Kandidatja e parë shqiptare për parlamentin slloven: Kosova ka bërë një përparim të ndjeshëm, por ka ende rrugë të gjatë përpara

Intervista

Kandidatja e parë shqiptare për parlamentin slloven: Kosova ka bërë një përparim të ndjeshëm, por ka ende rrugë të gjatë përpara

Arife Morina Nga Arife Morina Më 22 prill 2022 Në ora: 16:12
Kandidatja e parë shqiptare për deputete në Parlamentin e Sllovenisë, Ganimete Shala

Shqiptarët në diasporë po dalin të jenë ambasadorët më të mirë të Kosovës, të cilët me punë, arritje dhe veprat e tyre po bëjnë që emri i shtetit tonë të përmendet sa më shumë në botë.

E tillë është edhe Ganimete Shala, e cila është kandidatja e parë shqiptare që synon ulëse në Parlamentin e Sllovenisë.

Shala e cila është e angazhuar tash e sa kohë në fusha të ndryshme, ku ka kontribuuar vazhdimisht për shoqërinë sllovene, por edhe për shqiptarët që jetojnë në Slloveni, tani ka vendosur t’i hyjë garës për deputete.

Ajo në një intervistë për gazetën “Bota sot’ tregoi arsyet që e shtyn ta merrnin këtë vendim. Shala bëri të ditur se kishte marrë ftesë për të kandiduar për deputete nga politikania e spikatur, Tanja Fajon.

Më tej, ajo premton se si deputete e ardhshme e parlamentit slloven do të angazhohet për forcimin e lidhjeve ekzistuese dhe ndërtimin e urave të reja e të qëndrueshme të bashkëpunimit ndër-parlamentar.

Po ashtu, Shala foli edhe për politikën në Kosovë, dhe se rruga e vetme e Kosovës është rruga euroatlantike.

Image
Kandidatja e parë shqiptare për deputete në Parlamentin e Sllovenisë, Ganimete Shala dhe politikania e njohur, Tanja Fajon

Intervista e plotë

Gazeta “Bota sot”: Znj. Shala ju jeni shqiptarja e parë që kandidoni për deputete në parlamentin e Sllovenisë. Si erdhi deri te ky vendim?

Ganimete Shala: Së pari, ju falënderoj për interesimin tuaj që të zhvillojmë këtë bashkëbisedim. Vendimi për përfshirjen time në jetën aktive politike është rezultat i angazhimit tim të vazhdueshëm në jetën publike. Pse tani dhe pse në këto zgjedhje: do të veçoja dy arsye. E para është subjektive e që lidhet me bindjen dhe besimin personal se tani është momenti i duhur për këtë aktivizim direkt në politikë. Ndërsa, arsyeja e dytë lidhet edhe me ftesën e bërë nga liderja e socialdemokratëve znj. Tanja Fajon, e cila është një politikane e spikatur, me vizion të qartë për zhvillim e mirëqenie, për mundësi të barabarta e barazi, për kohezion social të brendshëm e agjendë prosperuese brenda familjes së madhe euro-atlantike. Në këtë garë unë hyj si qytetare e devotshme sllovene, si dhe si bijë shqiptare që beson në vlerat sublime humane.

Gazeta “Bota sot”: Cilat kanë qenë veprimtaritë tuaja më parë? Me çfarë angazhimesh jeni marrë?

Ganimete Shala: Unë jam rritur dhe edukuar në Lubjanë/Slloveni. Shkollimin tim e kam mbaruar këtu. Kam përfunduar studimet në fushën e administrimit të biznesit dhe menaxhimit, përfshirë edhe ato postdiplomike në fushën ndërkombëtare dhe diplomatike. Punoj në njërën nga kompanitë publike kryesore në Slloveni, në Telekomin slloven. Jam zhvilluar e avancuar në karrierën profesionale më punë dhe përkushtim, me besim të palëkundur se me punë mund të arrijmë ta bëjmë edhe veten e edhe shoqërinë më të mirë, më të përparuar. Krahas punës profesionale, kam qenë vazhdimisht aktive në organet sindikale për të drejtat e punëtorëve, si dhe po ashtu edhe në forume tjera jashtë veprimtarisë së punës, përfshirë përfaqësimin zyrtar të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Shqipëri në Slloveni. Gjithashtu jam anëtare e Kryesisë së shoqatës kulturore Migjeni në Lubjanë, përveç kësaj jam iniciatore dhe themeluese e shoqatës së gruas shqiptare “Teuta” në Slloveni. Në kohën e lirë merrem edhe me punë tjera vullnetare filantropike.

Gazeta “Bota sot”: Sa janë bashkëpunues sllovenët me nacionalitetet e huaja?

Ganimete Shala: Siç theksova më lart, familja ime është vendosur në Slloveni kur unë kam qenë në moshë fare të re. Ne jemi pranuar dhe integruar plotësisht në këtë shoqëri.

Shoqëria sllovene na ka mirëpritur dhe ofruar mundësi për të ndërtuar një jetë të re këtu. Tani, këtu është shtëpia ime. Është vendi im. Natyrisht, edhe Kosova është vendi e vendlindja ime. Por, shoqëria sllovene në përgjithësi është një shoqëri tolerante e miqësore. Është një shoqëri që respekton diversitetin kulturor. Një shoqëri ku secili që ka ambicien e vullnetin mund të realizoj synimet për zhvillim personal e profesional.

Gazeta “Bota sot”: Cilat do të jenë qëllimet tuaja nëse arrini të zgjidheni deputete? A do të punoni për përforcimin e marrëdhënieve Kosovë-Slloveni?

Ganimete Shala: Qëllimet e mia politike janë të lidhura me qëllimin e socialdemokracisë në përgjithësi, për zhvillim të qëndrueshëm, punësim e mirëqenie sociale, mjedis të pastër, barazi sociale e kështu me radhë. Angazhohem për fuqizimin e vazhdueshëm të rolit të gruas në jetën publike dhe në shoqëri. Sa i përket pjesës së dytë të pyetjes suaj, konsideroj që ndërmjet Sllovenisë dhe Kosovës tanimë ka një traditë disavjeçare bashkëpunimi, e cila traditë duhet forcuar e ushqyer vazhdimisht. Si deputete e ardhshme e parlamentit slloven do të angazhohem për forcimin e lidhjeve ekzistuese dhe ndërtimin e urave të reja e të qëndrueshme të bashkëpunimit ndër-parlamentar. Do të angazhohem për aktivizimin e grupit të miqësisë Slloveni-Kosovë, me qëllim që bashkëpunimi ndër-institucional i dy parlamenteve të shndërrohet në mbështetje e shtytje për Kosovën në proceset integruese euro-atlantike. Pra, të kuptohemi se Sllovenia është mbështetëse e Kosovës në proceset integruese, por kësaj mbështetje do t’i japim dinamikë më të madhe, në mënyrë që Kosova të ndjek dhe të përfitoj nga pikat e forta të arritjeve tona të tri dekadave të tranzicionit politik dhe integrimit euroatlantik.

Gazeta “Bota sot”: A keni pasur më herët bashkëpunime me ambasadën e Kosovës në Slloveni?

Ganimete Shala: Komunikimet dhe kontaktet e mia me ambasadën e Kosovës, kanë qenë gjithmonë të vazhdueshme. Gjithashtu edhe me ambasadën e Shqipërisë. Nga të dyja ambasadat, kur bëhet fjalë për komunitetin shqiptarë, kemi përkrahjen e madhe dhe gjithmonë dyert e hapura, pra kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Në lidhje me themelimin e shoqatës së gruas shqiptare, ku jemi përpjekur t'i mbulojmë të gjitha trojet shqipfolëse, duke më votuar mua si kryetare, një nënkryetare nga Shqipëria dhe tjetrën nga Maqedonia, kemi pasur gjithashtu mbështetjen e madhe edhe nga zv.ambasadori i \Maqedonisë së Veriut.

Gazeta “Bota sot”: Duke parë që tani veçse ka filluar fushata elektorale, cilat janë dallimet mes fushatave të partive shqiptare dhe sllovene?

Ganimete Shala: Fushatat zgjedhore në Slloveni, përgjithësisht janë më të qeta. Janë më tematike, pra debatohet për çështje që përbëjnë sfida aktuale apo të ardhshme. Natyrisht, zhvillohen edhe debate me tone politike më të ndezura, por kryesisht manifestohet kulturë e lartë tolerance politike dhe debatesh të fokusuara në problemet dhe në zgjidhjet që ofron secili subjekt garues.

Gazeta “Bota sot”: Sa e përcillni politikën në Kosovë?

Ganimete Shala: Zhvillimet politike në Kosovë i përcjell për aq sa më lejojnë mundësitë objektive. Konsideroj që Kosova ka bë një përparim të ndjeshëm, por që ende ka rrugë të gjatë përpara për të arritur standardin e vendeve evropiane. Mendimi im është që politikanët dhe institucionet e Kosovës duhet të marrin shumë seriozisht shqetësimet jetike të qytetarëve, ngase problemet demografike që do të shkaktoj ikja e të rinjve, do të sjellin vështirësi të mëdha në një të ardhme jo të largët. Ky nuk është problem vetëm i Kosovës, por kur të rinjtë nuk shohin mundësi për zhvillim e prosperitet në vend, ata e ato ardhmërinë e tyre e projektojnë diku tjetër. Është vërtetë e dhimbshme për një shoqëri të humb në vazhdimësi potencialin e saj njerëzor. Keni parasysh, zhvillimi i gjithmbarshëm i shoqërisë njerëzore është rezultat i punës së njeriut. Njeriu është resursi kryesor për zhvillimin shoqëror.

Gazeta “Bota sot”: A po i ndjek Kosova hapat e Sllovenisë në procesin e shtet-ndërtimit?

Ganimete Shala: Pavarësisht historisë së përbashkët të së kaluarës, Sllovenia dhe Kosova kanë kaluar nëpër procese që substancialisht dallojnë dhe që kanë qenë vendimtare për trajektoren e zhvillimit të tyre si shtete dhe si shoqëri. Ajo që është më e rëndësishme se sa historia e përbashkët e kaluar, është e ardhmja e përbashkët në familjen e madhe euroatlantike. Rruga euroatlantike është rruga e vetme e sigurt e Kosovës dhe rajonit. Jam e lumtur që politika në Kosovë, pa dallim, mbështet dhe punon në këtë drejtim. Kjo më bën të besoj se e ardhmja e Kosovës, pavarësisht sfidave e vështirësive, do të jetë e ndritshme dhe e sigurt.

Gazeta “Bota sot”: Çfarë mendimi keni për Diasporën shqiptare, duke qenë se edhe vet jeni pjesë e saj?

Ganimete Shala: Diaspora shqiptare në Slloveni është një diasporë aktive dhe shumë e vyeshme. Përveç si diasporë, ajo para së gjithash është pjesë e rëndësishme dhe plotësisht e integruar e shoqërisë sllovene. Gra e burra të shkëlqyeshëm që ushtrojnë profesione fisnike të mjekut, inxhinierit, artistit, afaristit, ndërmarrësit, mësuesit e infermierit etj. Po ashtu, këtu kemi brezat e rinj që ndjekin shkollimin e universitetin, duke bërë kështu krenarë prindërit, familjen e shoqërinë, për punën e zellin e tyre. Organizimi i diasporës nëpër shoqata kulturore është një dimension tjetër i rëndësishëm. Gjithnjë jam përpjekur dhe përpiqem që të japë kontributin tim në aktivitete të ndryshme që organizohen nga shoqatat, të cilat funksionojnë nëpër qytete të ndryshme në vend.

Gazeta “Bota sot”: Cili është roli i saj në avancimin dhe të arriturat e shtetit të Kosovës?

Ganimete Shala: Në përgjithësi, diaspora e Kosovës ka dhënë mbështetje të madhe e ndihmë të pakursyer në rrugën e vështirë të Kosovës për liri e pavarësi. Edhe diaspora këtu ka qenë e organizuar, sidomos nga vitet e ’90-ta e tutje, për ta ndihmuar kauzën e Kosovës, me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e tyre.

Gazeta “Bota sot”: Dhe, si e vlerësoni situatën politike në përgjithësi, dje në veçanti politikën e jashtme në vendin tonë?

Ganimete Shala: Nuk di nëse jam në pozicion të bëj një vlerësim të përgjithshëm të situatës politike në Kosovë. Mbase, do të ishte edhe e padrejtë të bëja një vlerësim të përgjithshëm subjektiv. Ajo që theksova më herët, që mendoj se është thelbësore, është se Kosova ka shënuar disa të arritura nga përfundimi i luftës e këndej. Gjithsesi, të gjithë duam që punët të bëhen më shpejt, kudo ku ndodhemi, por zhvillimi i një vendi kërkon kohën e vet. Arritje shumë me rëndësi për Kosovën në këto vite është që ajo është duke u zhvilluar si një demokraci e mirëfilltë me orientime të qarta euroatlantike. Nisur nga fakti që integrimi në BE dhe NATO, si dhe në sistemin multilateral ndërkombëtar, përbëjnë prioritetet e politikës së jashtme të Kosovës që nga pavarësia e tutje, konsideroj që Kosova ka zgjedhur rrugën që çon drejt të ardhmes së sigurt dhe prosperuese.

Gazeta “Bota sot”: Si e komentoni faktin e mungesës së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, cili mund të jetë kontributi juaj si deputete e ardhshme në këtë proces të rëndësishëm për shtetin tonë?

Ganimete Shala: Është për keqardhje që qytetarët e Kosovës ende mbeten të izoluar, të vetmit në rajon. Jam e bindur që kjo nuk është e drejtë dhe jam optimiste që ky izolim do të përfundoj në një të ardhme të afërt. Subjekti im politik mbështetë fuqishëm liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Liderja e SD znj. Fajon, edhe në cilësinë e saj të mëhershme si eurodeputete dhe raportuese e PE-së për Kosovën, ka qenë vazhdimisht e zëshme që kosovarëve tu hiqet regjimi i vizave. Mund të them pa asnjë mëdyshje, në kapacitetin tim si deputete e parlamentit, do të angazhohem që ky proces të merr epilogun e dëshiruar. Ju e kuptoni se proceset vendimmarrëse brenda mekanizmave të BE-së nuk janë gjithnjë të lehta, por angazhimi im institucional nuk do të mungoj asnjëherë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat