Peci: Kosova nuk do të pranohet në këtë fazë në OKB

Intervista

Peci: Kosova nuk do të pranohet në këtë fazë në OKB

Më: 20 shtator 2022 Në ora: 16:25
Lulzim Peci

Aplikimi eventual për anëtarësim i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) është i parakohshëm, dhe kjo nuk do të ndodhë në këtë fazë. Kështu thotë në një intervistë për Radio Kosovën Lulzim Peci, drejtor Ekzekutiv i Institutit Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave- KIPRED.

Ai thotë se njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia, duhet të bëhet në të njëjtën kohë edhe me njohjen e shtetit të Kosovës nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Sot është mbledhja e radhës e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Është paralajmëruar që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mund të bëjë kërkesë për Anëtarësim të Kosovës në OKB.

Lulzim Peci: Unë mendoj që kërkesa e Kosovës për anëtarësim në OKB, është e parakohshme, sepse kjo kërkesë duhet t’i dorëzohet Sekretarit Gjeneral të OKB-së dhe pastaj kjo duhet të procedohet në Këshill të Sigurimit të OKB-së, për aprovim. Në rastin më të mirë, kjo kërkesë nuk do të procedohet më tutje, ndërsa në rastin më të keq, atë mund ta refuzojë KS të OKB-së, për shkak të vetos ruse dhe asaj kineze.

Serbia është duke pretenduar dhe  paralajmëruar tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga disa vende. A njeh politika ndërkombëtare praktika të tillë të tërheqjeve?

Lulzim Peci: Kjo nuk është një praktikë e zakonshme në marrëdhëniet ndërkombëtare, por raste të tilla kanë ndodhur edhe më herët, jo vetëm me Kosovën, por edhe me vende të tjera.

A mund të flitet për ngrirje të raporteve apo tërheqje të njohjes së pavarësisë?

Lulzim Peci: Njohja është akt politik. Edhe pse tërheqjen e njohjes nuk e njeh praktika e marrëdhënieve ndërkombëtare, pra nuk është normë ndërkombëtare, mirëpo në praktikë kjo ka ndodhur, dhe jo vetëm me rastin e Kosovës, por edhe me vendet e tjera.

Kosova që nga viti 2020 nuk ka pranuar asnjë njohje ndërkombëtare. Cila duhet të jetë qasja e diplomacisë kosovare në këtë drejtim, a duhet të jetë të themi, më “agresive” diplomacia kosovare?

Lulzim Peci: Shumica e njohjeve që i janë bërë Kosovës, kanë ndodhur për shkak të  ndihmës së madhe që e kemi marrë nga aleatët kyçë, siç janë SHBA-ja, Turqia, Britania e Madhe, Franca. Lobimi i  diplomacisë kosovare është mjaft i vobektë për të mundur të shtyjë njohje të reja në kohën e tanishme. Tani është një kohë kur fokusi i bashkësisë ndërkombëtare dhe miqve tanë është në zgjidhjen e problemeve më Beogradin. Dhe tani për tani agjendat e tyre nuk janë në rritjen e  njohjeve  për Kosovën. 

Kur po flisni për të bërë zgjidhjen e problemeve në Beograd, po mendoni që të largohet Serbia nga ndikimi i Rusisë, sidomos tani pas zhvillimeve në Ukrainë?

Lulzim Peci: Jo domosdoshmërishtë. Ajo është njëra prej dimensioneve të angazhimit të Perëndimit, por, puna kyçe këtu është arritja e marrëveshjes  përfundimtare me Serbinë.

Në media këto ditë ka qarkulluar një “kornizë e re” e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Është përmendur opsioni i dy Gjermanive , a është model adekuat për Kosovën?

Lulzim Peci: Krejt këto negociata, ky dialog që do të mbahet, mendoj që janë të fokusuara në njohje, mirëpo problemi qëndron a do të jetë njohje eksplicite dhe vendosje e marrëdhënieve të plota diplomatike me Serbinë, apo njohje implicite, diçka e stilit të dy Gjermanive, pra e pranimit të ekzistencës së shtetit të Kosovës. Në këto dy pika qëndron edhe çelësi i kësaj çështjeje. Me njohje eksplicite në kombinim janë edhe pesë vendet e BE-së, sepse pa njohjen e tyre, njohja implicite prej Beogradit nuk ka kurrfarë kuptimi për Kosovën, edhe do të jetë në kundërshtim me interesat e Kosovës, sepse ne do të mbetemi të bllokuar ndërkombëtarisht edhe më tutje.

Ku  qëndron  Kosova në raport me obligimet ndërkombëtare që i ka marrë për themelimin e Asociacionit  të Komunave me Shumicë Serbe?

Lulzim Peci: Mendoj që Qeveria e Kosovës refuzimin nuk e ka në rregull, sepse çështja e Asociacionit nuk lidhet më marrëveshjen përfundimtare. Kosova ka obligim ndërkombëtar që ta zbatojë atë. Mirëpo, unë mendoj që është edhe në interes të Kosovë, që ajo të bëhet me pakon përfundimtare të marrëveshjes me Serbinë, sepse këtu është një çështje shumë me rëndësi e që nëse ka vullnet politik, kjo marrëveshje mund të arrihet brenda muajve  në vijim, brenda gjashtë muajve. Dhe në këtë rast nëse arrihet marrëveshja, në të cilën domosdoshmërishtë do të jetë edhe Asociacioni i Komunave, atëherë besoj që edhe ky problem do të tejkalohet. Momentalisht Kosova nuk ka gjasë të hyjë në OKB, sepse Rusia nuk do ta pranojë atë. Për neve çështje kyçe është njohja nga pesë vendet e BE-së, sepse njohja nga këto pesë vende, me njohje eksplicite, apo njohje implicite të Serbisë, Kosovës do t’i  hapej rruga komplet për hyrje në BE dhe NATO, meqenëse për anëtarësim në këto dy institucione nuk duhet anëtarësi në OKB. Anëtarësimi në OKB mund të lihet për një fazë të mëvonshme. 

Cilat janë gjasat që Kosova këtë vit të pranohet në Këshill të Evropës?

Lulzim Peci: Gjasat janë mjaft të mira momentalisht, mirëpo duhet të bëhen edhe disa punë para se të kryhet ky proces. Së pari, Këshilli i Evropës do të bëjë edhe një vlerësim të plotësimit të kushteve nga ana e Kosovës. Neve këtu do të na dalin disa probleme, p.sh i zbatueshmërisë së ligjit. Këtu një prej çështjeve kyçe do të jetë çështja e Manastirit të Deçanit, vendimi që nuk është zbatuar deri tani. Kështu që në rrethana ndërkombëtare, gjasat janë shumë të madha pas përjashtimit të Rusisë nga KE, mirëpo janë edhe disa çështje të brendshme që duhet të rregullohen që të jemi të sigurt që e kemi rrugën e hapur.

Cilat janë shanset që Kosova , këtë vit të marrë vendimin për liberalizim të vizave nga ana e Bashkimit Evropian?

Lulzim Peci: Mendoj që kjo sivjet do të ndodhë, meqë Franca e ka ndryshuar  qëndrimin dhe nuk besoj që pritet ndonjë problem i madh. Nuk është tani problemi politik, tash është çështje procedurale brenda BE-së.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat