Buxhovi për “Bota sot”: Nuk negociohet me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ato duhet zbatuar!

Intervista

Buxhovi për “Bota sot”: Nuk negociohet me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ato duhet zbatuar!

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 26 korrik 2022 Në ora: 18:35
Historiani Jusuf Buxhovi

Historiani Jusuf Buxhovi e akuzon klasën e gjithmbarshme politike të vendit për qasje antishtetërore ndaj kushtetutshmërisë, që paraqet shtyllën kryesore të shtetit.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Buxhovi thotë se kredibiliteti i humbur i shtetit kthehet me zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare si dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Buxhovi, bisedimet me Serbinë i sheh të pashmangshme, por të riformatizuara nga ato politike tek teknike, me qasjen e paluhatshme që të përfundojnë me njohje.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z. Buxhovi, si e shihni situatën aktuale politike në Ballkan, pas nisjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në BE?

Jusuf Buxhovi: Në të vërtetë, ky vendim i vonuar, konfirmon se sa herë që BE-ja gjendet përballë ndonjë sfide, siç është ajo e tanishmja e agresionit rus në Ukrainë, që edhe mund të çrregullojë raportet gjeopolitike në hapësirën tektonike të Ballkanit, atëherë bëhen përpjekje që kjo të mos ndodhë. Kështu duhet parë vendimin e fundit të BE-së për nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, që mund të mos përmbushin parashikimet e këtyre vendeve. Ngaqë mund të zgjasin me vite, ose të zvarriten nga i ashtuquajturi “konsensus politik” i cilitdo anëtarë që për arsye të veta, mund ta frenojë anëtarësimin e këtyre vendeve, siç ndodhi edhe me veton bullgare ndaj Maqedonisë. Kjo veto, ose të ngjashme, mund të shfaqen edhe nesër nga Sofja, po qe se ajo nuk do të jetë e kënaqur me “pakon e ndryshimeve kushtetuese”, që prekin çështjet identitare të maqedonasve? Kujtoj se Shqipëria do ta ketë shumë më të vështirë procesin negociues, meqë përballet me probleme të mëdha politike dhe me ato të krimit të organizuar në nivelet më të larta, ku hipoteka e vendit të narko-mafisë dhe e një baze të islamit radikal politik në rajon, e ngarkojnë së tepërmi.

“Bota sot”: Pse i kërkohet Kosovës të heq dorë, nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa i bëhet trysni për zbatimin e një vendimi me shumë parregullsi ligjore për manastirin e Deçanit?

Image
Manastiri i Deçanit

Jusuf Buxhovi: Nuk më ka rënë të shoh diku që Kosovës po i kërkohet që kjo çështje të zgjidhet jashtë përkufizimit kushtetues, meqë Asociacioni është kategori kushtetuese. Edhe SHBA-të, edhe BE-ja, kërkojnë zbatim dhe jo zvarritje të kësaj çështje, që është dashtë të zgjidhet shumë më herët në përputhje me Kushtetutën, pra pa kompetenca ekzekutive. Pse kjo nuk ka ndodhë dhe tash sillemi poshtë e përpjetë me këtë barrë të panevojshme, duhet fajësuar klasën politike që këtë çështje e ka politizuar pa nevojë, por edhe ngurrimin e panevojshëm të Qeverisë së tanishme që asaj të mos i japë përgjigjen e duhur.

Edhe çështja e manastirit të Deçanit po ngatërrohet qëllimisht nga ata që pikërisht problemin e kanë shkaktuar dhe kanë ndikuar që Gjykata Kushtetuese të sjell vendim të plotfuqishëm. Pra, fajin pse Gjykata Kushtetuese i ka dhënë “të drejtë” Manastirit të Deçanit rreth pronave, që ia kishte dhënë Millosheviqi me pa të drejtë, lidhet me mungesën e mbrojtjes juridike nga ana e Komunës së Deçanit para Gjykatës, në përputhje me afatin e caktuar. Kjo nuk është bërë! Po qe se do të kishte një hetim juridik, do të merrej vesh pse nuk u respektua afati ligjor i mbrojtjes juridike nga ana e Komunës së Deçanit dhe cilët ishin faktorët që e penguan këtë? Në vend të kësaj, sot kemi shfrime të ndryshme patetike, që mjegullojnë çështjen, kur ajo është shumë e qartë.

“Bota sot”: A mendoni se një manastir, që zë dhjetëra hektarë tokë, duhet ta pengojë shtetin që të mos kalojë asnjë rrugë e rëndësishme andej pari? Që në manastire të ndalohen hulumtimet arkeologjike dhe studime të tjera nga studiues shqiptarë dhe të tjerë, siç ngjet në të gjitha objektet që konsiderohen të kultit ortodoks serb?

Jusuf Buxhovi: Shtruarja e kësaj çështje në këtë mënyrë, ka të bëjë me pasojat, që gjithsesi se janë evidente, por që lidhen me shkakun, pra, siç u tha, me sabotimin e mbrojtjes juridike nga ana e faktorëve komunalë, po edhe atyre politik mbi ta, që nuk kanë përmbushur kriteret e Gjykatës Kushtetuese, e cila në mungesë të tyre, i ka dhënë të drejtë padisë private të Sava Janjiqit pa shqyrtim juridik. Në kuadër të këtij ngatërrimi të qëllimshëm të politikës sonë me rastin, që nuk duhet parë të shkëputur nga pakoja e Ahtisarit dhe statusi i eksterritorialitetit të manastireve ortodokse, që i janë dhuruar Kishës Ortodokse Serbe, qeveria e tanishme, kësaj problematike t’i qaset me realizëm politik dhe jo me refuzim, mbase njëfarë “zgjidhjeje” duhet kërkuar në bashkëbisedim me Manastirin e Deçanit, që pronat “mollë sherri”, të kthehen në një “park nacional” për të gjithë banorët e kësaj pjese. Kjo ide mund të gjente përkrahje edhe te faktori ndërkombëtar.

“Bota sot”: Manastiri i Deçanit ka kërkuar mbrojtjen nga KFOR-i, pasi konsideron se s’ka siguri stabile për popullin serb në Kosovë. Si e shihni ju këtë?

Jusuf Buxhovi: Pse Manastiri i Deçanit kërkon “mbrojtje” nga KFOR-i, këtë duhet kuptuar si strategji të Kishës ortodokse serbe që të luajë rolin “e viktimës” nga “zullumi arnaut”, siç ka vepruar edhe në të kaluarën, ndonëse ajo prej shekujsh është mbrojtur nga “vojvodët” shqiptarë, të dekoruar madje edhe nga shteti pushtues serb në vitin 1913. Me këtë slogan, që ndërkombëtarët e dinë se nuk është e vërtetë, meqë ata prej kohësh atë e mbrojnë madje në dëm të hapjes dhe të shfrytëzimit të tij si objekt fetar për të gjithë besimtarët e krishterë pa përjashtim, Janjiqi ia ka dalë që manastirin e Deçanit ta kthejë në një qendër pelegrinazhi të faktorëve politikë europianë, që shfrytëzohet për qëllime politike ndaj qeverisë së Kosovës për ta vu në jetë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo taktikë do të shfrytëzohet edhe më shumë për ta treguar Kosovën si një vend ku nuk respektohet shteti juridik, madje as vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Bota sot”: Trashëgimia ortodokse në Kosovë është edhe e shqiptarëve, të cilët padyshim konsiderohen populli më i lashtë, së paku prej 5- mijë vjetësh, dhe autokton. Një pjesë e madhe e serbëve në Kosovë janë shqiptarë të asimiluar, pikërisht nga masat e dhunës dhe pushtimit, mbi 100 vjeçar?

Jusuf Buxhovi: Po qe se do të merreshin parasysh argumentet historike dhe ato etnike dhe kulturore, veçmas ato të sferës shpirtërore, ku krishterimi nga zanafilla, pra nga zyrtarizimi i tij në shekullin IV nga perandori Konstandin i Madh, është fundament i përkatësisë së tij shpirtërore dhe kulturore, atëherë Kosova nuk do të vinte në këtë gjendje. Por, në bisedimet e Vjenës, grupi punues prej 24 intelektualëve (historianë, arkeologë, politologë, etnologë e të tjerë), nga trysnia politike, po më shumë nga mungesa e kredos së tyre profesionale dhe hesapi i përfitimeve të ndryshme personale të shumë prej tyre, tapitë e krishterimit ortodoks, ia dhuroi Kishës Ortodokse Serbe! Në dy anekset e pakos së Ahtisarit, kishës ortodokse iu njoh “e drejta” e trashëgimisë së krishterë, e me këtë edhe e objekteve kishtare të krishterimit të përbashkët, që i takonin edhe një pjesë e mirë e shqiptarëve të Dardanisë. Pra, në vend se këto objekte kishtare, të trajtohen si pasuri kulturore e Kosovës, ato iu dhuruan Serbisë, të cilat, ajo i kishte pushtuar me luftëra nga viti 1912 e këndej.

“Bota sot”: A duhet që të ketë një kishë autoqefale ortodokse të Kosovës, dhe të mos ketë asnjë varësi nga Kisha serbe?

Buxhovi: Çështja e kishës autoqefale ortodokse të Kosovës ka mund të shtrohet para se të aprovohej pakoja e Ahtisarit, dhe madje me të drejtë, kur dihet se pjesë e gjenocidit ndaj popullatës shqiptare që u ushtrua pas pushtimit të saj në vitin 1912, ishte edhe konvertimi i dhunshëm i popullatës ortodokse shqiptare dhe asaj maqedonase në Kosovë dhe Maqedoni në serbë. Kështu, ndodhi që shqiptarët ortodoksë në Kosovë (në Prizren, Gjakovë, Mitrovicë, në rrethinë të Prishtinës, Pejë dhe pjesët tjera, ndonëse si pakicë) të kthehen në serbë! Ka shumë banorë të katundeve në pjesën e Vitisë, që së voni po deklarohen shqiptarë ortodoksë, siç po ngjet edhe në Maqedoni, në pjesën e Pollogut dhe të Manastirit. Ideja e kishës autoqefale ortodokse të Kosovës nuk duhet përjashtuar. Por, kjo varet nga rrethanat politike dhe ato kulturore që do t’ia mundësonin faktorit ortodoks shqiptar të asimiluar dhunshëm në serbë pas vitit 1912 të deklarohen për një gjë të tillë. Shfaqja e ndonjë komuniteti ortodoks shqiptar, sado i vogël të jetë, do t’i hapte rrugë themelimit të Kishës auteqafale ortodokse të Kosovës.

“Bota sot”: Pse ka kaq shumë trysni ndaj Kosovës, e cila ka bërë shumë lëshime në Vjenë, pastaj në Bruksel, ndërsa Serbia nuk është goditur fare për krimet e kryera. Serbia ka bërë disa gjenocide përfshirë të fundit ndaj shqiptarëve?

Jusuf Buxhovi: Nuk mund të thuhet se ka munguar qasja kritike ndaj Serbisë dhe e dënimit ndërkombëtar rreth krimeve të luftës së fundit gjatë shkatërrimit të ish-Jugosllavisë dhe të atyre në Kosovë në veçanti. Siç dihet, Serbia për këtë, në pranverën dhe verën e vitit 1999 është bombarduar nga NATO-ja dhe, më 12 qershor të atij viti, njësitë e saj policore dhe ushtarake janë detyruar të largohen nga Kosova me çka, me Rezolutën 1244 Kosova është futur nën protektoratin ndërkombëtar që përfundoi më 17 shkurt 2008 me Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Udhëheqja e gjithmbarshme e Beogradit nga Millosheviqi, kryetari i qeverisë serbe, gjeneralët dhe pjesa tjetër e aparatit policor-ushtarak serb, duke përfshirë edhe politikanë të lartë, kanë përfunduar në gjykatën ndërkombëtare të Hagës. Pos Millosheviqit, që ka vdekur atje, shumica e tyre janë dënuar për krime të kryera në Kosovë. Kjo duhet të kihet parasysh kur flitet për këto çështje, veçmas për vlerësimet kuturu që së voni janë shtuar si shumë te ne se “po dënohen shqiptarët, pra viktimat, ndërsa vrasësit po amnistohen”!

Çështja e trysnisë ndaj Kosovës, ka të bëjë me atë se Kosova është shtet që u krijua me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, atij perëndimor si interes gjeostrategjik, ku vendet e BE-së patën rol tejet të rëndësishëm në gjithë këtë proces. Kosova, pra si shtet, është paraparë të jetë një demokraci evropiane dhe pjesë e konceptit të demokratizimit dhe të paqësimit të rajonit. Shikuar nga ky aspekt, Kosova është në vëzhgim të përhershëm evropian, meqë ajo shfaqet donatorja kryesore e saj. Pra, këtu duhet dalluar qasjen e BE-së ndaj Serbisë dhe ndaj Kosovës. Kundërmimi i njëanshëm, në vend të një shikimi kritik ndaj politikanëve tanë që kanë pas për detyrë ta stabilizojnë shtetin e Kosovës në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe kanë vepruar për të kundërtën, shton mosbesimin evropian ndaj rrumbullaksimit të këtij procesi, gjë që ashpërson edhe dioptrinë e kushtëzimeve. Natyrisht se qytetarët e Kosovës, të mbërthyer në një geto, pësojnë nga kjo zvarritje. Por, ata duhet ta dinë se një pjesë të madhe të fajit për këtë gjendje e kanë politikanët e Kosovës, që për afër dy decenie, me kriminalitet, nepotizëm, korrupsion dhe veprimet tjera shtetin e kanë kthyer në pronë të veten, në një feud, që atë e largon nga koncepti i demokracisë dhe vlerave të qytetërimit perëndimor.

“Bota sot”: A mendoni se një ditë BE-ja, duhet ta dënojë gjenocidin serb ndaj shqiptarëve, diçka ngjashëm siç bëri të paktën me atë në Srebrenicë?

Buxhovi: Ndaj gjenocidit serb, vendet kryesore të Evropës, në kuadër të NATO-s hodhën bomba ndaj Serbisë dhe soldateskës së saj vrastare në Kosovë dhe e çliruan atë nga pushtimi i Beogradit. Nuk ka gjykim më të madh se ky. Gjë që me rezoluta nuk do të arrihej kjo.

“Bota sot”: A duhet të kushtëzojë Kosova procesin e dialogut me Serbinë, derisa të ndodhë liberalizimi i vizave?

Jusuf Buxhovi: Dialogu nuk duhet të kushtëzohet me liberalizimin e vizave, sepse kjo do ta bllokonte normalizimin midis dy vendeve dhe po ashtu, do ta konfrontonte Kosovën me aleatët tanë kryesorë që po e kërkojnë këtë prej kohësh në mënyrë që Ballkani Perëndimor të integrohet në strukturat evropiane dhe ato veri-atlantike, ku Kosova si shtet siguron ekzistencën e vet. Çështje tjetër është qasja ndaj dialogut, që duhet të ndryshojë nga ajo e deritanishmja, me plot e përplot improvizime, lëshime shpesh të qëllimshme dhe gabime që Kosovën e kanë sjellë në pozitë të pabarabartë, ndërkohë Serbinë e kanë kthyer politikisht në Kosovë deri aty sa ajo të ndikojë edhe stabilizimin e saj të brendshëm. Qeveria e tanishme, në bashkëpunim me aleatët tanë veçmas me SHBA-të, duhet ta formatizojë dialogun në mënyrë që të fokusohet te pozita e pakicës serbe në Kosovë dhe integrimi i tyre në jetën shoqërore dhe politike të vendit e deri te ato që duhet të përfundojë me njohje, siç po kërkojnë edhe SHBA-të. Megjithatë, qeveria e tanishme duhet ta dijë se marrëveshjet e nënshkruara dhe të ratifikuara në parlamente janë të pakthyeshme. Ato duhet zbatuar. Nuk ka kurrfarë arsye që qeveria e tanishme të bllokojë procesin shkaku i marrëveshjeve të kaluara të ratifikuara në parlamentin e Kosovës. Përkundrazi, duhet t’i zbatojë gjithnjë duke vu në spikamë si trashëgimi e qeverisjes së kaluar, mbi të cilat bie përgjegjësia.

“Bota sot”: Qeveria e Kosovës po vazhdon të refuzojë pjesëmarrjen në nismën “Ballkani i hapur”, pasi Serbia nuk e njeh Republikën ende si shtet. Cili është mendimi juaj për këtë?

Jusuf Buxhovi: Qeveria e Kosovës nuk guxon të jetë refuzuese ndaj çfarëdo nisme rajonale që synon integrimin e saj në strukturat evropiane dhe atlantike, e as të refuzojë bisedimet me këdo. Kur jemi te “Ballkani i hapur”, duhet bërë dallimi midis një projekti të njëanshëm, që do t’i shkojë për shtati Serbisë, për ta kthyer në faktor rajonal dhe një projekti siç ishte ai i Berlinit, për integrimin e gjithmbarshëm ekonomik dhe politik të Ballkanit Perëndimor në kuadër të BE-së. Koncepti i Berlinit është gjithëpërfshirës dhe duhet përkrahur. Ndërsa, ai “Ballkanit të hapur” pa faktorët e gjithmbarshëm të Ballkanit Perëndimor (Kroacinë, Slloveninë, Malin e Zi dhe Kosovën), është i mangët, i njëanshëm dhe, mbi të gjitha, i papranueshëm për Kosovën, ngaqë edhe në parimet hyrëse, që amerikanët i kanë mbështetur, kërkohet që të gjitha vendet që do të përfshihen në çfarëdo nisme rajonale, duhet të jenë të barabarta. Në “Ballkanin e hapur”, Kosova shihet pjesë e Serbisë! Të kota janë disa arsyetime se fjala është vetëm “për nisma ekonomike”. Nëse ato nuk respektojnë sovranitetin shtetëror, dihet se çfarë paraqesin.

“Bota sot”: Cilat janë shkaqet që po i shtyjnë të rinjtë të largohen nga Kosova, a po dështon qeveria e Albin Kurtit të “rikthejë shpresën”, apo ky është një proces normal?

Jusuf Buxhovi: Fjalës “largim” i shkon ajo “ikje” nga Kosova, që nënkupton edhe faktorët që e determinojnë këtë fenomen sa të dhimbshëm po aq tragjik për Kosovën, që duhet kërkuar para së gjithash te keqqeverisja e vendit gjatë këtyre njëzet vjetëve nga strukturat politike nga radhët e LDK-së, PDK-së dhe AAK-së. Këto tri parti, bartin përgjegjësi historike pse shteti i Kosovës nuk është kthyer në interes të qytetarëve të tij; pse shtetit të Kosovës i mungon liria dhe demokracia; pse Kosovës i janë rrënuar thuajse të gjitha shtyllat e sistemit nga ato të arsimit (ku shiten diploma të te gjitha niveleve), të shëndetësia e dehumanizuar skajshmërisht, të mungesës së shtetit ligjor (autoriteti i të cilit ka rënë në duar të grupeve kriminale dhe mafioze dhe bosëve të paprekshëm ndaj çfarëdo përgjegjësie ligjore), fenomene këto që pastaj kanë instaluar korrupsionin, nepotizmin, kriminalitetin, që ka përfshirë thuajse të gjitha mekanizmat institucional e shumë e shumë veprime që shtetin e kanë kthyer në plaçkë të grupeve të caktuara politike të lidhura me krimin e organizuar dhe mafinë.

Në këso rrethana, kur mungon ardhmëria, kur nuk funksionon shteti i ligjit, kur milionerët dhe bijtë e tyre për të keq dominojnë jetën shoqërore dhe politike, kur i vetmi punësim shfaqet militantizmi politik, atëherë, të rinjtë, e dëshpëruar me çlirimin që nuk është kthyer në liri të plotë për të gjithë me vlera jetësore, por për ata që kanë kapë pushtetin dhe sillen si despot, ikin nga vendi dhe me të drejtë madje.

Kur flitet për ikjen e të rinjve nga Kosova dhe shpopullimin e saj me pasoja tragjike në rrethanat kur kemi shtetin e Kosovës si kornizë të qenies shoqërore dhe kulturore, pra kur fati i tij është në duart tona dhe jo në ato të pushtuesve siç ishte nga viti 1912-1999 kur ata përdornin metodat policore-ushtarake dhe shtetin për etnicitet dhe kulturocitet (shpërnguljen për në Turqi midis dy luftërave botërore dhe në vitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar në përputhje me elaboratet e Çubrilloviqit), nuk ka si të mos hapet çështja e përgjegjësisë së atyre faktorëve të brendshëm që ndikuan këtë katrahurë historike, së cilës do t’i paguhet çmim i madh!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat