Schwandner-Sievers: Mësime nga e kaluara për të mos gabuar

Intervista

Schwandner-Sievers: Mësime nga e kaluara për të mos gabuar

Më: 2 mars 2022 Në ora: 08:22
Stephanie Schwandner-Sievers

Antropologia sociale, Dr. Stephanie Schwandner-Sievers në intervistë për DW tregon rëndësinë që ka njohja e së kaluarës komuniste dhe demistifikimi i miteve komuniste si mësim për brezat e sotëm.

DW:  Dr. Schwandner - Sievers, për çfarë u shërben brezave të rinj, që nuk kanë jetuar nën regjimin komunist njohja dhe vlerësimi i atij regjimi? Ju morët pjesë në "Ditët e  Kujtesës 2022” që sapo përfundoi në Tiranë, organizuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë me mbështetjen e zyrës në Tiranë të Fondacionit gjerman "Konrad Adenauer”, që sivjet u fokusua në mitet komuniste në Shqipëri para dhe pas ndryshimit të sistemit.

Stephanie Schwandner-Sievers: Ka dy arsye kryesore pse ka rëndësi trajtimi i të kaluarës komuniste. Së pari, si pjesë e një procesi të drejtësisë tranzicionale. Ballafaqimi me të kaluarën mundëson vendosjen e së vërtetës dhe fakteve për sa kanë ndodhur si bazë për përgjegjësi, reformë juridike dhe politike si edhe dëmshpërblim të viktimave. Së dyti, shoqëria mund të shmangë përsëritjen e gabimeve të njëjta duke mësuar nga ajo e kaluara, gjë që ka të bëjë si me edukimin formal dhe joformal për brezat që nuk e jetuan të kaluarën komuniste, po aq edhe me përmbajtjen. Si u tregohet e kaluara komuniste brezave të rinj? A janë ende të përjetësuara mitet e vjetra apo janë vënë në pikëpyetje kritike? A po mësojnë të rinjtë rrëfime statike që glorifikojnë kombin dhe vlerat nacionaliste në stilin formulues, pothuajse fetar, të miteve apo mësojnë të bëjnë pyetje kritike se pse dhe si ndodhi ? Me fjalë të tjera, a përdoren metoda faktike, shkak- pasojë në mësimdhënien e historisë dhe jo ajo që historiani amerikan McNeill (1986) e ka quajtur "histori e bazuar në mite”? 

Mitet janë gjithmonë çështje politike dhe interesash në të tashmen. Kjo është arsyeja pse ne priremi t'i gjejmë ato, në regjime ose grupe që vuajnë nga një deficit legjitimiteti. Le të përmend këtu nazistët dhe mitologjinë e tyre që krijoi  histori të epërsisë dhe inferioritetit racor, Në Shqipëri, ashtu si në vendet e tjera ish-komuniste të Europës Lindore, e kaluara është e rëndësishme. Ajo vjen në të  tashmen përmes kujtimeve, miteve për njerëzit që kanë jetuar në atë kohë. Mitet janë mjete shumë të fuqishme për të komunikuar informacione lidhur me identitetin dhe të kaluarën kolektive. Mitet mund të ndikojnë në modifikimin e së vërtetës për ta bërë atë më pak të pakëndshme psh kur thuhet që „nuk ishte edhe aq keq".

Mitet instrumentalizohen lehtësisht politikisht për të mobilizuar emocione ose për të larguar vëmendjen. Në rastin më të keq, ato mund të përdoren edhe për të justifikuar krime, siç ishte në rastin e nazistëve. Rinia e sotme është kudo e ekspozuar ndaj lajmeve të rreme dhe ekspertëve të mediave sociale me kredenciale të dyshimta. Prandaj është akoma më e rëndësishme që dijet për të shkuarën, historinë t'i mundësojnë rinisë qasje faktike, shkak-pasojë për t'u angazhuar në mënyrë kritike ndaj çdo informacioni. Të menduarit kritik shkon krah për krah me aftësitë e pavarura kërkimore si bazë e qëndrueshmërisë ndaj ekspozimit para të pavërtetave që vijnë nga të menduarit mitik, të përfshirë sot edhe në mediat sociale.

DW: Cilat janë mitet kryesore të regjimit komunist në Shqipëri dhe si ndikuan në jetën e shoqërisë? Kam parasysh studimin tuaj të paraqitur në konferencën ndërkombëtare "Mitet komuniste në Shqipëri, para dhe pas ndryshimit të sistemit” në kuadër të „Ditët e Kujtesës 2022".

Stephanie Schwandner-Sievers: Mitet që kanë të bëjnë me identitetin dhe ideologjinë kombëtare shqiptare janë kryesisht produkt i kohës komuniste, megjithëse disa kanë një histori më të gjatë që në shekullin e 19-të. Janë mite të luftës së përhershme kombëtare, indiferencës fetare dhe pastërtisë etno-kulturore. Disa kontribues në konferencën, që ju përmendët, diskutuan mënyrat sesi këto mite kombëtare u përdorën politikisht gjatë komunizmit dhe përdoren edhe sot. Pa dyshim këto mite i shërbyen ndërtimit të bashkimit kombëtar dhe deri në ditët e sotme i gjen të lidhura me krenarinë kombëtare. Mitet më famëkeqe, që prekën jetën e njerëzve gjatë komunizmit, duket se janë ato që sajuan armiq të brendshëm apo të jashtëm apo që lavdëruan diktatorin si baba të kombit. Ato çuan në ‘klasifikimin' e grupeve të tëra të popullsisë, i shërbyen  fushatave të  spastrimit dhe shkeljeve masive të të drejtave të njeriut, burgosjeve, internimeve  mizorive, izolimit gjeo-politik dhe ekonomik me pasoja në standardet e jetesës dhe mirëqenien. Shoqëria u nda në mënyrë të qëndrueshme në pjesët e saj me "biografi të mirë" ose "të keqe". Këto mite ndihmuan në përjetësimin e regjimit nëpërmjet pajtueshmërisë bazuar në frikën ose nderimin paternalist ose kombinim i të dyjave.

DW: A janë mitet e regjimit të kaluar, pak a shumë të njëjta, në vendet komuniste të ish Europws Lindore? 

Stephanie Schwandner-Sievers: Ka dallime dhe ngjashmëri. Stili i kulturës politike ka rolin e vet - si psh përdorimi i propagandës dhe indoktrinimit përmes ngjarjeve masive- pa dyshim mund të krahasohen mitet psh në ish RDGJ (të përshkruara nga Nothnagel, 1999)  për "antifashizmin", miqësinë "gjermano-sovjetike", për shtetin "punëtor" dhe fermer", të themeluar pas "çlirimit" nga Bashkimi Sovjetik si një "trashëgimi e denjë antifashiste" etj . Të gjitha të sjellin ndërmend mitet shqiptare të regjimit komunist. Por ka edhe dallime në aspektin e përmbajtjes, gjithmonë në varësi të konteksteve më të gjera politike, historike dhe specifike. Këto mite shërbyen në një kohë të caktuar. Për shembull, miti shqiptar i "izolimit madhështor" duket krejt specifik në kontekstin evropian të asaj kohe me idenë e mbështetjes tek vetja: "ne do të hamë bar në vend që të dorëzohemi ose të kërkojmë ndihmë nga revizionistët".

 DW: A kanë mbijetuar mitet e ish regjimeve komuniste? Cilat prej tyre mendoni se janë të pranishme në shoqëritë e sotme demokratike? 

Stephanie Schwandner-Sievers:  Konferenca ndërkombëtare në Tiranë përcaktoi disa vazhdimësi, Mendoj se duhet t'i kushtojmë vëmendje edhe miteve të reja që lindin në rrethana të reja. Utopia komuniste është zëvendësuar, në shumë mënyra, nga utopia kapitaliste. Heronjtë e rinj në rrugën e tyre për t'u bërë mitikë ose të nderuar, mund të jenë biznesmenë të suksesshëm. Disa nga idealizimet e asaj kohe tani janë thjesht të përmbysura. Mitet e atëhershme të varfërisë dhe disavantazheve në Perëndim, shfaqen sot si mite të pasurisë dhe mundësive të lehta për të fituar para të shpejta në Perëndim. Ashtu si kudo, kultet e vjetra të lidershipit janë zëvendësuar me kultet e të famshmëve. Në rrjetet sociale lulëzojnë teoritë e konspiracionit, p.sh. mitet për vaksinat anti covid janë tregues të formave të reja, të globalizuara të informacionit. Mitet kombëtare të ndërtuara në kohën e Enver Hoxhës janë ende të gjalla, Tani ka edhe mite të reja për lavdinë e kohës së tij, të cilat vijnë në formën e nostalgjisë. Megjithatë, rastet ku nuk vihen në dyshim vazhdimësitë e mënyrave të vjetra të të menduarit apo ku mbizotëron stigma për persekutimin dhe diferencimin shoqëror të vuajtur gjatë kohës së komunizmit, janë vërtet shqetësuese.

DW: Cilat janë kushtet e favorshme që bëjnë të mundur mbijetesën apo përshtatjen e mitologjisë komuniste në shoqëritë e sotme demokratike të vendeve ish-komuniste si Shqipëria apo të tjera?

Stephanie Schwandner-Sievers: Mitet funksionojnë mirë në situatat kur ka një deficit të legjitimitetit politik, ku mbizotërojnë pasiguri më të gjera socio-ekonomike, ose ku duhet të krijohet kohezioni dhe solidariteti kombëtar. Mitet ofrojnë afirmim dhe thjeshtësi ideologjike si dhe një pikë grumbullimi simbolik. Megjithatë, në të njëjtën mënyrë, ata largohen nga faktet e realitetit dhe nga përgjegjësitë reale. Mitet mund të përjetësojnë dhe nxisin ndarjen shoqërore, polarizimin shoqëror, margjinalizimin e atyre që nuk përfaqësohen nga referencat simbolike. Në retorikën dhe stilin politik, ato mund t'u shërbejnë interesave të ndryshme, përfitimeve personale apo politike dhe të përbëjnë pengesë në procesin e drejtësisë tranzicionale. Në arsim, ato i pengojnë të rinjtë të formojnë mendje të hapura, kritike dhe kërkuese.

DW: Demistifikimi nga mitet e origjinës komuniste është një proces që kërkon kohën e vet. Cilët janë faktorët kryesorë për ta përshpejtuar atë? 

Stephanie Schwandner-Sievers: Tregimi i historisë dhe  ndërtimi i miteve do të ndodhin gjithmonë. Kudo antidoti më i mirë ndaj të menduarit mitik janë qytetarët e vetëdijshëm kritikë dhe skeptikë. Në arsim, është e rëndësishme të mbështetet dhe të nxitet zhvillimi i aftësive njohëse që synojnë njohjen e fuqisë, rreziqeve dhe potencialeve të miteve, si dhe instrumentalizimin e tyre politik kur dhe ku ndodh kjo. Çmistifikimi i miteve kërkon gjithashtu kërkime dhe debate të hapura për të gjeneruar të dhëna historike të besueshme dhe me cilësi të lartë. Thjeshtimi i aksesit të kërkuesve në arkiva dhe rritja e  aftësive dhe trajnimit kërkimor në arsim  janë parakushte të tjera të rëndësishme. Kërkimet duhet të fokusohen në narrativa dhe histori të ndryshme, të njerëzve të zakonshëm dhe të jashtëzakonshëm, në mënyrë që të mos riprodhohen mitet e dikurshme. E vërteta ka rëndësi, dhe është qytetaria kritike ajo që ofron qëndrueshmërinë më të mirë shoqërore ndaj miteve të së kaluarës dhe 'lajmeve të rreme' të së tashmes.

Dr. Stephanie Schwandner-Sievers  (PhD London 2012, MA Berlin 1994)  është një antropologe sociale gjermane, lektore në universitetin e Bournemoth, Angli,  me një histori të gjatë kërkimesh etnografike në Shqipërinë post-komuniste, Kosovën e pasluftës dhe në diasporën shqiptare. Studimet e saj fokusohen në politikat e identitetit lokal dhe kombëtar, trajtimin e të kaluarës, nacionalizmin dhe populizmin, antropologjinë e të drejtave të njeriut./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat