Deputetja e LDK-së flet për situatat e fundit, përmend planin për atentatin ndaj Abdixhikut – jep mesazhe për Qeverinë!

Intervista

Deputetja e LDK-së flet për situatat e fundit, përmend planin për atentatin ndaj Abdixhikut – jep mesazhe për Qeverinë!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 24 janar 2023 Në ora: 08:05
Deputetja nga LDK, Rrezarta Krasniqi

Dialogu i ndërmjetësuar nga Perëndimi, Kosovë-Serbi, plani franko-gjerman, dhe bërja apo jo e asociacionit, të cilin po e kërkon pala serbe, e mbështetur edhe nga shumica e vendeve perëndimore, statuti që mund të ketë ky asociacion, dhe proceset tjera politike në vend, përfshirë kriza ekonomike, janë çështjet kryesore për të cilat biseduam në një intervistë për “Bota sot” me deputeten nga radhët e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.

Në dialogun Kosovë – Serbi, deputetja thotë se po mungon transparenca dhe se ka qenë një qasje e gabuar, duke përmendur këtu edhe planin franko-gjerman, për të cilin thotë se nuk janë publikuar detaje të hollësishme.

E pyetur nëse do të formohet asociacioni deputetja thotë që i takon kryeministrit të Kosovës z. Albin Kurti të bëjë një zgjidhje, ashtu siç i takon të qartësojë pozicionin karshi votuesve dhe qytetarëve të Kosovës.

Në bisedë e sipër, Krasniqi u pyet në lidhje me planin për atentat që u tha se ishte përgatitur të bëhej ndaj Abdixhikut dhe të tjerëve, por nuk preferon të flas pasi thotë se nuk dëshiron që ta dëmtoj procesin e hetimeve.

Deputetja foli edhe për vërshimet e fundit duke theksuar që Qeveria duhet të ndërmerr masat e duhura për të gjitha vendet që janë përballur me këtë situatë.

Bisedën e përmbyllëm duke folur për 17 vjetorin e vdekjes së presidentit Rugova, për të cilin u shpreh se la gjurmë të pashlyera themelimin e shtetit të Kosovës.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Në Kosovë po vazhdon të ketë zhvillime të rëndësishme politike, pastaj krizë ekonomike, e deri tek ngjarja e përmbytjeve së fundi. Si e shihni ju situatën e përgjithshme në vend?

Rrezarta Krasniqi: Vërshimet e shkaktuara në disa komuna, shkaktuan dëme të mëdha materiale, por fatmirësisht nuk kishim jetë të humbura nga kjo fatkeqësi natyrore. Dëmet më të mëdha ishin në objekte të banimit, biznese, toka bujqësore dhe automjete. Në këto rrethana Qeveria e Kosovës duhet të ndajë mjetet e nevojshme financiare nga buxheti i shtetit për të komentuar dëmet e shkaktuara, sepse siç dihet komunat nuk kanë mjete të mjaftueshme për të mbuluar dëmet nga një fatkeqësi si kjo me vërshime.

Ndërkaq, për sa i përket krizës ekonomike, vendi ynë edhe ashtu ka qenë në situatë të rëndë, veçmas pas inflacionit, çka rezultoi me ngritje të vazhdueshme të çmimeve të produkteve esenciale dhe të derivateve, situatë kjo të cilën kjo qeveri nuk ka arritur ta menaxhojë në mënyrën e duhur. Ne si LDK kemi pasur disa propozime edhe në Kuvend, kur kemi kërkuar heqjen e akcizës në derivate në mënyrë që të mos bartet në kurriz të qytetarëve shtrenjtimi i tyre, por qeveria refuzoi t’u dalë në ndihmë qytetarëve.

“Bota sot”: Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë po vazhdon. Po thuhet që shumë shpejt mund të ketë marrëveshje. Si e shihni ju dialogun, a mund të ketë përmbyllje të shpejtë të bisedimeve apo të pjesshme?

Krasniqi: I gjithë procesi i dialogut me palën serbe është përcjellur me mungesë të transparencës dhe me një qasje të gabuar.

Njeriu që është në krye të qeverisë ka shkelur edhe parimet e tij dhe të subjektit që e drejton, sepse sa ishte pjesë e opozitës, deklaroheshin se dialogu duhet të jetë i hapur, ndërkaq tani ne shohim se po ndodh e kundërta.

Pati thënë se nuk takohet me Vuçiqin pa kërkim falje, por pasi erdhi në pushtet u takua pa asnjë kusht, hoqi dorë nga konfiskimi dhe gjobat për targat, madje, për më keq e negocioi në tavolinë me Vuçiqin vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Po ashtu vlen të kujtohet se ishin zotuar se kur të vijnë në pushtet dialogun do ta nisin “nga poshtë”, duke aluduar kështu tek serbët lokal, për të vazhduar me “ata lart”, siç deklarohej dikur z. Kurti, për dialogun me drejtuesit e shtetit serb, por pasi erdhën në pushtet me nxitim e nisën dialogun.

Ne si LDK çdo herë kemi qenë për dialog, por jo për një dialog pa fund. Është e rrugës që qeveria të prezantojë strategjinë për mbylljen e dialogut, si dhe periudhën kohore kur parashihet të përfundojë kjo çështje.

Në rrethanat aktuale, kur kemi zhvillimet të shumta gjeopolitike pas invazionit ushtarak rus në Ukrainë, Kosova nuk duhet ta humb rastin pa adresuar çështjet thelbësore për vendin, siç është zbardhja e fatit të të pagjeturve dhe pastaj të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme, e cila krijon njohjen reciproke mes dy vendeve.

Çdo marrëveshje tjetër, pa njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë mbetet e papranueshme dhe konsiderohet e dëmshme për vendin.

“Bota sot”: Po propozimin e planit franko-gjerman, a duhet ta pranoj Kosova?

Krasniqi: Ne si LDK e kemi parë planin franko-gjerman si një bazë për arritjen e marrëveshjes finale, nuk e kemi cilësuar si plan të mirë apo jo të mirë, pasi që elementet e tij nuk janë publikuar. Ne e dimë që ka pasur edhe një draft tjetër të këtij që njihet si propozim evropian, kemi pritur të dëgjojmë nga qeveria çfarë ka për të thënë, nëse ky plan e përfshinë njohjen reciproke apo jo. Po ashtu është në dorë të qeverisë që ta sjellë dokumentin për diskutim publik në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Bota sot”: Ju si kryetare e Komisionit për Integrime, a keni pasur mundësi ta shihni këtë plan?

Krasniqi: Dokumenti ka qenë i qasshëm për subjektet politike.

“Bota sot”: Gjithashtu asociacioni mbetet kërkesë e Serbisë, por edhe e vendeve mike, edhe BE-ja e ShBA-ja po e kërkojnë formimin e tij. Si duhet të veprojë Kosova?

Krasniqi: I takon kryeministrit të Kosovës z. Albin Kurti të bëjë një zgjidhje, ashtu siç i takon të qartësojë pozicionin karshi votuesve dhe qytetarëve të Kosovës. Pasi për vite të tëra ai ka mbajtur një qëndrim ndryshe dhe ka marrë mbështetjen qytetare për këtë dhe tani është obligim moral i tij që për çdo ndryshim në këto qëndrime ta bëjë qartë pozicionin e vet para qytetarëve të vendit dhe gjithë spektrit publik në Kosovë… Çështja e marrëveshjes rreth asociacionit ka epilog prej vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo është kërkesa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe njerëzve që e donë Kosovën përnjëmend. Ne kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe në bazë të tij duhet të procesojmë tutje. Tani i takon udhëheqësve shtetëror që të bëjnë këtë procesim tutje.

“Bota sot”: Për çfarë modeli apo zgjidhje për asociacion të komunave serbe është LD-ja?

Krasniqi: E thash edhe më lartë, çështja e marrëveshjes rreth asociacionit ka epilog prej vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo është kërkesa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe njerëzve që e donë Kosovën përnjëmend. Ne kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe në bazë të tij duhet të procesojmë tutje.

“Bota sot”: A është LDK-ka, por edhe ndonjë parti tjetër e gatshme që ti hyjë formimit te asociacionit, pa kryeministrin Kurti, pra pa qeverinë, si thotë emisari amerikan Eskobar?

Krasniqi: Aktualisht kemi në krye të qeverisë z. Kurti dhe është në dorën e tij që të bëjë zgjidhje, nëse nuk është i aftë të jep një zgjidhje dhe vendos të largohet prej detyrave të tij kushtetuese, ne nuk mund ta ndryshojmë fatin e një vendimi të tillë. Por, duhet të kuptohet se në pushtet je për të marrë vendime dhe shtyrë agjenda ndërkombëtare dhe vendore, por që përputhen të dyjat bashkërisht.

“Bota sot”: Si e keni kuptuar ju dhe LDK-ja, apo si e shpjegoni këtë paralajmërim të tij, për formimin e asociacionit, a është mesazh për rrëzimin eventual të Kurtit nëse nuk dëgjon?

Krasniqi: Më duhet ta përsërisë se i takon Qeverisë që e ka shumicën që të përcaktojë fatin e vet politik. Ne jemi në opozitë, partia e tretë në parlament me numër të deputetëve, që nuk mund ta ndryshojë shumicën në vend.

“Bota sot”: Së fundmi edhe një temë e rëndësishme mbetet pretendimi se ka pasur një plan për atentate, ndaj kryetarit tuaj Abdixhikut dhe 3 deputetëve të tjerë. Por, disa media sipas hulumtimeve të tyre, thonë se nuk ka asgjë serioze, madje thonë se keni ra në gracke të spekulimit, po ashtu edhe ata të PDK-së? A keni biseduar me kryetarin, dhe si e keni pritur këtë ngjarje?

Krasniqi: Paralajmërimet kanë qenë shqetësuese, por siç dihet organet e rendit janë duke u marrë me to dhe në këtë fazë nuk mund të flasim më tepër për të mos dëmtuar procesin e hetimit. Z. Abdixhiku dhe ne si LDK vazhdojmë me përkushtim të lartë të angazhohemi për të mirën e vendit dhe qytetarëve.

“Bota sot”: Nga kush mendoni që është bërë ky planifikim ndaj Abdixhikut dhe të tjerëve?

Krasniqi: Nuk dua të lëshohem në detaje në këtë fazë, për të mos dëmtuar procesin e hetimeve.

“Bota sot”: Vërshimet kanë prekur disa qytete të Kosovës, cilat duhet të jenë masat që qeveria duhet të ndërmerr në këto raste emergjente?

Krasniqi: Qeveria duhet t’ju përgjigjet nevojave të qytetarëve konform kërkesave të tyre dhe dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësia e ditëve të fundit, që fatmirësisht kaloi pa jetë të humbura, por vetëm me dëme materiale, të cilat duhet të kompensohen nga ana e institucioneve të vendit.

“Bota sot”: Si e shihni procesin e integrimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, a mund të bëhet në maj?

Krasniqi: Largimi nga agjenda e shqyrtimit të aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, flet për moskoordinim paraprak me shtetet mike. Tani është diskutabile nëse një gjë e tillë mund të ndodhë në një afat të shpejtë, megjithatë ne si LDK, ani pse jemi në opozitë, vazhdojmë të lobojmë përmes kanaleve tona ndërkombëtare që Kosova sa më parë të integrohet në KiE.

“Bota sot”: Po procesin e aplikimit dhe paraantarësimit në BE, si e shihni?

Krasniqi: Republika e Kosovës është e fokusuar që sa më parë të bëhet pjesë e familjes evropiane, aty ku edhe e ka vendin, sepse është dëshmuar tash e sa kohë që meritojmë të jemi pjesë e BE-së, por kjo nuk mund të arrihet pa lobuar tek vendet anëtare që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.

“Bota sot”: Presidenti Rugova me 21 janar e kishte përvjetorin e shkuarjes në amshim. Sa po respektohet filozofia rugoviane, vlerat që la në Kosovë e LDK?

Krasniqi: Më 21 Janar janë bërë 17 vite nga vdekja fizike e Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova, i cili la gjurmë të pashlyera në themelimin e shtetit të Kosovës. LDK-ja edhe sot vazhdon të ruaj me fanatizëm vlerat rugoviane si trashëgimi e Presidentit Rugova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat