Akuzohet për krimet lufte nga Serbia/ Rrëfen Valon Mehmetaj, tregon se çfarë po ndodhë me vëllain e tij në burgjet e Serbisë

Intervista

Akuzohet për krimet lufte nga Serbia/ Rrëfen Valon Mehmetaj, tregon se çfarë po ndodhë me vëllain e tij në burgjet e Serbisë

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 31 dhjetor 2021 Në ora: 11:59
Nezir Mehmetaj

Më katër janar bëhen dy vite që nga arrestimi i shtetasit të Kosovës, Nezir Mehmetaj në pikëkalimin kufitar në Merdarë nga autoritetet serbe.

Arrestimin e Nezir Mehmetajt nga fshati Rudicë i Komunës së Klinës e kishte konfirmuar Prokuroria për Krime Lufte e Beogradit.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot” ka folur, vëllai i Nezirit, Valon Mehmetaj. Ai ka rrëfyer arsyen se pse vëllai i tij kishte shkuar në territorin e Serbisë, po ashtu ai ka folur edhe për momentin kur e kishte kuptuar se pse ishte arrestuar Neziri.

Po ashtu, Valon Mehmetaj rrëfen për gjendjen aktuale të vëllait të tij, si dhe për akuzat që rëndojnë mbi të.

Gjithashtu, Valon Mehmetaj ka treguar se ka kërkuar ndihmë nga institucionet e Kosovës dhe nga ato të Zvicrës.

Image
Nezir dhe Valon Mehmetaj

“Bota sot”: Si ka ndodhur arrestimi i vëllait tuaj, Nezirit?

-Arrestimi i vëllait ndodhi në momentin që ai po kthehej nga qyteti i Nishit në kufirin Kosovë-Serbi, ku arsye e vizitës në shtetin fqinj ishin kontrollet mjekësorë të nënës, dhe këtu shtrohet pyetja se po të ishte vëllai i përfshirë në çfarëdo vepre të pretenduar, a do të kishte shkuar në Serbi? Dhe përgjigja ime është se vëllai është shumë i pastër andaj edhe ka shkuar në shtetin fqinjë.

“Bota sot”: Si e keni kuptuar se është arrestuar ai?

-Në momentin që vëllai gjendej në kufi e kuptoi që gjithçka nuk po shkonte siç duhej dhe në atë moment më kontaktoi, duke më treguar pak a shumë situatën në pika të shkurtra.

“Bota sot”: Cilat janë akuzat që rëndojnë mbi të?

-Akuzat sipas shtetit serb janë krime lufte, akuza këto që nuk kanë të bëjnë asgjë me vëllain tonë, Nezirin, pasi që në kohën e luftës ishte në Zvicër.

“Bota sot”: A e keni pasur rastin ta vizitoni Nezirin në burg? A është lejuar një gjë e tillë nga autoritetet e Serbisë?

-Po, ka pasur vizita nga familjarët e ngushtë.

“Bota sot”: Cila është gjendja shëndetësore e vëllait tuaj në burgun e Serbisë, pasi që ka dy vite që gjendet aty?

-Sipas familjarëve që e kanë vizituar gjendja e tij shëndetësorë është stabile, por kuptohet se gjendja emocionale nuk ndikon mirë as në shëndetin e tij, e sidomos që vëllai vuan nga sëmundja e diabetit.

“Bota sot”: Është thënë se vëllai juaj ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së fundit në Kosovë. Cila është e vërteta në këtë rast?

-Siç e ceka edhe më herët, vëllai në kohën e luftës nuk gjendej në Kosovë fare, dhe në këtë aspekt nuk ka fakte.

“Bota sot”: Nezir Mehmetaj ka gati dy vite që është në burgjet e Serbisë, pse mendoni se ai po mbahet ende aty?

-Ka 2 vite që nuk jemi në dijeni të një arsyeje konkrete se pse po mbahet, mendoj që ndikim të madh në këtë aspekt luajnë zhvillimet politike mes dy shteteve.

“Bota sot”: A është zhvilluar deri më tani ndonjë proces gjyqësor?

-Deri më tani vëllai ka mbajtur disa seanca gjyqësorë, ku janë dëgjuar akuzat e përgatitura kundër tij, por ndaj të cilave pala mbrojtëse me fakte bindëse i ka hedhur poshtë këto akuza, dhe këtu shihet se i gjithë procesi është i përgatitur dhe në bazë të kësaj akoma po mbahet padrejtësisht.

“Bota sot”: Çfarë kanë bërë institucionet e Kosovës në rastin e Nezirit?

-Deri më tani nuk kemi lënë institucion pa kontaktuar me qëllim që të gjejmë përkrahje, pasi që i akuzuari në këtë rast është shtetas i Republikës së Kosovës dhe duke ju sqaruar në detaje rastin në mënyrën më të sinqertë, përgjigjet ishin se “na vije keq për atë së çfarë i ka ndodhur vëllait tuaj, por nuk mundemi neve si institucione të bëjmë diçka”, përgjigje këto absurde, fatkeqësisht kuptimi i fjalës shtet nuk vlen kur kemi të bëjmë me Serbinë.

“Bota sot”: A keni kërkuar ndihmë nga ambasada e Zvicrës apo nga shteti zviceran, duke e ditur se vëllai juaj ka jetuar atje për një kohë të gjatë?

-Po kemi kërkuar që në fillim të rastit ndihmën, por shteti yviceran është distancuar nga përgjegjësia, pasi që vëllai ishte me të drejtë qëndrimi dhe pune, përmes vizës e jo si shtetas zviceran.

“Bota sot”: Ju keni organizuar një protestë, e cila do të mbahet më 10 janar të vitit të ardhëm, ku do të mbahet kjo protestë?

Deri më sot jemi munduar me atë çfarë kemi ditur dhe çfarë kemi mundur, por nuk kemi pasur fuqi të bëjmë diçka më shumë si familje, dhe me arsyen e plotë dhe me çdo të drejtë njerëzore do të kërkojmë mbështetje nga qytetarët tanë, dhe përmes kësaj proteste që do mbahet në shesh, afër/përballë objektit të Qeverisë, të ndikojmë që kjo padrejtësi të ndërpritet dhe të lirohet vëllai ynë Nezir Mehmetaj.

“Bota sot”: Çfarë pritet të ndodhë pas kësaj proteste, a shpresoni se do të dëgjohet zëri juaj për thirrjet për drejtësi?

-Duke besuar fuqishëm në pafajësinë e vëllait tim, si dhe duke besuar që populli ynë dinë të vlerësojë këtë situatë ku jemi dhe ku kemi mbetur si jetim nga mungesa e përkrahjes institucionale, atëherë besoj që përkrahja nga populli ka me qenë e madhe dhe ndikimi i saj ka për të rezultuar pozitivisht sepse jemi njerëz dhe po kërkojmë një të drejtë elementare njerëzore, lirinë e Nezir Mehmetajt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat