“Kamishi”: Sot spitalet tona dhe QKMF-të janë të mbushura me virusin sezonal apo variantin Omicron

Intervista

“Kamishi”: Sot spitalet tona dhe QKMF-të janë të mbushura me virusin sezonal apo variantin Omicron

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 1 janar 2022 Në ora: 22:58
Deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu

Afrika e Jugut, vendi i parë në botë ku besohet se u shfaq varianti i ri i Covidit, Omicron, i ka hequr këtë javë rregullat e shtetrrethimit gjatë natës, pasi sipas zyrtarëve se vendi mund ta ketë kaluar kulmin e valës së katërt të infeksioneve nga Covid-19.

Qeveria e këtij shteti ka nxjerrë disa përfundime lehtësuese për virusin Omicron, për vendet që kanë filluar të goditen. Sipas kësaj qeverie, varianti Omicron, megjithëse shumë i transmetueshëm, ka norma më të ulëta të shtrimit në spital sesa valët e mëparshme. Dhe ajo që është më e rëndësishmja, kishte një rritje margjinale të numrit të vdekjeve.

Por, ky varianti po përhapet me shpejtësi në botë, dhe veçmas në Europë. Kështu Franca këtyre ditëve arriti një kulminacion të ri të infektimeve, më shumë se 200 mijë veta në ditë.

Vetë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar për një "tsunami" të infeksioneve nga variantet Delta dhe Omicron, duke parashikuar se ato mund të mposhtin sistemet shëndetësore.

Lidhur me rreziqet e këtij varianti të ri Covid 19, dhe me rritjen drastike të numrit të rasteve me grip seonal, biseduam me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiun, i njohur me nofkën “Kamishi”.

Haxhiu ka deklaruar se në muajin e fundit situata më e rëndë ka qenë me gripin sezonal, por së fundi edhe situata me Covid, pasi filluan të shtohen rastet me Covid 19, e ditëve të fundit edhe me variantin “Omicron”.

Tutje ka theksuar situata me gripin sezonal është alarmante për shkak të mosvaksinimit dhe të keqmenaxhimit, madje ai potencon se numri i rasteve me gripin sezonal e kalon numrin prej 20 mijë rasteve.

Më tej Haxhiu ka përmendur edhe disa nga simptomat e gripit sezonal dhe të variantit Omicron. Ai thotë se janë thuajse simptomat e njëjta, si lodhje, dhimbje koke, dhimbje trupi dhe gërvishtje fyti.

I pyetur se sa çfarë është shkalla e rrezikut të përhapjes së Omicronit, ai deklaroi se rreziku është i madh, sepse ajo që ndikon në përhapjen e këtij varianti është paaftësia për të rritur kapacitetet testuese dhe identifikuese të varianteve.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si ka qenë situata me Covid në muajin e fundit?

Bekim Haxhiu: Situata me Covid në muajin e fundit ka qenë me tendencë të rritjes, por ishte e qetë. Mirëpo, rreziku për përkeqësim të situatës i paralajmëruar nga ekspertët shëndetësorë, rezulton që të jetë prezentë në ditët në vijim dhe kjo po shihet nga rritja e numrit të rasteve tani.

“Bota sot”: Në muajin e fundit ka qenë më i përhapur gripi sezonal apo Covid-19?

Bekim Haxhiu: Situata më e rëndë në muajin e fundit ka qenë me gripin sezonal, dhe ka kohë që sistemi ynë shëndetësorë, ka kaluar vetëm në kujdes ndaj Covid-19, dhe janë anashkaluar sëmundjet tjera, përjashtimisht rastet emergjente.

“Bota sot”: A mendoni se do të ketë përsëri një vale të re me Covid-19?

Bekim Haxhiu: Ashtu siç ka evoluar pandemia në botë ashtu ka ndodhë edhe sa i përket valëve dhe varianteve të përhapjes së COVID-19, vetëm se ne kemi pasur më shumë valë të përhapjes në raport me vendet tjera të Evropës për shkak të keqmenaxhimit dhe populizmit në kohë të pandemisë.

“Bota sot”: Si është gjendja tani me gripin sezonal?

Bekim Haxhiu: Për shkak të neglizhencës, mosvaksinimit, dhe të keqmenaxhimit, situata me gripin sezonal në spitalet tona dhe në QKMF-të është alarmante. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë publike, vetëm nga data 6 deri më 12 dhjetor, janë shënuar 6.000 raste të gripit sezonal. Numri i këtyre rasteve tani të gripit sezonal kalon në 20.000 raste.

“Bota sot”: A është paraqitur ende ndonjë pacient i dyshuar me rastin Omicron?

Bekim Haxhiu: Po edhe zyrtarisht janë evidentuar rastet pozitive me Omikron edhe pse ka dyshime të përzierjes së rasteve të gripit sezonal me variantin Omicron të COVID-19.

“Bota sot”: Cilat janë disa nga simptomat e gripit sezonal dhe të variantit Omicron?

Bekim Haxhiu: Simptomat e gripit sezonal, dhe të variantit të ri Omicron, janë me simptomatologji të njëjtë. Pra, lodhje, dhimbje koke, dhimbje trupi, dhe gërvishtje fyti. Dhe dilemat e shumë qytetarëve sot që po përballen me këto simptoma është se a janë me grip sezonal apo të infektuar me variantin Omicron.

“Bota sot”: Sa është i madh rreziku i përhapjes së variantit të ri Omicron?

Bekim Haxhiu: Rreziku i përhapjes së këtij variant, dhe shpejtësia e përhapjes së tij është e madhe. Këtë shqetësim e kam diskutuar edhe me ministrin e shëndetësisë, i cili ka konfirmuar se edhe pas dy viteve të përballjes me pandeminë Covid-19, Kosova nuk ka arritur të rrisë kapacitetet identifikuese dhe testuese për variantin Omicron dhe variantin Delta. Kjo paraqet problem, sepse ende vazhdohen testimet me tampon për rritjen e nivelit të testimeve. Kjo paaftësi për të rritur kapacitetet testuese dhe identifikuese të varianteve të Covid-19, ka ndikuar në përhapjen e virusit, dhe sot spitalet tona dhe QKMF-të janë të mbushura me virusin sezonal, apo variantin Omicron i paidentifikuar deri më tani tek ne.

“Bota sot”: Disa nga masat që po i ndërmerrni për parandalimin e përhapjes së Covid-19?

Bekim Haxhiu: Sipas veprimeve dhe vendimeve, për Qeverinë e Kosovës duket se pandemia nuk është prioritet, sepse ka qasje jo serioze dhe jo profesionale në menaxhim të pandemisë, COVID-19. Qeveria nuk po i përfill rekomandimet e IKSHPK-së për situatën pandemike.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat