Schlee: Asociacioni nuk minon as kompetencat qendrore, as ato të komunave

Intervista

Schlee: Asociacioni nuk minon as kompetencat qendrore, as ato të komunave

Më: 6 shkurt 2023 Në ora: 10:07
Rene Schlee, përfaqësues i Fondacipnot Friedrich Ebert për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut

Rene Schlee, përfaqësues i Fondacionit gjerman Friedrich Ebert për Kosovën e Maqedoninë e Veriut thotë për DW, se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe mund të jetë një trupë koordinuese, pa kompetenca ekzekutive.

Intervista e plotë  

DW: Zoti Schlee, kryeministri i Kosovës  prezantoi para kuvendit gjashtë parime apo gjashtë kushte për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Si i vlerësoni Ju këto parime, të cilat u shpalosën brenda një debati të gjerë që po zhvillohet për Asociacionin?   

Schlee: E kam dëgjuar por, nuk i di detajet e asaj  le të themi 6 principet që kryeministri Kurti prezantoi në Kuvend. Mendoj se kryeministri po vazhdon t'i thotë shqetësimet e tij të mëhershme rreth Asociacionit dhe nuk shoh që ka ndonjë devijim të madh në atë që e ka thënë edhe më herët. Për herë të parë e kam takuar kryeministrin Kurti në  shtator të vitit 2019 para zgjedhjeve dhe ai qysh në atë kohë proklamonte që dialogu duhet zhvilluar mbi disa parime dhe ai tash vetëm po thotë që jemi të hapur për dialog konstruktiv dhe se dialogu duhet zhvilluar mbi disa parime. Deklarata në parlamentin e Kosovës mendoj që është ajo që e ka thënë edhe më parë, që jemi të hapur për dialog konstruktiv, por që duhet bazuar në disa parime.      

Zoti Schlee, ditë më parë ju prezantuat një draft se si do të dukej Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Me intereson të di, ku e mbështesni Ju draftin?

Schlee: E para është një propozim i parë si një lloj statuti për Asociacionin, por është e rëndësishme për mua që ta bëjë të qartë se ky nuk është statut dhe nuk është një statut gjerman. Ne jemi të pavarur në punën tonë, jemi një fondacion politik gjerman, por kjo nuk është një nismë qeveritare nga qeveria gjermane, kjo është një punë e jona e vetme e pavarur. Pra, drafti që propozuam është i bazuar tërësisht në kuadrin juridiko ligjor aktual të Kosovës.      

Shqetësimi kryesor që është krijuar në opinionin kosovar është që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, është një pushtet i tretë brenda Kosovës. Sa e rrezikon Asociacioni sistemin juridik të Kosovës?

Schlee: Këto shqetësime natyrisht që merren seriozisht. Unë mendoj që këtu ka dy shqetësime kryesore. E para lidhet me deklaratat publike të qeverisë së Kosovës që thotë, se nuk duhet që në Kosovë të krijohet një Republika Srpska si në Bosnje ku ka një pushtet të tretë, apo siç thuhet një shtet brenda shtetit. Dhe shqetësimi tjetër bazuar në planin e Ahtisarit është mbrojtja e pakicave dhe bazuar në atë plan për pakicat kanë përfitime të mëdha në planin e Ahtisarit ku përfshihet edhe niveli qendror. Pra, shqetësimi i opinionit kosovar është nga njëra anë, nëse pakica serbe ka të drejta në nivel qendror dhe në të njëjtën kohë në nivel lokal ka kompetenca të forta, kjo mund ta bëjë jofunksional shtetin e Kosovës.

Në propozimin tonë ne e kemi bërë të qartë, se në statutin që mund të hartohet, nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Asociacioni mund të jetë një trupë koordinuese horizontale që punon me komunat dhe që nuk do të minojë kompetencat qendrore ose ato të komunave apo në forma të tjera. Pra, po flasim për funksione të përbashkëta të koordinuara. Po do të marrë ndihma financiare ndërkombëtare, natyrisht edhe nga Serbia, por kjo duhet të jetë e rregulluar përmes Auditorit Gjeneral (kontrolli i përgjithshëm i financave, shën red.). Pra dua të them, nëse draft propozimin tonë, si shembull, e merr dikush dhe thotë ok, këtë po e implementojmë, atëherë mund të rregullohet çështja e financimit të Asociacionit. Pra, njerëzit kur ta shohin këtë draft propozim është thelbësore të dihet dhe e rëndësishme që të thuhet se ka më shumë nga ajo që nuk lejohet sesa ajo që lejohet.

Sipas jush a është e rëndësishme që ky draft i Asociacionit të diskutohet edhe me autoritetet serbe, pra në Beograd?

Schlee: Kjo nuk varet nga unë. Ajo çfarë unë mund të them, ja ku është drafti, në një debat publik. Edhe kur e bëmë publik draftin nuk e thamë se kush e merr draftin ose kush mund ta implementojë atë. Kjo është pyetje për ata që vendosin, pra vendimmarrësit. Pra baza jonë është se çfarë mund të implementohet dhe se bazohet në atë se çfarë është nënshkruar në Bruksel. Pra, nëse duhet implementuar, si duket ky implementim, të merren parasysh shqetësimet e përbashkëta të qeverisë qendrore dhe qytetarëve të këtyre komunave dhe natyrisht të merret në konsideratë ajo që është marrëveshje e Brukselit dhe këtu natyrisht që përfshihen edhe shqetësimet e qeverisë Serbe.      

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, thotë se në Kosovë nuk mund të ketë Asociacion një-etnik, sepse shteti i Kosovës është shumetnik? Në draftin tuaj a paraqitet Asociacioni një-etnik?

Schlee: Jo drafti i prezantuar nga ne nuk është draft monoetnik, kjo nuk e ndryshon linjën e rregullt të legjislacionit kosovar që është multieniciteti. Pra, komuna është komunë dhe nuk ka etni, për shembull Kaçaniku nuk është komunë etnike shqiptare, ajo është komunë, por natyrisht që në atë komunë jetojnë shumica shqiptare. Pra, kur flasim për asociacionin, - e para anëtarësimi  është vullnetar dhe çdo gjë që ndodh në Asociacion është vullnetare. Në lidhje me pyetjen tuaj, në njërën anë është koncepti legal i qeverisë qendrore dhe e dyta është niveli lokal i komunave dhe këtu nuk flasim për ndonjë etni, pra nuk flasim për monoetni.     

Në draftin tuaj thuhet se Asociacioni do të ketë dhjetë komuna me shumicë serbe. Aty mund të shtohen edhe komuna të tjera, por kjo duhet përcaktuar vetëm me statut. Çfarë ndodh  nëse nuk shtohen komuna të tjera, a nuk do të thotë kjo, se kemi të bëjmë me Asociacion monoetnik?

Schlee: Në draftin që publikuam ne thuhet se popullata e komunës është trupa e Asociacionit, pra është kuvendi komunal, apo kuvendet komunale të asociacionit dhe kjo e bën asociacionin shumë etnik, pra nuk janë 100% në një komunë qytetarë serbë, e për këtë nuk mund të themi se kemi të bëjmë me një Asociacion  monoetnik. Pra, Asociacioni apo qëllimi i Asociacionit nuk është që të minojë kompetencat e një komune dhe shërbimet që i ofron komuna dhe natyrisht  në të ardhmen Asociacionit mund t'i bashkohen edhe anëtarë të tjerë dhe këtë e lejon statuti i tij.    

Në draftin tuaj thuhet se Asociacioni mund të shpërbëhet me 2/3 e votave të kuvendit të Asociacionit, që i bie që asnjë institucion qendror i Kosovës nuk mund ta shpërbëjë Asociacionin, vetëm nëse vetë kuvendi i Asociacionit dëshiron që ta shpërbëjë veten e tij dhe kjo ka pak gjasa të ndodhë?

Schlee: Kjo është një pyetje e mirë por mendoj se natyrisht që mund të ndodhë, por kjo thuhet dhe shkruhet në tekstet legale të secilit Asociacion, secili Asociacion ka të drejtë që ta shpërbëjë vetveten. Nëse Asociacioni shkel rregullat e shkruara në draft atëherë niveli qendror mund ta zgjidhë këtë problem. Vizioni politik i  secilit shtet multietnik është që  ju përket atyre qytetarëve që përfshijnë edhe etninë e tyre. Në këtë rast kemi të bëjmë më shumë me një refleksion të një realiteti politik të vitit 2022-2023 dhe çështja është se po flasim për të drejtat e pakicave.            

Sipas pikëpamjes tuaj, sa konsensus ndërkombëtar ka rreth draftit që e prezantuat Ju për Asociacionin e Komunave Serbe. Si shembull, kishte një qëndrim të Britanisë së Madhe e cila është kundër themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe? Ka qëndrim të SHBA-së që Asociacioni duhet të themelohet. Nga drafti që prezantuat Ju, nga Friedrich-Ebert-Stiftung në opinion është krijuar përshtypja se ai është një propozim gjerman. Është ky një propozim gjerman?

Schlee: Drafti ynë nuk është një draft i qeverisë gjermane. Kam parë shumë reagime qysh në fillim kur kemi filluar të punojmë se kush ju ka autorizuar Juve si Friedrich-Ebert-Stiftung që ta bëni këtë draft, a mos po punoni në emër të qeverisë gjermane, apo  në ekipin e Lajҫakut, por unë e kam bërë të qartë -Jo- dhe se neve nuk na ka autorizuar askush. Pas 23 vitesh pune ne kemi pasur programe dhe aktivitete politike. Një nga pjesët e programit tonë është që ta mbështesim  Kosovën si një partner rajonal për paqe dhe stabilitet dhe në këtë linjë kemi të bëjmë me vazhdim të dialogut për normalizim të raporteve dhe Asociacioni është një çështje e rëndësishme dhe në interes të Kosovës dhe Serbisë.

Serbia nga ana e saj kërkon që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive dhe kemi anën tjetër qeverinë e Kosovës që është kategorike kundër  kësaj. Dhe në këtë linjë drafti ynë, ky propozim është i bazuar në pragmatizëm politik dhe në mes të një diҫkaje, pra një propozim konstruktiv dhe të paktën një fillim i diçkaje për një debat publik që mund të çojë gjërat përpara. Ka qenë një punë e vështirë dhe e gjatë dhe mund t'iu siguroj që nuk është autorizuar nga askush apo kërkuar nga qeveria gjermane. Ne jemi një fondacion i pavarur politik dhe e di që është e vështirë që të pranohet kështu siҫ po them, por ajo që mund të them është që edhe kjo punë, drafti ynë është pjesë e punës që e bëjmë njësoj prej 23 vjetësh. Kësaj here po punojmë në një çështje të ndërlikuar, por jo nuk ndryshon aspak natyrën e punës që ne bëjmë. Ne punojmë me partnerë nga shoqëria civile dhe me ekspertë kosovarë, po ashtu edhe me pjesëtarë të komunitetit  serb, prandaj mendoj, se drafti ynë për Asociacionin është një propozim konstruktiv për një çështje të rëndësishme.              

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat