Flet Anton Quni, zbulon “kurthin taktik” të Vuçiqit për Kosovën dhe ka një thirrje për Qeverinë e Kosovës

Intervista

Flet Anton Quni, zbulon “kurthin taktik” të Vuçiqit për Kosovën dhe ka një thirrje për Qeverinë e Kosovës

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 1 shkurt 2023 Në ora: 18:54
Anton Quni

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Anton Quni, ka deklaruar se çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës.

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Quni ka konfirmuar se LDK-ja është pro marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, që përfshin njohjen reciproke.

Duke e quajtur “kurth taktik” ndryshimin e deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, deputeti i LDK-së ka kërkuar nga institucionet që të mos e lejojnë të njëjtin të duket si palë konstruktive në procesin e dialogut mes të dyja vendeve.

Në këtë intervistë, Quni ka komentuar edhe lajmin për planfikim të atentatit ndaj kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku dhe deputetëve tjerë të kësaj partie, duke e cilësuar si të “dëmshëm” dhe “tragjik” edhe për vet shtetin e Kosovës.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Diplomatët amerikanë dhe evropianë, e kanë rritur presionin ndaj Kosovës, për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Megjithëse SHBA këmbëngul që nuk do të lejojë Republikë Sërpska brenda Kosovës, Qeveria e Kosovës po insiston që diskutimet për Asociacionin të nisin vetëm pas hapjes së çështjes së marrëveshjes finale, me njohjen reciproke në qendër. Si i shihni ju këto zhvillime?

Anton Quni: Lidhja Demokratike e Kosovës, e mbështet procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, me përfshirjen e plotë të SHBA-së. Orientimet e LDK-së janë për një marrëveshje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme, dhe me njohjen reciproke në thelb të saj.

Ndërkaq, në lidhje me Asociacionin, LDK-ja vlerëson se kjo çështje është kompetencë dhe përgjegjësi kushtetuese vetëm e institucioneve të Republikës së Kosovës, në radhë të parë e Qeverisë.

“Bota sot”: Kryetari juaj Lumir Abdixhiku, ditë më parë refuzoi frontin e përbashkët opozitar me PDK-në dhe AAK-në. Në rast të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, a besoni se LDK-ja do të ishte fituese si parti e vetme?

Anton Quni: Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është duke e bërë një punë të jashtëzakonshme. Kësisoj, LDK në zgjedhjet lokale u dyfishua, duke u bërë subjekti i parë në vend me numër të komunave të fituara, si dhe subjekti i parë me ulëse të fituara për asambletë komunale. Ndërsa tani, kryetari Abdixhiku, me shumë përkushtim e profesionalizëm, me dëgjim të kujdesshëm dhe permanent të të gjithë qytetarëve anë e mbanë vendit, me hapje të dyerve të LDK-së për profesionistë, e me hapje të mundësive për kapacitetet e brendshme, është në rrugëtim të sigurt për rikthimin e shtëpisë sonë politike në pozitën origjinale edhe në nivel qendror.

“Bota sot”: Si e keni pritur lajmin për planfikim të atentatit ndaj kryetarit Abdixhiku dhe deputetëve tjerë të partisë tuaj? Kujt mendoni se i është bërë “halë në sy” Abdixhiku dhe deputetët tjerë të LDK-së?

Anton Quni: Çdo lajm i tillë është tragjik dhe i dëmshëm edhe për vet shtetin e Kosovës. Uroj dhe inkurajoj organet e rendit dhe të sigurisë që me profesionalizëm të merren me këtë rast.

“Bota sot”: Si e komentoni ndryshimin drastik të deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, nga “nuk do të dorëzohemi për Kosovën”, deri tek deklarimi i tanishëm se “do të izolohemi, nëse nuk e pranojmë planin franko-gjerman”? A mund të ketë së shpejti një “dorëzim” të Serbisë dhe një marrëveshje me Kosovën, pas presionit të madh ndërkombëtar?

Anton Quni: Mendoj se ky është kurthi taktik i radhës i Vuçiqit, në të cilin ne si Republikë e Kosovës nuk duhet të biem assesi; nuk duhet lejuar që një totalitar si Vuçiqi, i lidhur ngushtë me Putinin, të duket si palë konstruktive.

“Bota sot”: Gjatë kohës së barrikadave në veri të Kosovës, u raportua edhe për prani të shërbimeve të inteligjencës ruse, përfshirë edhe pjesëtarë të grupit Wagner, në veri me Kosovës. Cili mund të jetë qëllimi i Putinit?

Quni: Qëllimi i Putinit tashmë ëshë i njohur dhe i dëshmuar; destabilizimi i rajonit tonë e më gjerë. Çdo situatë destabilizuese është arritje e objektivit të Putinit.

“Bota sot”: Si e vlerësoni reagimin e institucioneve të Kosovës, veçmas atyre të sigurisë ndaj tensioneve dhe barrikadave të vendosura nga serbët në veri?

Anton Quni: Nëse Qeveria do të kishte koordinim të duhur e me kohë me aleatët tanë, përveçse do të ishte menaxhuar më mirë krejt situata, konsideroj se edhe do të ishte e mundur që të parandalohej një situatë e tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat