Borrell: Nuk duam një Luftë të Tretë Botërore

Intervista

Borrell: Nuk duam një Luftë të Tretë Botërore

Më: 24 shkurt 2023 Në ora: 07:04
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se BE-ja do ta vazhdojë përkrahjen financiare dhe ushtarake për Ukrainën, por pa u bërë pjesëmarrëse në luftën me Rusinë.

“Ne duhet ta mbajmë baraspeshën mes përkrahjes ushtarake për Ukrainën dhe të mos konsiderohemi një pjesëmarrës agresiv në luftë. Ne nuk e duam një Luftë të Tretë Botërore”, tha shefi i diplomacisë së BE-së në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Në përvjetorin e parë të nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, Borrell tha se BE-ja duhet t’i dërgojë sa më shpejt tanket luftarake në Ukrainë, ndërsa shtoi se vendet anëtare do ta shqyrtojnë kërkesën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për aeroplanë luftarakë.

Megjithatë, ai përmendi edhe opsionin e bisedimeve për paqe, të cilin Zelensky e quajti më 20 shkurt si “dialog të padobishëm” pasi që tha se “ne nuk jemi në pozicion për të ndryshuar sjelljen e Rusisë”.

Borrell gjithashtu se tha sanksionet e vendosura nga BE-ja për gazin dhe naftën ruse kanë dëmtuar Rusinë, por se pasojat e luftës që nisi më 24 shkurt të vitit të kaluar po i vuajnë edhe të tjerët.

“E gjithë bota është duke paguar shtrenjtë për këtë: ngritje të çmimeve të elektricitetit, energjisë, ushqimit, inflacionit dhe rritjes së ulët ekonomike. Të gjithë në botë po i paguajnë pasojat e vendimit të [presidentit rus, Vladimir] Putinit për pushtimin e Ukrainës”, tha Borrell.

Zoti Borrell, ne po i afrohemi përvjetorit të luftës. Pyetja ime e parë, [duke nisur] nga fillimi, që dua t’ua bëj dhe do t’u kërkoja ta rifreskoni kujtesën për natën nga 23 deri më 24 shkurt… Atëherë, si e morët vesh se Rusia e pushtoi Ukrainën? Dhe cili ishte reagimi juaj i parë si zyrtar i lartë i BE-së dhe gjithashtu si qenie njerëzore?

Josep Borrell: Atëherë, një vit më parë, në orën pesë të mëngjesit, e mora një telefonatë. Dhe kur e dëgjova zilen e telefonit, unë e imagjinova menjëherë se kjo telefonatë po bëhej për të më lajmëruar se Kievi po bombardohej. Dhe këtë ma tha zëri në anën tjetër të telefonit: ‘Kievi po bombardohet’. Dhe pastaj e kuptova se po ndërrohej një faqe në histori dhe se ne po hynim në një situatë dramatike. Një vit më vonë, mijëra njerëz kanë humbur jetën. Ukraina po shkatërrohet. Civilët po bombardohen. Infrastruktura po shkatërrohet plotësisht: nuk ka elektricitet, nuk ka ujë. Kjo është një tragjedi për qytetarët ukrainas, por edhe për qytetarët rusë. Dhjetëra mijëra ushtarë kanë humbur jetën, edhe më shumë janë të plagosur. Për Rusinë… është situatë dramatike edhe për qytetarët rusë, jo për [presidentin e Rusisë, Vladimir] Putinin dhe njerëzit e tyre. Por, për qytetarët rusë, është një histori e dhimbshme. Dhe ne nuk e dimë se sa do të zgjasë.

Ne kemi dëgjuar që nga fillimi se disa vende anëtare të BE-së kishin dyshime për kapacitetin e Ukrainës për ta përballuar këtë dhe se ata supozonin se Kievi dhe Ukraina në përgjithësi do të binin. Atëherë, dua të ju pyes: cilat vende anëtare të BE-së nuk besuan në Ukrainën dhe, në anën tjetër, cilat besuan dhe cilit kamp i përkisni ju?

Josep Borrell: Askush nuk priste që Ukraina të rezistonte ashtu siç kanë bërë. Askush. Pa dyshim që jo Putini. Putini ishte i bindur se brenda nja dy javëve do të ishte në Kiev. Dhe pa dyshim që shumica e miqve ukrainas ishin të frikësuar se Ukraina nuk mund të rezistonte. Por, forcat ruse e kanë dëshmuar se ushtria nuk ishte edhe aq e mirë sa dyshohej dhe se ukrainasit [ishin] shumë më guximtarë dhe të gatshëm ta mbronin vendin e tyre. Dhe që nga momenti i parë, unë isha i mendimit se nuk mjaftonin sanksionet ekonomike. Nuk mund t’i përgjigjeni një pushtimi, një pushtimi brutal të një vendi vetëm duke ndaluar eksportet dhe importet. [Isha i mendimit] se duhej të bëhej diçka tjetër dhe të ofrohet ndihmë ushtarake. Dhe, falë kësaj ndihmës ushtarake, Ukraina ka mundur të rezistojë.

Epo, ata dhanë shumë më shumë se vetëm armë: ata dhanë jetën, ata dhanë kurajën, ata e dhanë vullnetin e tyre për të rezistuar dhe për t’u bërë, për të mbetur – jo për t’u bërë, ata janë – për të mbetur vend i lirë dhe i pavarur. Dhe kjo është ajo që ne duhet ta bëjmë, dhe duhet ta bëjmë më shpejt, [ta bëjmë] më shumë dhe më shpejt.

Është e vërtetë që reagimi i BE-së ka qenë i paprecendentë që nga fillimi. Dua ta them, me sanksione me të vërtetë të fuqishme dhe ju gjithashtu u larguat nga gazi rus dhe vendosët embargo mbi naftën. Gjithashtu, ju i ofruat Ukrainës ndihmë financiare dhe ushtarake. Dhe, megjithatë, Ukraina llogarit në më shumë [përkrahje]. Atëherë, sipas mendimit tuaj, çfarë tjetër mund të bëjë BE-ja për Ukrainën?

Josep Borrell: Të njëjtën gjë. Më shumë dhe më shpejt: përkrahje ekonomike, përkrahje ushtarake, stërvitje për ushtarët, ndihmë humanitare, bërja e diplomacisë te palët e treta, te vendet e botës së tretë, sanksionimi i ekonomive të Rusisë që t’ua pamundësojë atyre vazhdimisht e financimit të luftës. Këtë kemi tentuar ta bëjmë. Dhe këtë duhet të vazhdojmë ta bëjmë. Unë nuk do ta zbuloj rrotën. Unë thjesht e kam kokëfortësinë, këmbëngulësinë, durimin strategjik të nevojshëm. Nëse Ukraina reziston, ne duhet t’i përkrahim ata. Ka një kosto për ne, por shumë më të vogël sesa ajo që ukrainasit dhe, më vjen keq të them, edhe rusët po e paguajnë. Kjo luftë është një turp për të gjithë botën, më shumë për ukrainasit dhe rusët sesa për ne, por e gjithë bota është duke paguar shtrenjtë për këtë: ngritje të çmimeve të elektricitetit, energjisë, ushqimit, inflacionit dhe rritjes së ulët ekonomike. Të gjithë në botë po i paguajnë pasojat e vendimit të Putinit për pushtimin e Ukrainës.

A e keni bërë ndonjë vlerësim të ndikimit të sanksioneve për Rusinë?

Josep Borrell: Shikoni, viti i kaluar ishte një vit i mirë për Rusinë sepse çmimet e energjisë po kulmonin. Në korrik-gusht, ne po paguanim 300 euro për megavat në orë elektricitet: gjashtë deri në dhjetë herë më shumë se para luftës. Dhe ne jemi ende të varur në gazin dhe naftën ruse. Por, kjo po ndryshon sepse ne nuk po blejmë më. Rusia e ka humbur klientin kryesor të gazit. Dhe nuk do ta marrim një tjetër. Rusia po humbet para. Shikojini shifrat: buxhetin [e kishte] në deficit këtë janar, 14 herë më shumë në deficit se janarin e vitit të kaluar. Në tregti, përfitimet nga nafta po bien. Shikoni, ata po i marrin 40 dollarë për secilën fuçi të naftës Urale. Dyzet dollarë, kur nafta Brent [e nxjerrë në Detin e Veriut] kushton 80 dollarë. [Ka] deficit të madh tregtar. Kështu që, ekonomia ruse do të pësojë një goditje. Por, nuk do të ketë ndikim brenda natës. Duhet kohë. Por, [sanksionet] bëjnë dëme, bëjnë dëme të mëdha.

Atëherë, për sa gjatë, sipas vlerësimit tuaja preliminar, do të ketë kapacitet Rusia të luftojë kundër Ukrainës?

Josep Borrell: Unë nuk kam një top kristali. Por, pa dyshim, ekonomia ruse do të dëmtohet nga sanksionet. Ata kanë humbur shumë… pala ushtarake ka humbur shumë jetë. Por, edhe shumë mjete: mbi 1.600 tanke janë shkatërruar. Diçka që Putini nuk mund ta ketë imagjinuar kurrë. Por, fatkeqësisht, ata duken të gatshëm ta vazhdojnë luftën sepse ata po mbledhin 300.000 ushtarë në vijën e frontit, dyfish më shumë se numri i ushtarëve që kishin në kufi para luftës. Dhe të gjithë janë të frikësuar se kur moti të përmirësohet, ata do të sulmojnë. Atëherë, ata e kanë nisur një ofensivë. Ata do të tentojnë ta thyejnë rezistencën e ukrainasve. Dhe për këtë arsye ne duhet të vazhdojmë t’i mbështesim ata dhe do ta mbajmë një derë hapur për çfarëdo procesi të paqes që ndokush mund të arrijë ta nxisë.

Ukraina do ta cilësonte fitore të plotë kthimin nën kontrollin e vet e të gjithë territoreve brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht të vitit 1991. Presidenti ukrainas madje beson se kjo mund të jetë e mundshme brenda këtij viti, 2023-tës. Cili është vlerësimi juaj?

Josep Borrell: Është normale që Ukraina po lufton për integritetin e vet territorial. Dhe ne e përkrahim integritetin territorial dhe Kartën e OKB-së. Më falni, nuk jemi ne, nuk janë ukrainasit. Është Karta e OKB-së që bazohet në integritetin territorial të të gjithëve brenda kufijve të tyre të njohur ndërkombëtarisht. Kjo është diçka që është gurthemeli i rendit tonë ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Dhe rregulli më i rëndësishëm është zgjidhja paqësore e konflikteve, respektimi i sovranitetit të shteteve dhe respekti për integritetin e tyre territorial. Pa dyshim që presidenti [i Ukrainës, Volodymyr] Zelensky e kërkon këtë.

Sa janë afër vendimit lidhur me kërkesën e Ukrainës vendet anëtare të BE-së që posedojnë aeroplanë luftarakë?

Josep Borrell: Ne duhet ta mbajmë baraspeshën mes përkrahjes për Ukrainën – ushtarake – dhe të mos konsiderohemi një pjesëmarrës agresiv në luftë. Ne nuk e duam një Luftë të Tretë Botërore. Dhe për këtë arsye ne nuk jemi agresiv. Ne e përkrahim njërën anë, por ne nuk jemi pjesë e luftës. Dhe kjo e krijon një një baraspeshë të caktuar dhe një përkujdesje të caktuar. Dhe ne duhet ta studiojmë me kujdes: cili është niveli i përkrahjes? Por, siç e kuptoj unë, kjo përkrahje duhet të jetë e madhe sa të jetë e nevojshme. Ka pasur një debat se a duhet ta furnizojmë me tanke luftarake? Po, ne do të ofrojmë tanke luftarake. A duhet të ofrojmë aeroplanë luftarakë? Kjo është një kërkesë nga presidenti Zelensky. Këtu, në Mynih, ai e ka kërkuar këtë gjë. Dhe vendet anëtare duhet ta shqyrtojnë këtë kërkesë. Por, tani për tani, le t’i dërgojmë tanket që i kemi premtuar sepse tanket nuk janë ende atje. Dhe duhet të jenë shpejt atje [në Ukrainë].

A e ka bërë BE-ja gati planin se si do ta mirëmbajë paqen në kontinent pas triumfit të Ukrainës? Dhe si planifikon BE-ja t’i qaset Rusisë pas kësaj? Pra, shkurtimisht, çka mund të bëni me Rusinë?

Josep Borrell: Epo, atëherë, Rusia nuk do të zhduket. Rusia është një komb i madh. Ne nuk kemi asgjë kundër qytetarëve rusë. Edhe ata po vuajnë nga këto luftëra. Ata po vuajnë. Ata po humbin jetë. Dhe po humbin mundësi ekonomike. Ata po humbin mirëqenien. Dhe Rusia do të jetë aty kur të përfundojë lufta. Kështu që, ne duhet të fillojmë të mendojmë se si mund të ndërtohet paqja dhe si mund të rindërtohet siguria në Evropë. Dhe kjo do të duhet të ndodhë një ditë. Sa më herët, aq më mirë. Dhe ne duhet ta imagjinojmë si [do të ndodhë]. Por, Rusia… kush do ta përfaqësojë Rusinë pas luftës? Kush e di?

A do të ndodhë kjo në vitet apo dekadat e ardhshme?

Josep Borrell: Të jem i sinqertë, nuk e di. Ju po më bëni një pyetje që nuk mund t’i përgjigjem. Ju e dini, për momentin unë e kam një detyrë, e kam një punë. [Puna ime] është ta mbajë unitetin mes vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të 27-të vendet së bashku – dhe nuk është e lehtë – në mënyrë që të pajtohemi për sanksionet, përkrahjen ushtarake apo aktivitetin diplomatik. Dhe kjo më mban të zënë.

Nga historianët, ne dëgjojmë kritika për Traktatin e Versajës, që i dha fund Luftës së Parë Botërore. Kështu, unë dua të ju pyes nëse pajtoheni se, në atë kohë, Gjermania ishte trajtuar padrejtësisht dhe e humbi, në fakt, 20 për qind të territoreve. Kështu që, a do të funksiononte kjo skemë e Traktatit të Versajës për rastin e Rusisë dhe Ukrainë, a do të sillte dëme apo, në të kundërtën, do të ishte e dobishme?

Josep Borrell: Patjetër, Traktati i Versajës për t’i dhënë fund Luftës së Parë Botërore ishte – këtë mund ta them – baza për luftën vijuese sepse Lufta e Parë Botërore nuk ndaloi, nuk përfundoi më 1919, por vazhdoi deri më 1945. Dhe ne u desh të mësojmë nga historia. Por, sërish, ne jemi këtu ku jemi. Jemi në mes të një lufte të tmerrshme, kur njerëz të pafajshëm, civilë, po vriten, ku Rusia po tenton ta shkatërrojë vendin sepse nuk po arrin ta mposhtë. Kështu që, ajo që duhet ta mendojmë sot është se si mund ta përfundojmë këtë luftë që ta respektojmë integritetin territorial dhe sovranitetin e një vendi që është pushtuar pa asnjë arsye të justifikueshme. Dhe, më vonë, do të shohim… siç thashë, ne duhet ta mbajmë derën hapur për çfarëdo procesi për paqe që i respekton këto principe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat