“Plani që i dështoi Vuçiqit/ Deputeti i LVV-së flet për ngjarjet e fundit – ka këtë mesazh për opozitën!

Intervista

“Plani që i dështoi Vuçiqit/ Deputeti i LVV-së flet për ngjarjet e fundit – ka këtë mesazh për opozitën!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 28 nëntor 2022 Në ora: 15:41
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Tërheqja e zyrtarëve serbë nga vendet e punës, çështja e targave dhe mosarritja e një marrëveshje finale, janë vetëm disa nga temat më të diskutuara këto ditë.

E në lidhje me situatën aktuale në vend dhe ngjarjet e fundit, në një intervistë për “Bota sot”, flet deputeti nga radhët e LVV-së, Vendenis Lahu.

Deputeti u shpreh që Vuçiqi përdori mënyra të ndryshme për të sjellur destabilizim në vendin tonë, por nuk e arriti, kësisoj situata po vazhdon të jetë stabile.

Ndërsa, për marrëveshjen finale deputeti përmend projektin franko-gjerman, e që thotë se një marrëveshje finale duhet të ndodhë që të mos zvarritet dialogu më shumë.

Image
Vendenis Lahu

Kurse për kritikat e vazhdueshme të opozitës për qeverinë, Lahu u shpreh se këto deklarata të opozitës janë më shumë për konsum për elektoratin e tyre.

Deputetët e larguar nga Kuvendi me kërkesën e Vuçiqit u zëvendësuan nga deputetë të rinjë, në bazë të ligjit dhe rregulloreve përkatëse”, tha ndër të tjera deputeti Lahu.

Në fund, sa i përket mbledhjes së përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë, ai tha që është një mundësi e mirë që të jemi më afër edhe politikisht në këto kohë më shumë lëvizje në politikën globale.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Si e shihni situatën aktuale pas shumë tensionesh, provokimeve dhe skenarëve të Serbisë, braktisjes së institucioneve, marrëveshjes së re për targat?

Vendenis Lahu: Situata në vend mendoj se është e qetë dhe ashtu do të vazhdojë të jetë edhe pse ne e dimë se kemi të bëjmë me një vend fqinj që është përgjegjës për të gjitha trazirat në Ballkan për dekada me radhë, dhe edhe kësaj radhe përmes inskenimeve të saj, siç ishte edhe largimi i përfaqësuesve serbë nga institucionet, por jo vetëm kjo, me qëllim të ushtrimit të trysnisë përmes rrezikut të destabilizimit të vendit të provojë të avancojë agjendën e saj në Kosovë, e cila sigurisht se nuk është e mirë për vendin dhe nuk do të lejohet, pavarësisht presionit. Çështja e targave u tentua të keqpërdoret nga Vuçiqi, por nuk mendoj se e ka arritur atë që ka synuar.

“Bota sot”: A mendoni që një marrëveshje finale do të ndodhë shpejt. Kryeministri e ka përmendur si afat fundin e muajit shkurt (para marsit) 2023?

Lahu: Një dakordim për një marrëveshje finale me njohjen në qendër të saj është diskutuar tashmë një kohë në qarqet politike në Bruksel. Tani kemi edhe kornizën e një diskutimi të tillë që ka dalë në opinion si plani franko-gjerman. Mendoj se nuk ka kuptim të zvarritet një proces i tillë më shumë dhe se bisedimet pa një marrëveshje finale nuk kanë kuptim të zgjasin edhe më tutje. Sigurisht se edhe në bazë të veprimeve të fundit shihet se Serbia po tenton të shtyjë sa më shumë marrëveshjen finale, por po e them prapë se nuk ka arsye që kjo të prolongohet më tutje, prandaj pres që në vitin e ardhshëm ashtu siç edhe u dakordua këto ditë në Bruksel të kemi zhvillime serioze në këtë drejtim.

“Bota sot”: Është përmendur plani që po i referohen si franko-gjerman. E keni parë ju në VV apo si deputet atë dokument, dhe cilat janë përparësitë që duhet pranuar dhe cilat të metat?

Lahu: Plani franko-gjerman është baza mbi të cilën pritet të diskutohet për marrëveshjen finale dhe në orientimet e përgjithshme të tij si bazë mbi të cilën do të konceptohet një marrëveshje ku njohja është në qendër, tashmë i dimë, por për detajet duhet të presim edhe pak, derisa të ketë lëvizje serioze në këtë drejtim në pranverën e vitit të ardhshëm dhe aty pastaj mund të ketë edhe modalitete të ndryshme, të cilat mund t’i diskutojmë.

“Bota sot”: Opozita po vazhdon ta akuzojë Qeverinë për shumë vendime. Kritika kryesore ishte se kryeministri po i cenon dhe rrezikon raportet me miqtë, SHBA-në. Si i komentoni këto?

Lahu: Opozitën e kemi dëgjuar duke e përmendur Amerikën, por asnjëherë se kemi dëgjuar duke e kritikuar se si ata kanë arritur rezultate më të mira apo duke i argumentuar pretendimet e tyre për mosusksesn e kësaj qeverie në bisedime. Në fakt kjo flet mjaft për ta. Prishja e raporteve me Amerikën është kritika e tyre e vetme nëse mund ta quaj kritikë, dhe vjen për shkak të mungesës së kritikes reale, të qartë e të argumentuar mirë për shkak se Kryeministri Kurti po e mbron interesin e vendit në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe aty ku arrin ta mbrojë më pak, është për shkak të trashëgimisë që po këta kritikues na kanë lënë. Prandaj, ato i konsideroj të jenë më shumë për konsum për elektoratin e tyre.

“Bota sot”: Një temë e rëndësishme mbetet asociacioni, për të njëjtën çështje Kryeministri është shprehur që nuk do të ndodhë, mirëpo a mund të ndodhë në fund krijimi i tij, si ndodhi me targat (shtyrja për një vit apo deri në arritjen e marrëveshjes së përgjithshme), kuptohet, ne jemi kundër çdo asociacioni që shkel Kushtetutën, apo që ka kompetenca ekzekutive?

Lahu: Duhet ta kemi të qartë të gjithë se në situatën aktuale çështja e targave ka qenë një problem artificial i krijuar nga Vuçiqi për t’i ikur diskutimit për marrëveshjen finale. Sigurisht për ne nuk është e pranueshme asgjë që minon shtetësinë tonë, funksionalitetin dhe integritetin territorial. Ky është qëndrim i qartë yni, i përsëritur shumë herë nga kryeministri Kurti dhe ashtu do të mbetet.

“Bota sot”: Në Kuvend deputetët e Listës serbe u zëvendësuan po nga lista zgjedhore e kësaj partie. Por, a do të zëvendësohen edhe gjykatës, prokurorë e policë?

Lahu: Deputetët e larguar nga Kuvendi me kërkesën e Vuçiqit u zëvendësuan nga deputetë në bazë të ligjit dhe rregulloreve përkatëse. Prandaj mendoj se e njëjta duhet të ndodhë edhe në fushat tjera. Sigurisht kjo do angazhim të madh të organeve përgjegjëse edhe për shkak të ndikimit të Serbisë në qytetarët e pjesës veriore të vendit, por edhe për shkak të dakordimeve të mëhershme të qeverive tona, të cilat e bëjnë më kompleks gjithë këtë proces.

“Bota sot”: Gjithashtu në veri të vendit po vazhdojnë masat e sigurisë, si është gjendja atje?

Lahu: Në bazë të të dhënave që kam situata vazhdon të jetë e qetë.

“Bota sot”: Çfarë simbolike ka për ju, mbajtja e një seance të përbashkët e dy kuvendeve republikane, Kosovë-Shqipëri, një ditë para 28 Nëntorit?

Lahu: Mbledhja e përbashkët e dy kuvendeve tona, Kosovës dhe Shqipërisë, për Festën e Flamurit, është ditë e veçantë për të gjithë shqiptarët kudo, edhe si simbolike, por edhe si një mundësi e mirë që të jemi më afër edhe politikisht në këto kohë me shumë lëvizje në politikën globale.

Urime 28 Nëntorin të gjithë shqiptarëve!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat