhe dispozitat ligjore, por në masë të madhe janë të ndikuara politikisht. Konkretisht lidhur me rastin e Bosnjës e Hercegovinës (përkatësisht rastin Srebrenica), në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë kishte konstatuar se vrasja e afro 8 mijë myslimanëve të Bosnjës, paraqet vepër të gjenocidit, por kjo Gjykatë kishte gjykuar, se Serbia nuk e kishte parandaluar gjenocidin, mirëpo në të njëjtin vendim kishte gjykuar, edhe se nuk kishte prova të mjaftueshme, për të argumentuar që Serbia kishte përgjegjësi të drejtpërdrejt për këtë gjenocid. Aq më keq në vitin 2017, Bosnja e Hercegovina kishte kërkuar rishikimin e këtij vendimi, por GJND-ja e kishte hedhur poshtë kërkesën e këtillë. Pavarësisht fakteve të lartë theksuara, mendoj se autoritetet kosovare duhet të merren seriozisht me çështjen e padisë së Serbisë për gjenocid, por gjithnjë duke analizuar aspektin formal, respektivisht kapacitetet për të ushtruar padi të tillë, e cila nga GJND-ja do të konsiderohej e pranueshme. Sepse është e ditur, se pala paditëse duhet të deponojë një deklaratë në GJND, përmes të cilës në rastin konkret, Kosova si shtet jo anëtar i OKB-së do të deklaronte që e pranon autoritetin e gjykatës dhe i pranon vendimet që merren nga GJND-ja. Parimisht, si palë para GJND-së paraqiten vetëm shtetet e pavarura, të cilat në të njëjtën kohë janë edhe anëtare të OKB-së. Përfundimisht vlerësoj, se për shkak se shtetndërtimi i Kosovës është i ndërlidhur dhe varur nga përkrahja e partnerëve ndërkombëtarë, çdo veprim që do të ndërmerr në këtë rrafsh, duhet të ndërmerret në konsultim dhe koordinim me SHBA-të dhe miqtë tjerë ndërkombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat