Gjeloshaj: Zgjedhjet e parakohshme, zgjidhje për krizën në Mal të Zi

Intervista

Gjeloshaj: Zgjedhjet e parakohshme, zgjidhje për krizën në Mal të Zi

Më: 2 shkurt 2023 Në ora: 21:28
Nik Gjeloshaj, kryetar i partisë Alternativa Shqiptare

Mali i Zi është përfshirë prej disa muajsh nga një krizë politike, që nisi me rrëzimin më 20 gusht të qeverisë disa mujore të Dritan Abazoviçit, i cili aktualisht ka një mandat teknik dhe vazhdon me pamundësinë e formimit të një qeverie të re, për shkak të përplasjeve mes shumicës parlamentare dhe presidentit. Në dhjetor të vitit të kaluar, shumica parlamentare miratoi disa ndryshime në ligjin për presidentin, duke e zhveshur atë nga kompetencat për të mandatuar kryeministrin. Një zhvillim i tillë nxiti reagime të ashpra ndërkombëtare, të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, që kanë thënë se çdo qeveri e dalë nga një proces i tillë antikushtetues është premisë për kaos.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës Nik Gjeloshaj, kryetar i partisë Alternativa Shqiptare dhe kryetar i komunës së Tuzit, thotë se zgjidhja për situatën e krijuar në vend, janë zgjedhjet e parakohshme.

Zoti Gjeloshaj thotë se do të ishte normale që ato të mbaheshin menjëherë pas plotësimit të vendeve vakant të Gjykatës Kushtetuese. Aktualisht kjo e fundit është jofunksionale. Nga 7 anëtarë të gjykatës, janë zgjedhur vetëm 3. Gjasat janë që zgjedhja e katër anëtarëve të tjerë të ndodhë së shpejti. Zoti Gjeloshaj thotë se nga katër anëtarët që pritet të zgjidhen, njëri prej tyre duhet t’i takojë pakicave, dhe për këtë, sikurse tha ai, duhet rënë dakord mes partive që përfaqësojnë pakicat. Por kryetari i partisë Alternativa Shqiptare shkoi dhe më tej, duke thënë se sipas tij, ky anëtar duhet të jetë shqiptar dhe një shqiptar i caktuar nga partitë shqiptare, e jo subjekte të tjera politike.

Zëri i Amerikës: Zoti Gjeloshaj, partia juaj është pjesë e qeverisë teknike. Si e shihni ju rrugëdaljen nga kriza në të cilën ndodhet vendi juaj?

Nik Gjeloshaj: Sigurisht, Mali i Zi një herë priti 30 vite që të ndërrohet një sistem ose pushtet që e qeverisi vendin për një kohë të gjatë. Më vonë, vendi kaloi nëpër faza të shpeshta të ndryshimit të qeverisë, diçka që nuk ishte praktikë në Mal të Zi. Domethënë u shpeshtuan proceset domokratike në Mal të Zi, ashtu sikurse e quaj unë. Mendoj se dalja nga kriza është përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në të cilat do të sqarohen të gjitha ato që mendojnë qytetarët mbi atë që ndodhi gjatë këtyre viteve. Kështu që pritshmëritë tona janë që qeveria teknike të vazhdojë edhe për disa muaj, derisa përmes zgjedhjeve paralamentare të qartësohet situata në Mal të Zi.

Do t’i rikthehem edhe një herë pas pak, çështjes së zgjedhjeve të parakohshme…. Ju keni thënë se partitë e pakicave do të bien dakord për kandidatin e katërt për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Kur pritet të finalizohet kjo marrëveshje dhe a mund ta ndani me ne emrin e kandidatit të katërt?

Nik Gjeloshaj: Gjatë ditëve që kam qendruar në Uashington kam patur komunikime me përfaqësuesit politikë të pakicave atje në Mal të Zi dhe së bashku me shumicën ata janë dakorduar për tre kandidatë për Gjykatën Kushtetuese. Ndërsa, kandidati i katërt, unë mendoj dhe deklaroj nga kjo studio, se duhet të jetë i pakicave dhe për këtë duhet të ketë një dakordim të pakicave. Po shkoj edhe një hap më tej dhe mendoj se kandidati i katërt duhet të jetë shqiptar sepse mendoj se sistemi i gjyqësorit, prokurorisë, në të gjithë sistemin nuk kemi asnjë shqiptar. Këtë e kam thënë edhe më parë gjatë një takimi me përfaqësuesit e shteteve të Kuintit në Mal të Zi. Unë e mbështes këtë qëndrim dhe deri në fund do të punoj që të gjejmë modelin, kompromisin që gjyqtari i katërt i Gjykatës Kushtetuese të jetë shqiptar. Por jo një shqiptar i caktuar nga partitë politike në shumicë, sepse ka prirje të tilla, por një kandidat shqiptar i caktuar nga partitë politike shqiptare, duke kërkuar edhe përkrahjen e partisë boshnjake.

Flitet për një marrëveshje të shpejtë, a do të ndodhë së shpejti? Për shembull, javën që vjen?

Nik Gjeloshaj: Besoj që pas kthimit në Mal të Zi, do të kemi një takim të shpejtë me përfaqësuesit e subjekteve të pakicave dhe do të vijmë tek një model apo marrëveshje sepse mendoj që tani është koha që të ketë një përfaqësues shqiptar në Gjykatën Kushtetuese. Dhe në këtë mënyrë të avancojmë sepse dua ta theksoj se ne shqiptarët e kemi përkrahur që përfaqësuesi i boshnjakëve, të jetë nënkryetar i parlamentit, nënkryetar i qeverisë dhe nuk është gjithmonë e thënë që pakicat duhet me qenë përfaqësues të boshnjakëve, sepse ata kanë një numër pak më të lart njerëzish. Kështu që këtë radhë mendoj se duhet të jetë shqiptar. Dua ta përsëris jo shqiptar i partive qytetare, siç ka një prirje, por një shqiptar i caktuar nga partitë politike shqiptare.

Pas formimit të Gjykatës Kushtetuese a pritet që vendi të zhvillojë zgjedhje të reja paralamentare, kur mund të zhvilloheshin ato potencialisht?

Nik Gjeloshaj: Mendoj se po. Mendoj se kjo pritet edhe nga ana e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Mendoj se kjo është pritshmëria e qytetarëve. Është normale që zgjedhjet parlamentare të zhvillohen menjëherë pas zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të shkurtohet edhe mandati bashkërisht. Pra ashtu siç po bien dakord për çështjen e Gjykatës Kushtetuese, të dakordohet edhe për datën më të përshtatshme për mbatjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Duhet të shihet edhe mundësia e ndryshimit të ligjit zgjedhor sepse ka hapësirë të mjaftueshme pasi kemi edhe rekomandimet e organizatave ndërkombëtare. Por nëse nuk ka mundësi për këtë, mendoj se do të shkohet shumë shpejt në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Në Mal të Zi zgjedhjet presidenciale janë parashikuar të mbahen më 19 mars. A prisni që opozita të dalë me një kandidat të përbashkët dhe a do ta mbështesnit ju një kandidat të tillë?

Nik Gjeloshaj: Sinqerisht ne dhe unë si drejtues i partisë, e kemi përqendruar vëmendjen tek zgjedhjet lokale në Tuz. Për ne, procesi i zgjedhjeve presidenciale nuk është diçka aq e rëndësishme. Nuk mendoj se ekziston mundësia që shqiptarët të kandidojnë me përfaqësues të tyre, shqiptar dhe automatikisht për ne nuk është në krye të përparësive tona. Mendimi im është, pa u testuar ende në strukturat partiake, dhe partnerë të tjerë të partive politike, që të shikojmë a do të kemi sipas të gjitha gjasave një votim të dytë dhe pastaj të përfshihemi. Deri atëherë mendoj se shqiptarët kanë një detyrë më parësore dhe për ne më përparësi ka komuna e Tuzit.

Si e shikoni ju bashkëpunimin e faktorit shqiptar për zgjedhjet lokale me më konkretisht në Tuz, çfarë parashikoni se do të ndodhë?

Nik Gjeloshaj: Partitë politike shqiptare kanë qeverisur së bashku Tuzin për katër vite. Jemi në koalicion edhe për zgjedhjet e ardhshme, domethënë katër parti politike shqiptare kemi rënë dakord prej disa muajsh që të dalim së bashku në zgjedhjet lokale në Tuz. Faktori politik shqiptar është i unifikuar. Besoj se kemi treguar se kemi qeverisur mirë. Qeverisja e mirë mendoj se do të reflektohet me përkrahjen e qytetarëve dhe të vazhdojmë zhvillimin e vendit. Komuna jonë është transformuar tërësisht në çdo aspekt. Po përmend një fakt, prej vitit 2019 kur është miratuar buxheti i parë dhe buxhetit të fundit që është miratuar për vitin 2023 e kemi rritur buxhetin me 512%. Pra kemi filluar me 1.7 ose 1.8 milionë dhe kemi kaluar në mbi 8 milionë dhe kjo është falë drejtimit të mirë. Në komunën tonë janë hapur dhe po përgatitet hapja e katër fabrikave, çka ka treguar një zhvillim shumë të madh në vendin tonë hapja e vendeve të reja të punës. Ndaj mendoj se qytetarët do ta përkrahin vazhdimin e zhvillimit dhe të mos kthehemi tek e kaluara, por u takon qytetarëve të vendosin dhe ne do ta respektojmë vendim e tyre.

Ju keni kritikuar shumë shpesh mënyrën se si janë trajtuar pakicat në Mal të Zi. A ka ndryshuar diçka duke patur parasysh që ju keni qenë ndonëse vetëm disa muaj, pjesë e qeverisë, tashmë teknike?

Nik Gjeloshaj: Shqiptarët nuk kanë qenë asnjëherë të integruar nëpër institucione në këtë nivel që kemi sot. Jo vetëm të integruar në vende të thjeshta pune, por duke drejtuar institucione, që në të kaluarën (shqiptarët) i kanë parë vetëm në televizor. Sot këto institucione drejtohen nga shqiptarët. Ky është një përparim i madh. Ka qënë një avancim i madh me pjesëmarrjen tonë në qeveri. Do të jemi pjesë e institucioneve, jo vetëm se drejtojmë institucione me mbështetje të madhe në Mal të Zi, por kemi qasje edhe tek buxheti dhe investimet në vendet ku jetojnë shqiptarët. Po marr shembull në komunën e Tuzit, ku buxheti i vitit 2023 është 17.2 milionë euro, falë projekteve tona dhe lobimit në qeveri. Pra kemi patur integrim dhe përparim. Qeveria është pajtuar me këtë realitet. Mendoj se në të ardhmen kjo përbën një bazë për vazhdimin e rritjes së pranisë sonë në qeveri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat