Çfarëdo lëshimi në dëm të Kosovës në bisedime është përgjegjësi e Qeverisë Kurti/ Do të reagojmë fuqishëm

Intervista

Çfarëdo lëshimi në dëm të Kosovës në bisedime është përgjegjësi e Qeverisë Kurti/ Do të reagojmë fuqishëm

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 24 maj 2022 Në ora: 18:31
Foto nga darka në Bruksel

Në një intervistë për “Bota sot” deputetja e AAK-së, Albana Bytyçi, ka folur për situatën aktuale në vendin tonë.

Ajo ka folur për sulmet në veri duke thënë se vendi jonë është rreshtuar përkrah SHBA-së.

Bytyçi ka komentuar edhe ftesën nga Gjykata Speciale të Burim Ramadanit, për të cilin ka thënë se presin të kthehet faqebardhë.

Tutje, për vizitën e kryeministrit Albin Kurti në Amerikë ka thënë se mbeti e mangët duke shtuar se a ishte farsë.

Sa i përket asociacionit me kompetenca ekzekutive, ajo është kundër që një gjëje të tillë të bëhet në vendin tonë.

Kurse, për korrigjimin e kufirit me Malin e Zi, deputetja qëndron pas asaj që edhe ka thënë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj se Kosova nuk ka humbur dhe as nuk do të humbë asgjë në raport me Malin e Zi.

Image
Deputetja e AAK-së, Albana Bytyçi

 

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e vlerësoni situatën aktuale në Kosovë, bisedimet, kriza ekonomike (energjetike), sulmet në veri etj.?

Albana Bytyçi: Kosova vazhdimisht është shtet me mundësi kërcënimi, duke pasur parasysh aspiratat pushtuese të Serbisë. Vendi ynë është me fat që është i rreshtuar krahas botës demokratike dhe në vijë të plotë me SHBA-të. Gjithashtu në aspektin e sigurisë mendoj që të gjithë duhet të jemi unik për çfarëdo lëvizje të mundshme.

“Bota sot”: Kërcënimet me bomba, si i shini ju. Ka pakënaqësi të tjera, p.sh. frika se qeveria, përkatësisht procesi gjyqësor do ta ulë numrin e veteranëve, dhe se nuk do ta rris pensionin për veteranët pas rritjes së pagës minimale. Si e shihni situatën në këtë kontekst?

Albana Bytyçi: Çfarëdo procesi gjyqësor nuk mund ta fshehë rolin dhe vlerën e veteranëve të UÇK-së. Ne si AAK kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë që pensioni i veteranëve të jetë i barabartë me pagën minimale, madje mendoj që këtë kërkesë Qeveria duhet ta realizojë pasi meritojnë edhe më shumë.

“Bota sot”: Gjykata speciale e ka ftuar Burim Ramadanin inspektor në AKI. Sipas Burimit duket sikur ka një gabim teknik në ftesë. Ka pasur ndonjë shkelje procedurale nga ish-partiaku juaj?

Albana Bytyçi: Burim Ramadani është personalitet nga Theranda që aq sa di unë ka shërbyer me devotshmëri në secilën pozitë udhëheqëse që ka qenë. Arsyen e ftesës e din Gjykata Speciale, ndërsa Burimit sikurse secilit kosovar që ka shkuar në atë gjykatë i dëshirojmë suksese dhe të na kthehen faqebardhë.

“Bota sot”: Si e keni parë vizitën e kryeministrit Kurti në Amerikë, qëndrimi më i gjatë ndonjëherë i krerëve tanë atje?

Albana Bytyçi: Vizita e Kurtit në Amerikë ndonëse ishte e gjatë në kohë, mbeti e shkurtër dhe e mangët në secilin koncept apo raport me këtë vend. Mendoj që ishte humbje kohe apo nuk ishte koha e duhur për vizita e takime. Gjithçka ishte farsë dhe u mundua të kamufloheshin takimet, por u vërtetua që qëndrimet dhe Lëvizjet e Kurtit nuk pëlqehen nga politika e SHBA-së për Kosovën.

“Bota sot”: Cili është vlerësimi juaj për qeverisjen e Kurtit?

Albana Bytyçi: Qeveria e Kurtit, është Qeveria më e dobët nga paslufta. S’ka vizion, s’ka platformë, s’ka qëndrime e guxim për udhëheqje. Jeta në Kosovë është shumë më e keqe sesa ishte. Kjo qeveri nuk mendon për mirëqenie e zhvillim të shtetit.

“Bota sot”: A është duke kërkuar një pjesë e opozitës lëshime në bisedimet në Bruksel, kur po i kërkon kryeministrit apo po e kritikon (s’ka guxim) për mungesë “guximi”, se partnerët tanë janë lodhur etj.?

Albana Bytyçi: Kosova nuk ka nevojë për lëshime në Bruksel, sepse ka lëshuar dhe ka dhënë mjaft përballë Serbisë. Kosova duhet të mbajë qëndrim për sovranitet të plotë, për kthim të të pagjeturve, për dëmshpërblimet e luftës, për kërkim falje, për njohje nga ana e Serbisë. Qeveria e ka përgjegjësinë e dialogut, por që duhet të jetë bashkëpunuese me opozitën në këtë temë.

“Bota sot”: Cili është qëndrimi juaj, a duhet të pranohet ndonjë asociacion me kompetenca ekzekutive?

Albana Bytyçi: Jo, Kosova nuk duhet të pranojë asociacion me kompetenca ekzekutive. Çfarëdo lëshimi në dëm të Kosovës është përgjegjësi e Qeverisë Kurti dhe për këtë do të reagojmë e do të jemi zë i qytetarëve!

“Bota sot”: Cilat janë disa nga pikat që ju shqetësojnë si opozitë, e që qeveria po ngulmon në mbështetjen e tyre?

Albana Bytyçi: Mbështetja e Qeverisë duhet të jetë: Lejimi i tërheqjes së një pjese të mjeteve të Trustit, bërja e ligjit të pagave, rritja e pensioneve të Veteranëve, Ligji për Sigurimet shëndetësore, etj!

“Bota sot”: Po me diplomacinë e Kosovës, a jeni të kënaqur si opozitë, për mënyrën se si po bëhet ajo?

Albana Bytyçi: Diplomacia e Kosovës është turpi i vendit. Nuk ka njohje, nuk ka takime të rëndësishme, nuk ka bashkëpunime ndërshtetërore, nuk ka aplikime e as nuk ka anëtarësime në organizata të mëdha rajonale e ndërkombëtare

“Bota sot”: AAK-ja kritikohet për marrëveshjen e demarkacionit, cili është mendimi juaj dhe sa shihni shpresë, sa i përket deklaratës së presidentit malazez për korrigjimin e kufirit?

Albana Bytyçi: Qëndrimi i Presidentit Malazez konfirmoi qëndrimet dhe pohimet e drejta e të vazhdueshme të kryetarit Haradinaj. Kosova nuk ka humbur dhe as nuk do të humbë asgjë në raport me Malin e Zi.

“Bota sot”: Duke e parë situatën aktuale në Ukrainë, Kosova ka qenë cak i provokimeve dhe sulmeve në veri? A duhet të ndërmerret diçka në këtë aspekt?

Albana Bytyçi: Kosova qëndron e rreshtuar ndaj demokracisë dhe Perëndimit. E kemi dënuar dhe jemi kundër luftës së Rusisë ndaj Ukrainës.

“Bota sot”: Kosova së fundi ka aplikuar në Këshillin e Evropës, cilat janë gjasat që Kosova të jetë anëtare e KiE-së?

Albana Bytyçi: Gjasat janë që Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës duke i parë rikonfigurimet politike dhe të sigurisë në botë.

“Bota sot”: AAK-ja është pro tërheqjes së Trustit, çfarë po ndodhë me këtë çështje?

Albana Bytyçi: Ishim dhe jemi që qytetarët të kenë të drejtën e tërheqjes së Trustit. Do të mundohemi me tërë forcat që ta mundësojmë këtë, sepse vërtet është e nevojshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat