Investimet në shëndetësi edhe të dyfishohen, nuk mjaftojnë/ Kritikon edhe qytetarët për neglizhencë ndaj Covidit

Intervista

Investimet në shëndetësi edhe të dyfishohen, nuk mjaftojnë/ Kritikon edhe qytetarët për neglizhencë ndaj Covidit

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 18 janar 2022 Në ora: 10:16
Imet Rrahmani

Në një intervistë për “Bota sot” ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani ka folur për situatën me Covid-19 dhe variantet e saj, duke thënë se sikur në gjithë botën edhe në vendin tonë është atakuar ky lloj varianti, Omicron për të cilin thotë se mund të goditemi nga një valë e re.

Madje sipas tij, qeveria nuk i ka kushtuar vëmendje kësaj pandemie sepse kishin prioritet zgjedhjet lokale pastaj edhe ndërrimin e Ministrit.

Sa i përket ministrit të ri të Shëndetësisë Dr.Rifat Latifaj, Rrahmani shpreson që menaxhimin ta orientoj në zgjidhjen e problemeve konkrete që ka shëndetësia.

Derisa për rritjen e investimeve në shëndetësi ai deklaron se asnjë qeveri nuk ka bërë mjaftueshëm në kuptimin financiar, duke e përfshirë edhe veten kur ishte ministër.

Dozën e tretë të vaksinës ish-ministri ua rekomandon të gjithëve duke u besuar edhe rekomandimeve të organeve profesionale, sepse ai thotë që ato kanë dëshmuar se janë në hap me kohën.

Për Qeverinë Kurti II, Rrahmani thotë se ajo po mundohet t’i arsyetoj dështimet e premtimeve populliste, pastaj i përmend edhe siç i quan ai skandale si: në politikën e jashtme, paralizimi i ambasadave nga mungesa e ambasadorëve deri te paqartësitë rreth dialogut, të gjitha këto krijojnë pasiguri që më herët nuk është hasur në këto njëzet vite.

Për ndryshimin e kreut të LDK-së, thotë se nuk ka mundur të ishte më e keqe se sa ishte.
Edhe pse zgjedhjet lokale treguan se LDK-ja mund të kthehet fuqishëm dhe shpejt, sepse është përtej emrave të përveçëm.

Për humbjen në Gjilan, Rrahmani ka thënë se ishte befasuese sepse Lutfi Haziri është besim politik, përfaqësim individual, grupor dhe regjional, sinonim i fitoreve, sukseseve dhe zhvillimit madje siç e cilëson ai, Haziri është vet LDK-ja, atje.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Në vendin tonë po rriten rastet me Covid, cilët mendoni se janë shkaktarët?

Imet Rrahmani: Duke u bazuar në rrethanat epidemiologjike në Evropë dhe vendet fqinje, e lehtë është të parashikohet një rritje e numrit me Covid 19 në këtë periudhë. Prej faktorëve tjerë që ndikojnë, unë mendoj se hyjnë edhe injorimi i situatës në regjion, mosrespektimi i masave mbrojtëse në bazë, nga askush dhe shtimi i tubimeve dhe ahengjeve në fundvitit.

“Bota sot”: Shumë vende kanë filluar t’i ndiejnë pasojat e përhapjes thuaja eksponenciale të virusit të ri Omicron. A duhet mbyllur shkollat, reduktuar oraret, kufizuar numri i nxënësve në klasa apo si mendoni se duhet vepruar?

Imet Rrahmani: Për mua është e pakuptimtë neglizhenca e qytetarëve në respektimin e masave që rekomandojnë institucionet profesionale në njërën anë dhe mosreagimi i organeve shtetërore karshi kësaj mospërfillje dhe rrezikut permanent për një valë të re ë pandemisë. Nëse masat antikovid nuk respektohen në shtëpi, në spitale, në kafiteri e markete, lehtësisht mund të shtrohet pyetja pse të mbyllen shkollat? Cili do të jetë efekti? Pra, unë mendoj se jemi vonuar përsëri në insistimin për respektimin e masave bazike kudo dhe nga të gjithë, dhe, edhe më keq jemi në izolimin dhe përcjelljen e rasteve pozitive.

“Bota sot”: Si po e shihni menaxhimin e kësaj situate?

Imet Rrahmani: E thash edhe më lart, fatkeqësisht ka disa muaj që mungon fokusimi te pandemia e pjesës politike të Ministrisë së Shëndetësisë dhe dikastereve të tjera qeveritare. Së pari ishte fillimi tepër i vonshëm i vaksinimit, pastaj me prioritet ishin zgjedhjet lokale që kulmuan me ndërrimin e Ministrit, të gjitha këto për mua janë elemente të mjaftueshme që e argumentojnë mendimin se Qeveria ka kohë që nuk e ka prioritet menaxhimin e pandemisë!

“Bota sot”: Cili është mendimi juaj për ministrin e ri të shëndetësisë, Rifat Latifin, një emër i shquar në mjekësi. A do t’ia dalë me menaxhimin e pandemisë?

Imet Rrahmani: Shpresoj që përvojën jetësore dhe profesionale që e ka Ministri Latifi ta orientoj në zgjidhjen e problemeve konkrete që ka shëndetësia. Disa janë kanalizuar drejt, vite më parë, vetëm duhet shtytje, disa fatkeqësisht janë devijuar deri në kthim mbrapa. Mbështetja te ekspertiza e IKSHPK-së dhe te profesionistët tjerë, të krijojnë mundësi më shumë për të menaxhuar mirë pandeminë në vijim. Çdo tendencë e shkëputur çon në dështim dhe fatkeqësi. E kemi shembullin e valës së verës së shkuar.

“Bota sot”: Po, me problemet e tjera në shëndetësi. Cilat mendoni se do të duhej me prioritet të zgjidheshin?

Imet Rrahmani: Është e pashpjegueshme se si nuk është ecur me ritëm të njëjtë, nëse jo më të shtuar, pas fundit të vitit 2017 në implementimin e sigurimeve shëndetësore dhe të sistemit të informimit shëndetësor. Pas stagnimit dhe kthimit mbrapa, sot po na prezantohen si prioritete ndryshimi i Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore dhe SISH-it. Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore është votuar në Qeveri në vitin 2017 me profesionalizëm të plotë dhe pas një koordinimi maksimal me institucionet bashkimplementuese. Qeveria pasuese është dashur vetëm ta riprocedoj për Kuvend, kaq është dashur sikur ta kishin pasur seriozisht. Për SISH-in shpresoj të ketë një hetim pse pati devijim dhe kthim mbrapa. Përpos këtyre, mendoj se implementimi i konceptit të Mjekësisë Familjare në kuptimin e plotë të fjalës nuk ka alternativë, sikur që implementimi i Ligjit për Kujdesin Shëndetësor Emergjent do të plotësonte një segment të domosdoshëm, të fragmentuar tash për tash, të shërbimeve shëndetësore. Dhe për t’u veçuar nga shumë nevoja, mendoj që mosndarja e specializimeve pas vitit 2016 ka krijuar një situatë që shkollimin specialistik e ka pru në kolaps dhe kaos, përkundër veprimeve në Qeverinë Hoti. Edhe kjo mendoj se do të jetë njëra nga sfidat e këtyre viteve në vazhdim. Rritja e buxhetit dhe menaxhimi i mirë i tij është dashur të zvogëloj edhe nevojat për barna dhe material medicinal, uroj që gjendja në furnizim të ndryshoj shpejt.

“Bota sot”: Sa mendoni se duhet të rriten investimet në shëndetësi?

Imet Rrahmani: Edhe nëse dyfishohen është pak. Fatkeqësisht asnjë qeveri nuk ka bërë mjaftueshëm në kuptimin financiar, përfshi edhe kur unë isha ministër. Buxheti i ndarë për shëndetësi asnjëherë nuk ka përmbush nevojat, por edhe brenda atij buxheti ka hapësirë për menaxhim më të mirë dhe ridestinim konform ndryshimeve të kërkesave dhe ecurive të kohës.

“Bota sot”: A do të normalizohej gjendja p.sh. në SHSKUK vetëm me rritjen e pagave?

Imet Rrahmani: Jo definitivisht! Nevoja për ngritje të pagave është e qëndrueshme, legjitime dhe e realizueshme. Por, a zgjidhen problemet vetëm me ngritjen e pagave, mendoj se jo! E para vet SHSKUK është një organizim me dilema shumë, ato të vlerësuara me kujdesin më të madh duhet të adresohen në Ligjin për Shëndetësi. Kur jemi këtu dua ta ripotencoj se Konceptin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit e kemi kaluar në Qeveri qysh më 2016. Edhe atëherë i kemi shprehur dilemat në këtë organizim të institucioneve spitalore.

“Bota sot”: Omicron një lloj i ri Covid-19, a shihni rrezik nga ky lloj virusi?

Imet Rrahmani: Të gjitha vendet në botë, përfshirë edhe vendet me shëndetësi shumë të përparuar në Evropë po hasin në probleme shumë të mëdha edhe me variantin Omicron, prandaj Kosova mund ta përjetoj edhe më rëndë nëse goditemi nga një valë e re, e që si duket po vjen.

“Bota sot”: Po rekomandohet marrja e tretë e dozës së vaksinës kundër Omicron, cili është mendimin juaj?

Imet Rrahamni: Unë personalisht pas dy dozave të vaksinës kam marr edhe dozën përforcuese, familjen e kam vaksinuar komplet. Prandaj, atë që e kam bërë për vete dhe familjen jua rekomandoj edhe të tjerëve. Tek e fundit unë besoj plotësisht te rekomandimet e organeve profesionale, ato kanë dëshmuar që janë në hap me kohën.

“Bota sot”: A mendoni se do të marrë fund këtë vit pandemia Covid-19?

Imet Rrahmani: Me vaksinimin e popullatës, me imunizimin e shumicës dërmuese besoj se edhe rreziku nga virusi do të zvogëlohet. Por, nga ajo që po shohim nëpër botë dhe me paraqitjen e varianteve të reja të virusit mendoj se ende është herët të mendohet që mbyllja e pandemisë do të ndodhë në vitin 2022.

“Bota sot”: Si e komentoni punën në përgjithësi të qeverisë Kurti II?

Imet Rrahmani: Kjo Qeveri si duket është e destinuar që tërë kohën dhe energjinë ta harxhoj duke u munduar t’i arsyetoj dështimet e premtimeve populiste. Nuk shkohet përpara duke e prezantuar si sukses numrin e mbledhjeve të qeverisë dhe numrin e vendimeve që janë marrë. Nëse ato vendime sjellin vetëm shkarkimin e disa bordeve, drejtorëve e komisioneve dhe emërimin e militantëve partiak në po ato borde, drejtori e komisione, atëherë ato nuk kanë asnjë vlerë. Skandalet në politikën e jashtme, paralizimi i ambasadave nga mungesa e ambasadorëve deri te paqartësitë rreth dialogut, krijojnë pasiguri që më herët nuk është hasur në këto njëzet vite. Problematika me energjinë dhe qasja tejet jo serioze ndaj saj, në kohën kur deklarohet pa asnjë argument "rritja e jashtëzakonshme ekonomike" e dëshmon arrogancën dhe joseriozitetin në qeverisje me vendin. Përpos kësaj sulmet ndaj mediave nga disa eksponent qeveritar dhe tendenca për ndërhyrje direkte në organizimin e sindikatave, tregon se kjo Qeveri e ka mendjen vetëm te ruajtja e pushtetit me çdo kusht e assesi te zhvillimi i shtetit.

“Bota sot”: Keni qenë edhe deputet i LDK-së, si po e shihni LDK-në nën menaxhimin e Abdixhikut dhe opozitarizmin e saj?

Imet Rrahmani: Mendoj se situata në të cilën ka ndodhur ndryshimi në kreun e partisë, nuk ka mund të ishte më e keqe se sa ishte, dhe atë më shumë nga propaganda brutale e të tjerëve sesa nga gabimet e vet LDK-së. Zgjedhjet lokale treguan se LDK-ja mund të kthehet fuqishëm dhe shpejt, sepse LDK-ja është përtej emrave të përveçëm. Sot, LDK-ja është në një situatë krejt ndryshe nga Shkurti 2021 dhe si rrjedhojë edhe roli i saj si parti opozitare mund të jetë edhe më i fuqishëm. Partitë që e luftuan LDK-në brutalisht duke shfrytëzuar edhe elemente nga brenda saj, shpejt po demaskohen nga vet ato, prandaj LDK-ja shpejt do të mbetet alternativa e vetme e besueshme për votuesin.

“Bota sot”: Çfarë investimesh duhet të bëhen në shëndetësi në qendrat rajonale, si në Gjilan e gjetkë?

Imet Rrahmani: Implementimi i Ligjeve në fuqi, të cilat e rregullojnë fushën e shëndetësisë është investimi më i madh i mundshëm që prek çdo institucion shëndetësor duke filluar nga ambulancat më periferike të Mjekësisë Familjare e deri tek IKSHPK-ja si kupola. Natyrisht që disa komuna i kanë specifikat që ua ndryshojnë edhe nevojat. Në Gjilan, dhe në shumicën e komunave më të mëdha, fokusi duhet të bëhet në ngritjen e cilësisë së shërbimeve, furnizimin më të mirë me aparaturë dhe barna dhe në edukimin e vazhduar profesional. Spitalet kanë më shumë nevojë për rifreskim të aparaturës dhe në shfrytëzueshmërinë më të mirë të kapaciteteve të krijuara ndër vite.

“Bota sot”: Lutfi Haziri e humbi garën në Gjilan. I keni analizuar shkaqet e humbjes, dhe cilat janë sipas jush?

Imet Rrahmani: Rezultati i fundit ishte befasues për shumicën sepse në Gjilan dhe Anamoravë, Lutfi Haziri nuk përfaqëson një emër të përveçëm. Lutfi Haziri është besim politik, përfaqësim individual, grupor dhe regjional, sinonim i fitoreve, sukseseve dhe zhvillimit. Është vet LDK-ja! Prandaj, rezultati i fundit duhet të analizohet me kujdes dhe me gjakftohtësi, për të gjetur lëshimet dhe eliminuar ato. Kemi vendos para vetes një afat tremujor kur duhet të rivendoset baza e objektivave të reja, opozitarizmit në të mirën e Gjilanit dhe rikthimit të shpejtë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat