Emigranti shqiptar: Ja çfarë më shkroi Presidenti Biden

Intervista

Emigranti shqiptar: Ja çfarë më shkroi Presidenti Biden

Më: 29 maj 2022 Në ora: 22:04
Emigranti shqiptar: Ja çfarë më shkroi Presidenti Biden

Olsian Noreci një emigrant nga Shqipëria, ka një histori mjaft interesante. Ai ka shkëmbyer dy letra me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden. Vetëm pak ditë më parë zoti Noreci, ka marrë përgjigje për letrën e tij të dytë, ku Presidenti e inkurajon atë, e nëpërmjet tij të gjithë amerikanët, të punojnë së bashku për të gjetur gjuhën e përbashkët e për ta bërë Amerikën sikurse thotë ai, një vend me të begatë e të sigurt.

Zëri i Amerikës: Zoti Noreci, çfarë ju shtyu t’i shkruani Presidentit?

Olsian Noreci: Në radhë të parë, si emigrant shqiptar i ardhur në Amerikë, megjithë ato vështirësi të fillimit, u mundova t’i shkruaja Presidentit amerikan për të gjithë ato gjëra që ai ka bërë për kombin shqiptar. Në veçanti për Kosovën dhe djalin e tij që ka shërbyer në Kosovë nëpërmjet trupave amerikane, dhe gjithçka që është e lidhur me Shqipërinë dhe që ai ka bërë për Shqipërinë. E mirëprita letrën e tij me shumë dëshirë. Për fat të mirë më erdhi ajo letër, më erdhi një përgjigje nga Presidenti amerikan vitin e kaluar, letra e tij e parë.

Zëri i Amerikës: Si u ndjeve kur e more përgjigjen me letrën e dytë?

Olsian Noreci: Pa diskutim që letra e dytë është më domethënëse. Letra më jep kurajo, e thotë jo vetëm për mua, për çdo shqiptar, çdo amerikan, që e ndjen veten pak amerikan. Tregon shumë ajo letër, në të cilën unë i drejtohem çdo shqiptari që ta ndjejë veten mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe duhet ta vlerësojë Amerikën për çdo nismë që ka ndërmarrë për popullin shqiptar dhe për kombin tonë. Është kënaqësi që këtë vit festuam 100 vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-Amerikë. Amerika nuk na ka lënë asnjëherë mbrapa, në asnjë drejtim. Duhet t’i jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për gjithçka, dhe në veçanti Presidentit amerikan që ka ndërmarrë një nismë tepër serioze dhe tepër të sinqertë për të ndihmuar popullin shqiptar, reformën në drejtësi. Kam nderin të falenderoj edhe ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri për këtë nismë tepër të rëndësishme për të ndihmuar reformën në drejtësi. Shpresoj që kjo do të ndihmojë në forcimin e drejtësisë dhe luftimin e korrupsionit në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Ju keni ardhur në Shtetet e Bashkuara rishtazi, para gjashtë viteve dhe i keni shkruar Presidentit amerikan dhe keni marrë përgjigje. Çfarë do të thotë për ju përgjigja në vetvete?

Olsian Noreci: E vërteta është që duke marrë një shkas pak nga ajo fjala e urtë shqiptare që nuk ke çfarë të humb, unë e provova që nuk kisha çka të humbja, duke pritur për një kohë të gjatë për një përgjigje për dokumentet. I shkruajta Presidentit amerikan, duke e falënderuar për gjithçka jo vetëm për arsyen time personale, por duke e falënderuar atë si President dhe për ta uruar atë për fitoren në garën për president. E falënderova për gjithçka që ai ka kontribuar që nga vitin 1992-93 për Ballkanin, në veçanti për Kosovën në vitet 1998-99 dhe për djalin e tij që ka shërbyer në Kosovë. Kjo ka qenë pak a shumë përmbajtja e letrës së parë. Në letrën e dytë, në momentin pasi mora letrën e parë, i kam kërkuar Presidentit një sërë gjërash për Shqipërinë, pra që ato nisma që janë ndërmarrë deri tani të shkojnë deri në fund dhe t’i shërbejnë popullit shqiptar.

Zëri i Amerikës: Cila është eksperienca jote si emigrant në Shtetet e Bashkuara?

Olsian Noreci: Çdo shtet i ka vështirësitë e veta, por e drejta është e drejtë dhe kur diçka e meriton e merr, kjo është Amerika. Liria e fjalës dhe e drejta për të qenë i lirë janë të rëndësishme në Amerikë. Në fakt, kur në shqiptarët përmendim demokracinë i referohemi Shteteve të Bashkuara. Pra, demokracia është Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Amerika duhet të falënderohet për gjithçka që i ka dhënë popullit shqiptar dhe çdo emigranti që e mirëpret dhe e inkurajon, ia jep mundësinë, i tregon se cilat janë vlerat e këtij shteti./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat