Prapaskenat e planeve serbo-ruse në Ballkan/ Eksperti amerikan thotë se NATO duhet ta anëtarësoj Kosovën – por së pari duhet bërë kjo gjë!

Intervista

Prapaskenat e planeve serbo-ruse në Ballkan/ Eksperti amerikan thotë se NATO duhet ta anëtarësoj Kosovën – por së pari duhet bërë kjo gjë!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 27 qershor 2022 Në ora: 08:04
Alon Ben Meir

Lufta pushtuese e Rusisë në Ukrainë ka ndryshuar rrjedhën politike, ekonomike, ushtarake në gjithë botën.

Agresioni rus ka ndikuar që shumë vende të reagojnë fuqishëm dhe të vendosin sanksione të ashpra ndaj shtetit të Putinit.

Përveç kësaj, Rusia po merr mbështetje nga disa vende të pakta, të cilat po refuzojnë të vendosin sanksione ndaj saj, përfshirë Serbinë.

Ndikimi i madh rus në shtetin serb po bën që ky i fundit të mos reagojë për terrorin rus në Ukrainë, duke vazhduar të mbajë lidhje të ngushta dhe takime të shpeshta mes diplomatëve serbë dhe rusë.

Kësisoj, Rusia po tenton ta shtrijë ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor përmes Serbisë, duke përdorur edhe faktin se ky rajon nuk është i integruar në BE dhe ende vazhdon të anashkalohet.

E lidhur me ndikimin rus në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe marrëdhëniet Rusi-Serbi, se si ndikojnë ato në Kosovë, dhe rreziqet që paraqesin për rajonin flet nëintervistën për “Bota sot” eksperti amerikan Alon Ben Meir.

Ai thotë se Serbia dëshiron të mbajë marrëdhënie të mira me Rusinë, prandaj kjo i jep Putinit mundësinë të ndikojë në këtëvend në një shtrirje shumë më të madhe se sa në shtetet e tjera të Ballkanit.

Pavarësisht raporteve ruso-serbe, eksperti amerikan nuk beson se Serbia mund ta sulmojë Kosovën, kjo për shkak të prezencës amerikane dhe evropiane në vendin tonë.

Ben Meir beson se NATO-ja duhet ta ftojë Kosovën që të anëtarësohet, por Prishtina së pari duhet ta pastrojë shtëpinë, veçanërisht në trajtimin e korrupsionit dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut.

 

Image
Alon Ben Meir

Intervista e plotë

Gazeta “Bota sot”:Sa mendoni se është i theksuar ndikimi rus në Ballkan, duke marrë parasysh se nuk është rajon i integruar në BE dhe situata mes shteteve të tij, vazhdon të jetë e tensionuar?

Alon Ben Meir:Presidenti i Rusisë Putin ka dhe do të vazhdojë të përpiqet të rrisë ndikimin e Rusisë në Ballkan, duke thënë se shtetet ballkanike, përfshirë Serbinë, në një farë mase, ende shumë të gravitojnë drejt integrimit në BE. Duke qenë se Serbia dëshiron, për shumë arsye, të mbajë marrëdhënie të mira me Rusinë, kjo i jep Putinit mundësinë të ndikojë në këtëvend në një shtrirje shumë më të madhe se sa në shtetet e tjera të Ballkanit. Fakti që ka tensione mes vendeve të ndryshme ballkanike, nuk ndikon shumë në dëshirën e tyre të përgjithshme për të qenë pjesë integrale e komunitetit evropian.

Gazeta “Bota sot”:Serbia po përpiqet që ta përdorë pakicën serbe në Kosovë për realizimin e qëllimeve ekspansioniste, ajo refuzon çdo marrëveshje, ose kur e nënshkruan s`e zbaton, si ato në Bruksel, cili është komenti juaj?

Alon Ben Meir:Edhe pse Serbia do të donte shumë të inkorporonte zonat me shumicë serbe në Kosovë, Beogradi e di se nuk mund ta bëjë këtë me forcë dhe as me presion diplomatik. Mënyra se si do të trajtohet konflikti për këtë çështje do të duhet të zgjidhet në bazë të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet dy vendeve me kusht që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.

Gazeta “Bota sot”:Po ashtu, Serbia vazhdon të mbajë qëndrim neutral për luftën në Ukrainë dhe nuk po vendosë sanksione ndaj Rusisë. Bazuar në këtë a do të duhej që të pezullohej procesi i anëtarësimit të saj në BE?

Alon Ben Meir:Meqenëse marrëdhënia serbo-ruse është e gjerë në shumë fusha, veçanërisht në energji, fusha ushtarake dhe mallra të tjera, Serbia dëshiron të mbajë marrëdhënie të mira me Moskën. Për këtë arsye Beogradi nuk dëshiron të turbullojë ujërat me Rusinë edhe pse nuk i pëlqen BE-së dhe SHBA-së. BE-ja i kupton shqetësimet e Serbisë dhe duke pasur parasysh se BE-ja ende dëshiron ta integrojë Serbinë në orbitën e saj, ka shumë pak gjasa që procesi i integrimit të pezullohet.

Gazeta “Bota sot”:A mendoni se ekziston rreziku i një inkursioni në veri të Kosovës, përmes bashkëpunimi të Serbisë me Rusinë?

Alon Ben Meir:Jo, nuk besoj se Putini do të përfshihej në një aventurë të tillë. Do të ketë shumë për të humbur dhe pak, nëse asgjë, për të fituar. Për më tepër, Kosova mbetet nën mbrojtjen BE-SHBA dhe Putini nuk do të donte t'i sfidonte ata, duke u shprehur se ata do t'i vijnë në ndihmë Kosovës pa asnjë hezitim.

Gazeta “Bota sot”: Së fundmi, Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë iu ka bashkuar edhe Mali i Zi në projektin e “Ballkanit të Hapur”. Kosova ka marrë kritika për mos pjesëmarrje në të. Si e komentoni këtë projekt? A është kundër Procesit të Berlinit?

Alon Ben Meir:Unë besoj se Kosova duhet t'i bashkohet projektit të “Ballkanit të hapur” përderisa nuk është i politizuar dhe i fokusuar në bashkëpunimin ekonomik dhe komercial. BE-ja po e mbështetë këtë projekt dhe sigurisht që nuk është kundër procesit të Berlinit.

Gazeta “Bota sot”: Pas situatës së krijuar në Ukrainë, a besoni se është koha që Kosova të anëtarësohet në NATO, ndoshta edhe këtë vit?

Alon Ben Meir:Po, besoj se NATO-ja duhet ta ftojë Kosovën që të anëtarësohet, por Prishtina së pari duhet të pastrojë shtëpinë, veçanërisht në trajtimin e korrupsionit dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Gazeta “Bota sot”: Si e komentoni luftën pushtuese të Rusisë në Ukrainë?

Alon Ben Meir:Ne mund të shkruajmë libra për këtë temë. Për ta përmbledhur luftën kundër Ukrainës me një fjali, do të them se kjo luftë është një akt agresioni skandaloz, i pajustifikuar. Ajo sfidon normat ndërkombëtare të sjelljes në çdo mënyrë, ndërkohë që shkel në mënyrë të jashtëzakonshme të drejtat themelore të njeriut në kushte lufte. Putin ka bërë dhe vazhdon të kryejë krime lufte dhe ai duhet të akuzohet për krime kundër njerëzimit.

Gazeta “Bota sot”: A do t'ia arrijë Perëndimi me diplomaci, sanksione ndaj Rusisë dhe me ndihmë ushtarake ndaj Ukrainës, që ta përmbyllë luftën, duke e detyruar Rusinë të tërhiqet nga rajonet e pushtuara, së paka para 24 shkurtit?

Alon Ben Meir:Unë nuk besoj se Perëndimi do të jetë në gjendje të detyrojë ose të bindë Rusinë të tërhiqet nga territoret që aktualisht po pushton. Putin do të mbajë të gjithë rajonin e Donbasit dhe mund ta aneksojë atë krejtësisht. Sapo të arrijë të sigurojë të gjithë zonën që mundet, e përsëris mund ta shpallë fitoren dhe t'i japë fund armiqësive.

Gazeta “Bota sot”: A është e mundur që lufta të përshkallëzohet dhe të shpërthejë në vende të tjera evropiane, siç paralajmërohet në Gjeorgji, Moldavi, Ballkanin Perëndimor?

Alon Ben Meir:Unë besoj se as Rusia, as BE-ja dhe SHBA-ja nuk duan që lufta të përshkallëzohet. Një luftë më e gjerë evropiane nuk do t'i shërbejë interesave të asnjërës palë nga frika se një luftë e tillë mund të dalë jashtë kontrollit me potencialin e implikimeve katastrofike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat