Zgjedhjet e 3 prillit/ Rexhije Osmani Alimi: Shqiptarët në Kosovën Lindore janë të rrezikuar

Intervista

Zgjedhjet e 3 prillit/ Rexhije Osmani Alimi: Shqiptarët në Kosovën Lindore janë të rrezikuar

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 31 mars 2022 Në ora: 22:27
Rexhije Osmani Alimi

Me 3 prill priten të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e Serbisë.

Pjesë e këtyre zgjedhjeve do të jenë edhe shqiptarët e Kosovës lindore. Përfaqësuesit politikë të disa partive shqiptare po kandidojnë në një listë të përbashkët, ndërsa një grupim tjetër në një listë tjetër.

Njëra nga kandidatet për deputete, e cila garon në këto zgjedhje është edhe Rexhije Osmani Alimi. Ajo ka dhënë një intervistë për “Bota sot”, ku thotë se politikanët shqiptarë i kanë lënë inatet politike e personale për t`u bashkuar në një listë të përbashkët për t`i kërkuar të drejtat e shqiptarëve.

Po ashtu, Osmani Alimi thotë se gjendja e shqiptarëve është e më e brishtë, ku ka theksuar se ata nuk i kanë të drejtat e barabarta me serbët që jetojnë në Kosovë.

Po ashtu, ajo ka folur edhe për pasivizimin e adresave të shqiptarëve, si dhe për prioritetet e saj.

“Bota sot” - Si e shihi gjendjen e shqiptarëve në Kosovën Lindore?

Rexhije Osmani Alimi: Gjendja e shqiptarëve të Kosovës Lindore është shumë më e brishtë sesa herëve të tjera. Jo nga luftërat, por nga gjendja politike që po zhvillohet në vend ku e mundëson ikjen e të rinjve nëpër vendet e Europës për shkak të papunësisë, mos njohjes së diplomave të Universiteteve të Kosovës, pasivizimi i adresave të shqiptarëve nga politika e Beogradit zyrtar, e shumë probleme të tjera të cilat po zhvillohen në Kosovën Lindore.

“Bota sot” - Si e keni pritur kandidaturën nga partia juaj?

Rexhije Osmani Alimi: Ne si Lëvizje e Progresit Demokratik për dy dekada me radhë kemi luftuar e kemi qenë gjithmonë në mbështetje të të gjitha çështjeve që kanë pasur të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve në Kosovën Lindore. Andaj edhe e kemi përkrahur çdo iniciativë ku bëhet fjalë për ngritjen e zërit për çështjet shqiptare.
Prandaj edhe kandidatura jonë është shumë e drejtë, pasi që Parlamenti është një nga institucionet ku mund të dëgjohet zëri ynë për të drejtat e tona, aty mund të përballemi me çdo kërkesë të qytetarëve tanë.

“Bota sot” – Cilat do të jenë prioritetet tuaja si kandidate për deputete?

Rexhije Osmani Alimi: Unë si një nga kandidatet potenciale e Lëvizjes së Progresit Demokratik për deputete kam shumë prioritete, por një nga kryesoret është që të mundohem ta ngriti zërin për çështjen e njohjes së diplomave, pasi që me njohjen e diplomave dhe me hapjen e vendeve të punës do të mund të shmangnim ikjen e të rinjve nga vendi ynë si dhe do të mund të parandalonim edhe pasimin e adresave të shqiptarëve në vendin tonë. Do të mund të kërkonim më shumë të drejta, si për tekste shkollore e shumë gjëra të tjera për të cilat do të duhej shumë kohë për ti shtjelluar.

 “Bota sot” – Cili është roli (sa hapësirë ka gruaja në politikë) i gruas shqiptare në politikën që zhvillohet në Kosovën Lindore?

Rexhije Osmani Alimi: Roli i gruas në politikë është shumë i rëndësishëm, por edhe shumë më i avancuar kohëve të fundit. Pasi që duke filluar nga shkollimi i vajzave që kohëve të fundit ka marrë një hovë të madh, duke e parë edhe të tjerët rolin sesa e rëndësishme është që një grua të shkollohet e të jetë një nënë, e një grua e shkolluar pasi që ajo do të edukoj gjithë njerëzimin. Pastaj gradualisht është parë si shumë i rëndësishëm edhe roli edhe nevoja e gruas në politikë dhe viteve të fundit është duke përparuar avancimi i gruas në politik duke u parë si një fuqi shumë të rëndësishme për politikën.    

“Bota sot” – Lista e “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës”, a është kjo mënyra më e mirë për t`i përfaqësuar shqiptarët e Kosovës Lindore? Sa ulëse pritni t`i fitoni në Kuvendin e Serbisë?

Rexhije Osmani Alimi: Lista e “Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës” , ka bërë që shohim me pozitivistët pjesën e lënies së inateve politike e personale me një anë kur bëhet fjalë për kombin e të drejtave të shqiptarëve. Na ka bërë që të mendojmë se së bashku, ne do të mund t’i kërkojmë më mirë të drejtat tona, e së bashku do të na dojë edhe populli më shumë, na ka bërë që të shohim një pikë shprese te qytetarët tanë, që ne mundemi të lëmë çdo inat personal kur bëhet fjalë për qytetarët tanë. Dhe mendoj që kjo është një nga mënyrat më të drejtat për të kërkuar të drejtat tona. Sa i përket ulëseve në Kuvend këtë do të shohim në ditën e zgjedhjeve, e por shpresojmë më së paku tri ulëse t`i kemi.

“Bota sot” - Sa ka ndryshuar viteve të fundit gjendja e shqiptarëve të Kosovës Lindore?

Rexhije Osmani Alimi: Gjendja e shqiptarëve në Kosovën Lindore ka ndryshuar shumë pas luftërave të fundit ku për herë të parë kanë filluar që komunën ta udhëheqin shqiptarët, por gjendja është ende e vështirë pasi që nuk i kemi të drejtat aspak të njëjta me minoritetin serb në Kosovë.

“Bota sot” - Si e komentoni pasivizimin e adresave të shqiptarëve?

Rexhije Osmani Alimi: Pasivizimi i adresave të shqiptarëve është një çështje e vështirë për tu komentuar, pasi që neve si shqiptarë na bënë të vështirë gjendjen tonë politike e na bënë të mohuar vendbanimin tonë.

“Bota sot” - A duhet të diskutohet çështja e shqiptarëve të Kosovës lindore në dialogun Kosovë- Serbi?

Rexhije Osmani Alimi: Është një çështje që çdo herë kërkohet nga të gjitha strukturat politike të vendit tonë që çështja e shqiptarëve të Kosovës Lindore të përfshihet në dialogun e Kosovës me Serbinë.

“Bota sot” - A duhet Presheva, Bujanovaci dhe Medvegja t’i bashkohet Kosovës?

Rexhije Osmani Alimi: Nëse Serbia i konsideron shqiptarët si elemente të huaja dhe nuk i dëshirojnë në vend, atëherë zgjidhja e vetme mbetet që Lugina e Preshevës t`i bashkohet Kosovës e unë pajtohem plotësisht me këtë.

“Bota sot” – Cili është mesazhi juaj për shqiptarët që jetojnë në Kosovën lindore?

Rexhije Osmani Alimi: Andaj edhe ftoi të gjithë shqiptarët e Kosovës lindore që me 3 prill të dalim Masovikisht në zgjedhje për të votuar numrin 16 për Luginën e Bashkuar që të kemi më shumë hapësirë e më shumë zëra për të kërkuar të drejtat tona.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat