Lufta Rusi-Ukrainë, Berisha kërkon ndryshimin e ligjit për konflikte: Të lejohen individët e UÇK-së ta ndihmojnë ushtrinë ukrainase

Intervista

Lufta Rusi-Ukrainë, Berisha kërkon ndryshimin e ligjit për konflikte: Të lejohen individët e UÇK-së ta ndihmojnë ushtrinë ukrainase

Arife Morina Nga Arife Morina Më 1 mars 2022 Në ora: 11:30
Hisen Berisha

Tash e disa ditë në Ukrainë ka filluar lufta, ku ushtria dhe qytetarët ukrainas po përballen me sulme nga Rusia.

Në lidhje me këtë çështje në një intervistë për gazetën “Bota sot” flet deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh anëtari i Komisionit të Sigurisë, Hisen Berisha.

Ai thotë se qëllimi i Rusisë nëpërmjet këtyre sulmeve është ringjallja e perandorisë sovjetike, mirëpo që një gjë e tillë është e pamundur.

Krahas kësaj, Berisha potencoi se situata e krijuar në Ukrainë i ka hapur rrugë Kosovës për anëtarësim në NATO. Ai beson se nëse shteti serb vendosë ta sulmoj Kosovën, atëherë Serbia do të pësojë vetëvrasje, pasi do të përballej me një forcë të madhe ndëshkuese.

Gjithashtu, deputeti i PDK-së kërkoi urgjentisht blerjen e armatimeve moderne nga institucionet e Kosovës.

Po ashtu, Berisha thotë se Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës duhet ta ndryshojnë ligjin “PËR NDALIMIN E BASHKIMIT NË KONFLIKTE TË ARMATOSURA JASHTË TERRITORIT TË VENDIT”.

Ai tha se qytetarët e Kosovës që duan të luftojnë në Ukrainë duhet të lejohen, pasi kështu forcohet miqësia me shtetin ukrainas, njëjtë si me kroatët dhe boshnjakët.

Në fund, Berisha komentoi edhe punën e qeverisë Kurti.

Intervista e plotë

Gazeta “Bota sot”: Si e komentoi situatën aktuale në Ukrainë dhe kërcënimet e Rusisë për pushtim?

Hisen Berisha: Rusia me invazionin në Ukrainë e shkeli ligjin ndërkombëtarë, sulmoi një shtet të pavarur dhe sovran.

Qëllimi i Rusisë është që të ringjall perandorin sovjetike, e cila është e pamundur të ringjallet sepse ajo perandori ka sjell fatkeqësi për popullin rus dhe popujt tjerë që kanë qenë pjesë e sundimit të saj.

Ajo perandori nuk ka ndërtuar sistem vlerash demokratike ku njerëzit jetojnë të lirë dhe në harmoni, prandaj është e pamundur që bota demokratike ta lejoj rikthimin e saj.

Unë besoj në popullin e Ukrainës, në qeverinë dhe shtetin ukrainas se do t’i rezistoj invazionit rus edhe me ndihmën e shteteve demokratike, siç po e shihni ju mbi 27 shtete tani janë duke e furnizuar dhe mbështetur me armatim, natyrisht shtetet anëtare të NATO-s nuk mund të përfshihen me trupa direkt, por mbështetja dhe solidariteti për popullin ukrainas nuk po mungon.

Unë besoj se kombi i Ukrainës nga kjo luftë do të dalë një komb më i fortë, me një shtet e shoqëri demokratike dhe do të bëhet lider në Evropën lindore.

Gazeta “Bota sot”: Sa ka mundësi që Serbia ta sulmojë Kosovën, nëse një gjë të tillë e bën shteti rus në Ukrainë?

Hisen Berisha: Absolutisht kjo do të ishte vetëvrasje për Serbinë, sepse Kosova nuk është Kosova e vitit 1998/99.

Kosova është nën protektoratin e NATO-s, dhe se Kosova ka mbi 70.000 njerëz sot me përvojë lufte dhe dije ushtarake; mundësi të madhe logjistike dhe mbi të gjitha Serbia është e vetëdijshme se nëse e prishë paqen në Kosovë, atëherë çdo kufizim me u bashku me Shqipërinë do të hiqet dhe do të ballafaqohet me një forcë të madhe ndëshkuese dhe në këtë rast shqiptarët nuk do të kalonin në defensivë, por do e bënin betejën në territore aktuale të Serbisë, duke rregulluar edhe aksidentet historike që lanë jashtë kufijve, Luginën, Çarkun e Nishit, e rajonin e Pazarit të ri (Sanxhakun).

Gazeta “Bota sot”: A do të duhej që të fillonte Kosova të mobilizohet ushtarakisht, të investoj në sistemin e mbrojtjes dhe blerjen e armatimit?

Hisen Berisha: Po! Kosova urgjentisht duhet që në bashkëpunim me aleatët, t’i rritë kapacitetet mbrojtëse, duke filluar me blerjen e armëve të sofistikuara për mbrojtjen e saj, duhet t’i mobilizoj kapacitetet rezervë dhe po ashtu, duhet të mbështes organizimin e veteranëve të luftës për gatishmëri.

Gazeta “Bota sot”: A pritet që lufta në Ukrainë të ndikojë në krijimin e kushteve për përshpejtimin e Kosovës në NATO?

Hisen Berisha: Po! Unë mendoj se pas agresionit rus mbi Ukrainë, NATO-ja do të duhet ta përshpejtojë dhe duhet ta bëj këtë, që Kosova të përshpejtoj hyrjen si shtet i pavarur dhe sovran sepse Kosova i plotëson kushtet si një shtet demokratik.

Unë besoj se edhe pesë shtetet që nuk na kanë njohur, shpejt do ta bëjnë ketë.

Gazeta “Bota sot”: Si e vlerësoni punën e qeverisë Kurti deri më tani?

Hisen Berisha: Sa i përket qeverisjes një vjeçare, kjo qeveri karakterizohet me dështim të plotë në planin ekonomik, politik e diplomatik dhe dëmtim të marrëdhënieve me miqtë.

Në planin ekonomik e kemi rreziku vendin me kolapsin në energji për shkak të keqmenaxhimit, ndërhyrjeve politike në operim të ndërmarrjeve energjetike, moskrijim të rezervës energjetike me kohë dhe marrja e masave të duhura nga qeveria.

Po ashtu, jeta është bërë e papërballueshme nga rritja e çmimeve dhe kjo si rezultat i mos intervenimit të Qeverisë me masa të duhura, qoftë ligjore apo financiare për të mbajtur çmimet të përballueshme.

Këto masa duhet të ishin: ligjore, duke ulur TVSH-në për artikujt bazë; financiare, duke kompensuar inflacionin me rritje të rrogave e pensioneve;

Aspekt tjetër negativ është ndalja e investimeve publike nga Qeveria, në vend se paratë e tatimpaguesve të na kthehen me investime publike duke krijuar vende pune, ato na i hanë inovacioni dhe blerja e energjisë, si pasojë e mos kryerjes së detyrës nga vetë qeveria me kohë.

Karakteristikë e kësaj Qeverie dhe karakteristika me e keqe është se e ka rritë dhe e ka sofistiku hajnin përmes kontratave një burimore.

Autorizimeve të paligjshme si ajo për UNOPS nga Ministria e Shëndetësisë dhe autorizimit të kompanisë private si KEDS, me ble rrymë me para të buxhetit të Kosovës gjegjësisht, tatimpaguesve tanë.

Sot e kemi shëndetësinë shumë më keq se ka qenë, mos të flasim për keqmenaxhimin e pandemisë!

Sot numri i pritjeve për operacione është rritur.

Numri i pacientëve që dalin jashtë për shërim është rritur.

Në qeverinë kur PDK-ja e udhëhiqte shëndetësinë 2017-2029, Klinika e Kardiologjisë ia kurseu miliona euro Kosovës, me kursimin për trajtim jashtë vendi se shumica e intervenimeve u bën në atë klinikë.

Sot, pacientët ato shërbime nuk po mund t’i marrin dhe po detyrohen me shku jashtë.

Qeveria e Kosovës duhet urgjentisht t’iu dal në ndihëm bujqve të Kosovës, tani në mbjelljet pranverore, që të mundësohet ulja e varësisë nga importimi i ushqimeve, e të mos vazhdoj politikat e saj si deri më tash, të dekurajimit të fermerëve dhe bllokimin e subvencioneve në emër të luftës kundër korrupsionit.

Gazeta “Bota sot”: Çfarë qasje duhet të ketë Kosova dhe institucionet e saj krahas zhvillimeve ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës?

Hisen Berisha: Kosova dhe qeveria, duhet të jemi në union me aleatët tanë, qeveria bëri mirë që u përgjigj me sanksione dhe është në harmoni të plotë me aleatët tanë.

Por, kjo nuk mjafton, Qeveria dhe Kuvendi duhet të marrin parasysh ndryshimin e Ligjit: PËR NDALIMIN E BASHKIMIT NË KONFLIKTE TË ARMATOSURA JASHTË TERRITORIT TË VENDIT. Sepse ndihma për Ukrainën duhet të bëhet edhe më konkrete!

Me Ukrainën si shtet i pavarur dhe sovran, dhe shtet mik e aleat ne e forcojmë perimetrin e sigurisë së jashtme të Kosovës dhe Evropës, prandaj ne shqiptarët e kemi një fjale, “Miku i mirë shihet në ditë të vështira” dhe për këtë duhet të ndryshohet Ligji “PËR NDALIMIN E BASHKIMIT NË KONFLIKTE TË ARMATOSURA JASHTË TERRITORIT TË VENDIT”, që të munden individët patriotë e veteran të shkojnë me përvojën dhe ekspertizën e tyre në ndihmë të popullit dhe ushtrisë ukrainase.

Shumë individ veteran të luftës së UÇK-së, kanë përvojë dhe ekspertizë të vlefshme për operimin e njësive taktike dhe sulmuese ofensive.

Kjo pjesëmarrje e profesionistëve nga populli ynë në ndihmë Ukrainës, do ta forconte miqësinë ashtu si e kemi forcuar miqësinë me popullin kroat e boshnjak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat