Kriza në Ukrainë/ AAK-ja tregon nëse Kosova do të preket nga kjo krizë-ka këtë kërkesë për qeverinë

Intervista

Kriza në Ukrainë/ AAK-ja tregon nëse Kosova do të preket nga kjo krizë-ka këtë kërkesë për qeverinë

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 11 mars 2022 Në ora: 09:25
Shemsedin Dreshaj

Po bëhen më shumë se 10 ditë që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Kjo luftë po shqetëson të gjithë botën duke sjellur kështu kriza të tjera në çdo shtet të botës.

Padyshim që edhe Kosova po preket nga kjo luftë, duke filluar nga nafta e deri tek rritja e çmimeve në produkte ushqimore.

Në lidhje me këtë situatë në një intervistë për “Bota sot” flet deputeti nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj.

Ai u shpreh se lufta në Ukrainë mund të zgjasë për shkak se Ukraina do të qëndrojë në këmbë falë gjithë botës, e cila po e përkrahë atë.

Dreshaj u shpreh se kjo luftë normalisht që do ta prekë Kosovën, mirëpo që do të prek më pak se vendet e tjera dhe do të jenë kryesisht në kostet e jetesës.

Duke vazhduar tutje, deputeti thotë se qeveria e vendit nuk duhet të sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur pasi që kriza ka prekur edhe vendin tonë, duhet të merren masa në të gjitha fushat.

Në bisedë e sipër, Dreshaj u pyet për rregulloren e re e cila sanksionon financiarisht deputetët që nuk janë pjesë e Kuvendit, i cili u shpreh se deputetët duhet të respektojnë këtë rregull dhe të jenë aktiv në çdo seancë.

Në fund, deputeti kërkon që qeveria të sillet si qeveri për të mbrojtur vendin dhe jo të sillet kësisoj sikur nuk është duke ndodhur asgjë në vend.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Sot bota ndodhet para një krize të madhe. Rusia filloi pushtimin e Ukrainës tashmë dy javë. Si e shihni luftën në Ukrainë nga perspektiva mjekësore?

Shemsedin Dreshaj: Kjo luftë ka gjasa reale të zgjasë mjaft nëse bota është unike dhe e mbështet Ukrainën.

“Bota sot”: Sa mund të jenë të rrezikshme dhe të shkaktojnë pasoja përdorimi i armëve kimike dhe biologjike, të cilat po besohet se mund t’i përdorë Rusia në Ukrainë, madje disa lloje armësh të tilla dhe me pasoja të ngjashme i ka përdorur (si armët termobarike etj)?

Dreshaj: Përdorimi i armëve kimike dhe biologjike përnjëmend është brengosës, por shpresoj se Rusia nuk do ta bëjë një hapë të tillë.

“Bota sot”: Si po ndikon lufta në Ukrainë, përplasjet e Lindjes me Perëndimin, dhe si do të reflektojë kjo në Kosovë?

Dreshaj: Ndikimi i kësaj lufte në Kosovë është i pashmangshëm, por pasojat do të jenë më të vogla sesa në vendet e tjera, kryesisht do të reflektojë në konotacionet e rritjes së kostës të jetës për shkak se hambari i Evropës është Ukraina, pastaj në kushtet e këtilla edhe gazi, pritet një reflektim. Mirëpo, sa i përket reflektimit politik unë mendoj se afër mendsh është që kjo të jetë një rifillim të luftës së ftohtë ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes.

“Bota sot”: Cilët duhet të jenë hapat e menjëhershëm të Qeverisë së Kosovës karshi kësaj situate?

Dreshaj: Qeveria e Kosovës nuk guxon të sillet sikur s’ka krizë, pasi vendi është në krizë në disa segmente, është segmenti energjetik, i ushqimit, i çmimeve dhe segmenti i rrogave.

“Bota sot”: Në vazhdën e kësaj krize janë rritur çmimet e naftës dhe produkteve të tjera ushqimore, si i vlerësoni këto?

Dreshaj: Mendoj se për xhepin e qytetarëve është shumë brengosëse dhe qeveria nuk ka bërë aq sa është dashur të bëjë që të kontrolloj tregun e Kosovës, pra t’i menaxhoj sadopak këto rritje enorme të çmimeve.

“Bota sot”: Ju së fundmi keni qenë i zëshëm për sigurimet shëndetësore, sa po punohet në këtë drejtim?

Dreshaj: Fatkeqësisht shumë pak po punohet në këtë drejtim.

“Bota sot”: Një temë gjithashtu aktive këto ditë është edhe rregullorja e re në Kuvend për deputetë, të cilët në rast se nuk qëndrojnë apo nuk marrin pjesë fare në seanca, do të sanksionohen edhe financiarisht, si e vlerësoni këtë vendim?

Dreshaj: Unë mendoj se atëherë kur është vendosur stimulimi i pagesës së rrugës, sipas ish-rregullores, është bërë mu për atë arsye, pasi shumë deputetë kanë munguar në seanca dhe kanë pasur vështirësi me kuorumin. Mendoj se deputetët duhet të sillen konform Rregullores, e cila imponon qëndrimin e detyrueshëm në Kuvend të deputetëve.

“Bota sot”: Cilat janë planet e AAK-së karshi kësaj situate në vend?

Dreshaj: AAK-ja ka pasur një prononcim për media. Ajo kërkon që Qeveria të sillet në mënyren e duhur për të mbrojtur vendin dhe jo të sillet kësisoj sikur nuk është duke ndodhur asgjë në vend, përveç segmentit të sigurisë që janë duke u merr praktikisht masat nga Qeveria, por në raport me jetën e qytetarëve nuk po shihen askund.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat