Këta gjykatës janë fajtorë për vendimin që Manastirin e Deçanit e bëri pronar të 24 hektarëve tokë

Intervista

Këta gjykatës janë fajtorë për vendimin që Manastirin e Deçanit e bëri pronar të 24 hektarëve tokë

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 12 mars 2022 Në ora: 16:07
Manastiri i Deçanit

Në një intervistë dhënë për ‘Bota sot’, Shkodran Imeraj, kryetar i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, ka folur për simbolet e Kosovës dhe kërkesat e tij për ndryshimin e tyre.

Ai ka folur për simbolet aktuale, duke thënë se, flamuri, himni dhe stema që ka propozuar presidenti historik i Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova, të kthehen në simbole kombëtare. 

Ai i ka përmendur edhe me emër se kush është fajtor për vendimin që Manastirin e Deçanit e bëri pronar të 24 hektarëve tokë. Po ashtu ka treguar edhe veprimet që duhet ndërmarrë lidhur me objektin kishtar serb në oborrin e Universitetit të Prishtinës.

Image
Shkodran Imeraj

Bota sot: Pse keni kërkuar ndryshimin e flamurit të Kosovës?

Dr.Shkodran Imeraj: Arsyet se pse kam kërkuar ndryshimin e flamurit të Kosovës, kanë të bëjnë me atë se flamuri aktual i shtetit tonë nuk përfaqëson asgjë nga historia, kultura dhe trashëgimia e popullsisë shumicë të Kosovës, pra popullit shqiptar.
Përveç kufijve që janë pasqyruar në hartën e Kosovës dhe yjeve, pjesë këto me ngjyrë ari, në vështrim kritik dhe të parë, flamuri i shtetit tonë nuk jep ndonjë ndjesi ndaj tij.

Pra, unë edhe kohë më parë e kam thënë dhe e përsërisë prapë, se Kosova duhet të nisë procedurat për ndryshimin e simboleve kombëtare, duke nisur nga flamuri, himni dhe stema e shtetit tonë.

Flamuri, himni dhe stema e shtetit tonë duhet të paraqesin segmente të caktuara ose segmente të ndryshme nga historia jonë, sepse populli shqiptar i Kosovës është popull autokton dhe natyrshëm që shteti i jonë duhet të identifikohet me simbole të historisë sonë.

Bota sot: A mendoni se është bërë qëllimisht zgjedhje e një flamuri dhe simbole tjera nga ato që kishte propozuar Presidenti Ibrahim Rugova?

Imeraj: Nuk e di dhe nuk mund të paragjykoj se a janë bërë qëllimshëm apo jo, sepse ka pasur një proces publik që e kanë menaxhuar institucionet e Kosovës.

Mendoj se ka qenë detyrë e komisionit që të bëjë përzgjedhje të simboleve shtetërore që kanë sadopak lidhje me popullin tonë.

Prapë bëjë thirrje, që flamuri, himni dhe stema që ka propozuar presidenti historik i Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova, të kthehen në simbole kombëtare dhe kjo me një referendum gjithë popullorë.

Flamuri, himni dhe stema e shteti tonë që ka propozuar presidenti Rugova, kanë segmente të së kaluarës tonë.

Bota sot: Sipas jush, kush është fajtor për vendimin që Manastirin e Deçanit e bëri pronar të 24 hektarëve tokë?

Imeraj: Fajtor kryesor për vendimin e paligjshëm dhe të pabazuar në legjislacionin tonë, me të cilin po mundohet t’i falin tokë shtetërore dhe private Manastirit të Deçanit, janë gjykatësit tonë, fillimisht gjykatësit e Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme të Kosovës, dhomë kjo e drejtuar nga gjykatësi Sahit Sylejmani dhe gjykatëset e kushtetueses, Arta Rama-Hajrizi dhe Gresa Caka-Nimani, të cilët për interesa të tyre kanë lëshuar vendime skandaloze.

Në lidhje me këto vendime, ne kohë më parë kemi kërkuar edhe nisjen e hetimeve për këtë rast, sepse zbatimi i këtij vendimi do të jetë precedent i rrezikshëm për Kosovën.

Bëjmë thirrje që vendimi antikushtetuese dhe antiligjor i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronat në afërsi të Manastirit të Deçanit të mos-zbatohet, sepse zbatimi i tij do të jetë katastrofal për Kosovën.

Bota sot: Si mund t’i bëhet zgjidhje këtij vendimi që e keni quajtur si verdikti skandaloz i Kushtetueses?

Imeraj: Këtu është vetëm një rrugë, pra është Gjykata për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Bota sot: Ju si kryetar i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, keni kërkuar pak kohë më parë nga Qeveria e Kosovës të hidhen poshtë të gjitha vendimet që ka marrë Serbia në dëm të Kosovës gjatë viteve 1989-1999. Cilat janë ndër vendimet më të rënda?

Imeraj: Shteti serb gjatë periudhës 1989 e deri në vitin 1999, ka marrë shumë vendime të rënda për Kosovën, siç është rasti i ndërtimit të shumë kishave politike anë e kënd Kosovës, të cilave përveç që i ka ndërtuar ju ka dhënë edhe toka në dëm të tokave shqiptare. 

Pra, e përsëris prapë se është koha e fundit që Qeveria dhe Kuvendi të hartojnë dhe miratojnë një ligj të veçantë ose ligj special me të cilin do i shpallin të pavlefshme (nul) të gjitha ligjet, vendimet dhe aktet nënligjore që ka marr Serbia për Kosovën gjatë periudhës 1989-1999.

Bota sot: A mendoni se edhe tani kur Kosova është e pavarur po merren vendime të dëmshme për Kosovën?

Imeraj: Nëse e keni fjalën për shtetin serb, Serbia çdo herë ka marrë dhe merr vendime të këqija për Kosovën.

Bota sot: Cili është qëndrimi i juaj lidhur me asociacionin e komunave serbe në Kosovë?

Imeraj: Kosova e ka një Asociacion të komunave dhe theksoj se nuk ka nevojë për dy asociacione. Pra, komunat me shumicë serbe duhet të inkuadrohen në Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Bota sot: Çfarë duhet të bëhet me objektin kishtar në oborrin e UP-së?

Imeraj: Objekti kishtar ilegal dhe politik serb i ndërtuar në oborrin e Universitetit të Prishtinës, duhet të rrënohet, sepse është i jashtëligjshëm dhe si i tillë është në kundërshtim me të gjitha normat ligjore.

Ajo është kishë ilegale dhe politike të cilën e ka “bekuar” edhe krimineli i luftës Arkani.

Nëse institucionet e shtetit tonë janë të pazonja që ta rrënojnë, atëherë të shpallet muze i gjenocidit serb në Kosovë.

Bota sot: Si duhet vlerësuar figura e Xhafer Devës?

Imeraj: Figura e Xhefer Devës, aq shumë u polarizua këto ditë, sa që këtë polarizim e bënë personat jo kompetentë.

Deva, ka qenë figurë, e cila del në pah në një kohë dhe rrethana të rënda për shqiptarët. Zgjedhjen e çështjes së pazgjidhur shqiptare Deva e ka pa nëpërmjet Gjermanisë dhe si e tillë, ai ju ka ofruar Gjermanisë, sepse ka qenë e pamundshme të mendohet se Gjermania do të mund ta humbte Luftën e Dytë Botërore.

Gjermania ka qenë shumë e fortë ushtarakisht gjatë luftës së viteve 1939-1945. Pra aq fuqi ka qenë sa që për një kohë shumë të shkurtër ka pushtuar pjesë të mëdha në Evropë e më gjerë e deri tek portat e Moskës. Pra, figura e Devës duhet të studiohet dhe si e tillë duhet t’ju lihet historianëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat