Gashi: Qeveritë dhe KEK-u nuk po e zbatojnë Ligjin për Obiliqin

Intervista

Gashi: Qeveritë dhe KEK-u nuk po e zbatojnë Ligjin për Obiliqin

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 27 janar 2022 Në ora: 08:03
Komuna e Obiliqit

Kryetari i Obiliqit Xhafer Gashi, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka treguar se si e arriti fitoren e tretë radhazi për kryetar të Kastriotit (Obiliqit), për shije që ia la kjo fitore kësaj here si i pavarur, pa mbështetje partiake.

Gashi pohon se u pengua të fitonte në raundin e parë nga Lista serbe, e cila garoi kësaj here për kryetar të kësaj komune.

I pyetur se a do të arrijë të ndihmojë në rritjen e punësimit dhe të standardit të jetesës në komunë, ndërtimi i një termocentrali të ri, Gashi thotë se edhe termocentrali ekzistues mund të ndikojë në rritjen e punësimit, duke patur parasysh se Korporata Energjetike e Kosovës ka mungesë të fuqisë punëtore, por kjo nuk është duke ndodhur edhe pse punësimi i qytetarëve të Obiliqit rregullohet me Ligjin për Obiliqin.

Gashi flet edhe për periudhën e luftës, i cili ka qenë edhe mik i Agim Ramadanit. Ai e quan pjesë të vlefshme të jetës së tij, dhe ndjehet krenar që ishte pjesë e UÇK-ës dhe bashkëluftëtar i komandantit Agim Ramadani, madje Gashi thekson se po t’i jepej mundësia ta rikthejë kohën mbrapa, përsëri do të ishte ushtar i atdheut.

Image
Kryetari i Obiliqit Xhafer Gashi

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Jeni përsëri kryetar i komunës së Kastriotit (Obiliqit). Si ia dolët të rizgjidheni?

Xhafer Gashi: Fal besimit të qytetarëve të Obiliqit, qeverisi në mandat të tretë. Mendoj se ky besim është i dëshmuar me punën dhe angazhimin e përbashkët për të realizuar më të mirën për qytetarët e Obiliqit.

“Bota sot”: Çfarë do të thotë kjo për ju?

Xhafer Gashi: Besimi i qytetarëve për herë të tretë do të thotë, vazhdim i punëve dhe projekteve të përbashkëta. Standardi ynë i zhvillimit të projekteve vazhdon të jetë i njëjtë, me qytetarët projektet bashkë i zgjedhim, bashkë i mbikëqyrim dhe së bashku i gëzojmë.

“Bota sot”: Cili ishte shkaku që ju mbetët në balotazh?

Xhafer Gashi: Mendoj se hyrja në listën garuese për kryetar komune nga ana e Listës Serbe, bëri që të mbetemi në garën e balotazhit.

“Bota sot”: A ishte distancimi nga AAK-ja, që ua siguroi fitoren apo ju nxori telashe, në sigurimin e saj?

Xhafer Gashi: Kurorëzimi i fitores tonë është dëshmi e qartë se qytetarët e Obiliqit janë të vendosur për të vazhduar punët e mira dhe mbështesin platformën #Bashkë me vizion të qartë për qytetin e Obiliqit.

“Bota sot”: Pse mendoni se qytetarët ju votuan prapë?

Xhafer Gashi: Fal angazhimit dhe punës së dëshmuar për tetë (8) vite si dhe konkretizimin e qartë të nevojave dhe kërkesave të qytetarëve përmes platformës qeverisëse #Bashkë për katër (4) vjeçarin e ardhshëm.

“Bota sot”: A e keni pritur këtë fitore?

Xhafer Gashi: Duke u mbështetur në punët që janë kryer, në mbështetjen dhe vullnetin e madh të qytetarëve të Obiliqit, angazhimit të jashtëzakonshëm të të gjitha strukturave të Iniciativës Qytetare për Obiliq, fitorja e jonë ka qenë e pritshme dhe e realizueshme.

“Bota sot”: Cilat janë disa nga ndryshimet e para që do t’i bëni në këtë mandatë?

Xhafer Gashi: Ne, do vazhdojmë në realizimin e projekteve dhe në të njëjtën kohë do të konkretizojmë këto projekte me qytetarët tanë. Ne do të vazhdojmë qeverisjen e drejtë dhe transparente për qytetarët e Obiliqit.

“Bota sot”: A ju kanë mbetur shumë projekte të papërfunduara nga mandati i kaluar dhe cilat janë disa nga to?

Xhafer Gashi: Projektet e planifikuara në katër vjeçarin e dytë janë realizuar, si projekt madhor që ka mbetur në realizim është projekti i kogjenerimit si dhe vazhdimësia e projekteve në përfundimin e asfaltimit të rrugëve në zonat rurale.

“Bota sot”: A pritet ndonjë koalicion, nëse po me cilën parti, dhe si do ta ndani qeverisjen, drejtoritë?

Xhafer Gashi: Koalicioni ynë i vetëm është me qytetarët e Obiliqit dhe për qytetarët e Obiliqit.

“Bota sot”: Si e vlerësoni vitin 2021, që një pjesë të madhe u dominua nga pandemia? Cila ka qenë sfida dhe suksesi më i madh për ju gjatë këtij viti.

Xhafer Gashi: Edhe viti 2021 ka qenë sfidues si rezultat i situatës me pandeminë Covid-19, e cila edhe ka shkaktuar vonesa në realizimin e projekteve, por sido që të jetë ne kemi vazhduar përkushtimin tonë drejtë realizimit të projekteve. Suksesi më i madh është finalizimi i projektit të sheshit “Adem Preniqi”, përurimi i shkollës në Haden e Re, realizimi i parqeve të reja, subvencionimi i mbi 1000 studentëve dhe nxënësve me bursa studimi, vazhdimi i subvencionimit të grave lehona.

“Bota sot”: Sa është i prekur Kastrioti (Obiliqi) nga tymtarët e termocentraleve, a po mbahen gjatë punës në nivelin e duhur të pastërtisë. A besoni se ndërrohen me kohë dhe vendosen filtrat e duhur?

Xhafer Gashi: Obiliqi është i atakuar direkt nga tymtarët e Kosovës A dhe B, ku niveli i pastërtisë në shumicën e rasteve nuk është i duhur dhe në vlerat normale të pastërtisë së ajrit. Konsideroj se vendosja dhe ndërrimi i filtrave është shumë i nevojshëm dhe i domosdoshëm për jetesën në përgjithësi dhe ne në vazhdimësi përmes shkresave të shumta drejtuar KEK-ut, kërkojmë që të respektohen standardet për luftimin e ndotjes së ajrit.

“Bota sot”: A ka mundësi që komuna juaj të shpërblehet në një mënyrë më të mirë, për shkak të ndotjes, por edhe për shkak se në zonën tuaj ndodhen ende gërmimet dhe mihjet për thëngjill?

Xhafer Gashi: Komuna e Obiliqit e ka Ligjin për Obiliqin, i cili pikërisht për shkak të këtyre specifikave ky ligj e trajton në mënyrë të veçantë, por implementimi i tij është i pjesërishëm, sepse duhet te plotësohet me akte nënligjore dhe ato të gjejnë zbatueshmëri në institucionet e nivelit qendror dhe KEK-ut.

“Bota sot”: Një termocentral i ri nga thëngjilli apo nga gazi, për ju është më i preferuar?

Xhafer Gashi: Kjo temë nuk mund të konsiderohet si e preferueshme apo më pak e preferueshme, në realitet nuk duhet të realizojmë asnjë projekt në dëm të shëndetit të qytetarëve të Obiliqit dhe të Kosovës.

“Bota sot”: Një termocentral i ri, a do të ndihmonte në rritjen e punësimit dhe të standardit në komunën tuaj?

Xhafer Gashi: Termocentrali ekzistues mund të ndikojë në rritjen e punësimit, duke patur parasysh se Korporata Energjetike e Kosovës ka mungesë të fuqisë punëtore, por që kjo nuk është duke ndodhur edhe pse punësimi i qytetarëve të Obiliqit rregullohet me Ligjin për Obiliqin.

“Bota sot”: A do të na flisni për luftën apo kur do ta bëni këtë? Keni qenë mik i Agim Ramadanit. Çka mund të na thoni për këtë pjesë të historisë?

Xhafer Gashi: Pjesa më e vlefshme dhe më e çmueshme e jetës sime është pikërisht pjesa e luftës dhe përpjekjeve për liri e shtetndërtim. Jam shumë krenar që isha pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bashkëluftëtarë i Komandantit Agim Ramadani, brigadës 138 “Agim Ramadani”, edhe po të më jepet mundësia me e rikthy kohën mbrapa, nuk do të ndryshoja asgjë, përsëri do të isha dhe do të jem gjithmonë ushtar i atdheut tim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat