Ndikimi rus në Serbi po rritet fuqishëm / Arifi kundërshton “Ballkanin e hapur” - ka një thirrje për Ramën

Intervista

Ndikimi rus në Serbi po rritet fuqishëm / Arifi kundërshton “Ballkanin e hapur” - ka një thirrje për Ramën

Arife Morina Nga Arife Morina Më 8 gusht 2022 Në ora: 21:49
Nagip Arifi

Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit vazhdojnë të përballen me probleme dhe mosrespektim të të drejtave të tyre nga Serbia.

Në lidhje me problemet, sfidat dhe të arriturat në komunën e Bujanocit, në një intervistë për gazetën “Bota sot” foli kryetari Nagip Arifi.

Krahas kësaj, Arifi foli edhe për bashkëpunimin me dy komunat e Kosovës, Gjilan dhe Kamenicë, ku edhe kufizohet me këto dy komuna.

Ajo çfarë e shqetëson atë është fakti se qeveria e Serbisë nuk investon në projekte madhore që ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e punësimit në këtë komunë.

Arifi foli edhe për ndikimin rus në Beograd dhe bashkëpunimin Serbi-Rusi.

“Për shkak të lidhjeve tradicionale që ka me Rusinë, ndikimi rus gjithmonë ka qenë prezent në Serbi. Është për t’u brengosur se kohëve të fundit ky ndikim po rritet edhe më tej...”, theksoi ai.

Në fund, komentoi edhe bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel, ku u shpreh skeptikë për njohjen e pavarësisë së shtetit tonë nga ana e shtetit serb.

Intervista e plotë:

Gazeta “Bota sot”: Cilat janë sfidat me të cilat përballet sot Bujanoci?

Nagip Arifi: Ka një kohë të gjatë që Bujanocin e përcjellin shumë sfida, kryesisht ato janë të natyrës politike. Çështja e pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë po ndikon drejtëpërdrejt edhe te qytetarët tanë, sidmos ata shqiptarë. Përveç problemeve politike, si ajo e pasivizimit të adresave të shqiptarëve me qëllim të ndryshimit demografik në Bujanoc, ajo e mosnjohjes së diplomave nga Republika e Kosovës e mos integrimi i shqiptarëve në organet shtetërore, viteve të fundit Bujanoci, dhe jo vetëm, po përballet edhe me ikjen masive të të rinjve në drejtim të Gjermanisë. Edhepse ky fenomen po ndodhë pothuajse në tërë Ballkanin, në Bujanoc kjo po ndjehet më shumë, kur dihet se migrimit po i ndihmon në masë të madhe mos zhvillimi ekonomik, mosnjohja e diplomave të Republikës së Kosovës, mos integrimi i shqiptarëve në organet shtetërore e kështu me radhë. Si pasojë, edhe ato biznese që po operojnë në Bujanoc po mbeten pa fuqi të kualifikuar të punëtore.

“Bota sot”: A keni bashkëpunim me institucionet shtetërore në Kosovë, përfshirë edhe kryetarët e komunave?


Nagip Arifi: Meqë, Bujanoci është komunë, e cila kufizohet me dy komunat e Kosovës, Gjilanin dhe Kamenicën, kryesisht me këto dy komuna bashkëpunimi me kryetarët e tyre është më i ngushtë, duke mos i harruar edhe të tjerët. Kohëve të fundit së bashku me kryetarin e Gjilanit dhe Kamenicës kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës për të na lehtësuar masat në qarkullimin e lirë të qytetarëve në vendkalimet kufitare Karaçevë – Breznicë dhe Pogragjë – Dobrosin për një periudhë të caktuar, derisa i kemi bashkatdhetarët tanë në vendlindje. Gjithashtu, vitin e kaluar me komunën e Kamenicës kemi realizuar edhe projektin e ndërtimit të një ure që lidhë dy komunat tona. Pra, në përgjithësi bashkëpunimi është në nivel.

“Bota sot”: Sa po pengohen projektet e juaja në komunën e Bujanocit nga autoritetet qendrore në Beograd?

Nagip Arifi: Realisht, projektet komunale nuk pengohen nga autoritetet qendrore në Beograd. Të gjitha ato që ne i planifikojmë me buxhetin tonë i realizojmë. Mirëpo, shqetësues është fakti se qeveria në Beograd nuk investon në projekte madhore që ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e punësimit. Ajo është pothuajse e painteresuar që ta zhvillojë këtë pjesë, ku të gjitha investimet strategjike përfundojnë në Vrajë, një qytet me largësi prej 15 km nga Bujanoci. Investitorët potencial që do të ndikonin në mirëqenien e qytetarëve tanë ndalen pra në Vrajë.

“Bota sot”: A mendoni se dy shtetet shqiptare, Kosova dhe Shqipëria po bëjnë mjaftueshëm për shqiptarët në Serbi?

Nagip Arifi: Nuk jemi të kënaqur me angazhimin e dy shteteve tona në këtë drejtim. Derisa Kosova ka bërë disa lëvizje në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Luginë, e cila ka aprovuar në Kuvend buxhetin prej 2 milionë eurove për komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, që realisht deri në këto momente ka mbetur vetëm në letër, nga ana tjetër Shqipëria është pothuajse e painteresuar. Mendoj, se në situatën që jemi, duka i parë rrethanat që janë krijuar, nga Kosova presim që të përdor parimin e reciprocitetit me Serbinë. Kjo është ajo që për momentin mendoj se mund të na kishte ndihmuar, kurse për Shqipërinë mendoj se ka mundësi të na dalë në ndihmë shumë më shumë se Kosova. Po shohim raporte të mira me kryeministrit Rama dhe presidentit Vuçiq, dhe jam i mendimit që z. Rama duhet ta shfrytëzoj këtë raport në dobi të shqiptarëve të Luginës.

“Bota sot”: Si është situata aktuale në Serbi pas zgjedhjeve, nga këndvështrimi i juaj prej aktivisti dhe zyrtari të shqiptarëve në Kosovën Lindore, a ka ndonjë ndryshim apo pritet të vazhdojnë politikat e luftës, kërcënimet ndaj Kosovës, aleanca e parë me Rusinë, pastaj me Perëndimin e Kinën?

Nagip Arifi: Sa i përket skenës politike dhe akterëve kryesor politik në Serbi, nuk mendoj se do të ketë ndryshime. Janë pothuajse personat e njëjtë që do ta udhëheqin Serbinë edhe këtë mandat. Pres që presioni që do të bie mbi presidentin Vuçiq rreth sanksioneve ndaj Rusisë dhe zgjidhjes së problemit me Kosovën, do ta detyrojë atë të provokojë situatën. Do të tentojë që këtë ta bëjë përmes serbëve në veri të Kosovës, e nëse atje dështon, pastaj do të mund të fillojnë provokimet edhe në Luginë të Preshevës.

“Bota sot”: A mendoni se një qeveri e re, me president Vuçiqin, ia del që ta kthejë Serbinë në rrugën perëndimore apo Serbia do ta vazhdoj diplomacinë e deritashme, nëse e toleron Perëndimi, me Rusinë, me oksidentin dhe me Kinën?

Nagip Arifi: Bashkësia ndërkombëtare e ka kuptuar politikën me standarde të dyfishta që po udhëheq z.Vuçiq. Mendoj se ka ardhur koha që Serbia të qartësojë pozicionin e saj. Për shkak lidhjeve historike që ka me Rusinë, do të jetë e vështirë që Serbia t’ia kthejë shpinën, por në fakt ajo është shumë e varur nga Perëndimi në aspektin ekonomik. Prandaj, është koha e fundit që qeveria e re të orientohet pro perëndimit, përndryshe Serbinë do ta presin sanksione të ngjashme me ato të viteve të 90’ta.

“Bota sot”: Sa po ia arrini që t’i artikuloni para Perëndimit, të gjitha shkeljet, diskriminimet që i ndodhin shqiptarëve në Serbi, si në aspektin e të drejtave elementare (humbja e shtetësisë), ekonomike (mungesa e investimeve), humbja e perspektivës për jetë atje etj.?

Nagip Arifi: Pothuajse çdo takim me ndërkombëtarët fillon me shtjellimin e problematikës së pasivizimit të adresave, mosnjohja e diplomave të Kosovës, mungesa e investimeve në zhvillim ekonomik si dhe probleme tjera që na preokupojnë. Dhe deri më sot kemi arritur që ta sensibilizojmë edhe opinionin ndërkombëtar për këto çështje, e si rrjedhojë kemi edhe disa raporte ndërkombëtare ku flasin për gjendjen diskriminuese të komunitetit shqiptar që jeton në Serbi.

“Bota sot”: Lufta në Ukrainë ka bërë bashkë pothuajse të gjitha shtetet botës duke i dal kundër Rusisë dhe duke i vendosur sanksione. Por, këtë gjë nuk po e bën Serbia. A do duhej të merreshin masa për këtë gjë?

Nagip Arifi: Serbia, e cila ka hapur disa kapituj për t’u anëtarësuar në BE, mendoj se nuk mund të ulet më në dy karrige. Këtë gjë shumë mirë është duke e vëzhguar edhe Perëndimi, i cili në një të afërme të afërt do të merr masa ndaj këtyre qëndrimeve pro ruse të Beogradit zyrtar. Serbia, e cila synon anëtarësimin në familjen e madhe të BE-së, dhe e cila përfiton fonde po nga kjo familje, me doemos duhet të rreshtohet pro Perëndimit dhe duhet t’i vendosë sanksione Rusisë.

“Bota sot”: Si e komentoni ndikimin rus në Ballkan, veçanërisht në Beograd?

Nagip Arifi: Siç e ceka edhe më herët, për shkak të lidhjeve tradicionale që i ka me Rusinë Serbia, ndikimi rus gjithmonë ka qenë prezent në Serbi. Është për t’u brengosur se kohëve të fundit ky ndikim po rritet edhe më tej, ku së fundmi po flitet se televizioni shtetëror rus ‘’Russia Today’’ do të shtrihet edhe në Serbi. Ky televizion është ndaluar të operojë në shtetet e BE-së për shkak se po nxit përkrahjen e agresorit rus në Ukrainë.

“Bota sot”: Krahas kësaj, shteti serb po tenton në çfarëdo mënyre ta jetësojë “Ballkanin e hapur”, a duhet që Shqipëria të heq dorë nga ky projekt i Vuçiqit, pasi ky i fundit nuk po e pranon ende Kosovën?

Nagip Arifi: Për Ballkanin e hapur mendoj se duhet një diskutim shumë i gjerë publik. Ka filluar si një proces jo transparent, dhe si i tillë mund të ngjallë dyshime. Po të ishte vetëm në nivelin ekonomik, do të jetë në rregull. Por, fakti që Serbia nuk e njeh Kosovën, dhe si të tillë e anashkalon atë, mendoj se përveç aspektit ekonomik, këtu Serbia dëshiron të përfitojë edhe politikisht karshi Kosovës. Prandaj, çdo iniciativë që e dëmton shtetin e Kosovës, Shqipëria duhet ta injorojë.

“Bota sot”: Si e shihni ju epilogun e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga perspektiva juaj, çfarë mund të ndodhë?

Nagip Arifi: Nuk mendoj se zgjidhja është afër. Përkundër presionit që mund të ketë Serbia nga Perëndimi për njohje reciproke, me akterët aktual politik në Serbi, vështirë se mund të ndodhë. Por, të paktën shpresoj që nga dialogu që po zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë të ketë lehtësira për qytetarët, si në lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave, të ketë lehtësira në shkollim, e në zhvillim ekonomik dhe në aspekte tjera shoqërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat