Flet ish-truproja e Rugovës / Tregon detaje nga koha e presidentit Rugova – ka një porosi për dorasit e vrasjeve politike!

Intervista

Flet ish-truproja e Rugovës / Tregon detaje nga koha e presidentit Rugova – ka një porosi për dorasit e vrasjeve politike!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 25 korrik 2022 Në ora: 22:18
Xhevat Dajaku në përcjellje të Presidentit Rugova

Atentatet gjatë kohës së udhëheqjes së presidentit Rugova ishin në vazhdimësi prezente. Disa nga ato atentate do ta rrezikonin edhe sigurinë personale të Presidentit Rugova dhe në disa prej tyre do të vriteshin miq e bashkëpunëtorë të Presidentit, por edhe truproje të tij.

Ishte atentati i 19 tetor të vitit 2001, ku u vra Besim Dajaku, ish truproje i presidentit Ibrahim Rugova. E bashkë me Besimin, i vrarë mbeti edhe Bekim Kastrati, gazetar i gazetës “Bota sot”, si dhe u plagos Gani Geci, ish-deputet i LDK-së.

Besimi ishte vëllai i Xhevat Dajakut, i cili do ta vazhdonte punën aty ku e kishte lënë vëllai i tij.

Por, ai ishte një atentat, që ia ndryshoi jetën gjithë familjes, dhe për familjen Dajaku mbetet kujtimi ma i hidhur i jetës dhe asnjëherë i harruar.

Për atentatet ndaj presidentit Rugova, familjes Dajaku, si dhe për proceset e hapura në gjykatën speciale dhe ato që lidhen me të, për “Bota sot”, flet ish-truproja i presidentit Rugova, Xhevat Dajaku, ai u shpreh se vrasja e Besimit, vëllait të tij, ka qenë arsyeja pse ka hyrë në ekipin e sigurisë së Rugovës.

Dajaku e cilëson të vështirë rrugëtimin e tij pranë presidentit Rugova, pasi shumë njerëz kanë dëshiruar ta shohin të vdekur dhe për këtë kanë organizuar shumë e shumë herë atentate të ndryshme.

Ai për gazetën tregoi detaje të reja për opinionin publik duke cekur që një president si Rugova i mungon skenës politike.

Ndër të tjera ai thekson që drejtësia ka dështuar në Kosovë që të merret me këto krime, që t’i lë me u bind se krimet politike e kanë kokën thellë në institucionet e vendit tonë.

Gjithashtu ish-truproja thekson që ka shpresa se të gjitha krimet do të zbulohen pasi është krijuar edhe gjykata speciale.

Xhevati prej vitesh jeton dhe punon në Gjermani, ku ka shkuar disa vite pas vdekjes së Presidentit. Ai ka vazhduar ngritjen profesionale dhe kjo i është shpërblyer me një vend pune shumë të mirë e profesional.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Si e përkufizoni rrugëtimin e juaj si truproje i presidentit Rugova?

Xhevat Dajaku: Unë e kam patur një rrugë të lodhshme përgjatë gjithë jetës si shumë bashkëkombas, por vështirësitë u bënë shumë më të mëdha me fillimin e luftës në Kosovë. Me përfundimin e luftës iu dhashë jetës private. Vëllai Besimi, i cili u angazhua në mbrojtjen e afërt të Presidentit Rugova, pas një kohe iu bë një atentat në mbrëmje në periferi të Skënderajit, ku mbet i vrarë gazetari dhe luftëtari Bekim Kastrari, u plagos luftëtari i ditëve të para Gani Geci dhe truproja e afërt e Presidentit, Besim Dajaku i cili vdiq në spital prej plagëve të marrura në atë atentat.

Arsyeja që më shtyri që t’i bashkangjitem mbrojtjes së afërt të Presidentit Rugova ishte ky atentat, për t’ia bëri me dije falangave kriminale se nuk do të tërhiqemi dhe nuk do të frikësohemi assesi. Oponentët që filluan për ta kapur shtetin e Kosovës qysh në fillimin e ndërtimit të tij dhe nga frika se po dështonin, përpos rrahjeve, frikësimeve e formave të tjera të pështira, përdornin edhe këtë formë të eliminimit fizik të figurave kombëtare.

Prandaj rrugëtimi u bë për shumë kë jetë a vdekje.

Për këtë ishte rrezik të qëndroje pranë Rugovës në kohën e pas luftës sepse Rugovën e donte populli dhe sigurisht që do ta votonte siç edhe u vërtetua më vonë. Shumë njerëz janë kërcënuar, janë rrahur, shantazhuar edhe janë privuar nga jeta, kemi edhe raste që kanë shpëtuar prej atentateve.

Ata që tentonin ta merrnin pushtetin partizançe me çdo kusht nuk kursenin asgjë derisa ia arritën. Megjithëse nuk i pengonte askush, sot e kësaj dite nuk e kuptoj përse bën aq shumë dëme ku s’kishin asnjë pengesë, por arsyeja e vetme ishte se frikësoheshin që nuk do ta arrinin qëllimin për ta kapur shtetin, dhe filluan që ta frikësonin popullin që ta ndërroj mendjen dhe vullnetin për të votuar ashtu si iu konvenonte kësaj kaste të ekstremit majtist dhe i nxiten grupet kriminale të vepronin dhe sigurisht qëndronin vet pas tyre.

“Bota sot”: Cilat janë disa nga sfidat që mund t’i kujtoni, e të cilat i keni hasur gjatë ushtrimit të kësaj detyre?

Dajaku: Rugova ka qenë seriozisht i kërcënuar, por për shkak të ekipës së mbrojtjes së afërt është parë si i pamundur eliminimi fizik i tij nga kundërshtarët, ashtu siç kemi parë, se asnjë nga personalitetet e kohës të përcjellur nën masën e sigurisë nuk kanë arritur që t'i eliminojnë, d.m.th. ata i përdornin ekzekutues frikacak, të poshtër dhe kriminel të pamëshirshëm, të cilët kanë qëlluar tinëz, të fshehur, në momente kur e kanë ndje veten të pa rrezikuar. Prandaj ata e ndërruan formën e ekzekutimit tradicional, tashmë të njohur dhe filluan të përdornin mjete shpërthyese të kurdisura.

Sa isha në detyrë te presidenti personalisht, kanë ndodhur dy sulme, një me granat dore në oborr të rezidencës që është hedhur natën dhe atentati me tritol tek vendi i quajtur “Sllovenia sport”.

Në momentin e sulmit me tritol kam qenë në makinën përcjellëse para makinës ku ishte Presidenti. Shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm dhe e ka goditur pikërisht makinën e Presidentit, në anën e djathtë në drejtim të lëvizjes dhe për çudi goditja më e madhe ka qenë e fokusuar në pjesën ku ishte ulur presidenti bile në pjesën kraharor e lartë. Vetëm shkalla e lartë e blindimit të makinës ishte siguria që i dha presidentit një shans të dytë që të jetoj.

“Bota sot”: A keni menduar se si ndodhi, që asnjë sulm ndaj presidentit Rugova mos të zbardhet?

Dajaku: Sulmet në të cilat kanë gishtë shërbimet, sado që ato shërbime të jenë të brishta, është vështirë të zbulohen, edhe po të kapet ekzekutori, sepse shërbimet i aplikojnë një sërë masash për çdo lloj veprimi, një prej atyre masave ka qenë edhe eliminimi i ekzekutorëve, siç është rasti tejet i qartë në rastin e Fetah Rudit, këto i dinë më mirë ekspertët e kriminalistikes dhe të hetuesisë.

Për fat të mirë, ka shumë raste në Kosovë ku njerëzit kanë dhënë dëshmi, prova, e kështu me radhë, ndërsa ndërkombëtarët i kanë mbledhur këto fakte e prova të mjaftueshme, bashkësia ndërkombëtare i ka përcjell ngjarjet me vëmendje të shtuar. Vjedhja e dhomave të dëshmive është bërë për të vetmin qëllim, humbjen dhe shkatërrimin e dëshmive, d.m.th. ka dëshmi që rezultojnë të jenë të vërteta mbi ngjarjet kryesisht kriminale gjatë dhe pas përfundimit të luftës. Pra, akterët ose grupet kriminale të fuqishme në rrjetin e pushtetit në Kosovë kanë gisht në tentimin e humbjeve të gjurmëve, thjeshtë organizata famëkeqe që njihet me emrin “SHIK”.

Të gjithë oponentët që emrat e tyre lakohen në raportet e KFOR-it, NATO-s dhe në shërbimet tjera të shteteve që e kishin dhe e kanë nën përkujdesjen e tyre, shtetin tonë, dhe i përmendin me emër e mbiemër, të gjithë ata persona që nuk janë të pakët, pra të gjithë janë të përfshirë në mënyra të dyshimta që është një argument me të shty akoma më shumë të besosh se këta ishin dhe janë nëntoka e krimit.

“Bota sot”: A po vërehet mungesa e presidentit Rugova në skenën politike? A është ndonjë liderë që i përafrohet?

Dajaku: Mungesa e Rugovës vërehet normal, ai ishte një lider i rrallë dhe s’besoj se mund të përsëritet ndonjëherë sidomos për rrethanat dhe kohën kur ishte, mirëpo mendoj në politikën e jashtme për ta promovuar Kosovën më mirë e më bukur se Rugova është e pamundur të gjejmë një të tillë. / Vijon

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat