Ekskluzive - Rrëfehet për herë të parë truproja e Ibrahim Rugovës, zbulon detajet shokuese që nuk i keni ditur

Intervista

Ekskluzive - Rrëfehet për herë të parë truproja e Ibrahim Rugovës, zbulon detajet shokuese që nuk i keni ditur

Nga: P.R Më: 13 janar 2022 Në ora: 18:08
Xhevat Dajaku, ish truprojë e Presidentit Ibrahim Rugova

Në një atentat të mirë organizuar, më 19 tetor të vitit 2001, u vra Besim Dajaku, ish truproje i presidentit Ibrahim Rugova. E bashkë me Besimin, i vrarë mbeti edhe Bekim Kastrati, gazetar i gazetës “Bota sot”, si dhe u plagos Gani Geci, ish-deputet i LDK-së.

Por vrasja e Besim Dajakut, do të bëhej arsye që njëri nga vëllezërit e tij, Xhevati, të bëhej menjëherë pjesë e ekipit të sigurisë së Rugovës.

Këtë, Xhevati thotë se e bëri për tu treguar vrasësve se mund të vriteshin, por të dorëzoheshin kurrë.

Në një intervistë ekskluzive dhënë gazetës “Bota sot”, Xhevat Dajaku për herë të parë ka zbuluar detaje që deri më tani nuk kanë qenë të njohura për publikun.

Dajaku ka treguar se si ishte tentuar vrasja e presidentit Rugova në dy raste në publik, në Prishtinë dhe në Klinë. Po ashtu, Dajaku zbulon për herë të parë si keqtrajtohej ekipi i sigurisë së Rugovës nga Policia e Kosovës në atë kohë.

Gjithashtu, në intervistën ekskluzive, ish-truproja e Ibrahim Rugovës, Xhevat Dajaku, flet për vrasjet politike, pritjet që ka për kryeministrin Albin Kurti, Gjykatën Speciale, për SHIK-un e Kadri Veselit etj.

Për më shumë, lexojeni intervistën e plotë:

Z. Dajaku sa kohë keni punuar në ekipin e sigurisë së presidentit Rugova, si e kujton atë kohë?

Dajaku: Menjëherë pas vrasjes së vëllait tonë, Besim Dajakut, në atentatin mirë të organizuar nga struktura kriminale ( 19 tetor të vitit 2001), kam shprehur vullnetin që t'i bashkëngjitëm ekipit për siguri të afërt të presidentit Rugova, vetëm për faktin që të ua bëj me dije atyre strukturave kriminale se ne mund të vritemi, por nuk mund të na frikësoni asnjëherë, se ishim të pastër dhe s’kishim pse frikësohemi nga askush. Si familje kemi dhënë aq shumë për vendin e njerëzit tanë, si gjatë luftës, por edhe më herët, tamam si familjet e vërteta patriotike anekënd vendit, duke mos e keqpërdorur këtë kontribut as pasluftës (siç bënë shumë të tjerë) dhe në asnjë çast deri më sot. Nga nëntori i vitit 2001 kam qenë pjesëtar i gardës së sigurisë së afërt të presidentit Rugova, deri në vendimin e tij për zëvendësimin e gardës me trupën e sigurisë nga Policia e Kosovës për shkak të trysnisë që iu bë nga disa faktorë. Ky zëvendësim ishte dhe është edhe sot i paqartë për mua.

Si ishte të punoje me Presidentin?

Dajaku: Me Rugovën ka qenë shumë lehtë të punohet dhe ishte kënaqësi të punohet me të në shumë aspekte, përveç në ato politike, sepse ai e kishte kursin e vet natyror të qasjes, dhe te ai kanë frekuentuar shumë njerëz, por Rugova ka vepruar me qëndrimet e veta, tashmë të njohura për të gjithë, qëndrime që s’i ndërroi asnjëherë, dhe përditë po shihet se ai ishte në rrugën e duhur, në momentin e duhur dhe i pazëvendësueshëm edhe për shumë kohë!

Image
Xhevat Dajaku në përcjellje të Presidentit Rugova

Gjatë kohës sa keni qenë në shërbim të sigurisë së presidentit Rugova, cilat kanë qenë momentet më të vështira që i kujtoni?

Dajaku: Momente të vështira kemi pas mjaft, kuptohet, sulmi me eksploziv ka qenë më i rëndi. Pastaj kemi pas pengesa gjatë përcjelljes nëpër fushata prej Policisë së Kosovës. Patrulla të policisë, me urdhër ose krye në vete, na e ndalnin eskortën, gjoja për të na legjitimuar e na mbanin për kohë të gjatë, na maltretonin me gjëra banale!.... Pastaj pengohej shpesh Presidenti Rugova në mbajtjen e fjalimeve gjatë kohës së fushatës, si ndaljen e rrymës, rrahje të aktivistëve, sulmoheshin përkrahësit e LDK-së gjatë tubimeve elektorale, etj. dhe Rugova mërzitej shumë. Me një fjalë gjendeshim në situata ku s’ta çonte mallin që je në Kosovën e lirë.

Ju në ditën e sulmit të presidentit Rugova me tritol keni qenë në shoqërim të presidentit. Sa ishte tronditës ky moment?

Dajaku: Në ditën e sulmit me eksploziv kam qenë në veturën para veturës ku ndodhej Presidenti, ulur mbrapa në mes dy kolegëve tjerë. Kur ka shpërthyer eksplozivi ka qenë një detonim shumë i fuqishëm, dhe nga presioni i ajrit na është lëkundur fort vetura, aq fort sikur të na godiste ndonjë makinë. Dikush aty pyeti se çka ndodhi, mua ma mori mendja dhe thashë se jemi sulmuar me ndonjë granatë ose me mortajë, për eksploziv s’ma ka marrë mendja. Kemi dale shpejt prej veture dhe kemi formuar një rreth sigurie. Menjëherë morëm vesh se Presidenti dhe njerëzit që ishin me të ishin mirë falë shkallës së lartë të blindimit që e kishte vetura. Në ato çaste jemi ndje mirë që nuk ndodhi ndonjë e keqe në njerëz. Ishte, si me thënë, një lindje e dytë, sepse, sikur eksplozivi të godiste ndonjë makinë tjetër apo makinën tonë që s’kishte blindim, ose ndonjë kalimtar rasti, do të kishte ndodhur më e keqja. Unë e cilësoj si akt terrorist sulmin e atëhershëm me eksploziv. Presidenti, pasi mori vesh se jemi edhe ne mirë, na thirri për qetësi dhe vetëpërmbajtje, ashtu si e kishte zakon. Presidenti Rugova ishte njeri shumë këmbëngulës, as shpërthimi i eksplozivit që e goditi makinën ku ishte ai s’e ndaloi për në takimin që ishte nisur, ku pritej të takohej me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme Havier Solanen, siç shihet edhe në mediat e atëhershme. Ishte këmbëngulës dhe nuk tërhiqej për asnjë gjë. U mahnitëm me qëndrim e tij! Ishte si askush tjetër.

Image
Xhevat Dajaku në ditën kur u bë atentati ndaj Presidentit Rugova me eksploziv, Prishtinë, 15 mars 2005

A është diskutuar ndonjëherë se nga erdhi ai sulm, dhe sulmet tjera?

Dajaku: Po, kemi diskutuar, kemi dhënë mendimet tona, por ato ishin vetëm biseda çasti, se për këtë gjë do duhej të merren organet kompetente që e kanë të gjithë strukturën e tyre teknike, profesionale dhe që janë pikërisht legjitime dhe përgjegjëse për hulumtimin e rasteve të tilla.

A kishte pasiguri pas atij sulmi?

Dajaku: Kjo pyetje është gjithëpërfshirëse. Nëse i lexon Raportet për Siguri të NATO-s, KFOR-it (që janë organizmat më modern dhe të afta me njerëz adekuat e me teknologji të avancuar), shihet në ato raporte gati me hollësi klima e pasigurisë që mbretëronte në Kosovën e pas luftës. Përditë kërcënoheshin njerëzit, rriheshin dhe vriteshin në atentate mirë të organizuara. Për dhjetëra atentatet e asaj kohe as sot e kësaj dite nuk e ka thënë fjalën e vet drejtësia. Njerëzit kishin shumë frikë atëherë. Unë e kam parë atë klimë me sytë e mi. Të ishe në anën e institucioneve dhe të Ibrahim Rugovës, ishe “mish për top”.

Zotëri Dajaku, Rugova ka qenë shpesh cak i atentateve. Përveç sulmit me tritol ka pasur edhe ndonjë tentativë tjetër, që ju e dini dhe të tjera të panjohura për opinionin?

Dajaku: Presidenti Rugova është atakuar me lloj-lloj formash. Është tentuar të njolloset në mënyra nga më të ndryshmet, është quajtur edhe tradhtar, që do të thotë, i është qëndisur etiketa për eliminim.

Pas kthimit nga Italia, kur filluan ato takimet e krerëve të partive politike në Kosovë, që drejtoheshin nga z. Kushner, Kryeadministratori i OKB-së në atë kohë, Rugova gjatë rrugës për në ato takime fyhej vazhdimisht nga njerëzit e strukturave dhe përcjellësit e krahut të luftës, siç e quanin veten ata, shahej keq e më keq prej tyre, ashtu siç dinin ata. Rugova kishte filluar të mos e duroj një vazhdimësi të tillë të fyerjeve e të kërcënimeve të drejtpërdrejta, dhe kishte menduar të mos merrte fare pjesë nëpër ato takime, ose edhe të largohej prapë diku deri te një ndryshim i asaj klime të padurueshme që e bënin strukturat e organizuara nga krahu kundërshtar i Rugovës. Gjitha këto ia kishte thënë Besimit një përgjegjës i sigurimit të Rugovës, dhe ndër të tjera i kishte treguar se po na bëjnë presion të largohemi nga Rugova, edhe po na i arreston njerëzit TMK-ja, ose individët brenda saj, me dijeninë apo pa dijeninë e udhëheqësve tyre, nuk e di. Po na sabotojnë e kërcënojnë vazhdimisht, po na i marrin mjetet lëvizëse me dhunë e të tjera...

Individët brenda TMK-së në disa raste kanë bërë arrestime të njerëzve që ishin përcjellës të Presidentit, dhe ata përcjellës të sigurisë janë larguar dhe s’kanë pranuar të punojnë më në Presidencë.

Image
Besim Dajaku në përcjellje të Presidentit Rugova, gjatë vizitës së tij në Prizren, shtator 1999

Besimi, duke e dëgjuar këtë nga ai, iu ka përgjigjur se mund të ndihmonte sado pak në këtë drejtim, dhe jam i gatshëm që t'i bashkohem ekipit të sigurisë së Presidentit menjëherë...

Mesa e di unë, në ditën e parë që e ka shoqëruar Besimi Presidentin për në ato takimet e organizuara nga zoti Kushner, gjatë kalimit nëpërmes provokuesve permanent, nuk janë dëgjuar më ato këngët e tyre: "Merrjav anën t'j'av q... n..., pijanduro, tradhtar....etj..." dhe nga kureshtja Presidenti e pyet A. M., - Çka kanë këta djemtë që s'po na shajnë sot?!!!

A. M. i përgjigjet: - Kryetar, ua kem gjetë ilaçin!...

Kundërshtarët e kanë dashur Rugovën të vdekur, mirëpo, eliminimi i tij drejtpërdrejt pa pasoja për atentatorin ka qenë i pamundshëm për shkak të trupës së sigurisë, prandaj dyshoj unë dhe jam më se i sigurt se është provuar të kamuflohet vrasja në ndonjë kaos, si p.sh, në fushatën *Kundër Dhunës* që e kishte organizuar Kushner në atë kohë në Prishtinë, njashtu edhe në ditën që ishte paraparë të mbahej fushata parazgjedhore të zgjedhjeve të para komunale në qytetin e Klinës, ku në të dy rastet kishte reaguar vëllai ynë, Besim Dajaku, duke marrë vetiniciativë për ta larguar Presidentin nga vendi ku mund të ndodhte krimi.

Në Prishtinë gjatë fushatës "Kundër Dhunës dhe Për Tolerancë" disa truproja të Presidentit që kishin armë, bllokohen nga Policia e KFOR-it, sigurisht që dikush i ka nxitë për ta bërë këtë, dhe derisa e kanë bërë legjitimimin e tyre është formuar një kaos afër presidentit Rugova, dhe Besimi i ka vërejtur disa elemente të dyshimta, njerëz që kishin armë të ftohta (ose edhe tjera), të cilët kërkonin me ngulm që t'i afroheshin Presidentit, dhe menjëherë ka vepruar duke kapur Presidentin me njërën dorë duke e tërhequr dhe me tjetrën duke u përleshur me turmën "e organizuar" derisa kanë dalë në rrugë, dhe aty e ka ndalur një kombi - taxi, në të cilin kishte qenë pasagjere një zonjë, të cilës iu ka drejtuar që ta liroj taxin, se jemi me urgjencë, dhe në atë taxi e kishte futur Presidentin si me forcë, biles, pasi u ulëm në taxi, tregonte Besimi duke qeshur, Presidenti ishte goxha i shqetësuar në ato momente dhe me pyeti: Kush je ti?! Me pyeti si çuditshëm edhe pse isha gjatë gjithë kohës pranë tij e duke u përleshë me njerëz e duke e mbajtur fort për krahu... e njëri nga kolegët, që hipi në taxi bashkë me ne, i tregoi se kush jam. Mbase Presidenti s'e kishte kuptuar fare se çfarë po tentohej të bëhej ndaj tij!... Sipas Besimit: Ishte 100 qind për qind i bindur se do të privohej Presidenti nga jeta dhe faji t'i mbetej turmës së "frustruar" gjoja, të vritej e të mos dihej se nga kush...

Image
Besim Dajaku gjatë shoqërimit të Presidentit në shkollën policore në Vushtrri

Edhe në qytetin Klinës është bërë një kaos i tillë. Kjo ka ndodhur në tetor të vitit 2000, në ditën e fushatës parazgjedhore të organizuar nga Dega e Lidhjes Demokratike, ishte koha kur pritej të mbaheshin zgjedhjet e para komunale pas luftës në Kosovë. Atë ditë kishte marrë pjesë edhe Presidenti Rugova, dhe akoma pa filluar programi, fillon rrëmuja. Mes simpatizantëve të LDK-së kishin hyrë individë të dyshimtë, të cilët fillojnë t'i godasin me sende të forta aktivistët e LDK-së, aty është hedhur edhe një granatë dore, por për fat nuk është aktivizuar. Përmes këtij kaosi, ata "individë" të organizuar kishin arritur gati të gjithë njësitin e sigurisë ta largonin nga Presidenti, me qëllimin që t'i afrohen sa më lehtë atij. Dhe duke e parë këtë Besimi, merr prapë vetiniciativë dhe e nxjerrë revolen për ta hapur një korridor mes turmës, dhe bashkë me një koleg të tij (emri i të cilit nuk po më kujtohet) e tërheqin Presidentin, por në çastin kur e nxjerr revolen Besimi, reagon Policia e UNMIK-ut dhe mundohen që ta bllokojnë, sikur me pas marrëveshje me të "organizuarit"! Pastaj me shumë vështirësi arrijnë ta fusin Rugovën në makinë, dhe kur i jep makinës Besimi për ta larguar Presidentin nga vendi i ngjarjes, disa individë nga turma hidhen mbi makinë, duke u munduar që ta pengonin me çdo kusht largimin e Rugovës nga aty, por megjithatë Besimi i jep makinës, i shkelë disa nga ata dhe e largon Presidentin nga vendi ku mund të ndodhte edhe më e keqja...

Zotëri Dajaku, cili ka qenë mesazhi më i mirë i Rugovës, që edhe sot e mbani mend?

Dajaku: Mesazhi më i mirë që e kam në mëndje prej tij, është vetë sjellja e tij, apo personaliteti i tij brilant: i matur, i urtë dhe performanca e tij karshi ndërkombëtarëve me efekte tepër pozitive. I thyente tabutë me mjeshtëri. Thirrte për qetësi, për maturi e unifikim. I ka zhvilluar njëkohësisht tri beteja paralele: një betejë, që ishte më e rëndësishmja, thyerja e barrierave nëpër vendet euroatlantike dhe krijimin e miqve, beteja tjetër që e mbante të heshtur, ishte me kundërshtarët e brendshëm, dhe një “luftë e ftoftë” përbrenda partisë, se edhe aty ka pasur divergjenca, por i menaxhonte, të parën e të fundit mrekullisht, e këtë të mesit, këta s’lidheshin me asgjë, por s’u mor me ta asnjëherë!

Ju mungon puna me presidentin Rugova?

Dajaku: Më shumë më mungon prezenca e tij në skenën politike. Kisha pasur dëshirë të madhe me e pa si do të zhvillohej shtetësia e Kosovës me politikat e Rugovës, sepse unë e paramendoj ndryshe vendin me prezencën e tij.

Ka pasur spekulime në vazhdimësi që presidenti Rugova mund të ketë qenë i helmuar. Besoni ju në këtë? Cili është mendimi i juaj?

Dajaku: Për sëmundjen e tij, nuk mundem të them asgjë, sepse nuk di.

Zotëri Dajaku, vëllai i juaj Besimi, po ashtu ka qenë truprojë e Rugovës. Pse u vra sipas jush Besimi?

Dajaku: Pse është vrarë vëllai im, Besim Dajaku, njëri nga ish luftëtarët e rrallë të luftës së fundit për liri, nuk e di.

Kush mund të qëndrojë prapa vrasjes së Besim Dajakut dhe Bekim Kastratit?

Dajaku: Sikur ta dija, do ta dija edhe kush qëndron pas vrasjes. Në atë atentat është vrarë edhe gazetari i “Botes sot”, Bekim Kastrati, dhe është plagosur luftëtari i lirisë, Gani Geci. Që me një analizë të thjeshtë e kupton se ishte një dorë e zgjatur e atyre që luftonin për ta marrë pushtetin me çdo kusht.

Në atë kohë janë vrarë, plagosur, kërcënuar e rrahur vetëm njerëzit që ishin në krahun e Presidentit Rugova, bashkëpunëtorët e tij, veprimtarë dhe aktivistë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Por, prapë se prapë i mbetet drejtësisë që ta zbardhë këtë rast dhe të gjitha rastet e tilla që kanë ndodhur rreth e rreth Kosovës në atë kohë.

Pse sipas jush, shteti i Kosovës dhe misionet ndërkombëtare kanë dështuar që ta zbulojnë vrasjen e Besimit dhe vrasjet tjera politike?

Dajaku: Misionet ndërkombëtare nuk kanë dështuar për zbardhjen e rasteve të tilla. Ata kanë mbledhur të dhëna dhe posedojnë fakte, por janë penguar në një mënyrë nga strukturat kriminale që ishin vendosur nëpër vendet kyçe të shtetit të Kosovës. Këto struktura janë krijuar me një kujdes të shtuar të faktorëve relevant, të cilët arritën pushtet pa limit në vendin tonë.

Unë besoj se ndërkombëtarët kanë fakte për vrasjet politike dhe duhet ta çojnë deri në fund drejtësinë. Kuptohet se edhe nga ta ka që iu pëlqejnë peshqeshet nga këta "kapadainjtë" e Kosovës, të cilët e kanë buxhetin e tyre privat ma t'madh se buxheti i shtetit të Kosovës, të cilin buxhet - pasuri po këtij shteti ia kanë vjelë.

Besoni tash se Gjykata Speciale do të arrij të zbulojë vrasjen e vëllait tuaj?

Dajaku: E vetmja shpresë që na ka mbetur për zbardhjen e vrasjeve të familjarëve tanë, deshëm apo s’deshëm, është te kjo gjykatë. Vetëm te kjo gjykatë ka ngelur shpresa për drejtësi, sepse gjykatat tona, prokurorët dhe të gjitha subjektet tjera relevante nuk kanë bërë asgjë që të zbulohen vrasjet politike tash e 20 vjet, bilës dyshoj shumë se kanë punuar dhe punojnë në të kundërtën, dhe janë, siç thashë më lartë, elemente të vendosura me kujdes në kapjen e çdo pore të institucioneve të shtetit tonë.

Jeni ftuar apo kontaktuar ju apo ndonjë familjar i juaji nga Gjykata Speciale?

Dajaku: Jo, nuk kemi pasur as ftesë e as kontakte me Gjykatën Speciale.

Çfarë mendoni për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe të tjerët që po akuzohen. Kanë lidhje me vrasjet politike, pasi edhe specialja i akuzon për ato?

Dajaku: Për ata tre mendoj njëjtë sikur Jakup Krasniqi, që i pat akuzuar në një intervistë të tij, ku thoshte: Të gjitha të këqijat bien mbi kurrizin e tyre, mosarritja e bashkimit të faktorit ushtarako politik, përçarja, nxitja etj., mirëpo unë do të shtoja se i gjithë Shtabi i Përgjithshëm dhe shumë të tjerë në hierarkinë e tyre e bartin atë barrë, të cilën u mundua Jakup Krasniqi t’ua hidhte vetëm Hashimit e Kadris.

Po për Albin Kurtin kryeministrin e ri, besoni se do të bëjë diçka për zbulimin e vrasjeve politike?

Dajaku: Albini Kurti dhe të tjerët duhet të angazhohen që drejtësia të jetë e pavarur dhe e pastër, të prishet rrjeti i kapjes së drejtësisë dhe atëherë drejtësia mund t'i qaset në formën e duhur çdo rasti të pandriçuar deri më tani, d.m.th. të ketë drejtësi serioze.

A duhet të hetohet veprimtaria e SHIK-ut tash që Kurti është në pushtet, ashtu siç kishte premtuar Vetëvendosje sa kishte qenë ne opozitë?

Dajaku: SHIK-u, si organizatë e dyshuar për shumë krime të ndodhura në Kosovën e pasluftës, është dashur moti të hetohet, edhe tashti kur Albini Kurti është Kryeministër, por hetimin e SHIK-ut duhet ta bëjë drejtësia, dhe mund ta bëjë vetëm atëherë kur ajo të jetë e pandikuar.

A po shpresa e vetme për hetimin e SHIK-ut dhe zbulimin e vrasjeve politike është Gjykata Speciale?

Dajaku: Nuk besoj që Gjykata Speciale do ta hetojë SHIK-un, mirëpo, nëse gjatë procesit të gjykimit dalin në pah elemente kriminale që i takojnë ndonjë forme të organizuar, atëherë vetvetiu kuptohet se çka ishte SHIK-u ose çka është në të vërtetë.

A duhet të ketë një fond për mbrojtjen apo “ndihmë juridike” të familjeve të viktimave të vrasjeve politike?

Dajaku: Po, duhet të jetë një fond për familjet e viktimave derisa janë krijuar fonde me ligj për ata, të cilët dyshohen se qëndrojnë prapa këtyre vrasjeve që kanë ndodhur në Kosovë (të cilësuara si vrasje politike). Kjo është e logjikshme dhe e duhur...

Kush është Xhevat Dajaku? Më poshtë e gjeni biografinë në pika të shkurtra të ish truprojës së Ibrahim Rugovës.

Xhevat Dajaku, inxhinier me profesion. Veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. U lind në vitin 1967 në Rakinicë të Drenicës. Është fëmija i parë nga 8 fëmijët e shkrimtarit, poetit e dramaturgut të njohur gjatë viteve '70-'80 në Kosovë, Hasan Azem Dajaku. Në mes të viteve të 80'ta, pasi përfundoi shkollën e mesme në Skenderaj, regjistrohet në Fakultetin e Ndërtimtarisë në Prishtinë, por menjëherë e largojnë nga Fakulteti në Prishtinë për shkak të biografisë familjare, si “të papërshtatshëm” për sistemin, sepse në atë kohë ishte izoluar dhe larguar nga puna në arsim babai i tij, Hasan Dajaku, njëri nga mësuesit më të mirë në Komunën e Skenderajt, me arsyen “i papërshtatshëm politikisht” me vendim të iniciuar dhe votuar nga ish Komitetit i LKK-së në Skenderaj, nga anëtarët “shqiptarë e serbë”.

Nga ky izolim, jo vetëm Hasan Dajaku, por e gjithë familja e tij kishte pësuar. Pastaj, me ndihmën i disa miqve të familjes arrin të regjistrohet në mënyrë të fshehtë në Fakultetin FXM në Mitrovicë, pa ia dërguar karakteristikat familjare nga Skenderaji. Pas një viti të studimeve në Mitrovicë, Xhevati ftohet që ta kryej shërbimin ushtarak në ish-armatën jugosllave. Dhe gjatë kohës sa ishte në shërbim është keqtrajtuar vazhdimisht, bilës thotë, s’di si kam shpëtuar nga vrasja, në dy raste kur më angazhonin si roje gjatë natës! Të gjitha vuajtjet i kishte përjetuar për shkak të biografisë familjare, të cilën e kishin përpiluar dhe dërguar në shërbimin ushtarak organet e brendshme të asaj kohe nga Kosova.

Pasi e përfundon shërbimin ushtarak në Bosnje, kthehet në Kosovë dhe vijon në studime në Mitrovicë. Në fillim të vitit 1989 angazhohet bashkë me Selman Vojvoden (dëshmor) dhe me studentë tjerë në organizimin e demonstratave në Mitrovicë në mbështetje të minatorëve që kishin hyrë në grevë për t'i mbrojtur të drejtat e Kosovës nga regjimi i Millosheviqit.

Gjatë demonstratave të muajit shkurt 1989 Xhevat Dajaku plagoset rëndë nga forcat policore serbe afër Urës së Gjakut në Mitrovicë, dhe me ndihmën e disa kalimtarëve të rastit arrin të largohet nga vendi ku ishte goditur nga breshëria e plumbave. Shërohet me vështirësi, ngase shërimi i tij u bë në mënyrë të fshehtë, dhe për disa ditë qëndroi pa ilaçe derisa profesori Enver Hamza dhe doktori Bajram Gashi nga Skenderaji ia siguruan ilaçet, me të cilat ilaçe e mjekoi vajza e axhës, Shqipe Dajaku, e cila ishte nxënëse e shkollës së mesme të mjekësisë në atë kohë. Pas shërimit një mujor, i bien në gjurmë organet e atëhershme të policisë që ishte plagosur dhe fillojnë ta kërkojnë, pastaj Xhevati detyrohet të largohet nga Kosova dhe të kalojë në perëndim.

Por, presionet nga policia serbe ndaj familjes së Azem Qun Dajakut vazhduan edhe gjatë viteve të '90 - ta, duke iu kërkuar armë dhe duke kërkuar që meshkujt e kësaj familje të dorëzohen në stacionet e policisë serbe, si në Skenderaj dhe në Runik, por kurrë s’pranuan që të bien në dorë të tyre...

Në vitin 1998, menjëherë pas rënies së familjes së Adem Jasharit, Xhevat Dajaku, në Zvicër në atë kohë, paraqitet vullnetarisht për mobilizim dhe udhëton drejt Shqipërisë. Vendoset në Qendrën Stërvitore në Laprakë të Tiranës, ku aty, në atë kohë shërbente si ushtarak edhe Agim Ramadani.

Image
Xhevat Dajaku në qendrën stërvitore të UÇK-së në Laprakë të Tiranës, maj 1998, pak para se të hynte në Kosovë

Pas stërvitjeve intensive ushtarake, më gjatë se një muaj në Laprakë, në fund të muajit maj 1998 Xhevati bashkë me njësitin prej 20 vetash hyjnë në Kosovë. Ky njësit, përveç armëve personale, sjellin edhe një sasi bukur të madhe municionesh nga Shqipëria. Xhevati, me të arritur në Kosovë, me 5 qershor të vitit 1998 formon njësitin e UÇK-së në fshatin e tij, në Rakinicë të Drenicës, ku burrat e fshatit, nga mosha 18 e lart iu bashkohen këtij njësiti dhe e zgjedhin Xhevatin si udhëheqës të njësitit. Duhet të theksohet se vëllai i tij i dytë, Besim Dajaku, ishte ushtar i parë i UÇK-së nga ky fshat, i cili ishte pjesë e grupeve të para të armatosura akoma pa filluar lufta në Drenicë.

Image
Besim Dajaku gjatë luftës në Drenicë, dhjetor 1998, i vrarë në pritën e 19 tetorit të vitit 2001, kohë kur u bënë shumë vrasje politike në Kosovë

Pas krijimit të njësitit, Xhevati krijon qendrën stërvitore në shkollën e fshatit, ku organizoi më gjatë se një muaj stërvitjet intensive tamam ushtarake, si në aspektin fizik edhe në atë teorik, gjitha ato stërvitje që i duhen një ushtari për luftë. Siç tregon Xhevati, njerëzit që vinin nga fshatrat e tjera, mahniteshin me stërvitjet që bëheshin në këtë qendër stërvitore. Në fillim ka mbajtur kontakte me Shtabin e Likocit, duke iu raportuar për ecurinë e stërvitjeve, ndarjen e njësive në nivelin ushtarak, nevojat që kishin, etj, por, siç tregon Xhevati, edhe pse i kishin premtuar se do të vizitoheshin, ata nuk shkuan kurrë. Këtë qendër stërvitore e ka vizituar edhe koloneli Kemail Shaqiri, i cili ishte fascinuar me trajnimet që bëheshin në atë qendër. Për shkak të mungesës së armëve dy grupe nga fshati tij, Xhevati i dërgon për armatim në Shqipëri.

Në piken ushtarake - vëzhguese të UÇK-së, e krijuar në korrik të vitit 1998, siç quhej në atë kohë, te “Kodra e Baranëve”, ku vëzhgohej kryqëzimi i magjistrales Mitrovicë - Pejë dhe rrugës për në Skenderaj, Xhevati bashkë me njësitin e tij prej 30 vetash ka marrë pjesë vazhdimisht në atë pikë, së bashku me një pjesë të njësitit të Llaushës, të fshatit Qybrel dhe të njësitit të lagjes së Baranëve të fshatit Klinë e epërme, ku nga ajo pikë, për të cilën "rrahagjoksit" nuk flasin kurrë, janë goditur disa herë forcat policore serbe që vinin nga Mitrovica për në Skenderaj.

Image
Një pjesë nga njësiti i UÇK-së i fshatit Rakinicë, i udhëhequr nga Xhevat Dajaku. Fotografia është bërë në korrik të vitit 1998 në Drenicë, në vendin e quajtur "Kodra e Baranëve", pikë ushtarake e UÇK-së

Në atë kohë e gjithë familja Dajaku ishte pjesë e luftës deri në çlirimin e vendit, duke kontribuar në çdo aspekt, si në atë ushtarak, si në strehimin e qindra njerëzve nga fshatrat përreth që lëviznin gjatë ofensivave në Drenicë, me armë e pa armë, duke iu dhënë bukë, duke i përjellur, sepse në atë kohë, siç thotë Xhevati, shumë njerëz nga fshatrat më të largëta janë vrarë në prita duke mos e njohur terrenin, duke mos ditur për pritat e përkohshme që i ngritnin forcat serbe gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

Pas çlirimit të vendit Xhevati regjistrohet në Fakultetin e Elektrotelekomunikacionit në Mitrovicë, hap një biznes të vogël me produkte të instalimit të ujit dhe të rrymës, por, pas vrasjes së vëllait të tij, Besim Dajakut, në tetor të vitit 2001, e mbyllë biznesin dhe angazhohet edhe vetë si oficer i sigurisë së afërt të presidentit Rugova. Këtë shërbim e kryen me nderë deri në vitin 2005, deri në kohën kur zëvendësohet trupa e sigurisë së afërt e presidentit me njësinë e sigurisë nga Policia e Kosovës.

Pastaj Xhevati mbetet në rrugë, pa punë, pa kurrfarë mbështetje nga askush, por s'bëhet vegël e askujt. Në vitin 2007 kaloi prapë në perëndim. Që nga ajo kohë jeton bashkë me familjen e tij në Gjermani, punon atje si bashkëpunëtor shkencor në një Institut të njohur për hulumtime në fushën e Makinave Elektrike.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat