Batusha: Lufta ndaj krimit dhe korrupsionit po bëhet në përmasa dhe me intensitet të paparë

Intervista

Batusha: Lufta ndaj krimit dhe korrupsionit po bëhet në përmasa dhe me intensitet të paparë

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 1 prill 2022 Në ora: 09:20
Agon Batusha

Deputeti Agon Batusha, së fundmi në një intervistë për “Bota sot”, e ka komentuar gjendjen politike aktuale në vend.

Batusha fillimisht deklaroi rreth qeverisë aktuale, me ç’rast potencoi se edhe pse qysh në vitin e parë qeveria është ballafaquar me pandeminë, krizën ekonomike, e më pas edhe me invazionin rus, por Qeveria prapë arriti t’i përmbush premtimet, siç është vaksinimi i qytetarëve, madje edhe janë ndërmarrë masa që mos të pësojmë nga kriza energjetike.

Ndërsa, disa nga sfidat që e presin qeverinë, sipas tij, janë “zgjerimi i kapaciteteve energjetike, ristrukturimi dhe ligji i pagave”.

Duke e pasur parasysh, se Batusha është zëri i të rinjve në Kuvend, ai potencoi se Kuvendi aktual e ka numrin më të madh të deputetëve të rinj në moshë që ka pasur një numër kaq të madh të deputetëve nën moshën 35 vjeçare.

Gjithashtu ai tregoi se qëllimi është përfaqësimi sa më përmbajtjesor i interesave rinore.

I pyetur se nëse institucionet mund të arrijnë ndonjë marrëveshje me Serbinë, Batusha u shpreh se tani me Kurtin, ka ndryshuar qasja e Kosovës në këtë dialog, dhe se Kosova tani ka parime të qarta.

Por, sipas tij që të ketë marrëveshje, duhet të ketë vullnet nga të dyja anët, pavarësisht se ne jemi të gatshëm për marrëveshje ndërmjet të dyja shteteve.

Gjithashtu ai ka folur edhe rreth strehimit të ukrainasve në Kosovë, dhe se sa ka kapacitete për pranimin e tyre. Sipas Batushës Kosova ka dëshmuar që kemi kapacitete dhe se mund t`i përgjigjemi krizave humanitare.

Madje, ai theksoi: “Qeveria jonë, ka marrë vendim për strehimin e 20 gazetarëve ukrainas për një periudhë 6 mujore. Ky ishte hapi i parë, në koordinim me aleatët tanë dhe nëse ka kërkesa nga aleatët, do të pasohet me vendime të tjera varësisht nga nevojat”.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Qeveria Kurti mbushi një vit nga formimi i saj, cili është vlerësimi juaj për këtë qeverisje njëvjeçare?

Agon Batusha: Qeveria e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe e kryeministrit z. Albin Kurti, është qeveria më e mirë që ka pasur deri më sot Kosova. Situatat me të cilat është përballur kjo qeveri, qysh në fillim të mandatit të saj, kanë qenë sa të pazakonta, aq emergjente dhe të jashtëzakonshme. Pandemia, kriza energjetike dhe invazioni rus i Ukrainës që ndikoi në ngritjen e çmimeve, janë disa nga situatat me të cilat është ballafaquar qeveria jonë qysh në vitin e parë. Ne vaksinuam mbi 60% të popullsisë, ashtu siç kemi premtuar në fushatën elektorale. Janë ndërmarrë masa që Kosova të mos e pësoj nga kriza energjetike dhe që ngritja e çmimit të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare të mos ndikojë në masën më të madhe të popullsisë. Ngritjen fiktive të çmimeve po e luftojmë përmes organeve inspektuese dhe po trajtohen nga Autoriteti i Konkurrencës. Lufta ndaj krimit dhe korrupsionit po bëhet në përmasa dhe me intensitet të paparë deri më sot. Shtesat për lehonat, ngritja e pensioneve, shtesat për fëmijë, lirimi i studentëve nga pagesa e semestrit, ndalja e kontratave të dëmshme, dërgimi nga ministritë i dhjetëra lëndëve në prokurori dhe shumë veprime të tjera, që janë tregues që qeveria e z. Kurti është në rrugë të drejtë të krijimit të një kulture evropiane të qeverisjes, të shtetit të së drejtës, për barazi dhe drejtësi.

“Bota sot”: Cilat mendoni se janë të arriturat kryesore të Qeverisë Kurti?

Agon Batusha: Të arriturat kryesore është vështirë t’i përcaktosh. Por, nëse shikojmë nga prizmi afatgjatë i ndikimit të politikave dhe dobisë për qytetarët dhe vetë Republikën, mund t’i rendis kështu: ndalja e gjakderdhjes financiare; luftimi i krimit dhe korrupsionit; dyfishimi i buxhetit për FSK-në; ngritja ekonomike 10%; nisja e procesit të veting-ut; themelimi i Gjykatës Komerciale; kthimi në normalitet i institucioneve dhe agjencive, pra pa krim e korrupsion; dhe ligji për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme.

Por, mendoj që nuk është e domosdoshme që disa gjëra apo vendime të merren shpejt sa është e rëndësishme analiza e plotë dhe vendimmarrje e mirëmenduar, që të kemi ndikim pozitiv në jetën e qytetarëve dhe të jenë politika të qëndrueshme.

“Bota sot”: Çfarë sfidash e presin qeverinë në vitet e ardhshme të këtij mandati?

Agon Batusha: Deri tani jemi përballur me sfida të cilat nuk i kemi pritur, si kriza globale energjetike dhe lufta në Ukrainë. Është e vështirë të parashikohen sfidat të tilla që ndikojnë dukshëm në rrjedhën apo vendimmarrjen qeveritare. Por, sfidë natyrisht që do të jetë zgjerimi i kapaciteteve energjetike, ristrukturimi dhe stabilizimi i skemave pensionale, ligji i pagave dhe shumë sfida, të cilat janë të zakonshme për qeveritë, por që natyrisht nuk janë të zakonshme për ne sepse vetë ardhja në qeverisje me mbi 50% nuk ka qenë e zakontë për skenën politike në Kosovë.

“Bota sot”: Si një nga deputetët e rinj si e komentoni gjendjen e rinisë në Kosovë, shumë prej të cilëve po zgjedhin që ta lëshojnë vendin në mungesë të perspektivës?

Agon Batusha: Bashkëmoshatarët e mi, natyrisht dhe me të drejtë janë të frustruar me shumë gjëra që kanë ndodhur në Kosovë. Pikërisht, mbështetja e të rinjve ka bërë që rezultati i Lëvizjes VETËVENDOSJE! të jetë mbi 50% dhe të kemi numrin më të madh të deputetëve të rinj në moshë brenda Kuvendit të Republikës.

Ikja e të rinjve dhe sidomos e atyre që kanë kualifikim e dëmton shumë ndërtimin e kapaciteteve ekonomike dhe rrezikon profesionalizmin në institucionet publike. Reformat që po i ndërmarrin dhe ato të cilat do t`i bëjmë gjatë mandatit tonë, variojnë nga koha në të cilën do të japin efektin e tyre. Reformat në arsim, në politikat ekonomike, ndryshimet e ligjeve që kanë të bëjnë me punësimin, ngritja e pagës minimale dhe mbi të gjitha plotësim-ndryshimin e ligjit për inspektoratin e punës dhe mbrojtja e të drejtave të punëtorëve janë prioritet për ne, por që në mënyrë të padiskutueshme ndikojnë tek morali i të rinjve tanë.

Instalimi i meritokracisë, respektimi i të drejtave të punëtorëve, pagë e dinjitetshme, por edhe orientim i saktë në karrierë, pra reforma në arsim, do të bëjnë që të rinjtë tanë të kenë perspektivë më të qartë brenda shtetit tonë.

Këto ditë është marrë vendim që të fillojë aplikimi i skemës së punësimit të garantuar për të rinjtë tanë, ku pjesë e kësaj skeme është edhe garantimi i të drejtës për praktikë profesionale, gjë për të cilën Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit vetëm sa ka bërë hapat e parë të implementimit, ku mbi 50 të rinjë e të reja kanë filluar praktikën me pagesë në këtë institucion dhe së shpejti do të pasohet nga ministritë dhe institucionet tjera publike.

“Bota sot”: Çfarë po bëni ju si Kuvend për avancimin e të drejtave të të rinjve të Kosovës?

Agon Batusha: Deputetët që jemi nën moshën 35 vjeçare, jemi mbledhur në mënyrë vullnetare dhe kemi konstituar Grupin e Deputetëve të Rinj të Kuvendit të Kosovës. Kuvendi aktual, apo legjislatura e VIII e ka numrin më të madh të deputetëve të rinj në moshë që ka pasur ndonjëherë Kuvendi i Republikës sonë, por edhe në rajon nuk ka pasur Parlament që ka apo ka pasur në përbërje një numër kaq të madh të deputetëve nën moshën 35 vjeçare.

Qëllimi i Grupit të Deputetëve të Rinj është përfaqësimi sa më përmbajtjesorë i interesave rinore. Kjo fillon duke bërë monitorimin dhe analizimin e ligjeve në fuqi dhe akteve të tjera nënligjore, duke propozuar plotësim-ndryshime të ligjeve, duke afruar të gjithë akterët rinor me Grupin e Deputetëve të Rinj, rrjedhimisht me Kuvendin e Republikës, përkatësisht duke nxitur pjesëmarrjen sa më të madhe dhe cilësore të të rinjve gjatë hartimit apo draftimit të projektligjeve dhe po ashtu, do të synojmë bashkërendimin e hapave me të gjitha institucionet publike, lokale dhe nacionale, por edhe me organizatat vendore dhe ato ndërkombëtare.

“Bota sot”: Si e komentoni opozitën aktuale, Ramush Haradinaj ka deklaruar se është mirë që kjo qeveri “të shkojë në shpi”, si do t`i përgjigjeshit?

Agon Batusha: Është e natyrshme që opozita të kundërshtoj apo të kritikoj qeverinë dhe mazhorancën. Por, ku kritika apo kundërshtimi bëhet vetëm për çështje të inateve politike, e në rastin në fjalë, ndoshta edhe personale, atëherë kjo bëhet qesharake dhe nuk mund të merret seriozisht.

Aq shumë dëme i janë bërë Kosovës nga qeverisjet paraprake, aq shumë keqmenaxhim e keqpërdorim i parasë publike, sa që fjala gjakderdhje financiare është më e buta që mund të thuhet për të. Me hetimet që po vazhdojnë dhe me disa aktakuza të ngritura tashmë për ish- kabinetin qeveritar të z. Haradinaj, e disa deputetë të po kësaj partie, është më se e kuptueshme sikleti dhe ngutia e z. Haradinaj që këtë Qeveri ta dërgojë në shtëpi.

Por, qëllimi dhe mjetet e përdorura nga partia më e vogël opozitare në Kuvend, nuk korrespondojnë as me kohën, as me kontekstin, as me madhësinë apo fuqinë politike dhe mbi gjitha nuk gjejnë mbështetje as brenda partisë së tij dhe as brenda kampit opozitar.

“Bota sot”: Si e komentoni luftën pushtuese të Rusisë ndaj Ukrainës, dhe sa do të jetë ndikuese për Kosovën?

Agon Batusha: Invazioni ushtarak dhe i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës, ka patur dhe do të ketë ndikim për Kosovën, si në anën pozitive të ndikimit ashtu edhe në atë negative.

Siç e ceka edhe më lartë, kjo luftë ka shkaktuar çrregullim të tregut të disa produkteve bazike të shportës së qytetarit, rrjedhimisht ka bërë që çmimet të ngriten. Në disa raste janë ngritur me të drejtë, e në shumë raste që ndodhën në vendin tonë, janë ngritur në mënyrë artificiale dhe me këtë punë po merren organet inspektuese.

Në aspektin ekonomik, ky invazion duhet të shërbejë si mësim për ne, që të kujdesemi, të planifikojmë dhe të ndërtojmë një sistem modern evropian bujqësor. Rrjedhimisht t`i ngrisim kapacitetet si në aspektin sasior edhe në atë cilësorë, e kështu të fillojmë gradualisht të mbulojmë shumicën e konsumit vendor dhe të largohemi gradualisht nga importi, respektivisht e ulim ndikimin që mund të kenë lëvizjet e çmimeve në tregun ndërkombëtarë. Për këtë qeveria vetëm mori hapat e parë, ku është rritur buxheti për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, janë vendosur çmimet bazike apo “pragu” nën të cilën nuk mund të blihet/shitet produkti, është hequr akciza e karburanteve për mjetet bujqësore, është tre apo katërfishuar subvencionimi i një hektari tokë për grurë, e shumë veprime që do të ndikojnë pozitivisht tek ky sektor.

Në aspektin diplomatik është një rrezik, por edhe mundësi. Është negative për Kosovën sepse ndikon në përqendrimin e vëmendjes të të gjithë faktorit ndërkombëtarë tek Ukraina dhe kështu do të lihet anash avancimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare. Në atë pozitiv është fakti më shumë i gabimeve të Serbisë në aspektin e renditjes krah Rusisë. Edhe këtu kryeministri z.Kurti, Presidenca, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, por edhe Kuvendi i Republikës janë në krye të detyrës duke bërë vizita të shpeshta në shtetet aleate, duke thelluar e zgjeruar bashkëpunimin me shumë shtete, e mbi gjitha, me qëndrimet në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit kemi arritur një pozicion shumë të favorshëm diplomatik.

“Bota sot”: A mendoni se këtë vit Kosova do të bëhet pjesë e BE-së dhe NATO-s?

Agon Batusha: Këtë vit duhet të bëhemi gati për aplikimin e shtetit tonë për anëtarësim në BE dhe NATO. Vetëm aplikimi merr shumë kohë dhe energji, por gjithashtu duhet të jemi vigjilent gjatë hapave që të punojmë apo më mirë të them që të lobojmë që në momentin e aplikim, shtetet anëtare ta mbështesin aplikimin tonë dhe ta fitojmë statusin e shtetit kandidat për në BE. Ndërsa, për në NATO, është më lehtë të anëtarësohemi se sa në BE, por edhe këtu së pari duhet të aplikojmë apo të pranohemi si pjesë e “Partneritetit për Paqe” në kuadër të NATO-s, e pastaj mund të vazhdojmë drejt anëtarësimit të plotë në këtë organizatë.

“Bota sot”: Si i komentoni qëndrimet e shtetit serb ndaj Kosovës, a mendoni se tani në krye me Kurtin mund të arrihet ndonjë marrëveshje në mes këtyre dy vendeve?

Agon Batusha: Me kryeministrin z. Albin Kurti, ka ndryshuar qasja e Kosovës në këtë dialog. Kosova tanimë ka parime të qarta të cilat janë në përputhje me vlerat evropiane dhe parimet e vendosura ndërkombëtarë të shteteve, ku ndër tjerash parim kryesor është sovraniteti i Republikës sonë dhe mos cenimi i rendit Kushtetues të Kosovës. Nuk lejojmë më koncesione në kurriz të Kosovës, por synojmë trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet dy shteteve.

Që të ketë marrëveshje, duhet të ketë vullnet nga të dyja anët. Ne, jemi të gatshëm për marrëveshje ndërmjet dy shteteve, pa cenuar sovranitetin, territorin dhe Kushtetutshmërinë e shtetit tonë, mbi gjitha në respektim të të drejtave të njeriut që janë parimi bazë i shtetit tonë. Ne, do të ushtrojmë reciprocitetin në çdo aspekt me Serbinë, si parim universal në raportet ndërmjet shteteve dhe si mjet që shtetet e përdorin për të mbrojtur apo barazuar qasjen ndaj njëra tjetrës.

“Bota sot”: A mendoni se Kosova duhet t’i gjejë strehim Ukrainaseve, dhe sa mendoni se ka kapacitet për pranimin e tyre?

Agon Batusha: Kosova së fundmi ka pritur afganët që janë larguar nga regjimi i muxhahedinëve atje dhe sot u transferuan nga Kosova edhe grupi i fundit. Pra, ne kemi dëshmuar që kemi kapacitete, kemi vullnet dhe në bashkëpunim me aleatët tanë, mund t`i përgjigjemi krizave humanitare siç është çështja e shtetasve ukrainas. Natyrisht, që nuk kemi kapacitete si shtetet tjera evropiane, por me ato kapacitete që kemi, mundemi dhe jemi të gatshëm që t`i presim. Qeveria jonë, ka marrë vendim për strehimin e 20 gazetarëve ukrainas për një periudhë 6 mujore. Ky ishte hapi i parë, në koordinim me aleatët tanë dhe nëse ka kërkesa nga aleatët, do të pasohet me vendime të tjera varësisht nga nevojat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat