E akuzuan dhe shpifën ndaj tij, Ramiz Lladrovci paralajmëron padi ndaj këtyre personave

Intervista

E akuzuan dhe shpifën ndaj tij, Ramiz Lladrovci paralajmëron padi ndaj këtyre personave

Arife Morina Nga Arife Morina Më 27 dhjetor 2021 Në ora: 08:37
Ramiz Lladrovci

Ramiz Lladrovci ka fituar edhe një mandat qeverisës në komunën e Drenasit.

Ai arriti që edhe në zgjedhjet e fundit lokale të mposhtë kundër kandidatët e tij.

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Ramiz Lladrovci foli për sfidat, problemet dhe synimet e tij gjatë mandatit të ri të qeverisjes.

Gjithashtu, ai komentoi edhe akuzat që u bënë në drejtim të tij gjatë fushatës zgjedhore, ku theksoi se ato ishin shpifje dhe akuza të shëmtuara, ku keqbërësit do të përballen me gjyq.

Dhe, krejt në fund ai dha një vlerësim sa i përket listës së zezë të SHBA-ve.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z. Lladrovci ju keni fituar edhe një mandat qeverisës për komunën e Drenasit. Cilat janë synimet për këtë mandat të ri?

Ramiz Lladrovci: Synimi im do të jetë vazhdim i qeverisjes së shkëlqyer si shembull i komunës kampion në nivel vendi, me zbatim të ligjshmërisë, transparencës dhe llogaridhënies. Të finalizojmë projektet e filluara dhe të realizojmë projekte të reja për qytetarët dhe mirëqenien e tyre. Jam zotuar se do të bëj më të mirën e mundshme për qytetarët, me parimet e njohura dhe nuk do të ndalem.

“Bota sot”: Procesi zgjedhor shkoi me akuza kundër jush, por prapë kundër kandidatët tuaj nuk arritën të mposhtin. Cila ishte metoda juaj për t'iu kundërvënë atyre?

Ramiz Lladrovci: Takimet e mia elektorale kanë përmbajtur substancën e qeverisjes time dhe garancitë se do të vazhdoj të qeverisë më së miri në Kosovë, për performancë, transparencë dhe zbatim të ligjit. Akuzat ishin shumë të shëmtuara, sepse, një fjalë nuk e ka të njëjtin kuptim në Drenas sikur jashtë Drenasit, ishin akuza të tmerrshme të cilave nuk iu përgjigja derisa nuk dolën publikisht me “dyshime”, pastaj edhe unë nxora “dyshime”, dhe dihet kush fitoi. Gjithsesi, për shpifjet e tilla, keqbërësit do të përballen me gjyq.

“Bota sot”: Cilat janë disa nga sfidat më të mëdha për ju në katër vitet e ardhshme?

Ramiz Lladrovci: Sfidat më të mëdha i kemi të lidhura ngushtë me buxhetin, vonesa për realizimin e projekteve me buxhetin e nivelit qendror. Uji është brenga jonë më e madhe, por ka vonesa për autostradë, për liqenin e Vërbocit, vonesa për stadiumin nacional, vonesa për pastrimin e lumit Drenica, vonesa në shumë drejtime, por ne punojmë, ne bëjmë të pamundurën që të çojmë përpara projektet. Lajmi i mirë është se projekti i ngrohjes po merr zgjidhje.

“Bota sot”: Vendi po përballet me situata të ndryshme politike, si i komentoni këto?

Ramiz Lladrovci: Ne jemi vendi me më së shumti zgjedhje në rajon e më gjerë. Një vend si yni, nuk duhet ta ketë luksin për zgjedhje të shpeshta. Madje, mendoj se edhe kryetarët e komunave duhet ta kenë mandatin 8 vjeçar si në Gjermani, ndërsa qeveritë nuk duhet të bien për teka apo ego të individëve. Jemi vend i vogël me përparim jo sa do të donim në rrugën tonë euro-atlantike, ne duhet të bëjmë më shumë punë e më pak zgjedhje. Politika të heshtë përball interesit nacional si procesi integrues, zhvillimi ekonomik, mirëqenia e qytetarëve. Partitë politike nuk duhet të jenë qëllim i vetvetes.

“Bota sot”: Partia Demokratike e Kosovës (PDK) fitoi 8 komuna, si i vlerësoni këto rezultate në nivel lokal, krahas atij qendror?

Ramiz Lladrovci: Secila parti pas zgjedhjeve bën bilancin, edhe PDK-ja duhet ta përmbledhë rezultatin me qëndrime objektive për garën për disa komuna. Edhe parashikimi im ishte shumë i përafërt me këtë rezultat. 14 shkurti nuk pati jehonë ndër votuesit e komunës së Drenasit, nuk kishte “dridhje” sikur në disa komuna të tjera, por, u rikthyem me zgjedhjet lokale, duke qenë goditja kthyese e 14 nëntorit, data që qytetari i adresoi tek vendimmarrësit me zotimet për çështjet dhe premtimet elektorale të nivelit qendror e lokal.

“Bota sot”: Gjithashtu, ish-udhëheqësit e PDK-së dhe UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli gjenden në Hagë. Si e komentoi procesin gjyqësor deri më tani? A është zvarritur ky proces?

Ramiz Lladrovci: Si çdo qytetar i lirë i këtij vendi dhe që ka përjetuar gjenocidin serb në familje, farefis dhe në kombin e tij, bëj dallimin në mes të palëve. Vetë emërtimi i krijuar “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale” për ta dhe të gjithë neve dhe shtetin, është tepër fyes, është tepër i rëndë. Të ngrihet akuza për veprimtari çlirimtare, të cilët i ndihmoi tërë populli dhe mori përkrahje nga bota demokratike, është tepër zhgënjyese. Kaloi një vit prej se ata gjenden në Hagë, shokët e miqtë tanë, ish drejtuesit e UÇK-së dhe shtetit të Kosovës, gjithsesi është kohë e tmerrshme për familjet, për neve dhe proceset ku ndodhet Kosova. Një minutë është tepër, jo një vit. Uroj të fitojë drejtësia sa më parë.

“Bota sot”: Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë publikuar një listë të zezë, ku janë përfshirë disa politikanë serbë që veprojnë në Kosovë. Sa është kjo shtysë që Kosova të vazhdojë luftën kundër krimit dhe korrupsionit?

Ramiz Lladrovci: Po, rajoni ynë nuk është pa mbikëqyrje dhe vullnet për shtet ligjor, nga faktorët vendimtar të shtetit dhe shtetësisë tonë. Gjithsesi, pres që të kenë efekt, jo vetëm për këta emra që janë publikuar, por edhe për të gjithë ata që bien ndesh me normat ndërkombëtare si korrupsioni, pastrimi i parave dhe krimet tjera. Jemi me fat që kemi ShBA-në kaq afër, bashkë me ne në shtet-ndërtim, jemi me fat se na përkrahin dhe japin udhëzime për fuqizimin e shtetit, shtetësisë, ligjit dhe demokracisë, vlera të cilat nuk guxojnë të keqpërdoren nga askush. Nga ShBA-ja, në çdo kohë, pres më të mirën e mundshme, kam besim se kjo përkrahje nuk do të mungojë as në të ardhmen jo vetëm për Kosovën, por për tërë Ballkanin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat