“Serbia e di këtë”, eksperti amerikan: Ky veprim i Vuçiqit në Kosovë do ta shtynte NATO-n të ndërhynte drejtpërdrejt

Intervista

“Serbia e di këtë”, eksperti amerikan: Ky veprim i Vuçiqit në Kosovë do ta shtynte NATO-n të ndërhynte drejtpërdrejt

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 1 prill 2022 Në ora: 11:47
Alon Ben-Meir

Profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir, thotë në intervistën ekskluzive për gazetën "Bota sot", se presidenti rus Vladimir Putin, do të përpiqet të gjejë një rrugëdalje që të shpëtojë fytyrën për luftën në Ukrainë. Ai thotë se si pjesë e një zgjidhjeje të përgjithshme të negociuar, Ukraina do të duhet të pranojë të mos anëtarësohet në NATO dhe të lejojë Putinin të mbajë kontrollin e tij mbi Krimenë.

Profesori parashikon që luftimet do të vazhdojnë edhe për disa javë të tjera derisa Putini të mund të thotë se ia arriti qëllimit, por sipas tij, pushtimi i Ukrainës do të sjellë fundin e mbretërimit të tij të pamëshirshëm.

Ndërkohë, duke folur për zhvillimet në Kosovë, Ben-Meir, i ka dhënë të drejtë Qeverisë Kurti, në kundërshtimin e saj për të mbajtur zgjedhjet serbe në territorin e Kosovës.

Sipas ekspertit amerikan është plotësisht e mundur, që NATO-ja ta ftojë Kosovën të anëtarësohet në Aleancë, por thekson se preferenca e NATO-s do të ishte që të zgjidhet fillimisht konflikti Serbi-Kosovë.
Teksa e ka quajtur retorikë boshe kërcënimin e ministrit serb Aleksandar Vulin ndaj Kosovës, Ben-Meir thekson se Serbia nuk guxon të ndërhyjë në Kosovë, pasi kjo do ta shtynte NATO-n të vepronte drejtpërdrejt për shkak të çdo përpjekje për ndryshim kufijsh me forcë.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z.Ben-Meir, si i keni parë zhvillimet e deritanishme në Ukrainë dhe si e vlerësoni qëndresën e ukrainasve përballë agresionit rus?

Alon Ben-Meir: Është e qartë se Putini ka llogaritur gabim në një sërë frontesh: ai llogariti gabimisht rezistencën shumë të ashpër të ushtrisë ukrainase dhe mijëra qytetarëve që mbajnë armë dhe po luftojnë kundër trupave ruse me trimëri dhe guxim të paparë.

Putini e ka llogaritur keq unitetin pothuajse të menjëhershëm të vendeve anëtare të NATO-s në kundërshtimin e tyre të fortë ndaj shkeljes flagrante të ligjit ndërkombëtar nga Putini dhe aq më tepër për pushtimin e një vendi paqësor pa asnjë provokim apo justifikim.

Ai llogariti gabimisht shtrirjen e sanksioneve gjymtuese që Perëndimi ishte në gjendje të vendoste shpejt dhe me vendosmëri ndaj Rusisë.

Më e keqja, Putini e llogariti gabimisht forcën e ushtrisë së tij dhe korrupsionin endemik në radhët e grupeve, dhe më shumë se çdo gjë tjetër faktin se sa e demoralizuar është ushtria e tij, gjë që ndikoi rëndë në aftësinë e tyre luftarake dhe rezistencën.

Është kombinimi i të gjithë këtyre faktorëve që e kanë detyruar Putinin të miratojë një strategji të re dhe mund të kufizojë fushatën e tij për të kontrolluar pjesën lindore të vendit, veçanërisht në rajonin e Donbasit. Si pjesë e një zgjidhjeje të përgjithshme të negociuar, Ukraina do të duhet të pranojë të mos anëtarësohet në NATO dhe të lejojë Putinin të mbajë kontrollin e tij mbi Krimenë. Kjo për mendimin tim do t'i sigurojë Putinit një rrugëdalje që të shpëtojë fytyrën. Sigurisht që do të marrë pak kohë, por besoj se ky mund të jetë rezultati përfundimtar.

“Bota sot”: A janë të mjaftueshme sanksionet e vendosura deri tani nga shtetet perëndimore ndaj Rusisë?

Alon Ben-Meir: Po, unë besoj se sanksionet aktuale janë me të vërtetë gjymtuese dhe sanksione të tjera po e presin Putinin, por kjo do të varet nëse ai do të zvogëlojë apo jo sulmet e tij dhe nëse do të bëjë njëfarë progresi në negociata.

“Bota sot”: Presidenti amerikan Joe Biden ka paralajmëruar për një "luftë të gjatë" në Ukrainë. A shihni indikacione se lufta mund të përfundojë së shpejti?

Alon Ben-Meir: Unë besoj se luftimet do të vazhdojnë edhe për disa javë të tjera, dhe nëse ushtria ukrainase vazhdon të rezistojë me sukses dhe të shtyjë forcat ruse, Putini mund të vendosë të shkurtojë humbjet e tij, për sa kohë që ai siguron një rrugëdalje që të shpëtojë fytyrën, kështu që ai mund të thotë se ia arriti qëllimit.

“Bota sot”: Cili është qëllimi i vërtetë i presidentit rus Vladimir Putin dhe si mendoni se do të përfundojë ai? Ka shumë zëra se fati i Putinit do të vendoset nga zemërimi i popullatës në Rusi?

Alon Ben-Meir: Populli rus po bëhet gjithnjë e më i vetëdijshëm për atë që ka ndodhur në të vërtetë. Ata gradualisht po e kuptojnë se lideri i tyre i mashtronte pasi tani po vuajnë ekonomikisht nga sanksionet e ashpra dhe po mësojnë më shumë për mizoritë që po kryhen kundër një fqinji paqësor, me të cilin kanë një afinitet të veçantë. Unë besoj se Putini mund të ketë shkruar kapitullin e tij të fundit dhe kjo luftë do të sjellë fundin e mbretërimit të tij të pamëshirshëm.

“Bota sot”: Ndërhyrja në negociata e cilit shtet do të mund të zbuste qëndrimin e Putinit në lidhje me Ukrainën?

Alon Ben-Meir: Në këtë pikë, duket se Turqia ka marrë drejtimin në përpjekjen për të negociuar një marrëveshje dhe në një farë mase është përfshirë edhe Izraeli, por në fund vetëm negociatat e drejtpërdrejta midis Rusisë dhe Ukrainës do të prodhojnë një marrëveshje paqeje përgjatë linjave të përshkruara më sipër.

“Bota sot”: Si po ndikojnë këto ngjarje në Ballkan dhe në Kosovë në veçanti?

Alon Ben-Meir: Çdo konflikt i tillë i madh ka një efekt të caktuar në kontinentin evropian. Nuk besoj se Kosova do të preket, megjithëse çdo vend duhet të jetë vigjilent duke përfshirë edhe Kosovën në këtë rast, sado e largët të jetë mundësia, që lufta të përhapet përtej Ukrainës.

“Bota sot”: Derisa shtetet e QUINT-it po i bëjnë thirrje Kosovës që të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, institucionet e Kosovës janë zotuar se një gjë e tillë nuk do të ndodhë? Si i shihni këto veprime?

Alon Ben-Meir: Qeveria Kurti ka të drejtë në kundërshtimin e saj për të lejuar Serbinë të përfshihet në një fushatë politike në Kosovë, edhe pse çdo qytetar serb që banon në Kosovë duhet të lejohet të votojë me postë ose online. Është e rëndësishme të theksohet se në vitin 2018, si Austria, ashtu edhe Holanda e ndaluan Turqinë të bënte fushatë në tokën e tyre, por ato thjesht lejuan qytetarët turqë të votonin me postë. Kosova ka të drejtë të bëjë të njëjtën gjë.

“Bota sot”: A ka gjasa të ndodhë anëtarësimi i Kosovës në NATO brenda 6 muajve, ashtu siç paralajmëroi edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq?

Alon Ben-Meir: Duke pasur parasysh pushtimin e paprovokuar dhe krejtësisht të pajustifikuar rus të Ukrainës, BE-ja dhe NATO-ja po mendojnë për sigurinë e tyre të përgjithshme perëndimore. Dhe duke pasur parasysh cenueshmërinë e disa vendeve që nuk janë anëtare të NATO-s, si Suedia dhe Finlanda, ashtu si Ukraina, mendohet se NATO-ja duhet t'i përfshijë ato në mesin e Aleancës në mënyrë që ato të mos kenë të njëjtin fat si Ukraina. Në këtë drejtim, është plotësisht e mundur, e përsëris vetëm e mundur, që NATO-ja ta ftojë Kosovën të anëtarësohet, por preferenca e NATO-s do të ishte që të zgjidhet fillimisht konflikti Serbi-Kosovë.

“Bota sot”: Ministri serb Aleksandar Vulin, ka kërcënuar me konflikt të hapur Kosovën, pas suspendimit të kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq. Si e komentoni retorikën luftënxitëse të Serbisë?

Alon Ben-Meir: Nuk besoj se Serbia do të ndërmarrë ndonjë veprim në lidhje me këtë çështje, përveçse të angazhohet në retorikë boshe, kryesisht për konsum publik. Kërcënimet e ministrit serb Aleksandar Vulin, nuk do të përkthehen në akte dhune kundër Kosovës.

“Bota sot”: Lufta në Ukrainë, a besoni se mund të rrisë apetitet serbe për të marrë veriun e Kosovës?

Alon Ben-Meir: Jo, nuk besoj se në këtë moment Serbia, do të guxonte në veçanti të aneksonte veriun e Kosovës, pasi jo vetëm që do të humbiste perspektivën e saj për t'u anëtarësuar në BE, por kjo do të mund ta shtynte NATO-n të ndërhyjë drejtpërdrejt për shkak të çdo ndryshimi kufijsh me forcë. Kjo është thjeshtë e papranueshme nga Aleanca dhe Serbia e di këtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat