FSK në 15 vjet shtet, Syla tregon arritjet, sfidat dhe synimet – komenton edhe trendin e largimit të ushtarëve

Intervista

FSK në 15 vjet shtet, Syla tregon arritjet, sfidat dhe synimet – komenton edhe trendin e largimit të ushtarëve

Arife Morina Nga Arife Morina Më 17 shkurt 2023 Në ora: 16:08
Pjesëtari i FSK-së

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla në një intervistë për gazetën “Bota sot” ka folur për arrijet, projektet dhe sfidat me të cilat po përballet kjo ministri.

Po ashtu, Syla komentoi edhe rritjen e buxhetit ushtrinë, ku tha se kjo ka shtuar aftësitë dhe kapacitetet e FSK-së në të gjitha dimensionet.

“FSK-ja është e gatshme në shumë prej fushave të përgjegjësisë së saj të realizojë misionin kushtetues dhe ligjor”.

Krahas kësaj, ai tregoi edhe arsyet e trendit të largimeve të pjesëtarëve të FSK-së, ku tha se me këtë dukuri po përballen shumica e ushtrive, jo vetëm ajo e Kosovës.

Gjithashtu, zëvendësministri tregoi edhe punën që po bëhet që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s.

“Aktualisht, së bashku me institucionet tjera relevante, jemi duke punuar në Strategjinë për anëtarësim në PPP si dhe jemi duke bashkëpunuar ngusht me forcat e vendeve partnere për të zhvilluar FSK-në me kapacitete të ndërveprueshme, për pjesëmarrje efektive në operacione të përbashkëta ndërkombëtare”, tha ndër të tjera Syla.

Intervista e plotë

Image
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla

Gazeta “Bota sot”: Cilat janë të arriturat dhe sfidat më të mëdha në Ministrinë e Mbrojtjes?

Shemsi Syla: Të arriturat e Ministrisë së Mbrojtjes janë të shumta. Përgjatë këtyre dy viteve, fokusi ynë ka qenë në reformën e përgjithshme ligjore dhe administrative, për të vazhduar me dokumentet strategjike, si dhe zhvillimin dhe avancimin e politikave të mbrojtjes në fushën e burimeve njerëzore, si në rekrutimin e kontingjenteve të reja të ushtarëve e kadetëve të rinj, arsimimin dhe stërvitjen, modernizimin e forcës me projekte të reja infrastrukturore, sistemet e avancuara të makinerisë ushtarake, tekonologjisë, armatimit e pajisjeve, mbështetjes logjistike etj.

Gjithashtu, kemi arritur rezultate të mira në kuadër të thellimit të bashkëpunimit ndërkombëtar me ministritë dhe forcat e vendeve partnere, si dhe zgjerimin e këtij spektri me vendet që jemi në proces të kurorëzimit të marrëveshjeve bilaterale të bashkëpunimit.

Gazeta “Bota sot”: Së fundmi, është raportuar për disa pjesëtarë kanë braktisur FSK-në. Si e komentoi këtë? Cilat janë shkaqet?

Shemsi Syla: Duke u bazuar në legjisacionin e rregulloret në fuqi, është e drejtë e çdo ushtaraku të shërbejë sa të dojë në ushtri. Ushtria jonë është ushtri vullnetare. Është një kohë që përcakton kohëzgjatjen në detyrë, pastaj është e drejtë e tij apo e saj që të zgjedhë. Trendi i largimeve është në kondita të trendit me vendet e rajonit dhe ato të vendeve të NATO-s.

Gazeta “Bota sot”: Ministri Mehaj duket të jetë shumë aktiv me vizita dhe takime në shtete të ndryshme. Sa marrëveshje bilaterale janë arritur këtë vit dhe me cilat shtete?

Shemsi Syla: Po, në këtë drejtim ai po realizon objektivin për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit dhe partneritetit me vendet mike me vizionin për anëtarësim në iniciativat nderkombëtare të sigurisë, Programin për Partneritet për Paqe, si rrugë për anëtarësim në NATO.

Gazeta “Bota sot”: Sa janë shtuar kapacitetet e FSK-së këtë vit duke marrë për bazë ndarjen e buxhetit më të madh ndonjëherë?

Shemsi Syla: Rritja e buxhetit për dy vitet e mandatit tonë si Qeveri, ka shtuar aftësitë dhe kapacitetet e FSK-së në të gjitha dimensionet. Tanimë, FSK-ja është e gatshme në shumë prej fushave të përgjegjësisë së saj të realizojë misionin kushtetues dhe ligjor.

Edhe buxheti prei 123 milion euro për vitin 2023 eshte një mundësi e shkëlqyeshme për të realizuar shumë nga plani ynë zhvillimor.

Gazeta “Bota sot”: Muajt e fundit, ka pasur tensione në veri të Kosovës, ku serbët kanë provokuar, madje edhe sulmuar. Si i keni parë gjithë këto zhvillime?

Shemsi Syla: Ministria e Mbrojtjes me FSK- në, përmes mekanizmave përgjegjës profesional dhe zyrtar, monitorojmë, analizojmë dhe vlerësojmë pandërprerë mjedisin e sigurisë së brendshme, atë rajonal, kontinental dhe global, duke identifikuar kërcënimet, rreziqet dhe sfidat që mund të cenojnë sigurinë e vendit, integritetit territorial dhe sovranitetin tonë shtetëror.

Në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet tjera të vendit, vendet aleate dhe KFOR-in, jemi të obliguar për të siguruar dhe mbrojtur vendin dhe qytetarët tanë.

Gazeta “Bota sot”: Dërgimi i FSK-së në veri të vendit u diskutua shumë gjatë kohës kur serbët vendosën barrikada kufijtë e asaj pjese, si Ministri e Mbrojtjes, a do të ndërmerrni ndonjë iniciativë në bashkëpunim me KFOR-in që edhe FSK të jetë prezentë atje?

Shemsi Syla: Është e ditur se përgjegjës për siguri në Kosovës është KFOR-i, sipas mandatit që ka për çdo pjesë të teritorit të Kosovës, si në veri, jug, lindje apo përendim. Në bashkërendim të ngushtë veprojmë edhe ne, kurdo që rrezikohet teritori, integriteti dhe sovraniteti jemi bashkë, sepse kështu na obligon kushtetuta e vendit.

Gazeta “Bota sot”: Këtë vit Kosova është nikoqire e “Defender-Europe’23”, a mund të na tregoni çfarë përgatitje po bëhen dhe si po shkojnë ato?

Shemsi Syla: FSK-ja është duke realizuar përgatitjet finale për pjesëmarrje sa më të suksesshme në këtë Stërvitje përkrah forcave amerikane dhe forcave tjera aleate.

Pjesëmarrja jonë eshte konfirmim i besueshmërisë së lartë që kanë SHBA-të në Kosovën, si njëri nga vendet pritës. Mbi 1300 forcave tona që do të angazhohen në këtë stërvitje.

Gazeta “Bota sot”: Cila janë objektivat që prisni t’i arrini gjatë vitit 2023?

Shemsi Syla: Vazhdimin e punëve në proces nga viti i kaluar në të gjitha fushat e lartpërmendura.

Gazeta “Bota sot”:Këtë vit shënohet edhe 15 vjetori i pavarësisë së Kosovës, sa ka avancuar FSK-ja në gjithë këto vite?

Shemsi Syla: 15 vjetorin e Pavarësisë së Vendit e presim me shumë objektiva të realizuara dhe me synime për suksese të reja, me besimin e fuqishëm se edhe përvjetorët e ardhshëm t' i presim me rezultate edhe më të mëdha. Ftoj gjithë qytetarët e vendit më 17 shkurt të vijnë në Bulevardin " Nënë Tereza" në Prishtinë të festojnë me kuadratet e FSK- së dhe Policisë së Kosovës që do të parakalojnë solemnisht.

Gazeta “Bota sot”: Çfarë po bëhet konkretisht që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s?

Shemsi Syla: Aktualisht, së bashku me institucionet tjera relevante, jemi duke punuar në Strategjinë për anëtarësim në PPP si dhe jemi duke bashkëpunuar ngusht me forcat e vendeve partnere për të zhvilluar FSK-në me kapacitete të ndërveprueshme, për pjesëmarrje efektive në operacione të përbashkëta ndërkombëtare.

Faktor shtesë, shumë i rëndësishëm në këtë proces, është Ekipi permanent Keshillues dhe Nderlidhës i NATO-s, me të cilin jemi duke punuat bashkërisht në secilin aktivitet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat