Anton Quni: Do të votoja pro rrëzimit të Albin Kurtit

Intervista

Anton Quni: Do të votoja pro rrëzimit të Albin Kurtit

Nga: P.R Më: 19 janar 2022 Në ora: 12:21
Anton Quni

Në zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit të vitit 2021, Lidhja Demokratike e Kosovës shënoi rezultatin më të keq zgjedhor në historinë e saj. LDK-ja mori vetëm 12% të votave, dhe kjo bëri që në krye të LDK-së të vinte Lumir Abdixhiku pas dorëheqjes së Isa Mustafës nga pozita e kryetarit të LDK-së. Lumir Abdixhiku fitoi në garën partiake duke pasur për kundërshtarë Lutfi Hazirin dhe Besian Mustafën, ndërsa Anton Quni, që e kishte shpallur kandidaturën, u tërhoq për ta mbështetur Abdixhikun.

E ky ndryshim duket se ndikoi tek votuesit. LDK-ja u rikthye si parti e parë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit të vitit 2021, ku doli fituese në 8 komuna, duke përfshirë edhe kryeqytetin, Prishtinën.

Për të folur për rikthimin e LDK-së, koalicionin e dështuar me Vetëvendosjen, gjykatën speciale, gjendjen aktuale dhe të ardhmen e LDK-së, në një intervistë ekskluzive dhënë gazetës “Bota sot”, flet nënkryetari i LDK-së, deputeti Anton Quni.

Po ashtu, ndër të tjera Quni në intervistë ka folur edhe për një mocion të mundshëm ndaj Qeverisë Kurti, punën e Vjosa Osmanit, e akuzat e Agim Veliut për Lumir Abdixhikun.

Për më shumë, lexojeni intervistën e plotë:

“Bota sot”: Zotëri Quni, si e shihni gjendjen e LDK-së pas zgjedhjeve lokale, është rikthyer LDK pas debaklit që pësoi me 14 shkurt?

Anton Quni: Numri i komunave të fituara, numri total i kuvendarëve të LDK-së dhe totali i votave në tërë territorin e Kosovës janë tregues empirik se LDK-ja po e rikthen fuqishëm besueshmërinë tek qytetarët.

“Bota sot”: Cilat ishin arsyet që sipas jush, LDK-ja pësoi humbje të thellë me 14 shkurt?

Quni: Mosfunksionimi i koalicionit LDK-VV, largimi i zonjës Osmani nga LDK-ja, krijimi i Listës Guxo dhe rreshtimi i saj në krah me VV-në, rezultoi që një numër i konsiderueshëm i elektoratit të LDK-së ta riorientojnë votën.

“Bota sot”: Për rikthimin e LDK-së në zgjedhjet e tetorit si parti e parë, cilat janë arsyet që ndikuan në këtë?

Quni: Lidershipi i ri i LDK-së, reformat e brendshme përkundër kufizimeve kohore, artikulimi i qartë i programit politik të LDK-së, por edhe zhgënjimet e qytetarëve me qeverinë aktuale, e binden një numër të konsiderueshëm të qytetarëve që besimin ta adresojnë tek kandidatët e LDK-së.

“Bota sot”: Ishit njëri ndër të parët që shpallet kandidaturën për kryetar të LDK-së, pse u tërhoqët nga gara?

Quni: Në momentin që e kam vlerësuar se të gjithë kandidatët e tjerë janë të profilit të lartë moral dhe profesional dhe se i tërë procesi ishte në nivelin më të lartë demokratik, kam vendosur që të tërhiqem. Isha i bindur që me lidership të ri LDK-së do t’i rikthehet vitaliteti, e që u dëshmua edhe në zgjedhjet e tetorit.

“Bota sot”: Po ashtu, dhatë dorëheqje edhe nga kryetari i LDK-së në Prizren. Pse erdhi tek kjo dhe pse LDK-ja e humbi garën në Prizren sipas jush?

Quni: Drejtimin e degës së LDK-së në Prizren e kam pranuar në kohëra të vështira për degën. Po e njëjta degë u dëmtua më së shumti në zgjedhjet e 14 shkurtit. Po ashtu për shkaqet e mija shëndetësore deri në rikuperimin tim, ne u vonuam me paraqitjen e programit tonë qeverisës. Me të gjitha këto vështirësi ne arritëm ngritje të theksuar në krahasim me zgjedhjet nacionale dhe numrin më të madh të kuvendarëve krahasuar me mandatin e kaluar. Sidoqoftë, ne nuk arritëm të kualifikohemi për raundin e dytë të zgjedhjeve. Mendoj se përkundër arsyetimeve objektive dhe subjektive duhet të vendoset si standard përgjegjësia morale kur nuk arrihen synimet dhe qëllimet.

“Bota sot”: Jeni të kënaqur me punën e kryetarit të ri, Lumir Abdixhikut?

Quni: Përfaqësimi kompetent, llogaridhënia, transparenca, puna ekipore, racionaliteti, etj, si veçori të theksuara të zotit Abdixhiku më bindin për perspektiven e mirë të LDK-së. Rezultatet e mira në zgjedhjet lokale në masë të madhe e bartin vulën e angazhimit të z. Abdixhiku. Me këtë kulturë komunikimi dhe pune jam i bindur për rezultatet edhe më të mira në zgjedhjet e radhës.

“Bota sot”: Cilat janë sfidat që sipas jush e presin LDK-në?

Quni: Vazhdimi i reformave, stabilizimi i strukturave në tërë organizimin e LDK-së, hartimi i programit qeverisës që i përgjigjet nevojave dhe kohës dhe ngritja e besueshmërisë janë çështjet që do ta sfidojnë LDK-në dhe lidershipin e saj. Besoj se me këtë kulturë dhe dinamikë të punës, ne do të arrijmë të bindim qytetarët se ne jemi më afër nevojave të tyre dhe garantuesi më i fuqishëm i forcimit të shtetit të Kosovës.

“Bota sot”: Zotëri Quni, ish nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu shpeshherë ka hedhur akuza në drejtim të kryetarit aktual të LDK-së. Si e shihni ju këtë? Keni ndonjë mesazh për Veliun?

Quni: Tanimë LDK-ja e ka të ndërtuar një demokraci të brendshme, autorizimet e kryetarit dhe organeve të partisë, procesin e vendimmarrjes, ndarjen e përgjegjësive, llogaridhënien, etj. Të gjitha këto së bashku përbëjnë natyrën dhe kulturën e LDK-së ku ndër të tjera mundësohet edhe debati dhe gërshetimi i qëndrimeve dhe vlerësimeve të ndryshme. Sidoqoftë, nuk shoh asnjë arsye që në LDK të mos vazhdohet me rigjenerimin e kuadrove, si një proces i natyrshëm tek partitë me traditë shumëvjeçare, me të cilin sigurohet ngritja e forcës politike.

“Bota sot”: Zotëri Quni, kthehemi pak prapa në kohë. Mendoni se LDK-ja gaboi që hyri në koalicion me Vetëvendosjen?

Quni: Unë isha shumë i interesuar për jetësimin e koalicionit LDK-VV. Mendoj se ishte koalicion, që po që se do të vazhdonte sot do të jetonim në një ambient më të qëndrueshëm politiko-ekonomik.

“Bota sot”: A mund të ketë përsëri një koalicion LDK-VV, dhe në cilat kushte?

Quni: Çdo koalicion, i cili arrihet brenda kulturës politike dhe ngritët mbi një partneritet të sinqertë dhe me respekt të ndësjelltë, i krijohen parakushtet që të jetë funksional. Mendoj se, të gjithë, nga e kaluara dhe përvojat kemi mësuar se sa është e rëndësishme që marrëveshjet e partneritetit të respektohen në plotni.

“Bota sot”: Si e shihni qeverisjen e deritashme të Vetëvendosjes dhe kryeministrit Kurti?

Quni: Asnjë njohje e re e shtetësisë së Kosovës, marrëdhëniet e zbehta me partnerët strategjik, asnjë investim kapital nga jashtë, kriza në sektorin e energjetikes, rëndimi i jetës së qytetarëve, rëndimi i gjendjes në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit, dhe shumë çështje të tjera, janë brengë jo vetëm e politikbërësve, por edhe e qytetarëve në përgjegjësi. Ne po e jetojmë realitetin i cili është në shpërputhje me premtimet elektorale dhe pritjeve të qytetarëve.

“Bota sot”: Po punën e Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj?

Quni: Realizimi i Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit duhet të jetë prioriteti dhe fokusi kryesor i çdo ministri. Besoj se ministri Mehaj vazhdon t’i përmbahet dinamikes së PGjT-së, për të cilin është siguruar miratimi dhe asistenca e partnerëve strategjik.

“Bota sot”: A prisni që VV-ja ta fus në fuqi vendimin për shërbimin e detyruar ushtarak, vendim të cilin e keni pasur plan edhe ju sa ishit ministër?

Quni: Me aq informata që janë afruar nga autoritetet e qeverisë, nuk vërehet se ka ndonjë plan konkret për këtë çështje.

“Bota sot”: Zotëri deputet, ka pasur zëra se në mars apo në muajt në vijim, mund të bie qeveria Kurti. Ka diçka të vërtetë në këtë sipas jush?

Quni: Ne tani përvoja na mëson se nuk duhet të befasohemi prej situatave të reja që munden me rezultu me kriza deri tek rënia e qeverive. Sidoqoftë, këtë çështje nuk do ta lidhi specifikisht për ndonjë moment kalendarik.

“Bota sot”: A do të votonit pro mocionit për rrëzimin e Kurtit, nëse një i tillë vije në Kuvend?

Quni: Për një mocion i cili buron nga vendimet e organeve të LDK-së, natyrisht që do ta ketë edhe votën time.

“Bota sot”: Zotëri Quni, tashmë kanë nisur gjykimet në gjykatën speciale. Si e shihi ju këtë?

Quni: Besoj se gjykata speciale do të arrijë të përcaktoj përgjegjësinë (fajësinë apo pafajësinë) individuale të çdo të akuzuari, kurse lufta e drejtë e UÇK-së të ruhet e panjollosur. Është me rëndësi që gjykimi të jetë profesional dhe i padiktueshëm nga politikat ditore, provat e fabrikuara, propagandat e ndryshme etj.

“Bota sot”: Besoni se kjo gjykatë do t’i zbardhë vrasjet e anëtarëve të LDK-së?

Quni: Disa nga vrasjet e supozuara me motive politike kanë ndodhur jashtë periudhës për të cilën është autorizuar gjykata speciale. Prandaj të mos shpresojmë se çdo vrasje enigmatike do të merr epilogun nga gjykata speciale. Por, kjo nuk duhet të na dekurajoj që këto vrasje të mos trajtohen nga organet e drejtësisë në Kosovë.

“Bota sot”: A jeni ftuar, apo a jeni i gatshëm që t’i përgjigjeni një ftese eventuale nga gjykata speciale?

Quni: Në asnjë moment, formë dhe rrethanë nuk jam kontaktuar nga gjykata speciale. Jam i gatshëm t’i përgjigjem kurdo që është e nevojshme.

“Bota sot”: Për fund, Zotëri Quni, si e shihni punën e deritashme të presidentes Vjosa Osmani?

Quni: Do të doja që zonja Osmani si Presidente e Kosovës të jetë zë më i fuqishëm i unitetit politik, përfaqësimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, fuqizimit të marrëdhënieve me SHBA-të, BE-në dhe NATO-n. Po ashtu nga pozita e saj të punohet më shumë në ngritjen e rolit të gruas në shoqëri dhe vendimmarrje.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat