Pajaziti: Xhaxhai im Kadriu dhe Jusuf e Bardhosh Gërvalla u vranë nga UDB-ja / Qeveria duhet ta kërkojë zbardhjen e atentatit

Intervista

Pajaziti: Xhaxhai im Kadriu dhe Jusuf e Bardhosh Gërvalla u vranë nga UDB-ja / Qeveria duhet ta kërkojë zbardhjen e atentatit

Hava Xhukolli Nga Hava Xhukolli Më 25 janar 2022 Në ora: 19:03
Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka

Anëtari i kryesisë së PDK-së, ish-ministri dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Zenun Pajaziti në një intervistë dhënë për ‘Bota sot’ ka vlerësuar qeverisjen e deritanishme të kryeministrit Albin Kurti. Ai po ashtu ka folur për rezultatet e zgjedhjeve lokale dhe qendrore duke komentuar rezultatin e PDK-së në këtë rast. Deputeti Pajaziti ka folur edhe për vrasjen e axhës së tij, Kadri Zekës që u vra bashkë me vëllezërit Gërvalla. Ai ka treguar se nga kush pret zbardhjen e kësaj vrasje, shteti i Kosovës apo ai gjerman.

“Bota sot”: Si e vlerësoni qeverisjen e deritanishme të qeverisë Kurti?

Zenun Pajaziti: Edhe dashamirët më të mëdhenj të tij e kanë të vështirë të gjejnë fjalët e duhura për të nxjerrë ndonjë vlerësim, sidomos në këtë periudhë. Kurti sikur ende s’po duket që po qeverisë. Ai po përpiqet të gjej rrugë ndërmjet premtimeve të tij dhe gjendjes reale në vend. Kurti që në fillimin e kohës së tij në krye të Qeverisë po i shijon pasojat e opozitarizmit të tij. Ai mohoi gjithçka që ishte arrit dhe po ashtu refuzoi të ishte pjesë e proceseve të rëndësishme me interes, përfshirë edhe dialogun. Gjithçka që ndodhi në qeverisjet e kaluara ai i vlerësoi si degradim. Padyshim që ka pasur shumë nevojë për ndryshime dhe sidomos për përmirësime në disa fusha si edhe për reforma në disa sektorë e sidomos në rrethana të reja. Në të vërtetë deri më tani asgjë të tillë nuk po shohim. Qytetaret vetë do ta vlerësojnë më së miri këtë Qeveri, e cila ende shfaqet me një gjuhë opozite dhe duke mohuar vlerat themelore të arritjeve të deritashme të vendit. Le ta shohim tutje, le t’i japim kohë dhe le të shpresojmë. Ndoshta mund ta kuptojë një ditë që ky vend ka pasur përparim të jashtëzakonshëm. Besoj që do ta dëgjojë jo vetëm nga ambasadori amerikan, por edhe nga miq e partnerë të shumtë. Mbase kjo do ta ndihmojë dhe do ta lehtësojë që të fillojë të qeverisë nga aty ku e kanë lënë para tij.

“Bota sot”: Në cilat fusha ka ngecur kjo qeverisje?

Pajaziti: Kjo qeveri ka ngecur në skemën ideologjike të liderit të saj. Mbase mund të ketë edhe diçka të mirë brenda, por nuk mund të shihet asgjë nga zhurma e nga imazhi që e kanë prezantuar vetë. Qeverisja nuk tregohet me fjalë të bukura, por me punë të mira. Merreni ta zëmë energjinë pasi që jemi në këtë periudhë dimri. Këta e kanë kundërshtuar ҫdo përpjekje të mëhershme për rritjen e kapaciteteve të prodhimit të energjisë. Dhe jo vetëm kaq. Këta i kanë penguar në forma të ndryshme edhe investimet e jashtme në këtë fushë. Ndërkohë që në verën e kaluar qeveritë e disa vendeve kishin paralajmëruar rrezikun për krizën që do të vijë, dhe nuk ndërmorën bash asgjë. Dhe tani po kërkojnë ngritjen e ҫmimit, pra si masën më të lehtë ku qytetarët do ta paguajnë koston e ҫmimit më të shtrenjtë dhe kjo si pasojë e dështimit total të tyre. Nuk duket në horizont ndonjë vizion për asnjë fushë. Nuk ka njohje të reja e as marrëdhënie të mira me partnerë, e ndërkohë që gjendja më kritike është në temat më serioze siҫ është dialogu me Serbinë. Për ҫdo ditë po e shohim si po bie në kurthin e premtimeve të veta.

Image
Zenun Pajaziti

“Bota sot”: Si e vlerësoni rezultatin e PDK-së e dy palë zgjedhjeve, nacionale dhe lokale që u mbajtën vitin që e lamë pas?

Pajaziti: Pas asaj që ndodhi me lidershipin e partisë, vitin që shkoi, padyshim që pritej një rënie. Mirëpo, në këto rrethana të rënda pati një mobilizim të jashtëzakonshëm dhe mendoj që PDK-ja i ka tejkaluar sfidat më kritike të saj. Një lidership i menҫur i zotit Hoxhaj në zgjedhjet nacionale dhe më vonë një udhëheqje e shkëlqyeshme e zotit Krasniqi në zgjedhjet lokale, sollën një rezultat shumë të mirë. Fitorja në shumicën e komunave si dhe pjesëmarrja e PDK-së në qeverisjet komunale edhe në disa komuna ku nuk doli fituese, tregon për rolin e jashtëzakonshëm shtetformues dhe në cilësinë qeverisëse të PDK-së dhe të njerëzve të saj. PDK-ja ka një potencial të jashtëzakonshëm brenda saj me njerëz dhe përvoja të mrekullueshme në fusha të ndryshme. Është diҫka serioze për të shpresuar në një qeverisje të ardhshme.

“Bota sot”: Sa është e qëndrueshme opozita në Kuvendin e Kosovës?

Pajaziti: Rezultati i kaluar zgjedhor dhe numrat e saj, sikur e pasqyrojnë një qeveri të madhe dhe një opozitë të vogël. Por, nga ҫka po shohim vetë, kjo qeveri do ta ndihmojë më së shumti forcimin e opozitës, mbase edhe rritjen e saj. Së shpejti do ta shohim një opozitë aktive jo vetëm në Kuvend.

“Bota sot”: Cili është qëndrimi juaj rreth projektit ‘Ballkani i hapur”?

Pajaziti: Personalisht mendoj që ishte një kundërshtim me inercion i kësaj ideje dhe sidomos i lidershipit të zotit Rama në nismën e tillë. Duke vazhduar tutje me arsyetimet që lidhen me qëndrimet e Serbisë ndaj nesh. Ndërkohë që priteshin zgjedhje në vend dhe nuk ishte shumë populliste të merreshim shumë me këtë temë e sidomos kur prezantohej si një rikthim i një federate të re apo si një model i Jugosllavisë së dikurshme. Mos të harrojmë se ishte nisma e parë nga vetë ballkanasit dhe normalisht nga ne ka pasur drojë për shkak të kaluarës tonë tragjike. Pra, jo vetëm zoti Mustafa atëherë, por edhe Kurti e të gjithë të tjerët, por edhe ne si PDK flisnim me tone gati të njëjta rreth kësaj. Në anën tjetër ishte hera e parë që ne refuzonim diҫka që ofrohej për ne e që sugjerohej edhe nga partnerët. Unë e kam një bindje që nëse Kosova do të pranonte të ishte pjesë e kësaj nisme, Serbia do të refuzonte të ishte pjesë. Por, edhe nëse ne do të bëheshim pjesë e këtij projekti dhe në rastin e parë që Serbia nuk do t’i zbatonte zotimet për një hapësirë të lirë dhe me kushte të njëjta të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, ne do të mund të tërhiqeshim. Dhe në një situatë të tillë, Serbia do të ishte para një presioni më të madh edhe ndërkombëtar edhe nga fqinjët. Në një rast të tillë do të fuqizohej edhe roli i Shqipërisë e që për ne gjithmonë është interes strategjik. Personalisht mendoj që ne duhet të jemi gjithkund ku mund ta promovojmë shtetin tonë sovran dhe vlerat tona. Në këto raste është me rëndësi jetike koordinimi ynë me partnerët dhe me Shqipërinë padyshim.

“Bota sot”: Pse keni dalë kundër ndarjes në “krah të luftës e të paqes”?

Pajaziti: Historia jonë është unike. Një rezistencë e gjatë dhe plotë vuajtje e sfida. Ndërkohë që e kemi përpara një rrugë para nesh ende të vështirë, mbase jo aq e vështirë sikur ajo që e kemi kaluar, por nëse nuk jemi të vëmendshëm nuk mund ta kalojmë dot. Liria jonë ka themelet në gjakun e dëshmorëve dhe në rezistencën e pareshtur për shumë kohë. Lufta e fundit e UҪK-së e ka fituar mbështetjen e botës së lirë dhe kjo e ka vulosur lirinë tonë. Por, ne nuk mund ta mohojmë një periudhë dhjetëvjeçare të izolimit e okupimit klasik dhe një rezistencë paqësore unike deri atëherë. Kjo periudhë krijoi rrethana të reja dhe një ndërkombëtarizim të çështjes sonë si edhe një mobilizim e unifikim për më tutje. Pra, liria jonë është e të gjithëve, pa dallim. Historia do ta shënojë kontributin e secilit.

“Bota sot”: A keni komunikim me bashkëpartiakët që aktualisht po akuzohen në Hagë?

Pajaziti: Ata po mbahen atje padrejtësisht. Fokusi i vetëm tani është në mbrojtjen e tyre. Ka një ekip mbrojtjes që mban kontakte të rregullta. Disa nga ne njihemi me ta për gati 30 vjet dhe normal duam të dimë më shumë për shëndetin dhe gjendjen e tyre brenda. Me rëndësi është që ata janë mirë dhe e kanë pranuar këtë sfidë me një kurajo të madhe. Ata janë të vetëdijshëm që si prijës të luftës do të përballeshin me akuza e me sulme nga kundërshtarët dhe mohuesit e shtetit tonë. Unë jam i sigurt në pafajësinë e tyre sikur edhe në pastërtinë e luftës sonë.

“Bota sot”: Si e vlerësoni kryesinë e re të PDK-së?

Pajaziti: Siҫ e theksova më herët PDK-ja ka një potencial të madh. Shikuar me numra, por edhe me cilësi, PDK-ja ka vetëm një pjese të këtyre vlerave në kryesi. Zoti Krasniqi sipas të drejtës statutore e ka kompozuar një ekip me të cilën ai e kaloi sfidën e parë, zgjedhjet lokale me një sukses të jashtëzakonshëm. Një pjesë e këtij potenciali do të përfshihet në një ekip të “qeverisjes së mirë” ose qeverisjes në hije. Një pjesë do të përfshihen edhe nëpër të tjera ekipe mbështetëse pa përfshirë këtu edhe kapacitetet lokale, e të cilat kapacitete i vumë re në rezultatin e zgjedhjeve lokale. PDK-ja padyshim do të jetë oferta e ardhshme më unike, si një parti me vlera shtetformuese, me kapacitete e profile të nevojshme dhe pa të metat nga e kaluara. PDK-ja po konsolidon gjithë kapacitetet e saj dhe përvojën e kaluar.

“Bota sot”: Me 17 janar ishte 40 vjetori i vrasjes më misterioze mbase, në Gjermani, të vëllezërve Gërvalla, dhe të axhës suaj Kadri Zekës. Si e kujtoni atë vrasje, atëherë dhe sot?

Pajaziti: E kemi vuajtur gjatë si familje këtë ngjarje, por edhe më e rëndë ishte për lëvizjen patriotike dhe rezistencën e kohës. Ata u vranë nga UDB-ja në kulmin e bashkimit të tyre. Unë dhe familja ime jemi krenar që jemi pasardhës të Kadri Zekës. Ai ishte njeriu kyç në forcimin dhe bashkimin e lëvizjes së atëhershme për ҫlirim. Ai bashkë me Jusufin e Bardhoshin u bënë frymëzim për shumë breza më vonë. Sot duhet të jemi më të përgjegjshëm, jo vetëm para sakrificës e gjakut të tyre, por edhe para fëmijëve tanë. Nuk mundemi dhe nuk duhet ta trajtojmë historinë nga pozitat e ngushta politike a klanore. Vrasja e tyre padyshim ishte një dëm i paimagjinueshëm për familjet e sidomos për rezistencën patriotike, por në anën tjetër emrat e tyre u bënë simbole të mobilizimit për 20 vitet vijuese. Sot në 40 vjetorin e rënies së tyre jemi shumë më mirë si komb dhe si shtet dhe kjo është më e rëndësishmja.

“Bota sot”: A ishte dëmtuar ajo lëvizje përbashkuese dhe a pat pasoja në një mënyrë për Kosovën?

Pajaziti: Po siҫ e thashë është dëmtuar, prandaj edhe e kanë planifikuar vrasjen e tyre. Ata e penguan bashkimin e tyre. Më kanë rrëfyer shumë shokë të axhës tim si edhe bashkëshortja e tij Saimja, se si ai ishte jashtëzakonisht i lumtur që kishte gjetur te Jusufi një potencial të madh dhe një vullnet për të vazhduar bashkë në rrugën e ҫlirimit. Kjo shihet edhe në pamjen e dasmës së axhës vetëm dy javë para vrasjes. Atë natën e kobshme, ishin vënë themelet e forta të bashkimit, prandaj ata u vranë. Ama vrasja jehoi fuqishëm kudo te shqiptarët dhe nuk u ndalën kurrë përpjekjet dhe lufta për liri. Kanë kaluar shumë vite dhe shumë nga veprimtarët nuk jetojnë më. Por, disa nga veprimtarët e asaj kohe që i kam takuar nuk arrijnë të rrëfejnë kujtimet tyre për axhën pa u përlotur. Ata u flijuan për ne.

“Bota sot”: Ju keni qenë edhe Ministër i Punëve të Brendshme, cilat janë shkaqet që nuk po zbardhet ende kjo vrasje?

Pajaziti: Ne edhe si familje, por edhe unë nga pozicionet e mia e kemi kërkuar këtë. Ministria e Jashtme dhe Qeveria mund të kërkojë zbardhjen e rastit. Mbase shteti gjerman e ka mbyllur pa u zbuluar vrasësit, por të paktën mund të rihapet ajo histori. Ndërkohë ka pasur edhe debate në parlamentin serb, intervista të ish agjentëve të UDB-së dhe shumë zyrtarëve të shtetit serb. Pra, tashmë s’ka dyshim që kjo vrasje ishte e porositur dhe e kryer nga UDB -ja, por do të ishte mirë të zbardheshin të gjitha rrethanat se si arritën deri aty.

“Bota sot”: A ka mundësi që shteti i Kosovës të hap hetime dhe me shpresë edhe ta zbardhë?

Pajaziti: Mendoj që duhet të bëhen përpjekje lidhur me zbardhjen. Nuk e di nëse mund të hapen hetime, por shteti gjerman mund ta rihap dosjen.

“Bota sot”: A mos ka ‘embargo’ në dokumentacionin gjerman, edhe pse kanë kaluar 40 vite nga vrasja, dhe 30 vjet nga rënia e komunizmit?

Pajaziti: Ka kufizime lidhur me këtë, por duhet të shihet si është e rregulluar me legjislacionin aktual. Përpjekje duhet të ketë.

“Bota sot”: Ti kthehemi edhe njëherë zhvillimeve politike. Sipas përvojës suaj, si po menaxhohet MPB-ja, p.sh. bllokimet në veri që u bën nga paramilitarët serb dhe civil, protestat në Mitrovicën e veriut, për shkak të arrestimeve dhe ngjarje të tjera që kryhen brenda kompetencave të MPB-së?

Pajaziti: Vendosja e rendit dhe ligjit në veri mbeten ende sfidë serioze. Në retorikën e Qeverisë por edhe duke kujtuar premtimet e saj të mëhershme, mbetet vetëm të shpresohet në rezultate. Operacionet në veri duhet të jenë më të përgatitura dhe më të koordinuara dhe jo sikur në rastin e tabelave. Ndërsa, në luftimin e krimit duhet të punohet pandërprerë. Atje ka krim dhe duhet një angazhim profesional dhe sistematik. Vazhdimi i pagesave të energjisë dhe trajtimi i njëjtë i sfidave atje tregon se kjo Qeveri nuk ka një ide të re përkundrazi nëse e humb edhe koordinimin me partnerët tanë mund ta përshkallëzojë situatën në forma të tjera. E në raste të tilla mund ta sfidojë shtrirjen e qeverisjes atje. Uroj të tregojnë pjekuri dhe vendosmëri. Deri më tani nuk po shoh diçka serioze në këtë sektor aq të rëndësishëm.

“Bota sot”: Ju keni qenë disa herë deputet. Si e shihni opozitën e sotme? A mos po i mungojnë kauzat e mirëfillta dhe pastaj po lëshohen në grindje dhe meskinitet?

Pajaziti: Sikur edhe Qeveria po ashtu edhe opozita duhet ta ketë kohën e saj. Normalisht duhet më shumë angazhim, por jo vetëm i opozitës. Edhe shoqëria civile e qytetarët duhet të ngrenë zërin për ҫështje që janë në interesin e tyre. Nuk po shihet në horizont asgjë nga premtimet. As pagat, as pensionet, as ulje të ҫmimeve, përkundrazi ka ngritje të ҫmimeve. Njëjtë si me punësimet, e me eskortat qeveritare. Ka ndryshuar vetëm xhepi i qytetarëve, ai është më i varfër dhe kjo vërehet ҫdo ditë. E kam dëgjuar shpesh këtë punën e kauzës. Kauza është shteti ligjor, vazhdimi i integrimit në institucione e organizata ndërkombëtare, partneriteti me BE-në dhe SHBA-në, mirëqenia e qytetarëve dhe perspektiva për gjeneratën e re. VV për vite me radhë proklamonte bashkimin kombëtarë, pra e kishte kauzë. Ku mbeti tani? Mbase kjo edhe do ta përshpejtojë shumë rënien e tyre. Pra, nuk duhen kauza vetëm për arritjen e pushtetit. Na duhet kauza e përhershme e kjo është kauza e forcimit të shtetit dhe mirëqenia e qytetarëve padallim. Kauza e zhvillimit. Aktualisht e kemi një opozitë korrekte. Pa dhunë siç ishte më herët dhe jo vetëm mohuese, por edhe mbështetëse e vlerave vitale të shtetit.

“Bota sot”: Serbia, dy herë nëpërmjet presidentit të saj, dhe së fundi edhe nga shefi i Shtatmadhorisë së ushtrisë serbe, e kërcënuan Kosovën. Si i vlerësoni ju këto kërcënime dhe çfarë duhet të bëjnë institucionet?

Pajaziti: Jemi mësuar me kërcënimet e tyre, e mbase nuk duhet t’i nënvlerësojme ato. Shteti ynë duhet të bëhet më i mirë. Qeveria duhet të ruaj me ҫdo kusht partneritetin me miqtë tanë, me SHBA-në dhe BE-në, dhe po ashtu duhet ta forcojë edhe më shume koordinimin me Shqipërinë, por edhe me vendet e rajonit. Kosova ka një të ardhme të ndritur bazuar në vlerat e shoqërisë sonë dhe gjeneratën e re si edhe rrugën tonë deri këtu. Qeveritë kanë përgjegjësi të madhe që të shtyjnë përpara dhe ta përparojnë vendin. Kjo qeveri duhet të ketë më shumë kujdes në këtë drejtim. Nuk duhet frikësuar nga dialogu dhe duhet të bashkëpunojë me partnerët tanë. Tanimë ne jemi shtet i lirë dhe sovran. Me lirinë tonë nuk mund të abuzojë askush. Qytetarët tanë janë shumë të vetëdijshëm për këtë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat