Ministria më e vizituar nga ‘Prokuroria e Kosovës’ – sfidat dhe sukseset

Intervista

Ministria më e vizituar nga ‘Prokuroria e Kosovës’ – sfidat dhe sukseset

Valdrin Nuredini Nga Valdrin Nuredini Më 29 prill 2022 Në ora: 09:57
Zëvendësministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë qeverisjes më shumë se njëvjeçare të kryeministrit Kurti. Objekti i këtij institucioni ka qenë adresa më e vizituar e Prokurorisë së Kosovës, ku shumë ish-zyrtarë edhe kanë përfunduar me pranga në duar.

Përveç kësaj, kriza e rritjes së çmimeve, e shkaktuar nga lufta në Ukrainë nga pushtimi rus, konflikti i zgjatur, gjatë muajve të kaluar, e ka vendosur edhe një herë në qendër të vëmendjes këtë ministri. Raportimet e ndryshme tregonin për një mungesë të sasisë së miellit dhe se Kosova mund të rrezikohet, ballafaqohet me një krizë, si pasojë e mungesës së miellit.

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, zëvendësministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, tregon se Kosova qëndron mirë me rezervat e miellit dhe se qytetarët e vendit, nuk kanë nevojë të futen në panik sepse kjo çështje nuk duhet të jetë temë e bisedave, e as të krijojë frikë.

Përveç tjerash, Demelezi shprehet se Kosova ka arritur një marrëveshje me SHBA-të, që në rast se kërcënohet siguria e rezervave, atëherë furnizimi me grurë dhe miell, do të bëhet nga Shtetet e Bashkuara dhe se kjo paraqet një siguri shtesë në këtë drejtim.

Një sfidë nëpër të cilën është duke kaluar MBPRZH-ja dhe e cilësuar si problematike, është zëvendësimi i zyrtarëve, të cilët janë arrestuar dhe suspenduar sepse për vendin e tyre të punës nuk mund të zëvendësohet apo hapet konkurs, deri në një vendim të gjykatës.

Krejt kjo, ka krijuar një zbrazëtirë sepse programet e hartuara nga ministria, të cilat ndihmojnë fermerët, zbatohen nga Agjencioni i Zhvillimit të Bujqësisë, i cili është në kuadër të MBPZHR-së, ndërsa zyrtarët e lartcekur janë zyrtarë të agjencionit në fjalë.

Një e arritur që përmendet nga Demelezi është edhe pagesa apo shlyerja e borxheve ndaj përfituesve të granteve dhe subvencioneve nga kjo Ministri, e që ndër vite ka qenë një problem në vete brenda këtij institucioni.

Për më tepër, lexojeni intervistën e mëposhtme me zëvendësministrin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezin:

Bota sot: Si qëndron Kosova në aspektin e sasisë së rezervave të miellit?

Imri Demelezi: Ashtu siç jeni të informuar edhe nga kryeministri Kurti, i cili bashkë me ministrin Peci, patën deklaruar se sa i përket rezervave të miellit nuk ka vend për panik dhe për tu shqetësuar.

Gjithashtu, sipas deklarimit të shoqatës së mullisëve para pak ditësh, në Kosovë duhet të jenë diku edhe 40 mijë deri në 50 mijë tonë grurë pa i marrë parasysh rezervat e fermerëve që janë nëpër shtëpitë e tyre, por kjo sasi e bluarjes dhe deponimit të grurit nga operatoret privat ndryshon gradualisht. Po ashtu sipas tyre potencojnë se ka sasi të madhe te fermerët, sepse kohëve të fundit është rritur kërkesa për shitje të grurit nga fermerët, sepse ka çmim të leverdishëm dhe ata janë të interesuar ta shesin.

E rëndësishme është që ka ushqim të bollshëm për qytetarët tanë, ndërsa për saktësinë e rezervave duhet pas në konsideratë Ligjin për rezervat shtetërore. Gjithashtu, korrje-shirjet e korrikut do të shtojnë sigurinë për miell. Çmimi i mirë apo i ngritur tani në treg për grurin e miellin dhe rritja e subvencioneve do të ketë efekt pozitiv në rritjen e sipërfaqeve të mbjellura me grurë në vjeshtë në Kosovë dhe rajon, si rezultat ne do të jemi të sigurt dhe kemi sasi më të madhe të grurit dhe miellit. Kosova krahas hapave të marrë në rrugët e zakonshme këtë vit siç jemi informuar MINT (Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë) janë koordinuar me SHBA në rast krize të furnizohemi me grurë dhe miell. Por, duhet cekur që krahas formave që Qeveria ka marrë edhe operatorët ekonomik të sektorit të blojës në Kosovë janë dhe gjejnë kanalet e tyre për furnizim të mjaftueshëm për popullatën.

Bota sot: A mund të ketë ndikim edhe në Kosovë situata e konfliktit në Ukrainë?

Imri Demelezi: Ndikimi veçse është vërejtur në ngritjen e çmimeve të disa produkteve. Kosova importon 100 % inputet bujqësorë duke përfshirë naftën, është net importues i produkteve agro-ushqimore dhe domosdoshmërisht është e ndikueshme nga jashtë. Kjo është arsyeja se pse ne kemi avokuar për përkrahjen e prodhimeve vendore dhe konsumit vendor dhe shtrirje e raporteve të shkëmbimit tregtar me vende mike dhe të besueshme por gjithsesi prodhimet tona janë kyçe. Për një kohë të shkurtër tani, është e vështirë të ndërrohen këto politika dhe krijohen qëndrueshmëri e brendshme, e sidomos në kohë krize ku fokusi duhet të jetë në grupe shoqërore që kanë më shumë vështirësi apo emergjenca.

Mirëpo, ne si qeveri, me kapacitetet tona jemi duke iu përgjigjur kësaj krize, e cila ka kapluar gjithë botën. Po ashtu jemi të përkushtuar që në vazhdimësi të jemi afër qytetarit dhe t’i ofrojmë zgjidhje sfidave me të cilët po përballemi të gjithë si pasojë e konfliktit në Ukrainë.

Bota sot: Si është gjendja në teren sa i përket kultivimit të grurit për vitin 2022?

Imri Demelezi: Në Kosovë, sipas Raportit të Gjelbër, i cili hartohet nga Departamenti i Analizave Ekonomike dhe Statistikave Bujqësore – DAESB, gjithsej sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore është rreth 420,000 ha. Ekzistojnë dy kategori kryesore të përdorimit të tokës bujqësore: tokë e punueshme (e cila është tokë e dedikuar për rritjen e kulturave bujqësore) dhe kullotat që përfshin livadhet dhe kullotat e përdorura për kullotjen e bagëtive. Ndërkaq, sa i përket grurit në Kosovë, për vite me radhë mesatarisht mbillen prej 65,000 deri në 80,000 hektarë me grurë. Bazuar te të dhënat nga tereni, gjendja e sipërfaqeve të kultivuara me grurë është e kënaqshme e sidomos pas riplehërimit të grurit dhe reshjeve të shiut që ishin para disa ditësh. Megjithatë, për të pasur gjendje të mirë të sipërfaqeve të mbjellura me grurë, tani nga ana e kultivuesve duhet t’i kushtohet kujdes i veçantë luftimit të barojave të këqija si dhe luftimit të sëmundjeve dhe dëmtuesve të grurit.

Bota sot: A janë rregulluar problemet që ndër vite ka hasur Ministria e Bujqësisë në lidhje me problemet e borxheve ndaj atyre që kanë fituar subvencione në ministri? Konkretisht a i ka paguar ministria të gjitha subvencionet ndaj fermerëve?

Imri Demelezi: Pothuajse në masë të madhe janë shlyer obligimet ndaj fermerëve. Siç e dini, në momentin e pranimit të detyrës ne kemi pranuar edhe një borxh të trashëguar nga qeverisja e kaluar në vlerë afro 40 milionë euro. Borxhet pothuajse kanë përfunduar përveç atyre të cilët për shkak të ndonjë gabimi teknik si p.sh.; numri i xhirollogarisë mund të jetë pengesë për realizimin e pagesave. Por fermerët e tillë ose informohen ose na informojnë që ende nuk është kryer pagesa dhe i njëjti problem identifikohet, trajtohet dhe i jepet epilog problemeve të kësaj natyre. Ndërsa, sa i përket Programit të Pagesave Direkte, i cili është shpallur nga ana jonë në vitin 2021, jemi në fazën përfundimtare, pothuajse 100%, të ekzekutimit të pagesave. Duhet ditur që vonesat janë për shkak të problemeve teknike e ligjore, ku ka vazhdimisht problem me sisteme të TI-së që janë fragjile dhe mungesën e burimeve njerëzore nga brenda për t’i zgjedhur këto probleme dhe gjithashtu arrestimit të një numri të madh të zyrtarëve, e të cilët nuk mundemi t’i zëvendësojmë për shkak të kufizimit ligjor pa u marrë një vendim përfundimtar nga gjykata.

Bota sot: Para 6 muajve, fermerët kanë protestuar para objektit të ministrisë në lidhje me kriteret e aplikimit për subvencionimin e grurit! A i keni lehtësuar kriteret dhe çka ka ndërmarr ministria sa i përket kësaj problematike konkretisht?

Imri Demelezi:
Sa i përket kritereve gjatë vitit kaluar, ka qenë më se e nevojshme të vendosen kritere pak më strikte në mënyrë që të identifikojmë mangësitë të cilat kanë qenë edhe në të kaluarën. Gjithashtu kriteret kanë qenë një siguresë që nga subvencionet të përfitojnë vetëm bujqit dhe vetëm bujqit. Ndërsa tani sa i përket dokumentacionit fermerët për të qenë përfitues do të duhet vetëm të deklarojnë nën betim, për saktësinë dhe vërtetësinë e sipërfaqes për të cilën aplikojnë dhe e digjitalizojnë në momentin e aplikimit; Kriteri minimal për të qenë përfitues janë të përcaktuara në udhëzimin administrativ tashmë i publikuar. Por, sigurisht këtë vit kontrollet do të jenë më të shpeshta, duke u siguruar në maskimum që të përfitojnë bujqit e duhur.

Bota sot: Cila është e vërteta sa i përket uljes së subvencioneve për bodrumet që kanë mbi 100 hektarë vreshta?

Imri Demelezi: Kjo nuk qëndron, ose është marrë informacioni plotësisht gabim. Në programin e pagesave direkte për vitin 2022 parashihet edhe subvencionimi i vreshtave ekzistuese (që nënkupton vreshtat e mbjellura dhe që janë duke u kultivuar), ku subvencionimi do të bëhet për sipërfaqe-hektarë, në vlerë prej 1000 €/ha; Përfitues do të jenë fermerët, të cilët kanë të mbjellë/kultivojnë së paku 0.10 ha vreshtë dhe që i plotësojnë kriteret e parashtruara sipas PPD 2022;

Bota sot: A ka ministria ndonjë plan zhvillimor sa i përket rezervave të grurit - konkretisht që në periudhën 4 vjeçare Kosova të mos e ketë problem çështjen e rezervave të grurit?

Imri Demelezi: Nëse aludohet për rezervat shtetërore e ku edhe gruri është njëri ndër produktet që hyn në kuadër të rezervave shtetërore, ju informoj se çështja e rezervave shtetërore është kompetencë e MINT (Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë).
 

Bota sot: Cili, mendoni se është suksesi më i madh në Ministrinë e Bujqësisë, në periudhën një vjeçare të qeverisjes Kurti, e konkretisht ju si figura e dytë e hierarkisë brenda këtij institucioni?

Imri Demelezi: Ndër shumë suksese të ministrisë sonë për periudhën 13 mujore dua të veçoj, identifikimin dhe zgjidhjen e problemeve, të cilat kanë penguar realizimin e të drejtës së përfitimit të fermerëve, shlyerjen e borxheve për i. Grante ii.subvencione iii. nga dëmet atmosferike dhe tjera, shpalljen e programit të pagesave direkte për vitin 2021 dhe tashmë edhe për 2022, aprovimin e 25 projektligjeve në Qeveri brenda afatit kohor sipas planit legjislativ 2021. Hartimi i dy strategjive, pra atë të i. zhvillimit të bujqësisë 2022-2028 dhe ii. zhvillimit të pylltarisë e konsideroj se janë dokumentet kryesore, të cilat duhet të pasojnë me programe dhe planet e veprimit për to. Këto dy të fundit janë dokumente të rëndësisë së lartë për shkak se tani e tutje ministria jonë orientimin për zhvillim të këtyre dy sektorëve përmes programeve të saja vjetore, do të bazohet në strategjitë e lartcekura, strategji këto të punuara nga ekspertë vendorë e ndërkombëtarë. Në përgjithësi e konsideroj se strategjitë, ndarja e drejtë e subvencioneve, plani legjislativ dhe iniciativat e reja për bujqësi dhe zhvillim rural, duke përfshirë kthimin e besimit të mirëmenaxhimit të fondeve janë sukseset e MBPZHR-së.

Bota sot: Cilat janë sfidat me të rëndësishme me të cilat jeni përballur në këtë 1 vjeçar dhe çka konsideroni si nevojë emergjente për intervenim në Ministrinë e Bujqësisë?

Imri Demelezi: Sfidat janë të shumta, sfida kryesore ka qenë kryerja e obligimeve ndaj fermerëve dhe vazhdimi i politikave subvencionuese ndaj fermerëve, sepse në njërën anë ke pasur borxhe dhe në anën tjetër mungesë të mjeteve duke përfshirë mungesë besimi në sistem për mirëmenaxhim. Në kuadër të kësaj sfide ka qenë mungesa e zyrtarëve, të cilët momentalisht janë të suspenduar për shkak se të njëjtit janë të dyshuar e disa edhe të akuzuar dhe gjithashtu të dënuar për shkak të veprave, të cilat tashmë dihen. Zyrtarët e tillë, sipas legjislacionit në fuqi nuk mund t’i zëvendësojmë deri në momentin e marrjes së vendimit të formës së prerë nga ana e gjykatës, pra qoftë për lirim të tyre që nënkupton kthim në punë apo qoftë për dënim me burgim efektiv ndaj tyre që do të jepte mundësinë për të shpallim vende të punës që plotësojnë boshllëkun që kanë lënë tashmë.
E konsideroj sfidë kryesore sepse programet e hartuara nga ministria, të cilët ndihmojnë fermerët, zbatohen nga Agjencioni i Zhvillimit të Bujqësisë, i cili është në kuadër të MBPZhR-së, ndërsa zyrtarët e lartcekur janë zyrtarë të agjencionit në fjalë.

Sfidë tjetër është vërtetësia që një praktikë që është ndjekur me vite është e ligjshme dhe më e mira, duke përfshirë atë se nëse zyrtarët apo ekspertët përgjegjës dhe të duhur janë konsultuar. E konsideroj që MBPZHR-së do t’i duhet  kohë për të konsoliduar si duhet si në aspektin organizativ e menaxherial, të burimeve njerëzore dhe të politikave të duhura për të i shërbyer saktë dhe në kohë të gjithë palëve të përfshira në të dhe për të parashikuar problemet dhe nevojat që fermerë, operatorët ekonomik e palë tjera kanë.

Sikur të kishim institucion vërtetë mirë të konsoliduar dhe mirëmenaxhuar për shumë tema që po flasim tani, nuk do të ishin apo vetë sistemi do t’i kishte shpërfaqur dhe vetë-rregulluar, ku kjo nuk duhej të ishte kur të ndërrohej struktura apo grupi politik, sepse për mirëmenaxhimin dhe vullnetin për të, duhej të ishte parim i të gjitha subjekteve politike. Nga ajo çka kam parë dhe çka është instaluar për vite nuk ka qenë qëllimi te sektori dhe mbrojtja e institucionit. Por, kjo duhet dhe do të ndryshojë, dhe besoj se nuk mund të kthehet në gjendjen e mëhershme sepse zyrtarët dhe sistemi e kërkon parimet dhe vlerat të vijnë në shprehje, sepse vetëm kjo formë e vlerëson punën e tyre gjatë viteve dhe të ardhmes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat