Pas 12 viteve, Hani i Elezit ndërroi kryetarin/ Ballazhi flet për situatën në komunë – ja çfarë thotë për akuzat e Sumës!

Intervista

Pas 12 viteve, Hani i Elezit ndërroi kryetarin/ Ballazhi flet për situatën në komunë – ja çfarë thotë për akuzat e Sumës!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 23 janar 2022 Në ora: 13:27
Mehmet Ballazhi dhe Refki Suma

Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë sollën ndryshime të mëdha, ku shumë subjekte politike edhe humbën bastionet apo komunat në të cilat qeverisnin.

Mirëpo, në këto zgjedhje humbje pësoi edhe kryetari i vetëm i pavarur, Refki Suma, në komunën e Hanit të Elezit.

Suma u mposht nga kundërkandidati i tij nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mehmet Ballazhi.

Kryetari i ri i Hanit të Elezit në një intervistë për gazetën “Bota sot” ka folur në lidhje me planet dhe sfidat që e presin në mandatin qeverisës.

Ballazhi foli edhe për akuzat e ish-kryetarit për manipulim të votave, derisa ai u shpreh se ka qenë i habitur me këtë veprim të Sumës.

“Të them të drejtën, jam habitur me këmbëngulësinë e tij për ta hedhur poshtë verdiktin qytetar të Hanit të Elezit, por unë kam qenë shumë i qetë, rezultatin e fitores e kam pritur”, deklaroi ai.

Në vazhdim, kryetari i Hanit të Elezit përmendi edhe raportet me partitë opozitare, ku u shpreh i hapur për bashkëpunim.

“Kur bëhet fjalë për vendimet që janë në të mirë të qytetit, nga ana ime jam 100% i gatshëm për bashkëpunim me të gjithë e çdoherë, pavarësisht çdo dallimi që mund të kemi mes vete”, theksoi Ballazhi.

Image
Kryetari i ri i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi

Intervista e plotë:

Gazeta “Bota sot”: Z. Ballazhi ju keni fituar mandatin qeverisës për komunën e Hanit të Elezit. Cilat janë synimet për këtë mandat?

Mehmet Ballazhi: Synimet e mia dhe të ekzekutivit që e kam përzgjedhur do të jenë në përputhje me kërkesat e qytetarëve. Duke qenë se unë e di shumë mirë se me çfarë problemesh përballen banorët e Hanit të Elezit, probleme të cilat i kam përjetuar edhe vet, dhe sigurisht kam qenë ndër kritikuesit më të mëdhenj gjatë kohës sa kam qenë zëri opozitar në Kuvendin Komunal të Hanit të Elezit në mandatin e kaluar. Prioritet, padyshim do të jetë çështja e ujit. Madje e kam thënë disa herë, që ia vlen një mandat të tërë t'i kushtohet problemit me ujin e të zgjidhet një herë e mirë. Synim tjetër do të jetë çështja e ambientit që është mjaft shqetësues momentalisht, do të përkushtohemi në maksimum që të ofrojmë shërbime sa më të mira shëndetësore në QKMF e qytetit dhe sigurisht çështjet që do t'i kem gjithmonë parasysh do të jenë ato që kanë të bëjnë me rininë, siç janë arsimi, sporti, arti, por sigurisht pa harruar edhe çështjet e barazisë gjinore. Një pikësynim me rëndësi do të jetë zhvillimi ekonomik dhe tërheqja e investitorëve, meqenëse në gjithë këto vite, Hani i Elezit është parë vetëm si pikë transiti, dhe asnjëherë si pikë qëndrimi, dhe ne do të krijojmë mundësitë që kjo gjë të ndryshojë. Megjithatë, nuk përjashtoj asnjë fushë tjetër, sepse gjithçka do të jetë në koordinim me kërkesat e qytetarëve.

Gazeta “Bota sot”: A ka qenë i pritshëm rezultati në komunën e Hanit të Elezit, pasi e kishit përballë një figurë shumë popullore në këtë komunë, dhe që fitonte pa balotazh, z.Refki Suma?

Mehmet Ballazhi: Përderisa banorët e Hanit të Elezit sollën ndryshimin në qeverisjen komunale do të thotë se ata i kanë besuar programit tim qeverisës që është i bazuar në analizat e ekspertëve të fushave të caktuara, me të cilët do të bashkëpunoj ngushtë që të gjitha ato pika që janë në programin tim qeverisës të realizohen, e pse jo të bëhet edhe më shumë. Çdo herë kam besuar në këtë program dhe nuk kam dyshuar në asnjë moment të vetëm që banorët e Hanit të Elezit do ta përqafojnë ndryshimin, ndryshim ky që iu siguron se do të rregullohen shumë çështje delikate të jetesës, siç janë uji, shëndetësia, ambienti, e kështu me radhë.

Gazeta “Bota sot”: Pas numërimit të votave pas akuza për manipulim të votave nga ana e kundër kandidatit tuaj. Si e pritët këtë akuzë?

Mehmet Ballazhi: Të them të drejtën, jam habitur me këmbëngulësinë e tij për ta hedhur poshtë verdiktin qytetar të Hanit të Elezit, por unë kam qenë shumë i qetë, rezultatin e fitores e kam pritur sepse për kohë të gjatë që kam qenë në komunikim me banorët e qytetit, ma kanë konfirmuar vet ata mbështetjen e tyre. Për më tepër që edhe pas akuzave të kundër kandidatit, ne kemi pasur fakte të bazuara që hidhnin poshtë çdo akuzë të tij. Mund të them që tendenca për ta hedhur poshtë vullnetin e qytetarëve, realisht kishte ngjallur irritim tek banorët. Por sot jemi në krye të qeverisjes komunale, dhe që nga dita e parë i jemi përveshur punës.

Gazeta “Bota sot”: A ka qenë i hapur Suma për bashkëpunim, duke marrë parasysh se ai ishte në krye të komunës për shumë vite?

Mehmet Ballazhi: Gjatë mandatit të kaluar, pra nga viti 2017-2021, unë kam qenë kryesues i grupit të Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Hanit të Elezit, dhe kam qenë çdo herë zëri më i madh opozitar, që kam kërkuar sqarime për çështje të caktuara, sidomos për çështjen e ujit, madje duke ofruar edhe zgjidhje, por që nuk janë marrë asnjëherë parasysh nga udhëheqësia e asaj kohe. Unë nuk kam hasur në bashkëpunime me ekzekutivin e kaluar si opozitë që isha, por që gjatë mandatit tim kjo gjë do të ndryshojë, sepse unë nuk do t'i shoh asnjë nga asamblistët si përfaqësues politik, por si përfaqësues të banorëve të Hanit të Elezit, dhe do të bashkëpunoj ngushtë me të gjithë ata. Do t'i inkurajoj që të jenë vërtet zëri përfaqësues i popullit dhe të sheshojmë dallimet politike, në mënyrë që të mendojmë racionalisht dhe të bashkëpunojmë për të mirën e këtij qyteti.

Gazeta “Bota sot”: Cilat janë disa nga sfidat më të mëdha për ju në katër vitet e ardhshme?

Mehmet Ballazhi: Nëse do t'i pyesni rastësisht banorët e Hanit të Elezit për problemet që janë primare për tu zgjidhur, jam i sigurt që shumica nga ta do të thonin ujin. Që nga dita e parë që kam marrë pozitën e kryetarit të komunës, unë kam kontaktuar me shumë njerëz për çështjen e ujit, si nga kompania që është kontraktuar, por edhe me ekspertë të kësaj fushe, dhe ata më kanë siguruar që çështja e ujit është zvarritur nga neglizhenca e udhëheqësisë së kaluar dhe se në Han të Elezit uji nuk është problem i pazgjidhshëm. Nuk dua të jap data fikse, por që në gjysmën e parë të këtij mandati, çështja e ujit do të jetë zgjidhur. Sfida tjetër është çështja e ambientit, përkatësisht e ajrit, ku parametrat ndotës janë mjaft të larta, por që kemi hartuar zgjidhjen edhe për këtë problem. Dhe siç e përmenda më sipër, një nga fushat që qeverisjet e kaluara komunale kanë dështuar totalisht është zhvillimi ekonomik, kurse ne do të krijojmë mundësitë që të tërheqim investitorët, e me këtë rast të hapen vende të reja të punës dhe të gjenerohen të hyra vetanake.

Gazeta “Bota sot”: Sa gjeni gjuhë bashkëpunimi me partitë e tjera në kuadër të vendimeve për të mirën e komunës tuaj?

Ballazhi: Komuna e Hanit të Elezit është një komunë e vogël, dhe pothuajse të gjithë banorët njihemi mes vete, qoftë lidhje familjare, miqësore apo kolegiale. Ashtu edhe në përfaqësimin në Kuvendin Komunal, ne të gjithë aty njihemi shumë mirë dhe i dijmë problemet me të cilat përballet çdo lagje e çdo fshat. Përfaqësimi në KK-Hani i Elezit përfshin pothuajse të gjithë zonat e qytetit dhe gjithkush nga ta ka mundësinë që të parashtrojë problemet, e bashkë me to pse jo edhe zgjidhjet e tyre. Unë do të jem i hapur për çdo sugjerim e kritikë të secilit e secilës përfaqësuese në Kuvendin Komunal pavarësisht preferencave partiake. Deri tani kemi pasur dy mbledhje të Kuvendit, tani po përgatitemi edhe për mbledhjen e tretë në fund të muajit janar, dhe arrij të dalloj se edhe nga ata ka një frymë vullneti për të bashkëpunuar. Padyshim, kur bëhet fjalë për vendimet që janë në të mirë të qytetit, nga ana ime jam 100% i gatshëm për bashkëpunim me të gjithë e çdoherë, pavarësisht çdo dallimi që mund të kemi mes vete.

Gazeta “Bota sot”: Vendi po përballet me situata të ndryshme politike, si i komentoni këto?

Mehmet Ballazhi: Keni të drejtë kur thoni se vendi po përballet me situata të ndryshme politike.

Unë mund të jap mendimin tim edhe pse nuk besoj se mund të ndikoj në politikat qendrore, megjithatë nuk pajtohem me qasjen e zgjidhjes së problemeve të qytetarëve nga ana e qeverisë bazuar në veprimet e tyre centraliste dhe të një egoizmi politik popullist.

Qytetarët kërkojnë mirëqenie e jo fjalë boshe dhe komplikime procedurale sa për ta arsyetuar qëndrimin në pushtet.

Mentaliteti majtist në rrethana politike të sistemit pluralist nuk janë në përputhje me pritjet e qytetarëve të Kosovës.

Gazeta “Bota sot”: Për faktin se qeveria e vendit udhëhiqet nga një parti politike të cilës ju nuk i takoni, sa po gjeni dhe do të gjeni mbështetje dhe përkrahej nga institucionet e vendit?

Ballazhi: Ne kemi vetëm një muaj e ca që kemi marrë mandatin për të udhëhequr me komunën dhe nuk dua të paragjykoj, kështu që do të bëj përpjekjet maksimale që të jem kërkues i mbështetjes nga niveli qendror, që veçse kam filluar të kontaktoj përfaqësues nga ministri të caktuara. Mbështetja për komunën e Hanit të Elezit nga niveli qendror as nuk duhet të diskutohet, sepse sado që mund të jemi qytet i vogël, qyteti ynë ka rëndësi shumë të madhe për Kosovën sepse metaforikisht jemi një nga "portat e Kosovës". Çdo kush që hyn në Kosovë nga Maqedonia Veriore, Hani i Elezit është përshtypja e parë që do të kenë.

Gazeta “Bota sot”: Rastet me Covid kanë filluar të rriten në Kosovë. Si është gjendja momentale e pandemisë në komunën tuaj?

Mehmet Ballazhi:Siç jemi në dijeni të gjithë, fillimi i vitit 2022 nuk po na gjen aspak mirë me pandeminë në nivel shtetëror. Fatkeqësisht, edhe Hani i Elezit është prekur nga ky virus në këtë fillim vit. Gjatë muajit janar janë 25 raste pozitive, por që në momentin e parë që janë shfaqur rastet, janë marrë masat e duhura dhe janë karantinuar të infektuarit, janë hetuar rastet e kontaktit me të infektuarit, dhe po bëhet çmos që të parandalohet përhapja e mëtutjeshme e virusit. Shkollat janë dezinfektuar në vazhdimësi, gjithashtu edhe objektet e tjera. Po ashtu është bërë thirrje e vazhdueshme tek qytetarët që të respektohen rekomandimet e IKSHP's dhe MASHT'it dhe është sensibilizuar masa e gjerë për vaksinimin.

Gazeta “Bota sot”: Si po ndikon në Han të Elezit ndërtimi i autostradës Prishtinë Shkup? A do të ndikonte pozitivisht, nëse edhe Maqedonia e Veriut e ndërton pjesën tjetër të autostradës, Shkup-Prishtinë, përkatësisht deri në Han të Elezit, në kufi?

Mehmet Ballazhi: Autostrada Prishtinë-Shkup ka lehtësuar komunikacionin edhe për magjistralen, ku shumë herë para projektit të autostradës krijoheshin kolona të gjata, sidomos në pjesën Hani i Elezit-Kaçanik, ku faktorë bllokues ishin kryesisht mjetet e mëdha transportuese, siç janë kamionët. Tanimë me autostradën, përpos zgjidhjes së problemit të kolonave përgjatë magjistrales Hani i Elezit-Kaçanik, është shkurtuar koha e udhëtimit nga Hani i Elezit drejt Ferizajit apo Prishtinës. Hani i Elezit çdo herë ka pasur lidhje të ngushtë me Maqedoninë e Veriut, si ato familjare, por edhe të bashkëpunimit ekonomik. Ne synojmë që të krijojmë bashkëpunime ndërkombëtare me qytete të Maqedonisë së Veriut, dhe nëse do të ndërtohej edhe pjesa e autostradës nga ana e Maqedonisë së Veriut, do të zgjidhej edhe problemi i pritjes së gjatë në kufi, do të shkurtohej koha e udhëtimit, dhe besoj se kushtet e udhëtimit në autostradë do të ishin shumë më të mira, që do të evitonin shumë dëme materiale në mjetet e udhëtimit që krijohen nga rrugët e dëmtuara.

Gazeta “Bota sot”: A ka ikje të të rinjve dhe si mund ta stimuloni ndalimin e ikjes?

Mehmet Ballazhi: Emigrimi ka qenë çdoherë problem te populli ynë, dhe Hani i Elezit nuk kishte si të mos prekej nga kjo. Tek qytetet e vogla problem është edhe shpërngulja e familjeve në qytete më të mëdha, shkaku që në qytete të mëdha ofrohen më shumë mundësi, si në shkollim dhe në punësim. Ky fenomen problematik, si emigrimi por edhe shpërngulja në qytete tjera, nuk mund të zgjidhet me fjalë të bukura duke i inkurajuar që të qëndrojnë. Zgjidhja e problemit të emigrimit është duke iu krijuar hapësira vepruese të rinjve, duke i mbështetur financiarisht, duke i përkrahur për t'u zhvilluar klubet e sportit, të artit, të shkencës. Hani i Elezit ka sportistë shumë të talentuar, ka artistë të mrekullueshëm, ka mendje të ndritura që duhen elaboruar dhe unë vetëm se kam filluar të kem bisedime rreth rikthimit të klubeve sportive, e kulturore. Një nga synimet tona është që të ndërtohet një shkollë në një nga lagjet më të mëdha të qytetit në "Lagjja e Re". Po ashtu, jemi duke zhvilluar bisedime që të hapen drejtime të reja studiuese në gjimnazin e qytetit, sepse momentalisht kemi vetëm 2 drejtime. Dhe krahas qëllimit tonë që të krijojmë kuadro të reja në fusha të ndryshme nga Hani i Elezit, pika kyçe që të stimulohet ndalimi i ikjes së të rinjve është duke krijuar vende të reja të punës, përmes zhvillimit ekonomik.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat