Kosova në sytë e ushtarit që shërbeu për 25 vjet, Murati rrëfen ngjarje të padëgjuara për Betejën e Koshares

Intervista

Kosova në sytë e ushtarit që shërbeu për 25 vjet, Murati rrëfen ngjarje të padëgjuara për Betejën e Koshares

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 23 shkurt 2023 Në ora: 17:41
Beteja e Koshares

Është ushtar qe 25 vjet dhe vazhdon ta mbajë me krenari uniformën ushtarake, si simbolin më të dashur që ia kujton misionin e shenjtë e fisnik.

Hazir Murati në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka rrëfyer emocionet e tij me uniformën ushtarake dhe si shihet Kosova në sytë e një ish-ushtari.

Murati, i cili ka qenë pjesëmarrës në aksione të ndryshme gjatë luftës në Kosovë, ndër to edhe në “Betejën e Koshares”, ka treguar përvojën e tij si njëri ndër shumë protagonistët e pritës, gjersa ka përmendur edhe luftëtarët tjerë që tashmë kanë dhënë jetën për Kosovën.

Ushtari Murati ka rrëfyer periudhat më të vështira të tij gjatë luftës 1998/99, duke veçuar dy.

Murati ka folur edhe rreth kapaciteteve të ushtrisë së Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare gjatë luftës, gjersa ka treguar edhe fushat ku duhet të fokusohet Kosova për një të ardhme më të mirë.

Image
Hazir Murati

Intervistoi: Naile Ejupi

“Bota sot”25 vjet ushtar, na komento udhëtimin e një ushtari shqiptar ndër vite?

Hazir Murati: Mbase fati deshi kështu. Unë e kam pas një fat ose të kaluarën sfiduese në periudhën e luftës tonë çlirimtare me shumë shokë të Batalionit të Dytë "Ruzhdi Salihu" të Brigadës 121 Kumanova në Zonën Operative të Pashtrikut. Nga viti 1998 e deri sot bëhen 25 vite dhe hala jam në uniformë ushtarake duke kontribuar për sigurinë e vendit tim dhe ndihem i lumtur e krenar që mundem akoma t'i shërbej Kosovës. Kam kaluar në shumë situata dhe tranzicione të ndryshme dhe ndihem jashtëzakonisht i nderuar që i shërbej edhe pas 25 viteve Republikës së Kosovës me uniformë ushtarake në misionin ma të shenjtë dhe fisnik si ushtarak. Vetëm e vetëm për mbrojtjen e sovranitetit të Republikës së Kosovës e kurdoherë e në çdo kohë që i paraqitet rreziku, jam këtu pa e kursye as jetën time.

“Bota sot”: Keni qenë pjesëmarrës në aksione të ndryshme gjatë luftës. Ndër to, edhe në Betejën e Koshares. Një rrëfim nga ajo betejë?

Hazir Murati: Nga viti 1998 - 1999, unë jam njëri ndër shumë protagonistët e pritës. Pra, Betejës së 14 Dhjetorit 1998 që ndodhi në Bjeshkët e Pashtrikut tek likenet e Hasit, e që u përjetësuan në altarin e lirisë 41 bashkëluftëtarë të mi në krye me Komandant Mujë Krasniqin (KAPUÇIN), themeluesin edhe publikuesin për herë të parë në skenën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë Pritë-Betejë të 14 Dhjetorit 1998, nga Batalioni Dytë "Ruzhdi Salihu" ku isha pjesë e Batalionit, dhanë jetën për liri për të mos vdekur kurrë edhe dymbëdhjetë bashkëluftëtarë e në mesin e tyre edhe tre kushërinj: Qamil Hysni Olluri, Isa Adem Olluri dhe Enver Zymer Olluri si dhe përgjegjësi i ekipes tonë, Bashkim Azem Krasniqi nga fshati Zllakuqan i Lipjanit. Këtu kemi marrë plagë dhe kemi pasur vështirë shkaku i të ftohtit që mbizotëronte atë kohë në malet e Pashtrikut, e ne që mbijetuam nga kjo tragjedi, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së pasi që nuk na ndali as shtëpia e shëndetit të Krumes së Hasit në Shqipëri, e as spitali i Kukësit, në mënyrë urgjente na dërguan në Spitalin Ushtarak në Tiranë për shërim. Pa u shëruar mirë, na dërguan në Koshare për thyerje të Kufirit shqiptaro-shqiptar për arsye që e kishim përvojën luftarake. Aty me 9 Prill 1999 së bashku me shumë shokë që ishim dhe protagonistë të Pritë-Betejës se Pashtrikut 14 Dhjetor 1998 na ra fati ta bëmë edhe thyerjen e kufirit në Koshare. Në Koshare kam pas fatin t'i njohë për së afërmi shumë burra të mëdhenj të çështjes Kombëtare siç është Komandant Agim Ramadanin, Xhemail Fetahun, Sali Çekun, Fadil Malokun, Rrahman Tafajn, Harun Bekajn, Abaz Thaçin e shumë e shume luftëtarë idealistë. Në këtë Betejë me 11 Prill 1999 i kemi humbur dy shokë dhe luftëtar të paepur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrahman Tafajn nga Carraleva e Shtimes dhe Harun Beka nga Komuna e Mitrovicës. Këta dy ishin të njësisë tonë ku luftonim, por në të njëjtën ditë është ra në altarin e lirisë edhe Komandanti, Agim Ramadani.

“Bota sot”: Cilat kanë qenë ngjarjet ose periudhat më të vështira gjatë luftës së viteve 1998-1999 që jeni përballur?

Hazir Murati: Në luftën tonë të lavdishme Çlirimtare kam pasur shume momente të ndryshme të lavdisë e krenarisë, por edhe të dhimbjes e të humbjes së shokëve të idealit në beteja, por që kisha dashtë t'i veçoj janë dy raste, e që kanë mbetur thellë në kujtesën e zemrën tim, e që nuk do t'i harroj deri në vdekje. Njëra është Betejë-Prita e 14 Dhjetorit 1998 në Pashtrik tek likenet e Hasit ku i humbëm 41 Dëshmorë të Atdheut që ranë në altarin e lirisë për të mos vdekur kurrë dhe pastaj janë nxënë rob edhe 9 pjesëtarë nga radhët tona të UÇK-së. Tjetra, Beteja e Koshares ku edhe këtu i humbëm shumë shokë që u flijuan për liri të gjithë heronjtë dhe dëshmorët e Kombit, e që janë te barabartë sepse kanë rënë në altarin e lirisë për të vetmin qëllim: Për lirinë e vendit tonë që brezat e tashëm dhe të ardhshëm që vijnë pas nesh të jetojnë të lirë në trojet tona stërgjyshore. Në këtë rast i kisha veçuar dy bashkëluftëtarë tonë, e që tash janë heronj të Kosovës, për arsye se më lidhin përjetimet, e që kam pasur rastin më shumë të rri me ta e të luftojmë bashkë e aty dy janë: Rrahman Tafa dhe Harun Beka. Në momentin që dha jetën për liri të Kombit Harun Beka, unë së bashku me Shpend Daka nga Korisha e Prizrenit dhe Osman Zeqiri nga Varigoc i Lipjanit, e kemi organizuar tërhekjen e tij nga fushëbeteja, i plagosur rëndë nga snajperka me kalibër 12.5 dhe pse Doktor Isuf Abazi nga Godanci i Shtimes ia jep ndihmën e parë, por nga plagët e marra dhe gjakderdhja e madhe nuk kishte mundur t'i përballonte dot dhimbjet. Këto janë dy momentet që deshta t'i veçoj dhe t'i ndaj me ju dhe lexuesit e redaksisë tuaj, janë ngjarje që nuk harrohen dhe që lidhen me të kaluarën.

“Bota sot”: Si e shihni sot Kosovën Republikë. Ushtrinë e Kosovës. Për çfarë ka nevojë që ta ngrisim ushtrinë lart e më lart?

Hazir Murati: Mendoj se është bërë mjaft në progresin e vendit tonë në të gjitha sferat jetësore dhe institucionale, nëse e kemi parasysh që nuk kemi pasur asgjë, sepse kemi qene nën okupim dhe nuk ka qenë e lehtë me dalë në rrugë, e me u përballë me policinë serbe edhe për nevojat ma elementare. Ka vend për të dëshiruar edhe më shumë. Unë mendoj se po, vetëm më duhet që të mendohet dhe zhvillohet ma shumë çështja ekonomike në vendin tonë dhe të hapen vende të reja pune që të rinjtë tanë të mos emigrojnë jashtë vendit sepse është çështja ma vitale e çdo shoqërie, e në këtë rast edhe rinia jonë. Ushtria jonë është një forcë moderne dhe shumë profesionale, etnike dhe e gatshme ne çdo kohë për ta mbrojtur sovranitetin e vendit tonë. Vetëm duhet shtuar financa për t'i plotësuar kërkesat e nevojshme të saj, të jetë në proporcion me shtetet e rajonit me teknikë ushtarake sepse është më se e nevojshme.

“Bota sot”: Si i komentoni kapacitetet e ushtrisë sonë në krahasim me Ushtrinë Çlirimtare të viteve 1998-1999. Atë kohë ishim të rrethuar nga shumë anë prej ushtrisë kriminale serbe. Vështirësitë dhe lehtësitë nga ajo kohë me të tanishmen?

Hazir Murati: Është diemetralisht larg njëra me tjetrën krahasimi i sotëm i Ushtrisë së Kosovës me atë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës 1998-1999, sepse jemi 25-vite pas dhe kanë ndryshuar shume rrethanat, mundësitë dhe profesionalizmi doktrinor. Gjatë periudhës së luftës 1998-1999 për një armë personale është dashtë të shkosh në Shqipëri për t'u pajisur me të, t'i kalosh alpet shqiptare edhe pse kufiri shqiptaro-shqiptar në atë kohë ka qenë ndër kufijtë ma të rrezikshëm në evropiano- juglindore sepse Serbia e dinte shume mirë se nga i kishim korridoret kryesore për furnizim me armatim dhe municion. Andaj, ajo e kishte bllombuar apo e kishte blinduar nga të gjitha anët me forcat ma elitare të ushtrisë së saj, si dhe e kishte minuar çdo cep të tij, por rinia shqiptare nuk hezitoj për asnjë moment dhe ja mësyni kufirit sepse e kishin ngarkuar mbi supet e tyre te njoma misionin më të rëndë të kohës: luftën për çlirimin e vendit. E sot nuk qëndron më ky problem për armë dhe municion. Sot kemi artileri moderne dhe po forcohemi dita e ditës.

“Bota sot”: Keni qenë pjesëmarrës në shumë organizime dhe iniciativa rreth inaugurimeve të përmendoreve të dëshmorëve. Na përmend disa dhe nëse flisni nga këndvështrimi i një qytetari, i një aktivisti i pavarur, çfarë do të kërkoni më shumë nga institucionet shtetërore?

Hazir Murati: Unë bëj përpjekje maksimale të marrë pjesë në përvjetorë të heronjve dhe dëshmorëve të Kombit anekënd trojeve shqiptare: Kosovë Shqipëri dhe Maqedoni. Mirëpo, angazhimi në Ushtri më kufizon sepse po kemi angazhime të mëdha rreth punës time, por kryesisht jam i angazhuar në fshatin tim të lindjes në Krojmir të Lipjanit më shumë. Kjo ngase aty i kemi katër Heronj të Kombit: Halil Nezir Meta, Qamil Hysni Olluri, Isa Adem Olluri dhe Enver Zymer Olluri, njëherish kam qenë bashkëluftëtar me Qamilin, Isen dhe Enver Olluri. Kam të kaluar fëmijërore me ta dhe të kaluar në luftë, çka ndikon direkt. Çdo pllakë që është ngritë për këta heronj të Kombit përveç pjesëmarrës në këshill organizativ, që nga viti 1999 kam qenë edhe organizator, por edhe donator për finalizimin e këtyre nismave dhe veprave historike. Kështu jam munduar sado pak t'i ruajmë dhe t'i promovojmë këto vlera të larta historike. Kam qenë Kryetar i Këshillit Organizativ në Krojmir për ngritjen e memorialit te katër heronjve nga fshati jonë në vitin 2021, ku sot gjindet në mes të fshatit Krojmir në aksin rrugor Carralev – Komoran. Ai memorial dhe çdo memorial kudo në Kosovë janë kryevepra historike që simbolizojnë historinë më të ndritur të popullit tonë të lashtë. Për memorialin e dëshmorëve në Krojmir kanë dhënë kontribut të madh të gjithë banorët e fshatit sipas mundësive të tyre, duke arritur ta ndërtojnë njërin nga memorialët më të rëndësishme të asaj ane.

“Bota sot”: Si e sheh Kosovën një ushtar i FSK-së, ku duhet të ecim tutje, në cilat fusha?

Hazir Murati: Mendoj që fushat ku duhet fokusuar e punuar më shumë janë shkenca, ekonomia dhe siguria. Mendoj që ekonomia dhe siguria në situatën e shtetit tonë ndërlidhen shumë dhe nuk bën njëra pa tjetrën. Pa harruar shkencën përmes të cilës mund t'i sjellim shumë arritje vendit tonë.

“Bota sot”: Cilat janë mesazhet që do t'i përçonit tek të rinjtë e të rejat për të qenë një ushtar/e i/e denjë?

Hazir Murati: Mesazhi im është ky: Ta duash atdheun është obligim, t'i shërbesh atdheut është nder, detyrë e borxh. Behu pjesë e shërbimit ma fisnik të atdheut tënd sepse detyra, nderi dhe atdheu janë mbi të gjitha. Pa atdhe nuk ka asgjë. Me të identifikohemi. Me të jetojmë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat