“Kosova në fund të dialogut do të dal fituese”/ Deputeti i Listës Guxo flet për dialogun me Serbinë – zhgënjehet nga ky fakt

Intervista

“Kosova në fund të dialogut do të dal fituese”/ Deputeti i Listës Guxo flet për dialogun me Serbinë – zhgënjehet nga ky fakt

Arife Morina Nga Arife Morina Më 2 korrik 2022 Në ora: 11:33
Burim Meta

Kosova po përballet me zhvillime dramatike të shumta politike, ekonomike, sociale, etj.

Kosova dhe shqiptarët janë para një shansi historik, por që fatkeqësisht faktorët që mund dhe duhet ta mbështesin, ende po e ndihmojnë aleaten e Rusisë, Serbinë, duke e penguar përparimin tonë.

Ndonëse, vendi po përballet më probleme të shumta, opozita nuk po e tregon ndjeshmërinë e momentit, që ta ndihmojë shtetbërjen e Kosovës, për ta rritur fajësinë ndaj Serbisë, ndërsa disa gabime të pushtetit në qeverisje nuk po e ndihmojnë më shumë përparimin në qeverisje, përballë krizës së madhe, shtrenjtisë së jetës, si pasojë e luftës në Ukrainë, pushtimit rus.

Opozita përveç kritikave të shumta, së fundmi i është bashkuar edhe protestave të veteranëve të luftës.

E për të komentuar të gjitha këto zhvillime politike, në një intervistë për “Bota sot” flet deputeti i Listës Guxo, Burim Meta.

Ai tha se situata politike në vend është serioze, e me sfida, por dhe edhe më serioze dhe e sigurtë është qasja e udhëheqësve shtetëror.

Meta u shpreh i zhgënjyer për mosliberalizimin e vizave, ku sipas tij Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për një gjë të tillë.

Krahas zhvillimeve politike në vend, ai foli edhe për zgjedhjet e brendshme në Listën Guxo.

Meta dha detaje lidhur me planet e partisë në të cilën ai bën pjesë, derisa tregoi se deri kur pritet që të përfundojnë zgjedhjet brenda Listës Guxo.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Së fundi Lista Guxo ka filluar të mbajë kuvende zgjedhore në disa degë, në disa prej komunave më të mëdha, siç janë Mitrovica, Ferizaj etj. Ju u zgjodhët kryetar i Degës në Ferizaj. Cilat janë synimet e partisë suaj, dhe si po ec ky konsolidim?

Burim Meta: Tanimë, dëshmitarë jeni edhe ju vet, që konsolidimi i partisë është duke ecur me sukses sinjifikant dhe me pjesëmarrje masive të qytetarëve. GUXO jo vetëm në Ferizaj, por në tërë Kosovën po krijon adresë të veçantë për secilin qytetarë, dhe mundësi për secilin për të kontribuar në të mirën e vendit. Synimi ynë është kontributi dhe pjesëmarrje në qeverisjet lokale dhe qendrore.

“Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në vend?

Burim Meta: Situata politike në vend është serioze, e me sfida, por dhe edhe më serioze dhe e sigurtë është qasja e politikanëve tanë shtetëror. Kosova dhe qytetarët e saj janë dhe ndjehen të sigurtë.

“Bota sot”: Një nga temat më të diskutuara aktualisht është protesta e veteranëve për shkak të mos-futjes së tyre në Projektligjin e ri për pagat, cili është komenti i juaj?

Burim Meta: Mendoj dhe vlerësoj që Projektligji për pagat sa më parë duhet të vijë në Kuvend, besoj se Qeveria është duke punuar mjaftueshëm për këtë ligj, duhet ta aprovojmë këto ditë, por më duhet të theksoj se momentalisht as si grup parlamentar, por as si Komision parlamentar nuk jemi informuar për detaje apo deri ku ka mbërritur çështja e këtij Projektligji.

“Bota sot”: Këto protesta të vazhdueshme po gjejnë mbështetje tek opozita. Si e shihni ju qëndrimin e opozitës në këtë rast?

Burim Meta: Natyrisht, është e pritshme nga opozita. S’ka punë tjetër opozita, në vazhdimësi ka kritika, unë e kuptoj mirë qasjen e saj edhe atëherë kur s’kanë arsye, për shkak të pozicionit të tyre jo të rehatshëm.

“Bota sot””: Tërheqja e Trustit, po kërkohet nga qytetarët, mirëpo Qeveria po vazhdon ta kundërshtojë këtë ide. Sipas jush a duhet të ndodhë një gjë e tillë, të lejohet tërheqje e Trustit, mbase me përqindje më të vogël?

Burim Meta: Shpresoj që Qeveria me Pako të ndryshme ekonomike e fiskale të ndihmojë qytetarët dhe gjithë ata që kanë nevojë, ndërsa për Trustin edhe vetë kërkuesit e saj janë treguar që se kanë seriozisht për shkak të mungesave të deputetëve të vetë opozitës gjatë shqyrtimit të kësaj çështje.

“Bota sot”: Sa dhe si bëhet bashkëpunimi i Listës Guxo me Vetëvendosjen për ofrimin e projekteve, ideve, koncepteve, për zgjidhje ekonomike, nisur nga fakti se vendi ndodhet në krizë të madhe?

Burim Meta: Bashkëpunimi GUXO-VV është serioz, i mirëfilltë, bashkëpunim i shëndetshëm, pranim të imputeve tona me impakt pozitiv.

“Bota sot”: Liberalizimi i vizave së fundmi nuk mori dritën jeshile nga BE-ja. Kur mund të pritet liberalizimi i vizave, meqë jeni më të informuar, pasi partia juaj udhëheq me Ministrinë e Jashtme?

Burim Meta: Absolutisht është i paarsyeshëm mos liberalizimi i vizave për ne. Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe kriteret, ama bash të gjitha. MPJD e udhëhequr nga znj. Gërvalla, kryeministri Kurti dhe Presidentja Osmani, me paraqitjet e tyre dinjitoze të gjithë i kanë bërë të mendojë se liberalizimi për Kosovën duhet të ndodhë.

“Bota sot”: A mendoni që BE po vazhdon ta “zvarritë” procesin e liberalizimit të vizave për arsye të panjohura për ne? A po mos BE-ja, apo vende si Franca po e përdorin çështjen e liberalizimit të vizave për ta kushtëzuar Kosovën me marrëveshje të përgjithshme me Serbinë?

Burim Meta: Edhe në takim me ambasadorin e shtetit gjerman, u pajtuam me shpresën që liberalizimi do të ndodhë deri në fundvit.

“Bota sot”: Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, mbetet temë e pazgjidhur. A do të dorëzohet Serbia përballë presioneve ndërkombëtare apo ende nuk ka presion të fuqishëm ndaj saj, pavarësisht që po vazhdon të qëndrojë në aleancë me Rusinë?

Burim Meta: Zvarritje po, por qëllimet nuk i di!

“Bota sot”: Si e shihni ju përfundimin e dialogut me Serbinë, a mund të ndodhë që të ketë lëshime, një asociacion me kompetenca ekzekutive, pra me kompetenca antikushtetuese? Kjo pyetje po shtrohet më shpesh, pasi në një mënyrë iu lejua operimi energjetik një firme serbe, në origjinë me pronësi të shtetit serb?

Burim Meta: Aleanca dhe orientimi i Serbisë me Rusinë është penalizuese për të. Kryeministri Kurti ka qasje përmbajtjesore duke respektuar reciprocitetin, dhe mendoj që në fund fituese do të jetë Kosova. Amerika, Gjermania dhe shtetet tjera evropiane do ta bëjnë më të mirën dhe të nevojshmen që Serbia të dorëzohet dhe të shtoj autokritikën e Serbisë.

“Bota sot”: Si i komentoni raportet aktuale Shqipëri-Kosovë, a po bëhet projekti “Ballkani i hapur” një mollë sherri për acarimin e këtyre raporteve?

Burim Meta: Ne jemi të kujdesshëm, as Ballkani i Hapur dhe asnjë gjë tjetër, s’do të lejojmë që të acaroi raportet tona me shtetin tonë, vëllezërit e motrat tona në Shqipëri.

“Bota sot”: Meqë jeni marrë me procesin e monitorimit të sistemit shëndetësor, përfshirë atij mendor, cilat janë reformat apo ndryshimet që duhet bërë, në mënyrë që sistemi të funksionojë, si një sistem perëndimor, sipas të cilit model mendohet të zhvillohet?

Burim Meta: Akoma gjë s’është bërë, më shumë duhet bërë dhe ka shumë punë për të bërë. Kemi mjaftë shembuj suksesi e referenca që kemi.

“Bota sot”: Kur mendoni t’i përfundoni zgjedhjet nëpër degë, a keni parashikuar një afat, dhe çfarë përkrahje jeni duke gjetur?

Burim Meta: Zgjedhjet në partinë GUXO, me këtë ritëm dhe sukses që kemi filluar, dhe sipas planifikimeve tona, do t’i përfundojmë në fillim të muajit shtator.

“Bota sot”: A jeni duke u dëmtuar nga propaganda mediale, sidomos që është tejet kritike ndaj kryetares suaj, për punën e saj në Ministrinë e Jashtme, zonjës Gërvalla?

Burim Meta: Kritikat ndaj zv.kryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme, janë të pabaza, të paarsyeshme. Qytetarët janë vigjilent dhe të vetëdijshëm, vlerësojnë lartë punën e Donikës, aktualisht liderës tonë, aspak nuk na dëmton për shkak se sukseset përmbajtjesore në punën e saj janë të evidentuara dhe konkrete.

“Bota sot”: A mendoni se do të arrini të konsolidoheni mjaftueshëm si parti për të konkurruar në zgjedhjet e ardhshme?

Burim Meta: Po, do të konsolidohemi. Do të jemi parti serioze dhe e qëndrueshme politikisht, do të rritemi e forcohemi e do të kontribuojmë fuqishëm në shtetndërtim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat