Analistja nga Gjermania: BE i di pasojat e Asociacionit, por Kosova do të jetë e detyruar ta implementojë

Intervista

Analistja nga Gjermania: BE i di pasojat e Asociacionit, por Kosova do të jetë e detyruar ta implementojë

Nga: Naile Ejupi Më: 26 nëntor 2022 Në ora: 07:59
Foto ilustrim

Analistja në Gjermani, Vjollca Hajdari, thotë se Kosova do të jetë e detyruar të implementojë asociacionin dhe se BE-ja e ka të qartë se çfarë pasoja mund të na servojë “Zajednica”, por ky fakt nuk e pengon atë.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën ““Bota Sot””, Hajdari duke folur rreth planit franko-gjerman dhe pse Serbia nuk e ka pranuar atë, ajo shprehet se kjo e fundit është aq e llastuar dhe e përkëdhelur nga BE-ja sa që për të çdo gjë që ka të bëjë me Kosovën është e papranueshme.

Sipas saj, plani franko-gjerman nuk e ka objektiv pavarësinë e plotë të Kosovës dhe fatkeqësisht Kosova është në pozitën e palës në disavantazh që detyrohet të përpijë çdo pilulë që ia ofrojnë ndërkombëtarët.

Hajdari në intervistë ka folur edhe rreth Kosovës dhe qëndrimit të saj karshi politikës gjermane, si dhe si shihet zhvillimi i vendit në sytë e Berlinit zyrtar.

Image
Vjollca Hajdari

 

“Bota Sot”: Znj. Hajdari, kohët e fundit është riaktualizuar në epiqendër të opinionit tema e Zajednicës. Republika e Kosovës do zhbërjen e saj për paqe të plotë nga e ardhmja, kurse Serbia kërkon implementimin e saj që Beogradi të ketë gisht në shtetin e Kosovës. Si qëndron Kosova në pozicionin e saj përballë ndërkombëtarëve që kërkojnë implementimin e asociacionit?

Vjollca Hajdari: Kosova është nën presion të madh të ndërkombëtarëve dhe mendoj që fatkeqësisht ajo do të jetë e detyruar të implementojë asociacionin. Që të jemi realist, ka kohë, që është vendosur për këta hapa nga ndërkombëtarët, por që është mbajtur sekret, duke mos qenë transparent - si gjithmonë - kur bëhet fjalë për vendime jetësore.

“Bota Sot”: Mediat shqiptare kanë publikuar një draft-dokument ose siç njihet aktualisht drafti franko-gjerman. Serbia është deklaruar që ky plan është i papranueshëm për ta, mirëpo sa do t'i përshtatej Kosovës ky draft sipas jush?

Hajdari: Së pari: Serbia është aq e llastuar dhe e përkëdhelur nga BE-ja, saqë për Serbinë çdo gjë që ka të bëjë me Kosovën, është e papranueshme. Një agresor i privilegjuar, siç është Serbia, ka apetite për aneksim të plotë të Kosovës, ndaj çdo kompromis tjetër nuk i pëlqen. Imagjinoni: Serbia e deklaron Kosovën si djep të popullit serb; një pohim absurd dhe i pavërtetë, kur dihet se Kosova është Dardania antike, që kurrë s`i ka takuar Serbisë. Sido që të jetë, këtë të vërtetë e injoron BE-ja dhe tani ja ku e kemi këtë status-quo. Një gjë është e qartë: plani franko-gjerman nuk e ka objektiv pavarësinë e plotë të Kosovës. Ky plan është analog me modelin gjerman, dhe përpiqet që të ofrojë kompromise për të arritur të ashtuquajturin “normalizim” mes dy palëve. Kosova fatkeqësisht është në pozitën e palës në disavantazh, që detyrohet të përpijë çdo pilulë që ia ofrojnë ndërkombëtarët. Sa do i përshtatet tani ky plan, mbetet të shihet këto ditë, por sipas përvojave historike, shqiptarë gjithmonë kanë pësuar humbje nga vendimet e fuqive të mëdha e në këtë plan hyn edhe Kosova.

“Bota Sot”: Znj. Hajdari, përtej gabimit që ka bërë politika e kaluar me nënshkrimin e Zajednicës, e cila bie ndesh në 23 nene me Kushtetutën e Kosovës, Kosova e sotme nuk dëshiron të insistoj në gabimin e njëjtë që ta dëmtojë pavarësimin e saj dhe mban qëndrim të palëkundur kundër Zajednicës. Në rrafshin ndërkombëtar kemi pasur në vijimësi lëkundje qëndrimesh. Mendoni që BE-ja nuk e ka shumë të qartë se çfarë pasoja mund të na servir Zajednica për vet faktin që ka ofruar drafte e qëndrime ndryshe kohë pas kohe?

Hajdari: Mendoj që BE-ja e ka shumë të qartë se çfarë pasoja mund të na servojë Zajednica, por ky fakt nuk e pengon atë. BE-ja dhe ndërkombëtarët janë fundja ata përpilues të fatit të Kosovës, kështu që mendoj se çdo gjë është e planifikuar me akribizëm. Këto lëkundjet e qëndrimeve janë vetëm manovrime për realizimin final të skenarëve. Se çdo gjë është e vendosur paraprakisht, dëshmon edhe një dokument i Wikileaks i cili informon se Serbia (në mbështetje të Rusisë) vet ka bërë presion tek SHBA-të, vendet e Kuintit dhe BE-së, që të realizohet shkëmbimi i territoreve. Natyrisht për këtë hap dhe hapat e tjerë nuk flitet hapur, por për to flitet vetëm kur ndodhemi para aktit të kryer. Kjo dëshmohet tani me krijimin e Zajednicës.

“Bota Sot”: Qeveria Kosovës dhe kryeministri Kurti ngulmon në zhbërjen e Zajednicës, cilat do të ishin hapat kyç që qeveria kosovare duhej të ndërmerrte që të dilte nga ngërçi i krijuar?

Hajdari: Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Kurti janë të përplasur për muri. Në fakt të gjitha qeveritë që nga mbarimi i luftës e deri tani kanë pasur rolin e statistëve, kur bëhet fjalë për vendimet jetësore. Vendimet e mëdha i ka bërë tjetër kush. Tani si qeveritë e tjera, edhe kjo qeveri do të detyrohet të zbatojë urdhrat që do vijnë nga “jashtë”. Nëse është ngërç i sajuar, ajo status quo do të mbahet. Nëse ndërkombëtarët vendosin që të “dilet” nga ngërҫi, atëherë kjo do të realizohet. Qeveria e Kosovës s’ka hapësirë të vendosë vet se çfarë hapash do të ndërmarrë, prandaj do të detyrohet – si gjithmonë deri tani – të zbatojë hapat që i serviren. Shikuar hollë, Qeveria vet ndodhet në gjendje ngërҫi. Dhe kjo gjendje pafuqie është paralizuese.

“Bota Sot”: Ju veproni në Gjermani, keni takime, bisedime e bashkëpunime me liderë e politikanë gjermanë në ngjarje me peshë, si qëndron Kosova karshi politikës gjermane?

Hajdari: Për momentin lufta në Ukrainë është tema numër një sa i përket politikës gjermane. Kosova ka filluar tani, kohëve të fundit të hyjë në agjendë të mediave dhe politikës gjermane, sepse më parë ka pasur më shumë rol periferik. Procesi i Berlinit ka ndryshuar pak a shumë qasjen politike të Gjermanisë ndaj Kosovës, por përpos disa ngjarjeve të mëdha sporadike, Kosova ngelet nën hije të ngjarjeve botërore. Duhet të them që për të mbajtur Kosovën ndër top temat kryesore, duhet angazhim i madh, lobim dhe avokim i pandërprerë. Kosova nuk e ka këtë kapacitet, prandaj këtë deficit përpiqem ta mbuloj gjatë konferencave dhe shumë takimeve që i zhvilloj me politikanë të ndryshëm. Sido që të jetë, Gjermania e di se Kosova historikisht dhe në aspektin gjeostrategjik, ka një peshë shumë të madhe. Ajo po ashtu e di se Kosova ka potencial të madh sa i përket pasurisë nëntokësore. Por siç dëshmon historia, zakonisht vendet e tilla janë mbajtur gjithmonë në gjendje pasigurie apo janë shfrytëzuar në formën më të keqe.

“Bota Sot”: A mund të na tregoni si shihet politika, ekonomia, lufta kundër krimit e korrupsionit, drejtësia dhe zhvillimi i Kosovës në sytë e Berlinit zyrtar?

Hajdari: Berlini zyrtar e sheh Kosovën dhe Ballkanin akoma si rajon ku lulëzon krimi i organizuar dhe korrupsioni, ndonëse gjuha diplomatike është ndryshe. Ai po ashtu e di se shumë politikanë janë ombrella e korrupsionit dhe që vet shteti bashkë me institucionet publike janë të kapur nga politikanët e korruptuar, oligarkët, nga nepotizmi dhe klientelizmi. Sa i përket ekonomisë, Berlini zyrtar e di, se Kosova, përkundër pasurisë nëntokësore, është një ndër vendet më të varfra në Ballkan. Por, për Berlinin zyrtar, njëjtë si për BE-në, siguria në Ballkan është prioritare. Është fat i madh, që Berlini zyrtar ndikohet nga SHBA-të, sepse mjafton të përmendim Kongresin e Berlinit, si një ndër qasjet më të gabuara në histori, sa i përket politikës gjermane ndaj shqiptarëve. Sido që të jetë, Gjermania është motori i BE-së dhe këtu Berlini zyrtar do të kishte shansin, të korrigjojë politikën ndaj shqiptarëve dhe Kosovës. Mendoj se integrimi i Kosovës në BE, do të mundësonte reformat rrënjësore në segmentet që i përmendem.

“Bota Sot”: Gjermania ka luajtur rol kyç në çaste vendimtare për shtetin e Kosovës, vazhdon të kontribuojë nëpërmjet politikave ndihmëse në shumë fusha. Çfarë klime mbizotëron në tavolinat e politikës gjermane për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës?

Hajdari: Është e vërtetë kjo që thoni. Shteti gjerman, ishte një ndër vendet e para që kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Gjermania ka dhënë shumë mbështetje në çdo aspekt. Por, kjo nuk mjafton. Kur krahasohet angazhimi dhe investimet e saja në Serbi, Kosova mbetet larg në këtë drejtim. Në anën tjetër Gjermania gjithmonë ka mbështetur dhe mbështet liberalizimin e vizave. Jam e sigurt, që në këtë drejtim Gjermania do të angazhohet edhe më tej në mënyrë aktive.

“Bota Sot”: Akoma nuk kemi një deklarim të qartë të Gjermanisë rreth ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës. Si qëndron situata aktualisht atje?

Hajdari: Politika gjermane në përgjithësi është shumë e rezervuar sa i përket prononcimeve politike, rreth Kosovës. Ky qëndrim për mendimin tim është kontradiktor dhe paradoks, kur dihet se Gjermania ka prezencën dhe dominancën më të madhe në Kosovë. KFOR-i shënon numrin më të madh të ushtarëve gjermanë, ndërkaq që UNMIK-u është udhëhequr kryesisht nga gjermanët. Aktualisht dihet se ndërmjetësi special është gjerman, ndërsa i dërguari special për Ballkanin është po ashtu nga Gjermania. Ambasadori gjerman ka një ndikim aq të madh në vend, saqë fjalët e tij publikohen në ҫdo medium të Kosovës. Imagjinoni, sikur diplomacia e Kosovës ta ketë fjalën kryesore në Gjermani.

“Bota Sot”: Kryeministri Albin Kurti ishte kundër shtyrjes së afatit për targat, ndodhi një përplasje. Ku mendoni se janë pengesat reale?

Hajdari: Në përgjithësi mendoj se ҫështja e targave, ishte e drejtë legjitime e Kosovës, e cila ishte dashur të zbatohet shumë më herët. Pavarësisht këtij fakti, besoj se shtyrjet apo mos shtyerjet, janë vetëm orkestrime për të mbuluar vendimet më të mëdha në vend. Këtu hyn asociacioni i komunave serbe, inkluzivisht veriu i Kosovës, liqeni i Ujmanit, problemi me Malin e Zi, ҫështja e Brezovicës dhe së fundi shkëmbimi i territoreve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat