“Trysni e vërtetë ndërkombëtare” - Kamberi zbulon për “Bota sot”: Vuçiq, afër nënshkrimit të marrëveshjes me Kosovën

Intervista

“Trysni e vërtetë ndërkombëtare” - Kamberi zbulon për “Bota sot”: Vuçiq, afër nënshkrimit të marrëveshjes me Kosovën

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 26 shkurt 2023 Në ora: 20:02
Shaip Kamberi

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë Shaip Kamberi, ka deklaruar se në Serbi është krijuar bindja që presidenti Aleksandar Vuçiq, është afër nënshkrimit të marrëveshjes bazë me Kosovën. 

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Kamberi ka potencuar se Vuçiq, dalëngadalë, po ndryshon qasjen ndaj qëndrimeve të deritashme, i gjendur nën një trysni të vërtetë perëndimore. 

Në këtë intervistë, deputeti shqiptar ka folur edhe për përballjen me Vuçiqin në parlamentin serb, duke theksuar se është mësuar me presionet që ai ia shkakton përmes mediave të kontrolluara nga qeveria në Serbi. 

Ai ka treguar se presidentit serb, i ka thënë disa herë, se konflikti me shqiptarët është i dëmshëm edhe për të. 

Intervista e plotë: 

“Bota sot”: Në Serbi u bë zhurmë e madhe që festuat për herë të parë 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës në Beograd. Reaguan edhe politikanë serbë. A keni marrë kërcënime për këtë organizim? 

Shaip Kamberi: Së pari unë nuk kam qenë organizatori, aty kam qenë vetëm si mysafir i ftuar nga Zyra ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd, me ftesën e z. Jetish Jashari. Por, është shumë e qartë që në Serbi, sa herë që përmendet Kosova, ka reagime histerike nga të gjitha anët. Diçka e zakonshme në një ambient albanofob, i cili ndizet edhe më tepër nga shtypi i kontrolluar dhe opozita e djathtë ekstreme. Gjithë reagimet e tyre janë pjesë e politikës ditore të politikanëve, që në agjendat e veta akoma e kanë krijimin e “Serbisë së madhe”, qasjen mitologjike ndaj Kosovës, të zhveshur plotësisht nga realiteti politik që i rrethon. 

“Bota sot”: Si e keni parë sulmin ndaj Sonja Biserkos nga mediat e Vuçiqit, për pjesëmarrjen e saj në festën për 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës në Beograd? Si e vlerësoni kontributin e saj? 

Shaip Kamberi: Sonja Biserko është një ndër veprimtaret më të spikatura në Serbi, e cila, për dekada me radhë, lufton politikat serbomëdha, angazhohet kundër politikës së mohimit të krimve të luftës dhe për demokratizimin e saj. Prandaj, ajo, për gjithë kohën e veprimit të vet ishte nën sulmet e mediave qeveritare, kështu që edhe sulmi i fundit ndaj saj, është pjesë e një politike që sulmon të gjithë ata që flasin hapur se Kosova është shtet i pavarur. 

“Bota sot”: Çka prisni se do të ndodhë të hënën, në takimin e 27 shkurtit, mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, a do të ketë marrëveshje? 

Shaip Kamberi: Nuk kam ndonjë informacion të saktë se çfarë mund të ndodhë në takimin e 27 shkurtit. Presim e shohim, por, në Serbi disi është krijuar një bindje se presidenti Aleksandar Vuçiq është afër vendimit për firmosjen e Marrëveshjes bazë. 

“Bota sot”: Opozita në Kosovë po aludon se kryeministri Kurti të hënën do të nënshkruajë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. A besoni se do të ndodhë një gjë e tillë, marrë parasysh presionin ndërkombëtar? 

Shaip Kamberi: Marrëveshja me Serbinë, nuk është vetëm problem i kryeministrit Kurti, por i gjithë Kosovës, sepse ajo determinon të ardhmen e Kosovës si shtet e jo të ardhmen e qeverisë aktuale. Prandaj, edhe është me rëndësi që në Kosovë, të ketë një koncesus lidhur me këtë temë. 

Ka disa parametra që flasin se Vuçiq, dalëngadalë, po ndryshon qasjen ndaj qëndrimeve të deritashme, sidomos ndaj Rusisë. Kjo do ta bëjë Serbinë partner të Perëndimit dhe faktor të rëndësishëm në Ballkan. Këtë duhet ta ketë parasysh shoqëria në Kosovë. 

“Bota sot”: Kryeministri Kurti së fundmi ka pyetur se pse Serbia s’po u mundëson Asociacion një-etnik shqiptarëve e minoriteteve të tjera atje. Sa është e mundshme një gjë e tillë? 

Shaip Kamberi: Edhe kërkesa jonë shkon në atë drejtim. Parimet e marrëveshjes së ardhshme mes Kosovës dhe Serbisë, sidomos në pjesën që do t’i kushtohen të drejtave të komuniteteve duhet të kenë vlerë universale. Ato parime, në interes së paqes së qëndrueshme, nuk duhet të kenë ekskluzivitet vetëm për të drejtat e një komuniteti, sepse mbrojtja e të drejtave të pakicave “është pjesë përbërëse e mbrojtjes ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, dhe si e këtillë ajo nuk mund të ketë vlerë ekskluzive vetëm për një pakicë. 

“Bota sot”: Si e komentoni planin franko-gjerman, a mendoni se është një bazë e mirë për arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë? 

Shaip Kamberi: Nuk i di detajet që përmban, por, nëse kryeministri i Kosovës thotë se është bazë solide për marrëveshje, atëherë duhet ta besojmë këtë. Në anën tjetër, në Serbi, ka kundërshtime të mëdha në të gjitha taborret: pozitë e opozitë, por se për dallim nga opozita pro-ruse, e cila refuzon çfarëdo marrëveshje me ndërmjetësimin e Perëndimit, pozita flet për sanksionet, të cilave do t’i nënshtrohet Serbia në rast refuzimi. 

“Bota sot”: Si e komentoni ndryshimin drastik të deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, nga “nuk do të dorëzohemi për Kosovën”, deri te deklarimi i tanishëm se “do të izolohemi, nëse nuk e pranojmë planin franko-gjerman”? A mund të ketë së shpejti një “dorëzim” të Serbisë dhe një marrëveshje me Kosovën? 

Shaip Kamberi: Asnjëherë deri më tani, Vuçiq, nuk është përballur me një qëndrim të qartë dhe të sinkronizuar trans-atlantik (SHBA e BE) për çështjen e Kosovës dhe sanksionet ndaj Rusisë, prandaj edhe politika e tij e ekuilibrimit mes Lindjes dhe Perëndimit ka patur disi sukses. Tani, me luftën në Ukrainë, edhe hapësira e tij e manovrimit është ngushtuar. I gjendur nën një trysni të vërtetë perëndimore, ai ka evoluar në qëndrimet e tij. 

“Bota sot”: Albin Kurti nuk është terrorist”, ju patët një përballje me presidentin Vuçiq lidhur me deklaratat e tij për kryeministrin e Kosovës. Çka ndodhi një prapavijë, a pati tensione pas këtij debati me Vuçiqin? 

Shaip Kamberi: Vetë Vuçiq e pati quajtur kryeministrin Kurti “terrorist” dhe “monstrum”. Unë vetëm i thashë që politika e juaj qindar vjeçare e dhunës ndaj shqiptarëve nuk jep rezultate, është koha të mësoni nga politikat tuaja ndaj shqiptarëve. Disa herë ia kam thënë se konflikti me shqiptarët është i dëmshëm edhe për ju. Presionet që më përcjellin janë përmes mediave të kontrolluara nga qeveria apo nga partitë e të djathtës ekstreme në parlament. Jam mësuar të jetoj me gjithë këtë. 

“Bota sot”: Ju keni dorëzuar propozimin për ndryshimin e Ligjit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave në Serbi dhe lejimin e përdorimit të flamurit në festat kombëtare. A keni gjetur përkrahje për këtë propozim? 

Shaip Kamberi: Jam duke u ballafaquar me një heshtje rreth kësaj teme. Propozimi im është i bazuar në normën kushtetuese se “pakicat kanë të drejtën e përdorimit të lirë dhe zyrtar të simboleve të veta”, me Konventën kornizë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave të Këshillit të Evropës dhe me praktikën e mire, e cila ekziston në shtetet e rajonit. Po presim, edhe pse jam i vetëdijshëm se niveli aktual i demokracisë në Serbi nuk është në gjendje të kapërdijë flamurin e kuq me shqiponjën e zezë dykrenare. 

“Bota sot”: Si e keni parë dënimin e Ragmi Mustafës, nga Gjykata e Vranjës në Serbi për kundërvajtje , pas ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar më 28 nëntor të vitit të kaluar, për nder të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë? 

Shaip Kamberi: Metodë e vazhdueshme presioni ndaj z. Mustafi dhe shqiptarëve në tërësi. Serbia assesi të mësohet se ndjekjet politike, dhuna, dënimet e arrestimet nuk ia zgjidhin problemet me shqiptarët. Ka vetëm një rrugë e kjo është respektimi i plotë i të drejtave tona individuale dhe kolektive. Megjithatë, kjo Serbi, nuk po shfaqë ndonjë nxitim për demokratizim, i cili do t’i japë përgjigje edhe kërkesave tona. 

Një gjë është e qartë, dënimet, nuk do të ndikojnë të bëjmë kompromise për çështjen e flamurit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat